Lufta, ndonjëherë e domosdoshme.....!

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Madhëritë Tuaja, Lartësitë Mbretërore, anëtarë të nderuar të Komitetit Norvegjez të "Nobelit", qytetarë të Amerikës dhe të së gjithë botës. Po e pranoj këtë çmim me një mirënjohje të madhe dhe me shumë përunjësi. ثshtë një çmim që flet për aspiratat tona më të larta dhe për faktin se, pavarësisht mizorive dhe vështirësive në botën tonë, ne nuk jemi thjesht "të burgosur" të fatit. Veprimet tona kanë vlerë dhe mund ta çojnë historinë në drejtim të drejtësisë. Do të tregohesha i pakujdesshëm, nëse nuk do të pranoja dhe njihja kundërshtinë e madhe që ka shkaktuar vendimi juaj bujar. Pjesërisht, sepse unë jam në fillim dhe jo në fund të përpjekjeve të mia në skenën botërore.
Krahasuar me gjigantët e historisë që e kanë marrë këtë çmim, si Schweitzer e Mandela, arritjet e mia janë shumë modeste. E më pas vijnë gratë dhe burrat në të gjithë botën, ata që janë burgosur dhe rrahur ndërsa nuk kanë hequr dorë nga kërkimi i drejtësisë; ata që kontribuojnë në organizatat humanitare për të lehtësuar dhimbjet e botës; ata miliona të panjohur, veprimet e heshtura e kurajoze të të cilëve frymëzojnë edhe zemrën më cinike në botë. Unë nuk mund të debatoj me ata që i konsiderojnë këta burra dhe gra, një pjesë të njohur, e të tjerë të panjohur, si më të denjë për nderin që më është bërë mua. Por ndoshta, çështja më e thellë që ka të bëjë me pranimin e këtij çmimi është fakti që unë jam shefi i ushtrisë së një kombi që ndodhet në mesin e dy luftërave.
Njëra në përfundim, tjetra është një konflikt të cilin nuk e kërkoi Amerika, një luftë në të cilën janë bërë bashkë 43 kombe, përfshi Norvegjinë, në një përpjekje për të mbrojtur veten dhe të gjitha kombet nga sulme të mëtejshme. Ne jemi në luftë dhe unë jam përgjegjës për dërgimin e mijëra amerikanëve të rinj në betejën që zhvillohet në një tokë të largët. Disa do të vriten, disa do të vrasin. Ndaj unë vij këtu me ndjenjën e kostove të këtij konflikti të armatosur, të mbarsur me çështje shumë të vështira në lidhje me luftën dhe paqen dhe përpjekjen tonë për të zëvendësuar njërën me tjetrën. Këto çështje nuk janë të reja. Lufta, në një mënyrë apo në një tjetër, u shfaq me njeriun e parë.
Në zanafillë të historisë, morali i saj nuk u shqyrtua, por ajo ishte thjesht një fakt, siç ishin thatësirat apo sëmundjet. Ajo ishte mënyra përmes së cilës tributë dhe civilizimet merrnin pushtetin dhe zgjidhnin kontradiktat. Me kalimin e kohës, ndërsa kodet e ligjit synonin që të kontrollonin dhunën brenda grupeve, të njëjtën gjë nisën të bënin edhe filozofët, klerikët dhe shtetarët. Pra nisën që të kërkonin të ndreqnin fuqinë shkatërruese të luftës. Koncepti "luftë e drejtë" u shfaq dhe ai sugjeronte se lufta është e justifikueshme vetëm kur përmbush disa parakushte: kur është përpjekja e fundit për zgjidhjen e një konflikti, apo në rastin e vetëmbrojtjes; nëse forca që përdoret është proporcionale dhe nëse civilët nuk bëhen pre e kësaj dhune.
Gjatë historisë ky parakusht i fundit rrallë është marrë në konsideratë. Aftësia e qenies njerëzore për të gjeneruar mënyra të reja të vrasjes dhe shfarosjes brenda llojit ka qenë e jashtëzakonshme, sikundër edhe aftësia jonë për të mos u ofruar mëshirë atyre që ishin të ndryshëm, apo që besonin në një Zot të ndryshëm nga yni. Luftërat mes ushtrive u hapën rrugë luftërave mes kombeve, luftërave totale. Brenda një harku kohor prej 30 vitesh, një kasaphanë e përmasave të jashtëzakonshme do të rrokte dy herë kontinentin.
Në Luftën e Dytë Botërore, numri i civilëve e tejkaloi atë të ushtarëve të vrarë. Para një shkatërrimi të tillë dhe me ardhjen e epokës bërthamore, u bë e qartë për fitimtarët dhe të humburit fakti se botës i duheshin institucione për të parandaluar një tjetër luftë botërore. Kështu u krijua plani "Marshall" dhe Kombet e Bashkuara, mekanizma që do të parandalonin çdo luftë, traktatet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, parandalimit të gjenocidit dhe mospërhapjes së armëve të rrezikshme. Këto përpjekje, në pjesën më të madhe të tyre, kanë pasur sukses. Sigurisht, ndërkohë, ka pasur edhe luftëra të tmerrshme, por nuk pati më një Luftë të Tretë Botërore. Lufta e Ftohtë përfundoi me një prishje domethënëse të murit. Tregtia luajti një rol ngjizës.
Miliarda vetë kanë dalë nga gjendja e varfërisë së thellë. Idealet e lirisë, vetëvendosjes, barazisë dhe ligjit kanë avancuar shumë. Ne jemi trashëgimtarët e atyre që u përpoqën në të shkuarën dhe kjo është një trashëgimi për të cilën vendi im, me të drejtë, është krenar. Pas një dhjetëvjeçari në shekullin e ri, kjo arkitekturë e vjetër po përkulet nën barrën e kërcënimeve të reja. Bota mund të mos kërcënohet më nga ideja e një lufte mes dy fuqive bërthamore, por poliferimi mund të shtojë shumë rrezikun e një katastrofe. Terrorizmi ka qenë prej kohësh një taktikë, por teknologjia moderne i jep mundësi të jashtëzakonshme edhe një grushti të vogël njerëzish.
Luftërat mes kombeve i kanë lënë vendin luftërave brenda kombeve. Rizgjimi i konflikteve sekrete dhe etnike, rritja e lëvizjeve separatiste, kryengritjeve e rebelimeve i kanë futur pa reshtur civilët në kurthin e kaosit. Në luftërat e sotme, vriten shumë më tepër civilë se sa ushtarë; farërat e konflikteve të ardhshme mbillen, ekonomitë shkatërrohen, shoqëritë civile nuk funksionojnë, shtohet në masë numri i refugjatëve dhe i fëmijëve jetimë. Unë nuk kam sjellë me vete sot një zgjidhje përfundimtare për problemet e luftës. Ajo çka di është se përballimi i këtyre sfidave do të kërkojë të njëjtin vizion, punë të palodhur dhe këmbëngulje, si dhe ato të burrave dhe grave që vepruan në këtë mënyrë dhjetëvjeçarë të shkuar. Dhe do të na duhet që të mendojmë në një mënyrë të re për nocionin e një lufte të drejtë dhe një paqeje të tillë.
Ne duhet që të nisim me të kuptuarit e së vërtetës së hidhur, se nuk do të mundemi të çrrënjosim konfliktin e dhunshëm në kohën tonë. Do të ketë raste kur kombet, përmes veprimeve të njëanshme, apo kolektive do ta konsiderojnë përdorimin e forcës jo vetëm të nevojshme, por moralisht të justifikueshme. E bëj këtë deklaratë, duke pasur parasysh se Martin Luther King tha të njëjtën gjë në një ceremoni vite më parë: "Dhuna nuk sjell kurrë paqe të përhershme, nuk zgjidh problemet sociale, ajo thjesht krijon situata të reja më të ndërlikuara se të parat". Unë vetë jam një dëshmi e gjallë e forcës morale të paqes. Unë e di se nuk ka pasur asgjë të dobët, pasive, naive në kredot dhe jetët e Gandhit apo Kingut. Por si kryetar shteti, jam betuar që të mbroj vendin tim dhe nuk mund të qëndroj pasiv përballë kërcënimeve ndaj popullit amerikan.
E keqja ekziston në botë. Një lëvizje paqësore nuk do të kishte mundur kurrë ushtritë e Hitlerit. Negociatat nuk do t‘i bindin kurrë liderët e "Al-Kaedës" që t‘i ulin armët. Pranimi i faktit që ndonjëherë forca është e domosdoshme nuk është aspak cinizëm, por është të njohësh historinë, gabimet e njeriut dhe kufizimet e arsyes. Por bota duhet që të kuptojë se nuk ishin thjesht institucionet ndërkombëtare, apo traktatet dhe deklaratat ato që sollën stabilitet në botën e pas Luftës së Dytë Botërore. اfarëdo gabimi që mund të kemi bërë, fakti i thjeshtë dhe i qartë është: Amerika ka ndihmuar në mbajtjen e sigurisë globale për më shumë se gjashtë dekada me gjakun e qytetarëve të saj dhe të forcës së armëve.
Shërbimi dhe sakrifica e grave dhe burrave tanë në uniformë ka promovuar paqen dhe prosperitetin nga Gjermania në Kore dhe ka mundësuar demokracinë që të lulëzojë në vende të tilla si Ballkani. E kemi mbajtur këtë barrë, jo sepse kërkojmë që të imponojnë vullnetin tonë, por sepse kërkojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe besojmë se jetët e tyre do të jenë më të mira nëse edhe fëmijët e të tjerëve, në mbarë botën, do të jetojnë në liri e begati. Pra instrumentet e luftës kanë një rol në ruajtjen e paqes. Kjo e vërtetë duhet që të bashkëjetojë me një tjetër që është që, pavarësisht sa e justifikuar, ajo shkakton tragjedi njerëzore.
Kuraja dhe sakrifica e ushtarëve është e mbushur me lavdi, por lufta në vetvete nuk është kurrë e lavdishme dhe nuk duhet kurrë ta trumbetojmë si të tillë. Pra pjesë e sfidës sonë është edhe pranimi i këtyre dy të vërtetave se lufta është ndonjëherë e nevojshme dhe se lufta në njëfarë niveli është shprehëse e ndjenjave njerëzore. Konkretisht ne duhet që të përqendrojmë forcat tek ajo për të cilën Presidenti Kenedi bëri thirrje vite më parë: Le të përqendrohemi te një paqe më praktike, më e arritshme, bazuar jo te një revolucion i beftë i natyrës njerëzore, por te një evolucion gradual i institucioneve njerëzore".
Si mund të ishte një evolucion i tillë? Cilat do të ishin këto hapa praktikë? Sa për fillim, besoj se të gjitha kombet e fuqishme, apo të dobëta, duhet të aderojnë në standardet që drejtojnë përdorimin e forcës. Unë, si çdo kryetar tjetër shteti, kam të drejtën që të veproj në mënyrë të njëanshme, nëse është e nevojshme, për të mbrojtur vendin tim. Bota u bashkua me Amerikën pas 11 shtatorit dhe vazhdon që të mbështesë përpjekjet tona në Afganistan, për shkak të tmerrit të atyre sulmeve të pakuptimta dhe njohjes së parimit të vetëmbrojtjes.
Po ashtu, bota e njohu nevojën e konfrontimit të Sadam Huseinit, kur ai sulmoi Kuvajtin, një konsensus që përçoi një mesazh të qartë në lidhje me koston e agresionit. Por Amerika nuk mund të ngulmojë që të tjerët të ndjekin rregullat, nëse ne vetë refuzojmë që t‘i ndjekim ato. Nëse kjo ndodh, atëherë veprimet tona do të dukeshin arbitrare. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme kur qëllimi i veprimit ushtarak shtrihet përtej vetëmbrojtjes, apo mbrojtjes së një vendi kundër një agresori. Gjithnjë e më tepër, ne të gjithë përballemi me çështje të vështira të parandalimit të shkaktimit të dëmeve te civilët nga qeveritë e tyre, apo të ndalimit të luftërave civile, dhuna dhe vuajtjet e të cilave mund të shkaktojnë probleme në një rajon të tërë. Unë besoj se forca mund të justifikohet kur bëhet fjalë për çështje humanitare, si në rastin e Ballkanit.
Mungesa e veprimit mund të çojë në rritjen e kostove më pas. Kjo është arsyeja se përse të gjitha kombet e përgjegjshme duhet që të përkrahin ushtarët, që me një mandat të qartë mund të luajnë një rol për paqen. Zotimi i Amerikës ndaj çështjeve të sigurisë botërore nuk do të ndryshojë kurrë, por në një botë me shumë kërcënime dhe misione të komplikuara, Amerika nuk mund të veprojë e vetme. I tillë është edhe rasti i Afganistanit. Por edhe në rastet e dështimeve në Somali, ku terrorizmi dhe pirateria e bërë bashkë me urinë dhe vuajtjen njerëzore kanë shkaktuar shumë humbje. Liderët dhe ushtarët e NATO-s dhe miq e aleatë të tjerë e shfaqin këtë të vërtetë përmes aftësisë dhe kurajës që kanë treguar në Afganistan. Por në shumë vende ka një mungesë lidhjeje mes përpjekjeve të atyre që shërbejnë dhe ambivalencës së publikut të gjerë.
Unë e kuptoj se lufta nuk është popullore, por di edhe se besimi se paqja është e dëshirueshme nuk mjafton për ta arritur atë. Paqja kërkon përgjegjësi, kërkon sakrificë, kjo është arsyeja që NATO vazhdon të jetë e domosdoshme. Le të them edhe diçka për përdorimin e forcës. Edhe kur marrim vendime të vështira për luftën duhet të mendojmë kthjellët se si ta fitojmë atë. Komiteti i "Nobelit" e njohu këtë të vërtetë kur i dha çmimin Henry Dunant, themeluesit të Kryqit të Kuq. Aty ku lufta është e domosdoshme, ne kemi përgjegjësi morale për të vepruar brenda disa rregullave të sjelljes. Unë mendoj se Amerika duhet të vazhdojë të jetë një standard mbajtëse. Kjo na bën të ndryshëm nga ata me të cilët luftojmë. Ky është burimi i forcës sonë. Kjo është arsyeja përse ndalova torturën, përse kërkova mbylljen e burgut të Guantanamos dhe përse kam rikonfirmuar zotimin e Amerikës për të zbatuar Konventën e Gjenevës. Ne humbasim veten, kur bëjmë kompromise me idealet për të cilat nisim luftën.
Ne nuk mendojmë që natyra njerëzore është e përsosur, por mund të mendojmë që kushtet njerëzore mund të perfeksionohen. Nuk duhet të jetojmë në një botë të idealizuar, por duhet të vazhdojmë që të kërkojmë ato ideale, të cilat e bëjnë botën një vend më të mirë. Mosdhuna e praktikuar nga Ghandi apo King mund të mos ketë qenë praktike apo e mundur në të gjitha rrethanat, por ajo çka ata predikuan duhet të jetë Ylli i Veriut që na udhëheq në udhëtimin tonë. Nëse humbasim besimin, nëse na duket si naive, nëse do të shkëputemi nga vendimet që marrim në lidhje me çështjet e luftës, apo të paqes, atëherë do të kemi humbur besimin te njerëzimi, do të humbasim sensin e mundësisë. Le të kërkojmë dhe të synojmë atë botë që i ngjan asaj shkëndije hyjnore që ndodhet në shpirtrat tanë.
- Fjalimi i Presidentit të SHBA-së në marrjen e çmimit Nobel
To
 
Back
Top