Lauri
Anunnak
Lirohet nga burgu aktivistja saudite Loujain al-Hathloul
Aktivistja saudite, Loujain al-Hathloul.
Aktivistja e shquar e të drejtave të grave në Arabinë Saudite, Loujain al-Hathloul është liruar nga burgu. Ajo qëndroi për tri vjet në paraburgim dhe rasti i saj kishte shkaktuar zemërim të bashkësisë ndërkombëtare.
"Loujain është në shtëpi", shkroi në Twitter, motra e saj, Lina al-Hathloul.
Hathloul, 31-vjeçare, është aktiviste e njohur e Arabisë Saudite e cila zhvilloi fushata të gjëra për të drejtën e grave për të vozitur makinën dhe për t'i dhënë fund sistemit të kujdestarisë nga burrat. Në vitin 2018 ajo u arrestua së bashku me disa gra tjera.
Disa javë pas arrestimit të tyre ky vend vendosi të lejojë gratë që të drejtojnë makinat.
Në dhjetor të vitit 2020, një gjykatë e dënoi aktivistën Hathloul me gati gjashtë vjet burgim mbi akuzat për lidhje me terrorizmin, por një pjesë e dënimit ishte pezulluar duke hapur rrugën për lirimin e saj të parakohshëm. Edhe pse është lënë e lirë ajo ende është në vëzhgim dhe i ndalohet largimi nga Arabia Saudite.
Lirimi i saj nga burgu ndodhë në kohën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po i rishqyrton raportet me Arabinë Saudite, në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen saudite në luftën e Jemenit.
Gjatë një fjalimi në Pentagon, presidenti Biden e mirëpriti lajmin për lirimin e aktivistes saudite. Organizatat e të drejtave të njeriut gjithashtu e mirëpritën lirimin e saj, por kërkuan që edhe aktivistet tjera të lirohen.
Sundimtari de fakto i Mbretërisë, Princi i Kurorës, Muhamed bin Salman, është përpjekur të marrë vendime të cilat do ta paraqisnin atë si reformator. Megjithatë kritikët raportojnë për masa të vazhdueshme ndaj aktivistëve dhe rivalëve brenda monarkisë.
(Radio Europa e lirë)