Maqedonia Shqiptare, Përgjigje ndaj Enciklopedisë

polisi_tajrush

Struga zemra Ilirides
Doli nga shtypi libri "Maqedonia Shqiptare",kundërpërgjigje ndaj Enciklopedisë Maqedonase


2mcee4g1.jpg


Vula e turpit dhe e barbarisë historiografike

“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë, vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe”. " A nation of sheep will beget a government of wolves" : Edward R. Morrow ( 1908-1965 ) American Journalist.


“Enciklopedia maqedonase”, që trazoi një rrëmet dhe turbullirë opinionesh në Maqedoni dhe më gjerë, nga pjesa më e madhe e debatuesve të saj thuajse u kuptua vetëm si një rrufe e rënë nga qielli i paqtuar, si një aksident i trazuar nga ca mendje të matufosura dhe të robëruara që kanë bërë emër si shkrues të përhënur të kronikave mbi hanet e eklipsuara të udhëve të historisë; në të cilat udhë, ata, me moral të zvetënuar shkencor, kanë ngritur një histori të paqenë, të shpërfytyruar dhe duke bërë rrënojë historinë e të tjerëve, kanë përvetësuar paturpësisht tërë atë rrugëtim historik të të tjerëve, të cilën e gjejmë të faktuar në një det të pamasë veprash historike të të gjitha kohërave.

Kjo sipërmarrje ishte menduar që të jetë vepra e fundme e radhës, e cila i shkon gjer në fund zhbërjes së faktit historik të shqiptarëve këtu dhe njëkohësisht ishte e menduar të dalë para lexuesve në një kohë që do të provonte edhe njëherë përgjumjen dhe anestezinë e ndërgjegjes kombëtare dhe historike ndër shqiptarët aktualisht. Dollia “konsensuale” që u ngrit në orët e para mes autorëve dhe cerberëve të eklipseve “historike” shqiptare, u përballë pastaj me zemëratën e opinionit shqiptar të esëlluar, si një fakt që dëshmoi se dollibashët e kishin gabuar kohën e konstatimit të “vdekjes totale në vuajtje dhe në heshtje” të ndërgjegjes kombëtare shqiptare . Ata mbase kishin hamendësuar se poshtërimi i radhës i bërë me këtë enciklopedi, nga të “ardhurit nga mali” do të shpallej prapë si një “pajtim historik”, sikundër u prit poshtërimi i gjuhës në Kushtetutë. Por, ishte reagimi i njëzëshëm dhe i përshqiptarshëm që e përgënjeshtroi këtë hesap dhe kalendar të lajthitur të autorëve të enciklopedisë.

Ndërkaq, ndanë këtyre reagimeve të përshqiptarshme, u imponuan zëshëm, si ca herë gjer më tash, edhe ca bufatori “melankolike” të hanxhinjve të “tavernave shkencore”, që paraprakisht, tok me autorët e kësaj zezone, kishin ecur tinëzisht dhe maje-gishtash mbi punën rrënuese të “enciklopedistëve”. Dhe, nga errëtira ku i kishin sosur këto pazare kobheshtura, ky rrëmet i trazoi të dalin vetëm për ca kohë në “bregun e shpëtimit”, ku këta “parathënës përfitues” kërkonin që edhe njëherë të shfaqin “rishkëlqimin” mashtrues si apologjet të të “vërtetave historike”, të cilat nuk shkojnë më larg se hyrja në vath dhe në pazar të ri në këtë intrigë të vazhduar.

Ndërgjegjefjeturit e kobeve të heshtura që hiqen si “dijetarë legjitim të shqiptarëve”, zhvendosen gjithë këtë reagim në një banalizim dhe amnestim të këtij projekti si veprim rastësor i një “akademiku” dhe ca njerëzve rrotull tij. Pas mehjes së të buçiturave të tyre, fajbërësit tinëzar bënë që gjithë ky ortek reagimesh të mbarojë me një “paqtim” dhe me ca korrigjime dhe eufemi “semantike” të poshtërimeve dhe shkretnimeve, që i kishte bërë botimi i kësaj enciklopedie. Ata u kujdesën që ky pakt i brishtë mendjelehtësie i kësaj “intrige historike maqedonase”, nga të “poshtëruarit e përhershëm” të përshpallej si një “ngadhënjim” mbi “mendjekrisjen e molepsur akademike” të autorëve të kësaj enciklopedie.
Dhe ky “ngadhënjim” doli fare e kuptuar se është “ndreqje” e poshtërimit nga të tjerët me vetëposhtërimin për hir të tjerëve, duke u bërë bashkautorë të “vullnetshëm” dhe “legjitim” të fajësisë si një recidiv fatal me shtrat të thelluar në mendësinë e tyre të vetëskllavësisë së “pëlqyer” të orkestruar tinëzisht në “Olimpin” e pazareve “shkencore” për ta vazhduar më tej intrigën.

Dalja nga eklipsi


Një pjesë e ndriçuar e opinionit publik shqiptar, që kishte një perceptim të esëlluar mbi këtë ndodhi që ishte pjellë e ligë e një trajektoreje të pashkëputur mbi një gjysmëshekulli të autorëve që e kishin ngritur këtë historiografi mbi themele të shtrembëruara, doli më e prerë në qëndrimet e tyre, se çfarë përgjigjeje meritore duhej dhënë një enciklopedie të këtillë të nxirë me falsifikime, shkretnime, poshtërime dhe zhbërje të epokave, të hartave, të personaliteteve dhe të ndodhive historike që i kanë dhënë emër dhe prani popullit tonë në këtë vend.

Duke injoruar “paktin e intrigës së vazhduar”, që trumbetohet si zgjidhje “civilizuese” dhe “konsensuale” ndërmjet rrufjanëve të të “poshtëruarve” dhe “mesësve” të “poshtëruesve” , mori mbështetje nisja për të dalë me një kundërpërgjigje mendjepeshuese më efektive dhe më përmbajtjesore ndaj një stive të molepsur të 300 zërave që poshtërojnë shqiptarët dhe historinë e tyre në këtë enciklopedi .

Kjo vepër në dy vëllime, vëllimin e parë të së cilës tashmë e keni në dorë, ndjek dhe zhbiron udhën mbi gjysmëshekullore të “shkrimeve historiografike” të kësaj lagjeje historianësh, të cilët biografinë e tyre “shkencore” e kanë ngritur mbi një stivë shtrembërimesh, fyerjesh dhe mohimesh të historisë sonë, dhe me këtë po ashtu kanë ngritur “biografinë kërkimore” të një institucioni që tash e “zbulon” realisht dhe më keqazi faqen e zezë të saj të njohur.
Ne, me këto dy vëllime, përmes faktesh mbi historinë tonë të shkruar nga autorë emblematikë, të huaj dhe shqiptarë, të cilët i kanë dhënë denjësi kuptimplote dijes së historisë, kemi bërë përpjekje të përvujtun që të japim një pamje më të qartë mbi shtyllat e historisë sonë kombëtare, të cilat i ka goditur vazhdimisht dhe është përpjekur t’i rrënojë përfare optika e ideologjizuar bizarisht e historiografisë maqedonase, nga fillimet e ngritjes së saj dhe gjer më tash.

Ne prandaj nuk e quajtëm të denjë të bëjmë polemikë për ndreqje të shtrembërimeve në zërat e enciklopedisë, sepse historia e popullit të autorëve të “Enciklopedie maqedonase” është faktuar si e paqenë në ato rrjedha dhe procese historike në këtë vend. Do të ishte e gabuar fare të hyhej në një polemikë me të paqenët në ato kohëra . Duke njohur faktin se, gjithë ky mal shtrembërimesh, falsifikimesh dhe poshtërimesh ndaj historisë sonë është ngritur jo nga realiteti historik, por nga heshtja e dhunshme e historiografisë sonë më se gjysmëshekulli dhe në një fare dore edhe nga heshtja e turpshme e një pjese të saj sot, ne menduam që këto vëllime t’i japin përgjigje gjithë kësaj kohe të heshtur në raport me “agresionin” që shkrimet “historike” të kësaj lagjeje akademikësh maqedonas ia kanë bërë historisë dhe historiografisë sonë.
Në fakt, në këto dy vëllime, përmes shkrimeve që ruajnë denjësisht rrafshin e trajtimit të njëmendshëm shkencor dhe etikës akademike, jepet përgjigjja e parë, deri tash e munguar e historiografisë shqiptare ndaj këtyre shtrembërimeve, trillimeve të historiografisë maqedonase. Njohësit e vëmendshëm të trajektores së deritashme të historiografisë maqedonase e kanë shumë lehtë ta çkodizojnë burimin e frymëzimit të përhershëm të kësaj historiografie që nga fillimet e saj dhe gjer më sot. Ajo është ngritur në linjat e historiografisë të ca qarqeve serbe dhe mbi projektet e tyre kundër shqiptarëve. Në 50 vjetorin e deritashëm të ekzistimit të saj, kjo historiografi ka zhbërë historinë e shqiptarëve në ato shtylla tek të cilat ka qenë e përqendruar kundër shqiptarëve edhe historiografia serbe. Le të krahasohet më këtë rast, ku nisi اubrilloviqi dhe ku kanë shkuar përtej tij, në vijimësi konstante historianët maqedonas dhe politika shtetërore maqedonase nga viti 1945 e gjer më sot, në zhbërjen e “pykës shqiptare në Maqedoninë Perëndimore”:

“Nga harta e bashkëngjitur del e qartë se cilat rajone duhet të pastrohen. Ato janë: Dibra e Epërme, Pollogu i Poshtëm, Pollogu i Epërm, Malet e Sharrit... Midis këtyre rajoneve, që përbëjnë të gjithë bashkë pykën shqiptare, më të rëndësishmit për ne tani janë: ...Dibra e Epërme dhe dy Pologët në jug dhe Malet e Sharrit. Këto janë zona kufitare që duhet të pastrohen nga shqiptarët me çdo çmim. Kolonizimi i Pollogut (i Epërm dhe i Poshtëm) dhe i Dibrës me këta paupers (varfanjakë), si dhe dhënia e kullotave atyre dhe jo shqiptarëve, do t'i bëjë ata që ta ndjejnë se ky është shteti i tyre dhe do t'i mbrojnë kufijtë e tij...
...Përveç atyre, kolonizimi në jug të Maleve të Sharrit dhe të Malit të Zi të Shkupit mund të bëhet me serbë nga Vranja, Leskovci, Piroti dhe Blasenica, sidomos me ata që janë nga fshatrat malore pasive. E përsërisim se dinarikët nuk do të lejohen të shtrihen në jug të vijës së formuar nga Mali i Zi i Shkupit dhe Malet e Sharrit...

...Nuk ka dyshim se institucionet tona më të larta shkencore kanë filluar të humbasin prestigjin e tyre të dikurshëm. Shkaku kryesor për këtë është se universiteti dhe Akadamia e Shkencave po largohen gjithnjë e më shumë nga jeta reale dhe janë duke neglizhuar detyrën Themelore që kanë ata në një vend relativisht të prapambetur si ky i yni, duke hapur rrugën për zbatimin e realizimeve shkencore të shekullit XX-të. Në radhë të parë, Akademia Mbretërore Serbe e Shkencave e Beogradit duhet të marrë iniciativën të organizojë një studim tërësor shkencor për të gjithë problemin e kolonizimit të vendit...“

Vëllimi i dytë i përgatitur nga ne, e përfshin në detaje kundërpërgjigjen ndaj projektit të vazhduar të اubrilloviqit në trajtimet “historiografike” të autorëve maqedonas dhe përkimet e plota ose “eufemike” të trajtimeve të tyre dhe politikës shtetërore maqedonase me këtë projekt historikisht zëkeq.

E gjithë historiografia maqedonase, mjerisht pa ndonjë zë të veçuar, ka kryer misionin e eklipsit total të Maqedonive etnografike brenda Maqedonisë dhe me këtë dhe të Maqedonisë shqiptare. Dy vëllimet e para, duke filluar nga përmendja e parë saj në Gjeografinë e C.Ptolomeut dhe në një sërë fjalorësh enciklopedikë, të librave të gjeografisë evropiane, të përmendur me emra të ndryshëm dhe më të shpeshtë si “Maqedoni Ilirike”, e qesin nga eklipsi historik shtrirjen gjeografike dhe etnografike të Maqedonisë shqiptare, si djep i lashtërishëm i autoktonisë së shqiptarëve në të, dhe njëherësh si djep i formimit të unicitetit kombëtar, të kulturës dhe të gjuhës së shqiptarëve.



Tetovë, nëntor 2009

Nijazi MUHAMEDI
Bardhyl ZAIMI
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 2 18.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 18.2%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 9.1%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 27.3%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 9.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 18.2%
Back
Top