Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Një histori e trazuar

Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Një histori e trazuar
2:07 - 04/09/2016 Aktualitet, Bota 0

Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Një histori e trazuar
1. Kryqëzatat, 2 shekuj luftë; 2. Ngjitja e otomanëve; 3. Evropa ndan me thikë Lindjen e Mesme; 4. Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Lufta e Parë Botërore dhe përtej; 5. Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Rritja e rolit të SHBA; 6. Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Përplasja me Islamin. Dhe të gjithë protagonistët e ngjarjeve që kanë ndryshuar historinë e një rajoni të trazuar/

1. Kryqëzatat, 2 shekuj luftë

Kur Presidenti Bush i shpalli për herë të parë luftë terrorizmit menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit, ai bëri gabim që përdori fjalën “kryqëzatë” për ta përshkruar. Kjo është shumë e urryer në botën arabe, ku kryqëzatat janë përmendur shpesh si simbol i projekteve perëndimore në Lindjen e Mesme.

Në fund të shekullit të 11-të, Papa i Romës shpalli një kryqëzatë për të marrë Jeruzalemin nga arabët, të cilët e kishin mbajtur qytetin për shekuj me radhë. Brenda vetëm pak vitesh, kalorës evropianë morën qytetin, duke vrarë shumicën e banorëve të tij myslimanë dhe hebrenj. (www.bota.al)

Kështu do të fillonin dy shekuj luftëra të shenjta, të idealizuara nga udhëtarë dhe poetë evropianë, por të urryera nga arabët, si simbol i projekteve perëndimore në tokat arabe. Do të ishte gjithashtu një periudhë e figurave të jashtëzakonshme – Rikard Zemërluani, mbreti anglez, dhe Saladini, perandori i arabëve. Për shumë njerëz në botën e sotme arabe, kryqëzatat përfaqësojnë kërcënimin konstant të pushtimit prej perëndimorëve. Por shumë dijetarë thonë se kjo është një pikëpamje të pasaktë. “Kryqëzatat mesjetare u morën dhe pastaj u shndërruan në diçka, që në të vërtetë nuk ishin në krye të herës”, thotë Thomas Madden, një historian i kryqëzatave në Universitetin St. Louis. “Ato u kthyen në një lloj proto-imperializmi, në një përpjekje për të sjellë frytet e qytetërimit evropian, në Lindjen e Mesme. Kur në fakt gjatë Mesjetës, fuqia e madhe – fuqia e madhe, e sofistikuar dhe e pasur – ishte bota muslimane. Evropa ishte e Bota e Tretë”.

PROTAGONISTET:

Papa Urbani II

Lindi në vitin 1035 në Francë. Vdiq në vitin 1099 në Romë. U bë Papë në vitin 1088. Ishte iniciatori i Kryqëzatave. Ai bëri thirrje për një Kryqëzatë, për të pushtuar Tokën e Shenjtë në vitin 1095, në Këshillin e Clermontit, në Francë. Gjithashtu u përpoq që të bashkonte Kishën Perëndimore Latine dhe Lindore Ortodokse, duke kërkuar bashkimin e të gjithë Krishtërimit. Kryqëzata e parë pati sukses në marrjen e Jeruzalemit në vitin 1099, por përpjekja e Urbanit për të bashkuar dy degët e Kishës dështoi.

Saladini

Lindi në vitin 1137 në Tikrit, Mesopotami (sot Irak). Vdiq në vitin 1193 në Damask. Ndonëse i lindur kurd, ai u bë më i madhi i udhëheqësve arabë, duke bashkuar tokat e Egjiptit dhe Sirisë në shekullin 12. Ai udhëhoqi ushtritë arabe në një fushatë të suksesshme kunër Kryqtarëve Europianë në fundin e shekullit 12. Saladini i dha fund kontrollit 88-vjecar të Jeruzalemit nga të krishterët, pasi shkatërroi ushtrinë e krishterë në betejën e Hatinit, në vitin 1187. Saladini fitoi një reputacion si udhëheqës bujar dhe virtuoz. Shpesh herë, ai kërkonte kompromisin, në vend që të përdorte forcën. Ai ishte i dedikuar ndaj kauzës së Islamit dhe luftoi europianët nën flamurin e xhihadit, ose Luftës së Shenjtë. Saladini negocioi tërheqjen e forcave të Kryqtarëve të Krishterë nën udhëheqjen e Rikard Zemërluanit, në vitin 1192. Në të gjithë botën arabe, Saladini shihet sot si hero.

Rikard Zemërluani
Lindi në Oksford, në vitin 1157. Vdiq në vitin 1199 në Aquitaine, Francë. Djali i Henryt II dhe Eleanorës së Aquiitaine. U bë Dukë i Aquitaines dhe Poitiers si dhe Mbret i Anglisë. Një hero legjendash romantike, për udhëheqjen e tij në Kryqëzatën e Tretë, ai mbërriti në Tokën e Shenjtë në vitin 1191, dhe siguroi një seri fitoresh të shpejta kundër forcave të Saladinit, në qytetet bregdetare në Mesdheun lindor. Por nuk arriti të pushtojë Jeruzalemin.Rikardi e ndali sulmin ndaj atij qyteti në vitin 1192, dhe negocioi një marëveshje paqeje, si dhe tërheqjen e tij. U burgos në Austri rrugës së kthimit nga Kryqëzatat. I liruar pas pagesës së një shpërblimi të majmë, ai u rikthye në Angli dhe kaloi pesë vite të jetës në përpjekje për të konsoliduar mbretëritë e tij në Britani dhe Francë.

2. Ngjitja e otomanëve

Për shekuj me radhë pas kryqëzatave, kur evropianët flisnin për konfliktin e tyre me Islamin, ata gjithmonë i referoheshin turqve, jo arabëve. Turqit osmanë kishin ardhur nga Azia Qendrore gjatë shekullit të 14-të, duke pushtuuarpothuaj të gjithë Turqinë e sotme, dhe pastaj nisën përpjekjet për zgjerimin e perandorisë së tyre në Lindjen e Mesme arabe dhe në Evropë.

Perandoria që krijuan Osmanët ishte një shtet islamik, dhe për një kohë sfidantja për kontrollin evropian të Mesdheut.

Shumë njerëz në Evropë, 400 vjet më parë, kishin frikë nga osmanët sepse ata ishin muslimanë, thotë David Lesch, profesor i historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin Trinity në San Antonio. Por ai thotë se osmanët nuk e perceptonin njësoj, natyrën e konflikteve të tyre me evropianët.

“ثshtë e qartë se ata shihnin vlerë në përhapjen e fesë”, thotë Lesche. “Por Perandoria Osmane e shihte veten shumë më tepër si perandori evropiane, se sa si perandori e Lindjes së Mesme. Dhe ata kishin një qasje shumë tolerante ndaj jo-muslimanëve, duke qenë se shumica e popullsisë në Perandorinë Osmane – sidomos kur ajo ishte në kulmin e vet – ishte jo-myslimane. Në fakt, ishte e krishterë”.

Sundimtarët në të dy anët ndiqnin të njëjtat qëllime, pavarësisht besimeve të tyre të ndryshme, thotë historiani Richard Bulliet, i Universitetit Columbia. “Kjo ishte në thelb politika e fuqive të shteteve të mëdha, dhe Perandoria Osmane ishte pjesë e sistemit evropian të shteteve të fuqishme, që luftonin për përfitime territoriale,” thotë ai.

Osmanët u mundën pas rrehtimit të dytë prej tyre të Vienës, në vitin 1683. Deri në fund të shekullit, ata kishin nënshkruar një traktat paqeje me një koalicion të armiqve të tyre evropianë. Ata kurrë nuk do të ishin më aq të fuqishëm.

Figurat kryesore:

Mehmeti II (Pushtuesi)

I lindur në 1432 në Traki. Vdiq në 1481 pranë Kostandinopojës. Dy herë Sulltan i Perandorisë otomane, nga 144 në 1446 dhe nga 1451 në 1481. Gjatë mbretërimit të dytë ai mori Kostandinopojën, duke i dhënë fund Perandorisë Bizantine, si dhe duke krijuar shtetin otoman si një fuqi e madhe në Mesdhe. Ai forcoi edhe kontrollin otoman mbi të gjithë Anadollin (Turqinë e sotme) si dhe mbi territore të rëndësishme në Ballkan. Mehmeti gjithashtu riorganizoi qeverinë otomane dhe nisi kodifikimin e ligjeve. Ai ishte tolerant ndaj arsimit dhe besimit europian dhe krijoi një librari të madhe tekstesh në latinisht dhe greqisht në pallatin e tij. Gjatë mbretërimit, ai nxiti përparime në studimin e matematikës dhe ekonomisë.

Sulejmani I (I Madhërishëm)

I lindur në 1494 ose 1495. Vdiq në 1566 në Hungari. Duke sunduar Perandorinë Otomane si Sulltan, nga 1520 deri në 1566, ai zgjeroi perandorinë në maksimumin e vet. E mori Beogradin në vitin 1521 dhe pjesën më të madhe të Hungarisë deri në 1526. Sulejmani rrethoi vienën në vitin 1529, por nuk ia doli të merrte qytetin e Habsburgëve. Ai zhvilloi një luftë detare në Mesdhe kundër forcave të Perandorit të shenjtë Romak Karli V. Sulejmani zhvilloi edhe tre fushata kundër persëve, në lindje të kufirit otoman. Ai ishte një ndërtues, i njohur për ndërtimin e xhamive, urave dhe veprave të tjera publike, në Europë dhe botën arabe.

Karli V

Lindur në 1500 në Ghent. Vdiq në 1558 në Spanjë. Sundoi si Mbret i Spanjës, udhëheqës i perandorisë së Habsburgëve në Holandë dhe Austri, dhe Perandor i shenjtë Romak, nga 1519 deri në 1556. Nipi i monarkëve spanjollë, Ferdinandid dhe Izabelës, që dëbuan arabët dhe hebrenjtë nga Spanja në 1492, në të njëjtin vit kur ata financuan ekspeditën e parë të Kolombit në Botën e Re. Luftoi shumë luftëra europiane për të mbajtur perandorinë e tij, dhe u gjend edhe nën një trysni të madhe nga Perandoria Otomane, pasi Sulejmani i Madhërishëm u bë Sulltan. Karli mblodhi një ushtri të madhe për të mbrojtur Vienën gjatë rrethimt të parë otoman. Hoqi dorë nga froni i Spanjës duke ia lënë të birit, Filipi i Dytë.

3. Evropa ndan me thikë Lindjen e Mesme

Hyrja e Napoleonit në Egjipt në vitin 1798, në mes të Revolucionit Francez, nisi një seri të gjatë aventurash evropiane në Lindjen e Mesme, duke çuar drejt kolonizimit, rezistencës, dhe më pas, luftës. Me kalimin e kohës, britanikët morën Egjiptin, Sudanin dhe shtetet e vogla të Gjirit Persik. Franca do të merrte Algjerinë dhe Marokun. Dhe rezistenca e arabëve ndaj ardhjes së evropianëve, do të shkaktonte shumë dhunë dhe gjakderdhje …

Përpjekja e Napoleonit për të pushtuar Egjiptin “kishte pak të bënte me Egjiptin dhe egjiptianët, të cilët atëherë ishin formalisht pjesë e Perandorisë Osmane”, thotë Shuster. “Ajo kishte të bënte me Evropën dhe rivalitetin e tij me fuqitë e tjera të mëdha të Evropës”. Ushtritë që mbronin Egjiptin nuk ishin asgjë përballë trupave të disiplinuara franceze të Napoleonit, dhe humbja ishte një goditje e madhe për botën arabe. “Ajo kishte efekte që do të zgjasnin”, thotë Rashid Khalidi, profesor i historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin e Kolumbias. “Ndër të tjera tronditi njerëzit në Egjipt, në botën arabe, e cila papritmas kuptoi se sa të dobët ishin shtetet e tyre, kur përballeshin me flotat dhe ushtritë e fuqive perëndimore”. Por flota britanike shpejt u bashkua në betejë, duke iu kundërvënë forcave franceze, dhe ajo rezultoi një kundërshtar shumë më i fortë. Napoleoni u mund dhe u largua shpejt nga Egjipti, edhe pse disa prej trupave të tij mbetën aty.

Rezistenca ndaj francezëve në Algjeri dhe britanikëve në Sudan, ishin shenjat e para të nacionalizmit arab, një lëvizje e cila do të përfshinte të gjithë botën arabe në kohët moderne. Sidoqoftë, në fillim të shekullit 20, pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme dhe Afrikës – që më parë kishin qenë nën kontrollin e Perandoroisë Otomane – sundohej nga evropianët.

PROTAGONISTET

Napoleon Bonaparti

I lindur në Korsikë në 1769. Vdiq në Shën Helenë në 1821. Perandor i Francës, nga viti 1804 deri në vitin 1815. Një prej figurave më të lartësuara dhe njëkohësisht të urryera të historisë, ai ishte gjenerali i parë i ushtrisë së Francës republikane. Napoleoni nisi një sulm ndaj Egjiptit në vitin 1768, por shumë shpejt u mund prej forcave detare britanike që udhëhiqeshin nga Lordi Nelson. Napoleoni kreu një tërheqje të nxituar për në Francë, por pushtimi i tij jetëshkurtër i tokës arabe i hapi rrugë një shekulli me “ndarje me thikë” të atyre tokave nga ana e evropianëve. Ai u bë lideri suprem i Francës në vitin 1799 dhe u kurorëzua perandor në vitin 1804. Napoleoni pushtoi Rusinë në vitin 1812 dhe pësoi një humbje të rëndë. Hoqi dorë nga froni në vitin 1814, por u kthye nga mërgimi në ishullin e Elbës në vitin 1815. Në fund u mund në Vaterlo, në vitin 1815, dhe u internua në Shën Helenë, në bregun perëndimor të Afrikës, ku edhe vdiq.

Ferdinand de Lesseps

Inxhinier francez (1805-1894). Si diplomat francez i caktuar në Aleksandri, Egjipt, ai ishte i pari që konsideroi ndërtimin e një kanali nga Mesdheu në Detin e Kuq, nëpër istmit të Suezit. Ai ishte në gjendje që të siguronte mbështetje politike dhe financiare për këtë projekt, nëpërmjet miqësive me kedivët e Egjiptit dhe Perandoreshën e Francës. De Lesseps fitoi lejën për ndërtimin e kanalit në vitin 1854, dhe ai u përfundua dhe u hap në vitin 1869. Më tej ai shkoi të ndërtojë Kanalin e Panamasë, por nënvlerësoi kostot e projektit, problemet inxhinierike dhe vështirësitë e punës në xhunglën e Amerikës Qendrore. Kompania e tij falimentoi dhe ai ishte implikuar në një skandal financiar.

Charles Gordon

Gjeneral britanik (1833-1885). Ka shërbyer në ushtrinë britanike gjatë Luftës së Krimesë dhe më pas në Kinë. Ai hyri në shërbim të kedivëve të Egjiptit dhe ka shërbyer si administrator i Sudanit, nga 1874 në 1880. Gordon u kthye në Sudan në vitin 1884 me një mision për të shuar një konflikt lokal, të njohur si Kryengritja e Mehdiut, një lëvizje islamike që i rezistonte kontrollit britanik. Duke nënvlerësuar forcën e kundërshtarit të tij, Gordoni nuk pranoi të tërhiqet nga Khartumi dhe e gjeti veten të rrethuar. Pas një rrethimi 10 mujor, Gordoni dhe shumë nga njerëzit e tij u masakruan. Britania e mposhti revoltën e Mehdive pas 14 vjetësh. (Fundi i pjesës së tretë)

4. Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Lufta e Parë Botërore dhe përtej

Lufta e Parë Botërore e transformoi Lindjen e Mesme në mënyra që nuk ishin parë për shekuj me radhë. Evropianët, të cilët kishin kolonizuar pjesën më të madhe të Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të, përfunduan marrjen e territoreve në Arabi, Irak, Siri, Liban dhe Palestinë. Kufijtë modernë të Lindjes së Mesme dolën nga ajo luftë. Po kështu, lindën edhe lëvizjet moderne nacionaliste arabe, si edhe embrionet e lëvizjeve islamike.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, francezët dhe britanikët dërguan ushtritë dhe agjentët e tyrenë Lindjen e Mesme, për të nxitur revolta në Gadishullin Arabik dhe për të “kapur” Irakun, Sirinë dhe Palestinën. Në vitin 1916, diplomatët francezë dhe britanikë, në fshehtësi arritën marrëveshjen Sykes-Picot, e cila “gdhendi” Lindjen e Mesme, sipas sferave të ndikimit të vendeve të tyre respektive. Kjo marrëveshje u pasua nga një tjetër, e cila krijoi një sistem të mandateve të kontrollit francez dhe britanik, që edhe u sanksionuan nga Lidhja e re e Kombeve.

Sipas sistemit të mandateve, Siria dhe Libani u kalonin francezëve. Britanikët morën Palestinën dhe tre provincat osmane të Mesopotamisëm dhe krijuan Irakun modern. “Të gjithë e kuptuan në atë kohë, se kjo ishte një formë e re kolonializmi, e maskuar lehtë …”, thotë Zachary Lockman, profesor i historisë së Lindjes së Mesme, në Universitetin e Nju Jorkut. “Britanikët dhe francezët nuk mendonin që të largoheshin, në një kohë të afërt të paktën, dhe kishin për qëllim të ruanin kontrollin e plotë mbi këta territore, për një të ardhme të pacaktuar”. Por, pothuajse menjëherë pas luftës, u shfaqën lëvizjet e rezistencës arabe, të cilat do të sfidonin dominimin evropian.

PROTAGONISTET

Georges Picot dhe Sir Mark Sykes

Diplomatët britanikë dhe francezë, të cilët nënshkruan një marrëveshje të fshehtë në vitin 1916 ndanë territoret e Lindjes së Mesme, të cilët dikur i përkisnin Perandorisë Osmane, kur Lufta e Parë Botërore kishte mbaruar. Franca do të merrte Libanin, Sirinë dhe Mosulin (pjesë e Irakut verior sot). Britania do të merrte Palestinën veriore, Jordaninë dhe Irakun. Pjesa tjetër e Palestinës do të administrohej ndërkombëtarisht. Marrëveshja binte ndesh me premtimet që u ishin bërë arabëve nga Lorenci i Arabisë, dhe zyrtarë të tjerë britanikë, dhe ajo u pasua nga pushtimet britanikë para përfundimit të luftës, në vitin 1918. Kushtet e fshehta të marrëveshjes u bënë publike nga bolshevikët rusë në vitin 1918.

Lorenci i Arabisë

Lorenci i Arabisë (1888-1935). Arabist i famshëm britanik. Udhëtoi për në Jedda të Arabisë në vitin 1916, për të organizuar një revoltë arabe kundër Perandorisë Osmane. Ai mundësoi aleancën e Britanisë me klanin Hashemit, nën kontrollin e Mekës. Lorenci udhëhoqi një ushtri arabe për të marrë Damaskun në vitin 1918. Ai besonte se Britania i shkeli premtimet që kish bërë ndaj kauzës arabe. Lorenci kundërshtoi pushtimin francez të Sirisë dhe metodat britanike gjatë pushtimit të Irakut. Rrëfimi i tij i për revoltën arabe gjatë Luftës së Parë Botërore, u botua si një libër me titullin “Shtatë Shtyllat e Urtësisë” dhe mbetet i botuar edhe sot e kësaj dite. Historia e tij është bërë një film fitues i çmimit Oskar, “Lorenci i Arabisë”, me regjisor David Lean, në vitin 1962.

Edmund Allenby

Gjeneral britanik (1861-1936). Pas shërbimit në ushtrinë britanike në Francë gjatë luftës, atij iu dha komanda e forcave britanike në Palestinë. Allenby mori Jeruzalemin në vitin 1917. Ai filloi një ofensivë të madhe në Siri, në shtator të vitit 1918, i mbështetur nga forca arabe e Lorencit të Arabisë. Lorenci hyri në Damask para Allenby. Fitoret e Allenby pasuan Marrëveshjen Sykes-Picot të 1916, e cila kishte vendosur se si Britania dhe Franca do të ndanin territoret e pushtuara të Perandorisë Osmane pas luftës. Emri Allenby mbetet emri i një ure dhe pikëkalimi kyçe mbi lumin Jordan, mes Jordanisë dhe Izraelit.

5. Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Rritja e rolit të SHBA

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia e madhe e huaj në Lindjen e Mesme, me tre interesa kryesore: naftën e Gjirit Persik; mbështetjen dhe mbrojtjen e kombit të ri të Izraelit; frenimin e Bashkimit Sovjetik. Objektivat rezultuan të vështirë për t’u menaxhuar, sidomos me shtimin dhe forcimin e nacionalizmit arab, dy luftëra të mëdha arabo-izraelite dhe një embargo arabe të naftës.

Nafta ka qenë gjithmonë prioriteti i parë i SHBA-së në Lindjen e Mesme. Presidenti Franklin Roosevelt diskutoi për naftën, kur u takua me mbretin saudit, Abdul Aziz ibn Saud, pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Një tjetër gur themeli i politikës së SHBA në rajon ka qenë mbështetja e Uashingtonit për Izraelin. Shtetet e Bashkuara ishin midis vendeve të para që njohën Izraelin në vitin 1948, edhe pse Kombet e Bashkuara votuan për ndarjen e Palestinës në shtete hebreje dhe arabe.

Ndërhyrja e Uashingtonit në Iran – një grusht shteti i mbshtetur nga SHBA dhe britanikët rrëzoi kryeministrin Mohammad Mossadegh në vitin 1953 – shtuan mosbesimin ndaj Shteteve të Bashkuara në botën arabe. “Irani ishte vendi i parë ku Shtetet e Bashkuara vepruan [një fuqi koloniale], duke përmbysur në këtë rast një qeveri kushtetuese, një qeveri popullore, një qeveri që kishte një shumicë të madhe parlamentare”, thotë historiani Rashid Khalidi, autor i librit “Ringjallja e Perandorisë”.

Teksa nacionalizmi filloi të vërshojë nëpër rajon, simbolizuar prej ngjitjes së Gamal Abdel Nasserit në Egjipt, Shtetet e Bashkuara u ndjenë të kërcënuara nga një lëvizje, të cilën e panë si në një linjë me Bashkimin Sovjetik dhe komunizmin. Nga mesi i viteve 1960, Shtetet e Bashkuara kanë dështuar në krijimin e marrëdhënieve të ngushta me vendet arabe, përveç Arabisë Saudite. Lufta e Gjashtë Ditëve mes Izraelit dhe shteteve arabe, vetëm e ashpërsoi qëndrimin e Uashingtonit. Lufta e vitit 1967 la nën kontrollin e Izraelit, Jeruzalemin, Bregun Perëndimor dhe territore të tjera arabe, shumë prej të cilave i mban të pushtuara edhe sot.

Mosbesimi mes Uashingtonit dhe arabëve u forcua nga koha kur presidenti Nixon mori detyrën. “Në periudhën Nixon, [Sekretari i Shtetit Henry] Kissinger dhe Nixoni e panë Lindjen e Mesme nën optikën e marrëdhënieve amerikano-sovjetike. Dhe kjo ishte ndoshta pika më e lartë e rivalitetit gjatë Luftës së Ftohtë”, thotë Uilliam Quandt, një historian i politikës amerikane në Lindjen e Mesme që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në fundin e viteve 1970, tashmë nuk kishte shumë vullnet të mirë ndaj Shteteve të Bashkuara në botën arabe, sipas Zachary Lockman, profesor i historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin e Nju Jorkut. Amerika është parë si “mbështetëse e forcave të status quo-së, forcave të konzervatizmit, forcave kundërshtare ndaj unitetit arab, si dhe forcave kundër atyre ndryshimeve sociale, reformave sociale, madje edhe revolucionit social, që shumë arabë i ndienin se ishin të nevojshme”, thotë Lockman.

Protagonistët

Mbreti King Abdul Aziz al Saud (1880-1953).

Themeluesi dhe mbreti i parë i Arabisë Saudite. I mbajti fiset dhe forcat e tij jashtë në pjesën më të madhe të Luftës së Parë Botërore, kur britanikët mbështetën një revoltë arabe dhe udhëheqësit e tjerë arabë, kundër Perandorisë Osmane. Në fillim të viteve 1920, ai filloi të zgjerojë gadishullin arabik, territorin nën kontrollin e tij. Në vitin 1924, në aleancë me forcat fetare konservatore të njohura si Ikhvan, Abdul Azizi pushtoi Mekën dhe kapi territorin në Arabi, të njohur si Hixhazi. Britania, fuqia perandorake në gadishullin, përfundimisht pranoi sulmet e tij ekspansioniste, dhe në vitin 1932, Mbretëria e Arabisë Saudite u shpall e pavarur, me Abdul Azizin si monark të saj. Në vitin 1933, Abdul Azizi firmosi kontratën e parë – me kompaninë amerikane të naftës SoCal – për të eksploruar për naftë në Arabinë Saudite. Nafta u zbulua pesë vjet më vonë dhe pas Luftës së Dytë, prurjet e të ardhurave prej saj ishin të jashtëzakonshme. Hapi i parë drejt aleancës diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhi në vitin 1945, teksa lufta po mbaronte, kur Abdul Azizi u takua me Presidentin Roosevelt, në një anije në Detin e Kuq.

Mohammed Mossadegh (1880-1967)

Udhëheqës politik dhe kryeministër iranian. I arsimuar në Zvicër para Luftës së Parë Botërore, ai u bë një anëtar i elitës së Iranit. Mossadegh mbajti shumë poste qeveritare, duke përfshirë guvernator provincial dhe ministër i jashtëm, por kundërshtoi zgjedhjen e Reza Khanit si Shah në vitin 1925. Mossadegh u shfaq gjatë Luftës së Dytë Botërore, si një mbështetës i hapur i nacionalizmit iranian. Ai bëri thirrje për shtetëzimin e aseteve britanike të naftës në Iran. Nga viti 1951, Mossadegh u bë kaq popullor, saqë Shahu i asaj kohe, Mohammed Reza Pahlavi u detyrua ta emërojë kryeministër. Shtetëzimi i naftës shkaktoi një krizë të thellë në Iran, me kundërshtime të forta që vinin nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1953, Shahu u përpoq ta largojë, por demonstratat në rrugë e detyruan Shahun të largohet nga Irani. Vetëm pak ditë më vonë, një grusht shteti i mbështetur nga amerikanët dhe britanikët përmbysi Mossadeghun dhe riktheu Shahun në fron. Mossadeghi u burgos për tre vjet, dhe kaloi pjesën tjetër të jetës në arrest shtëpie. http://www.bota.al

Gamal Abdel Nasser

(1918-1970). Udhëheqësi nacionalist i Egjiptit. Si një oficer ushtarak egjiptian, luftoi në luftën e vitit 1948, ku Izraeli u bë komb i pavarur në një pjesë të madhe të asaj që kishte qenë Palestina e kontrolluar nga britanikët. Në vitin 1952, Nasseri dhe oficerë të tjerë organizuan një grusht shteti pa gjakderdhje, dhe rrëzuan mbretin Faruk. Nasseri u shfaq si lideri suprem egjiptian në vitin 1954. Ai shtetëzoi Kanalin e Suezit në vitin 1956, duke nxitur një veprim të përbashkët ushtarak britanik / francez / izraelit për ta rimarrë atë. Presidenti i SHBA, Eisenhouer e kundërshtoi këtë veprim, dhe përpjekjet ushtarake shpejt u shuan. Në vitin 1958, Nasseri bashkoi Egjiptin dhe Sirinë në Republikën e Bashkuar Arabe, një eksperiment në nacionalizmin arab që përfundoi tre vjet më vonë, kur Siria u tërhoq. Në aleancë me Sirinë dhe Jordaninë, Nasseri luftoi Izraelin në vitin 1967, por pësoi një humbje shkatërruese për gjashtë ditë. Ai vdiq nga një atak në zemër tre vjet më vonë.

6. Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Përplasja me Islamin

Në vitin 1979, Revolucioni Islamik i Iranit dhe pushtimi sovjetik i Afganistanit i paraprinë një rritjeje të radikalizmit islamik. Dhuna u intensifikua, me luftën Iran-Irak, pushtimin e Kuvajtit nga Iraku, dhe luftën e Gjirit Persik. Nga mesi i viteve 1990, Amerika u përball me një armik të ri: Osama bin Ladenin dhe al Kaedën. Pas sulmeve të 11 shtatorit, përfshirja e SHBA në Lindjen e Mesme është më e madhe se kurrë. http://www.bota.al

Historianët e konsiderojnë vitin 1979 si një çast vendimtar për Shtetet e Bashkuara dhe Lindjen e Mesme. Ishte viti që Shahu i Iranit u detyrua të largohej nga vendi i tij Ajatollah Ruhollah Khomeini, një udhëheqës shpirtëror i respektuar në Iran, por pothuajse i panjohur në Perëndim, të kthehej në vendin e tij, pas 15 vjetësh në mërgim.

Më vonë gjatë atij viti, militantët islamikë pushtuan ambasadën e SHBA në Teheran dhe morën peng 66 diplomatë në një krizë që do të zgjaste për më shumë se një vit. Pas pushtimit të Afganistanit nga BRSS, Shtetet e Bashkuara financuarn, armatosën dhe organizuan një luftë guerilase anti-sovjetike atje. Ky veprim do të kishte pasoja të tmerrshme dhe të paparashikuara shumë vite më vonë, kur Osama bin Ladeni, një veteran i luftës në Afganistan, do të kthente zemërimin e tij dhe agjentët terroristë, kundër Shteteve të Bashkuara.

Lufta Iran-Irak, nga 1980-1988, ishte një tjetër konflikt që do të kishte ndikim në Shtetet e Bashkuara. SHBA ndanë informacione zbulimi të fushëbetejave me Irakun e Sadam Huseinit dhe ndihmuan për rifurnizimin me armë. Por, disa vjet më vonë, Saddami pushtoi Kuvajtin dhe një tjetër mik i dikurshëm i SHBA në Lindjen e Mesme, tashmë ishte bërë një armik vdekjeprurës.

Edhe pse koalicioni i udhëhequr së SHBA dëboi shpejt forcat irakiane nga Kuvajti në vitin 1991, problemet për Shtetet e Bashkuara në rajon vetëm do të shumoheshin. I udhëhequr nga rrjeti al Kaeda i Bin Ladenit, terrorizmi kundër Amerikës dhe aleatëve të saj shpërtheu me vendosmëri vrastare në vitin 1993, me shpërthimin e parë të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, më pas shpërthimet në Arabinë Saudite në vitin 1996, kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998. Shekulli i ri solli trazira të reja: dështimi i procesit të paqes në Lindjen e Mesme në vitin 2000 dhe shpërthimi përsëri i përleshjeve midis izraelitëve dhe palestinezëve, sulmet e 11 shtatorit 2001, lufta amerikane në Afganistan një muaj më vonë, dhe pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003. http://www.bota.al

Protagonistët:

Ayatollah Ruhollah Khomeini

(1900?-1989). Udhëheqës shiit iranian, i cili udhëhoqi rrëzimin e Shahut të Iranit në vitin 1979 dhe u bë lider suprem islamik i Iranit. Nip dhe djal i mullahëve. Që në një moshë të re, ai u bë kundërshtar i hapur i Shah Reza Pahlavit. Khomeini arriti statusin e Ajatollahut në vitet 1950; Statusin e Ajatollahut të Madh një dekadë më vonë. Ai predikoi një kombinim të nacionalizmit iranian dhe fundamentalizmit islamik. Arrestimi i tij në Iran në vitin 1963 shkaktoi trazirat anti-qeveritare. Pas një viti në burg, ai u dëbua nga Irani. Khomeini u vendos në Najaf, Irak, dhe vazhdoi të bëjë thirrje për rrëzimin e Shahut. Lideri i Irakut, Saddam Hussein, e detyroi atë të largohet nga Najafi në vitin 1978 dhe Khomeini u vendos në rrethinat e Parisit. Ndikimi i tij ndihmoi për të nxitur demonstrata kundër Shahut në po të njëjtin vit. Trazirat detyruan Shahun të dorëhiqet në fillim të vitit 1979, dhe më shumë se një milion njerëz dolën në rrugë për të përshëndetur Khomeinin, kur ai u kthye tre javë më vonë. Më vonë atë vit ai u emërua udhëheqës suprem politik dhe fetar i Iranit, për gjithë jetën. http://www.bota.al

Sadam Husein

(1937-2006). Udhëheqës i Irakut deri kur u rrëzua nga pushtimi prej SHBA në vitin 2003. I lindur në Tikrit në një familje të varfër, ai e kaloi fëmijërinë e tij rrugëve. U bashkua me Partinë Baath në vitin 1957 dhe mori pjesë në atentatin pasuksesshëm kundër udhëheqësit të atëhershëm të Irakut Abdel Karim Qassim. Saddami u largua në Egjipt, por u kthye në Irak dhe kaloi disa vite në burg në fillim të vitit 1960. Ai u bë kreu i policisë sekrete të Irakut, kur Partia Baath mori pushtetin në vitin 1968. U bë udhëheqës i lartë irakian në vitin 1979 dhe urdhëroi pushtimin e Iranit në vitin 1980, për të marrë vendburimet e naftës, një luftë që zgjati për tetë vjet dhe është mbështetur heshturazi nga administrata Reagan. Në fund të luftës, Saddaim urdhëroi përdorimin e gjerë të armëve kimike kundër ushtarëve iranianë dhe fshatrave kurdë të Irakut. Sadami urdhëroi një sulm të papritur në Kuvajt në gusht të vitit 1990. Presidenti i parë Bush urdhëroi një sulm kundër Irakut në janar 1991. Iraku pësoi disfatë të shpejtë, dhe më pas iu nënshtrua 12 viteve sanksione ekonomike dhe çarmatimi të detyruar.

Presidenti George Bush nisi luftën për rrëzimin e Sadamit në mars 2003, dhe udhëheqësi irakian u kap nga trupat amerikane më vonë atë vit. Sadam u ekzekutua me varje në vitin 2006.

Osama bin Ladeni

(1957-2011). Bir i një biznesmeni jemenas i cili u bë i pasur, si një kontraktor ndërtimesh në Arabinë Saudite. Mori një edukim fetar konservator, dhe në rini shkoi për të luftuar sovjetikët gjatë luftës në Afganistan, nga viti 1980, deri në vitin 1989. Bin Ladeni kundërshtoi vendosjen e forcave amerikane në Arabinë Saudite në vitin 1990. Ai u kthye në Afganistan për të organizuar al Kaedën, e cila u bë një rrjet grupesh terroriste që luftonin kundër pranisë amerikane dhe ndikimit në botën islame. Grupi besohet të ketë qenë prapa shpërthimeve në vitin 1996 në Arabinë Saudite, sulmeve të armatosura mbi turistët në Egjipt në vitin 1997, dhe shkatërrimit të ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998. Bin Ladeni u dëbua nga Arabia Saudite në vitin 1994 dhe u vendos në Sudan deri në vitin 1996, kur ai u dëbua përsëri, dhe u nis për në Afganistan. Atë vit ai lëshoi një fetva për luftë kundër amerikanëve dhe hebrenjve në mbarë botën. Al Kaeda ishte përgjegjëse për sulmet në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit më 11 shtator, 2001. Bin Ladeni u vra gjatë një oepracioni të forcave speciale amerikane në Pakistan në vitin 2011, një operacion i urdhëruar nga presidenti Obama.

Bota.al
 
Titulli: Lindja e Mesme dhe Perëndimi: Një histori e trazuar

https://postimage.org/

Morali:

You are a terrorist when go against US and Its Allies.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top