Ligji per Arbitrazh

muhamed-psh

Antar Aktiv
Ligji Nr. 2005/xx

Kuvendi i Kosovës

Duke marrë parasysh Rregulloren e Misionit të Përkohshëm Administrativ të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Nr. 1999/1 të 25 korrikut 1999 mbi Autorizimet e Admiministratës së Përkohshme në Kosovë, me ndryshime; Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 1999/24 të 12 dhjetorit 1999 mbi Ligjin në Fuqi në Kosovë, me ndryshime; Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2001/9 të 15 majit 2001 mbi “Kornizën Kushtetuese për Vetë Qeverisje të Përkohëshme në Kosovë, Nenet 5.1 (ç), 5.7 dhe 9.1.26 (a); dhe

Me qëllim të rregullimit të lëndës së arbitrazhit dhe të ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit të nxjerra brenda dhe jashtë Kosovës në pajtim me standardet bashkëkohore Evropiane dhe ndërkombëtare,

Miraton këtë,


LIGJ PثR ARBITRAZHIN

Kreu I
Dispozitat e përgjithshme

Neni 1
Fushëveprimi

Me këtë ligj përcaktohen rregullat që zbatohen për marrëveshjet e arbitrazhit, procedurat e arbitrazhit si dhe njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit të nxjerra brenda dhe jashtë Kosovës.

Neni 2
Përkufizimet
“Marrëveshja e Arbitrazhit” nënkupton marrëveshjen e arritur ndërmjet dy ose më shumë personave, që disa ose të gjitha kontestet juridike, të cilat kanë lindur ose që mund të lindin ndërmjet tyre, do t’i nënshtrohen arbitrazhit.
Fjala “Vendim” përfshin të gjitha urdhërat e nxjerra nga tribunali i arbitrazhit, qofshin ato të përkohshme, të pjesshme, procedurale, meritore ose përfundimtare, lidhur me të gjitha çështjet, përfshirë këtu edhe shpenzimet.
“Konsumator” do të thot çdo person fizik i cili lidhë kontratë për qëllime që nuk kanë të bëjnë me tregti, afarizmin ose profesionin e tij.
Fjala “Person” përfshin të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Në kuadër të personave juridik bëjnë pjesë personat juridik të së drejtës private si dhe personat juridik të së drejtës publike.
Termi “Gjykatë” në këtë ligj i referohet gjykatës së caktuar në marrëvshjen e arbitrazhit ose, në mungesë të një përcaktimi të tillë, Gjykatës së Qarkut në territorin e së cilës ndodhet vendi i arbitrazhit.


Neni 3
Kompetencat e gjykatës

Asnjë gjykatë në Kosovë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në procedurën e arbitrazhit, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me këtë ligj.

Neni 4
Njoftimi dhe llogaritja e afateve kohore

(1)Të gjitha njoftimet, kumtesat ose parashtresat konsiderohen se janë pranuar nëse ato i janë dorëzuar personalisht personit të adresuar, ose nëse i dërgohen personit të adresuar përmes postës së regjistruar në vendbanimin e tij, në vendin ku ai e ushtron afarizmin ose në adresën e tij postare. Nëse asnjëra nga lokacionet e lartpërmendura nuk mund të gjindet, njoftimi konsiderohet së është pranuar nëse ai i dërgohet personit të adresuar në vendbanimin ose vendin e ushtrimit të afarizmit të fundit të njohur. Njoftimi konsiderohet se është pranuar në ditën kur është bërë dorëzimi i tij. Dispozitat e këtij paragrafi nuk zbatohen lidhur me njoftimet dhe parashtresat e dorëzuara gjatë procedurave gjyqësore.
(2)Të gjitha afatet kohore të parapara në këtë ligj fillojnë të ecin një ditë pas pranimit të njoftimit. Nëse dita e fundit e këtij afati kohor është festë zyrtare ose nuk është ditë pune në vendbanimin ose vendin e afarizmit të personit të adresuar, atëherë afati kohor përfundon në ditën e parë vijuese të punës. Festat zyrtare ose ditët që nuk janë ditë pune duhet të përfshihen në llogaritjen e afatit kohor.

Kreu II
Marrëveshja e arbitrazhit

Neni 5
Arbitrabiliteti
Të gjitha kërkesat të cilat kanë të bëjnë me interesa ekonomike mund t’i nënshtrohen marrëveshjes së arbitrazhit, përveç nëse shprehimisht është e ndaluar me ligj.


Neni 6
Marrëveshja e arbitrazhit
(1)Marrëveshja e arbitrazhit lidhet në formë të shkruar.

(2)Kushti i mësipërm konsiderohet se është përmbushur nëse lidhja e marrëveshjës së arbitrazhit dokumentohet në formë të këmbimit të letrave, telefaksit, telegramit ose mënyrave të tjera të telekomunikimit ose komunikimit elektronik. në formë të konosmanit, nëse konosmani përmban shprehemisht një klauzolë të arbitrazhit, ose në rast të paraqitjes së padisë dhe të përgjigjes në padi, në kuadër të së cilës njëra palë pretendon se ekziston një marrëveshje arbitrazhi dhe pala tjetër nuk e konteston këtë.

(3)Nëse një konsumator është palë në marrëveshjen e arbitrazhit, atëherë kushti formal përmbushet vetëm nëse të gjitha palët në marrëveshjen e arbitrazhit e nënshkruajnë personalisht dokumetin që përmban klauzolën e arbitrazhit. Nënshkrimi i cekur në këtë paragraf mund të zëvendësohet me nënshkrimin elektronik në përputhje me legjislacionin përkatës për nënshkrimet elektronike.
(4)Mospërmbushja e kushteve të përcaktuara më lartë nuk do të merret parasysh nga tribunali i arbitrazhit, nëse palët e kanë inicuar procedurën e arbitrazhit.

Neni 7
Paditë para gjykatave

Gjykata, para së cilës është ngritur një padi lidhur me një çështje, e cila i nënshtrohet një marrëveshje të arbitrazhit, e hedh poshtë padinë, nëse i padituri thirret në marrëveshjen e arbitrazhit, përveç nëse gjykata konstaton se marrëveshja e arbitrazhit është e pavlefshme ose që çështja kontestuese nuk mbulohet nga marrëveshja e arbitrazhit.

Neni 8
Masat e përkohshme të gjykatës

Pa marrë parasysh marrëveshjen e arbitrazhit ose inicimin e procedurës së arbitrazhit, gjykata kompetente mund të merr masa të përkohshme, nëse njëra palë paraqet prova të besueshme se asaj mund t’i shkaktohet dëm ose humbje e menjëhershme ose e pariparueshme nëse nuk merret masa e përkohëshme.

Kreu III
Përbërja e tribunalit të arbitrazhit

Neni 9
Numri dhe emërimi i arbitërve

(1)Tribunali i arbitrazhit përbëhet nga një arbitër i vetëm ose nga një trup arbitrash, me kusht që numri i arbitrave të këtij trupi të jetë një numër tek.

(2)Palët mund të merren vesh për procedurën e emërimit të arbitrit ose të arbitrave.

(3)Nëse palët nuk merren vesh për numrin e arbitrave ose për procedurën e emërimit të tyre brenda 15 ditëve pasi që i padituri të ketë pranuar njoftimin për arbitrazh, tribunali i arbitrazhit do të përbëhet nga një trup prej 3 arbitërve të cilët emërohen sipas paragrafit 4 të këtij neni.

(4)Në rastin e përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni, secila palë emëron një arbitër. Dy arbitrat e emëruar, e emërojnë arbitrin e tretë i cili do të jetë drejtues i tribunalit të arbitrazhit. Nëse njëra pala nuk e emëron arbitrin brenda tridhjetë (30) ditëve nga pranimi i kërkesës për ta bërë këtë, ose nëse dy arbitrat nuk merren vesh për emërimin e arbitrit të tretë brenda tridhjetë ditëve nga emërimi i tyre, atëherë me kërkesën e njërës palë arbitri përkatës emërohet nga Gjykata.

(5)Përveç nëse palët pajtohen ndryshe, pala, e cila e ka bërë emërimin e arbitrit, është e lidhur për këtë emërim prej momentit, kur pala tjetër ta ketë pranuar njoftimin për emërim.

(6)Kur Gjykata e emëron arbitrin, ajo i merr parasysh kualifikimet të cilat arbitri duhet t’i plotësojë sipas marrëveshjes së arbitrazhit dhe duhet të sigurojë që arbitri të jetë i pavarur, i paanshëm dhe të mos ketë ndonjë konflikt interesi.

Neni 11
Përjashtimi i arbitrit

(1)Personi, të cilit njëra palë ose Gjykata i drejtohet për emërim si arbitër, ka për detyrë t’i bëjë publike të gjitha rrethanat të cilat mund të shkaktojnë dyshime lidhur me pa-anëasinë ose pavarësine e tij. Arbitri, pas emërimit, duhet t’i bëjë publike rrethanat e tilla para palëve nëse palët nuk janë njoftuar paraprakisht për këto rrethana.

(2)Secila palë mund të kërkojë përjashtimin e cilitdo arbitër, nëse ajo ka dyshime të arsyeshme lidhur me pa-anësinë ose pavarësinë e arbitrit, ose nëse arbitri nuk i posedon kualifikimet për të cilat palët janë pajtuar. Pala mund të kërkojë përjashtimin e arbitrit të cilin e ka emëruar ajo, vetëm nëse arsyet për përjashtimin e tij kanë lindur pas emërimit të arbitrit. Pala gjegjëse ka për detyrë të kërkojë përjashtimin e arbitrit menjëherë pasi të njoftohet për rrethanat të cilat e arsyetojnë përjashtimin.

Neni 12
Procedura për përjashtimin e arbitërve

(1)Palët mund të merren vesh për procedurën e përjashtimit të një arbitri. Paragrafet 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohen, nëse palët nuk janë pajtuar për një procedurë të tillë.

(2)Brenda pesëmbëdhjetë ditëvë nga emërimi i arbitrit ose pasi të jetë njoftuar për rrethanat e përcaktuara me nenin 11, paragrafi 2, pala e cila kërkon përjashtimin e një arbitri ka për detyrë, t’i dërgojë palës tjetër dhe anëtarëve tjerë të tribunalit një njoftim për përjashtimin. Njoftimi duhet të bëhet me shkrim dhe në të duhet të theksohen arsyet për përjashtim.

(3)Nëse arbitri nuk jep dorëheqje ose pala tjeter nuk pajtohet me përjashtimin, tribunali i arbitrazhit vendos mbi kërkesën për përjashtimin e arbitrit.

(4)Nëse kërkesa për përjashtimin e arbitrit nuk është e suksesshme sipas procedurës për të cilën janë pajtuar palët ose sipas procedurës së paraparë në paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni, atëherë pala përkatëse mund të paraqesë kërkesën për përjashtimin e arbitrit para Gjykatës brenda 15 ditëve prej ditës së pranimit të njoftimit për refuzimin e kërkesës për përjashtim. Kundër vendimit të Gjykatës nuk lejohet ankesa. Përderisa Gjykata nuk ka vendosur për kërkesën, tribunali i arbitrazhit, duke përfshirë edhe arbitrin përjashtimi i të cilit kërkohet, mund të vazhdojë me procedurën e arbitrazhit dhe të nxjerr vendim.

Neni 13
Moskryerja e detyrës

(1)Nëse arbitri për arsye juridike ose faktike nuk mund t’i ushtrojë detyrat e tij ose për shkaqe tjera nuk i ndërmerr veprimet pa vonesë të arsyeshme, mandati i tij përfundon nëse jep dorëheqje ose kur palët pajtohen për përfundimin e mandatit të tij. Nëse arbitri nuk jep dorëheqje ose nëse palët nuk pajtohen lidhur me përfundimin e mandatit, me kërkesën e njërës palë ose të ndonjë anëtari të tribunalit, Gjykata vendos për përfundimin e mandatit të arbitrit. Kundër vendimit të Gjykatës nuk është e lejuar ankesa.

(2)Nëse sipas paragrafit 1 të këtij neni ose nenit 12, paragrafi 2, arbitri jep dorëheqje ose palët pajtohen për përfundimin e mandatit të arbitrit, kjo nuk nënkupton se ekziston njëra prej arsyeve të parapara në këtë nen ose në nenin 12, paragrafi 2.

Neni 14
Zëvendësimi i arbitrit

Në rast se mandati i një arbitri përfundon sipas nenit 12 ose 13 ose për shkak të dorëheqjes së tij, atëherë emërohet një zëvendës arbitër sipas dispozitave për emërimin e arbitrave, përveç nësë palët dakordohen për një procedurë tjetër.

Kreu IV
Kompetenca e tribunalit të arbitrazhit

Neni 15
Kompetenca
(1)Tribunali i arbitrazhit vendos mbi vlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit dhe se a është kompetent për zgjidhjen e kontestit i cili i është parashtruar. Në këtë kontekst, klauzola e arbitrazhit, e cila është pjesë e një kontrate, trajtohet si marrëveshje e veçantë dhe e pavarur prej kontratës.

(2)Kundërshtimin, se tribunali i arbitrazhit nuk është kompetent, pala duhet ta dorëzojë më së voni deri në momentin e dorëzimit të përgjigjes në padi. Pala nuk mund të privohet nga e drejta e paraqitjes së kundërshtimit në fjalë, për shkak se e ka emëruar ose ka marrë pjesë në emërimin e një arbitri.

(3)Kundërshtimi, se tribunali i arbitrazhit e ka tejkaluar kompetencën e vet, duhet të paraqitet nga pala menjëherë pasi të vihet në dijeni për këtë.

(4)Në rastet e parapara me paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni, tribunali i arbitrazhit mund të pranojë një kundërshtim të paraqitur me vonesë, nëse konstaton se pala ka arsyetim të pranueshëm për këtë vonesë.

(5)Secila palë mund të kërkojë nga gjykata që të shqyrtojë vendimin e tribunalit të arbitrazhit lidhur me kompetencën e tij mbi kontestin përkatës. Kjo kërkesë duhet të dorëzohet ne gjykatë brenda tridhjetë ditëve prej ditës së pranimit të njoftimit me shkrim mbi vendimin. Paraqitja e kërkesës nuk e ndalon tribunalin e arbitrazhit që të vazhdojë me procedurën e arbitrazhit dhe të nxjerr vendim.

Neni 16
Masat e përkohshme

(1)Përveç nëse palët pajtohen ndryshe, tribunali i arbitrazhit, me kërkesën e njerës pale, mund të nxjerrë vendim për marrjen e masës së përkohëshme, nëse pala paraqet prova të besueshme se asaj mund t’i shkaktohet dëm ose humbje e menjëhërëshme ose e pariparueshme në rast se nuk merret një masë e këtillë. Tribunali i arbitrazhit mund të kërkojë nga secila palë që të deponojë mjete siguruese lidhur me masat e tilla të përkohshme.

(2)Me kërkesën e palës, gjykata mund të urdhërojë ekzekutimin e masës së përkohshme të urdhëruar nga tribunali i arbitrazhit sipas paragrafit 1 të këtij neni, përveç kur sipas nenit 8, për çështjen e njëjtë, pala e ka kërkuar masën e përkohëshme.

(3)Nëse konstatohet se masa e përkohshme e urdhëruar nga tribunali i arbitrazhit sipas paragrafit 1 të këtij neni ka qenë e paarsyeshme, pala në dobi të së cilës është urdhëruar masa e përkohshme ka për detyrë ta kompenzojë dëmin të cilin e ka pësuar pala tjetër si pasojë e ekzekutimit të masës së përkohshme. Tribunali i arbitrazhit është kompetent për të vendosur lidhur me arsyeshmërinë e masës së përkohshme dhe për çështjet që kanë të bëjnë me kompenzimin e dëmit të lartpërmendur.

Kreu V
Procedurat e arbitrazhit

Neni 17
Rregullat e përgjithshme

(1)Palët trajtohen në mënyrë të barabartë dhe secila palë duhet të ketë mundësine e plotë që të paraqesë rastin e saj në secilën fazë të procedurës së arbitrazhit.

(2)Palët janë të lira në zgjedhjen dhe emërimin e përfaqësuesve të tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë ato në procedurën e arbitrazhit. Asnjë përfaqësues i autorizuar, i emëruar në mënyrë të rregullt, nuk mund të përjashtohet nga procedura e arbitrazhit.

(3)Pa cenuar dispozitat e detyrueshme të këtij ligji, palët mund të pajtohen mbi procedurën e arbitrazhit.

(4)Nëse palët nuk janë pajtuar për procedurën e arbitrazhit dhe në mungesë të dispozitave përkatëse në këtë ligj, tribunali i arbitrazhit i përcakton vet rregullat e arbitrazhit.
(5)Tribunali i arbitrazhit vendos mbi pranimin ose hedhjen poshtë të kërkesave për nxjerrjen e provave. Tribunali i arbitrazhit mund të nxjerrë prova, nëse këtë e konsideron të nevojshme, dhe bënë vlerësimin tyre në mënyrë të lirë dhe të paanshme.

Neni 18
Vendi i arbitrazhit

(1)Nëse palët nuk janë pajtuar mbi vendin ku duhet të mbahet arbitrazhi, tribunali i arbitrazhit e cakton vendin e mbajtjes së arbitrazhit duke marrë parasysh rrethanat e rastit dhe përshtatshmërinë e vendit për palët dhe tribunalin.

(2)Pa cenuar paragrafin 1 të këtij neni, dhe nëse palët nuk janë marrë vesh ndryshe, tribunali i arbitrazhit mund të takohet në cilindo vend që e konsideron të përshtatshëm për mbajtjen e dëgjimeve gojore, dëgjimin e dëshmitarëve, të ekspertëve ose të palëve, mbajtjen e konsultimeve ndërmjet anëtarëve të tribunalit të arbitrazhit dhe për shiqimin e sendeve ose dokumenteve.


Neni 19
Fillimi i procedurës së arbitrazhit

Nëse palët nuk janë pajtuar ndryshe, procedura e arbitrazhit lidhur me një kontest të caktuar fillon në ditën kur kërkesa që kontesti t’i nënshtrohet arbitrazhit pranohet nga pala e paditur.

Neni 20
Gjuha

(1)Nëse palët nuk janë pajtuar ndryshe, tribunali i arbitrazhit duhet, menjëherë pas themelimit të tij, ta përcaktojë gjuhën ose gjuhët të cilat do të përdoren gjatë procedurës së arbitrazhit. Marrëvëshja ndërmjet palëve, respektivisht, vendimi i tribunalit vlejnë për të gjitha deklaratat me shkrim që dorëzohen nga palët, seancat e dëgjimit, si dhe vendimet ose kumtesat tjera të tribunalit të arbitrazhit.

(2)Tribunali i arbitrazhit mund të urdhërojë që të gjitha dokumenteve të dorëzuara gjatë procedurës së arbitrazhit t’u bashkangjitet një përkthim në gjuhën osë gjuhët për të cilat janë pajtuar palët ose të cilat i ka caktuar tribunali i arbitrazhit. Tribunali i arbitrazhit i pranon vetëm përkthimet e bëra nga një përkthyes i çertifikuar ose i aprovuar nga gjykata.


Neni 21
Padia, përgjigjja në padi dhe kundër-padia

(1)Brenda afatit të dakorduar nga palët ose, në mungesë të një dakordimi të tillë, të caktuar nga tribunali i arbitrazhit, paditësi ka për detyrë të paraqesë padinë e tij dhe provat në të cilat mbështetet padia, dhe i padituri ka për detyrë të paraqesë përgjigjen në padi dhe provat në të cilat mbështetet ajo. Së bashku me padinë, përkatësisht, në përgjigjen në padi, palët mund t’i paraqesin të gjitha dokumentet tjera të cilat i konsiderojnë të nevojshme dhe përcaktojnë se cilat prova tjera do t’i paraqesin.

(2)Nëse palët nuk janë pajtuar ndryshe, secila palë gjatë procedurës së arbitrazhit mund ta ndryshojë ose ta plotësojë padinë e vet, respektivisht përgjigjen e vet në padi, përveç nëse tribunali i arbitrazhit konsideron se ndryshimet ose plotësimet janë të palejueshme për shkak se janë paraqitur me vonesë.

(3)Së bashku me përgjigjen në padi, ose në një fazë të mëvonshme të procedurës, kur tribunali i arbitrazhit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, vendos se vonesa është e arsyeshme, i padituri mund të paraqesë kundër-padinë e cila mbështetet në të njëjtën kontratë ose në një kërkesë të bazuar në të njëjtën kontratë me qëllim të kompenzimit të ndërsjelltë të kërkesave. Paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni zbatohen përshtatshmërisht për kundër-paditë.

Neni 22
Dëgjimi i palëve dhe procedura me shkrim

(1)Në mungesë të marrëveshjes ndërmjet palëve, tribunali i arbitrazhit vendosë se a do të mbahet seanca e dëgjimit ose procedura do të zhvillohet në bazë të dokumenteve dhe materialave të tjera të shkruara, ose nëse do të kombinohen të dy këto procedura. Nëse palët nuk e kanë përjashtuar mbajtjen e seancave të dëgjimit, tribunali i arbitrazhit mbanë seancat e dëgjimit në një fazë të përshtatshme të procedurës, nëse një gjë e tillë kërkohet nga pala. Seancat e dëgjimit nuk janë publike, përveç nëse palët janë dakorduar ndryshe.

(2)Palët duhet të informohen paraprakisht dhe në kohë të duhur në lidhje me çdo seancë të dëgjimit dhe çdo mbledhje të tribunalit të arbitrazhit e cila ka për qëllim nxjerrjen e provave.

(3)Të gjitha deklaratat, dokumentet ose informatat e tjera të cilat njëra palë ia dorëzon tribunalit të arbitrazhit u dërgohen edhe të gjitha palëve tjera. Kjo vlenë edhe për raportet e ekspertëve ose provave tjera në formë të shkruar në të cilat tribunali i arbitrazhit mund ta mbështesë vendimin e tij.

(4)Tribunali i arbitrazhit bënë përgatitjen e përkthimeve të deklaratave gojore gjatë seancave të dëgjimit si dhe mbajtjen e procesverbalit gjatë seancës, nëse një gjë ë tillë konsiderohet e nevojshme nga tribunali i arbitrazhit duke marrë parasysh rrethanat e rastit, ose nëse palët janë pajtuar për këtë dhe e kanë njoftuar tribunalin e arbitrazhit së paku 15 ditë para mbajtjes së seancës së dëgjimit. Palët i bartin shpenzimet e përkthimit.

Neni 23
Mbyllja e seancës së dëgjimit

(1)Tribunali i arbitrazhit mund të kërkojë nga palët se a kanë për të paraqitur prova shtesë ose dëshmitarë plotësues. Nëse nuk ka paraqitje të tilla, seanca e dëgjimit mbyllet.

(2)Me iniciativën e vet, ose në bazë të kërkesës së njerës palë, tribunali i arbitrazhit mundet, në raste të jashtëzakonshme dhe kur këtë e konsideron të domosdoshme, ta caktojë rihapjen e seancës së dëgjimit në çdo kohë para marrjes së vendimit meritor.

Neni 24
Provat
(1)Secila palë e ka barrën e të provuarit për faktet të cilat e mbështesin padinë, përkatësisht, përgjigjen në padi.

(2)Tribunali i arbitrazhit përcakton pranueshmërinë, relevancën, vërtetësinë dhe peshën e provave të paraqitura.
(3)Në çdo kohë gjatë procedurës, tribunali i arbitrazhit mund të kërkojë nga palët që të paraqesin dokumente ose prova tjera brenda afatit të caktuar nga ai.


Neni 25
Dëshmitarët

(1)Nëse duhet të dëgjohet një dëshmitar, së paku 15 ditë para mbajtjes së seancës së dëgjimit, secila palë duhet t’ia dorëzojë tribunalit të arbitrazhit dhe palës tjetër emrin edhe adresën e dëshmitarit të cilin e fton të deklarohet, çështjen për të cilën do të dëshmojë dhe gjuhën në të cilën do ta paraqes dëshminë.

(2)Deklaratat e dëshmitarëve mund të paraqiten edhe në formë të deklaratave të shkruara, të nënshkruara nga dëshmitari, me kusht që dëshmitari të jetë në dispozicion për palët për shkak të ekzaminimit, nëse njëra palë e kërkon këtë.

Neni 26
Ekspertët

(1)Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, tribunali i arbitrazhit mund të emërojë një ose më shumë ekspertë të cilët do t’i raportojnë atij me shkrim për çështjet e caktuara për të cilat do të vendos tribunali i arbitrazhit.

(2)Tribunali i arbitrazhit mund ta urdhërojë një palë që ekspertit t’i jep çdo informatë të nevojshme ose të përgatisë ose t’i ofrojë qasje në dokumente ose sende për shiqim. Pas pranimit të raportit të ekspertit, tribunali i arbitrazhit ua dërgon palëve nga një kopje të raportit me ç’rast palëve u jepet mundësia që me shkrim ta shprehin mendimin e tyre lidhur me raportin.

(3)Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, me kërkesë të palës ose nëse tribunali i arbitrazhit këtë e konsideron të nevojshme, eksperti, pasi të ketë dorëzuar raportin me shkrim, dëgjohet në seancë, gjatë së cilës palët kanë mundësi ta marrin ekspertin në pyetje. Gjatë kësaj seance të dëgjimit, palët mund të paraqesin dëshmitarë ekspert për të dëshmuar mbi çështjet e ngritura.

Neni 27
Mosveprimi i palës

(1)Nëse paditësi nuk e paraqet padinë e tij në pajtim me nenin 21, paragrafi 1 dhe nuk ka arsyetim të mjaftueshëm për këtë, tribunali i arbitrazhit e mbyllë procedurën e arbitrazhit.

(2)Nëse i padituri nuk e paraqet përgjigjen e tij në padi sipas nenit 21, paragrafi 1, tribunali i arbitrazhit vazhdon me procedurën. Mungesa e paraqitjes së përgjigjes në padi nga i padituri nuk do të konsiderohet si pranim i pretendimeve të paditësit.

(3)Nëse njëra palë, edhe pse ka qenë e njoftuar me rregull sipas këtij ligji, nuk merr pjesë në seancën e dëgjimit ose nuk i dorëzon provat brenda afatit të caktuar, tribunali i arbitrazhit mund ta vazhdojë procedurën e arbitrazhit dhe ta nxjerrë vendimim në bazë të provave me të cilat disponon.

Neni 28
Heqja dorë nga kundërshtimi

Pala e cila është në dijeni për një shkelje të ndonjë dispozite të këtij ligji ose të marrëveshjes me palën tjetër por e cila prapseprapë vazhdon procedurën e arbitrazhit pa kundërshtuar menjëherë shkeljen në fjalë, konsiderohet se ka hequr dorë nga e drejta për të parashtruar kundërshtimin.

Neni 29
Ndihma e gjykatës

(1)Tribunali i arbitrazhit, osë pala që ka marrë miratimin paraprak nga tribunali i arbitrazhit, mund të kërkojë ndihmë nga gjykata, me qëllim të nxjerrjes së provave ose për kryerjen e punëve tjera juridike të cilat tribunali i arbitrazhit nuk është kompetent për t’i kryer.

(2)Nëse gjykata konstaton se kërkesa e tillë është e pranueshme, ajo e zbaton kërkesën në pajtim me rregullat e saja procedurale.

Kreu VI
Vendimet

Neni 30
E drejta kompetente
(1)Tribunali i arbitrazhit zbaton të drejtën të cilën palët e kanë caktuar si të drejtën kompetente për aspektet materiale të kontestit. Në mungesë të një caktimi të tillë nga palët, tribunali i arbitrazhit zbaton të drejtën e përcaktuar nga rregullat e së drejtës ndërkombëtare private, të cilat tribunali i arbitrazhit i konsideron të zbatueshme.
(2)Tribunali vendos ex aequo et bono ose si amiable compositeur vetëm nëse palët shprehimisht e kanë autorizuar për këtë.

(3)Në të gjitha rastet, tribunali i arbitrazhit vendos në pajtim me dispozitat e kontratës duke marrë parasysh uzancat tregtare që vlejnë për rastin konkret.


Neni 31
Marrja e vendimeve

(1)Në procedurën e arbitrazhit me më shumë se një arbitër, çdo vendim i tribunalit të arbitrazhit merret me shumicë votash të të gjithë anëtarëve të tribunalit të arbitrazhit, përveç nëse palët pajtohen ndryshe.

(2)Për çështjet procedurale drejtuesi i tribunalit të arbitrazhit vendos vet, nëse për këtë është i autorizuar nga palët ose nga të gjithë anëtarët e tribunalit të arbitrazhit.

Neni 32
Forma dhe përmbajtja e vendimit

(1)Vendimi nxirret në formë të shkruar dhe është përfundimtar dhe i detyrueshëm për palët. Vendimi për palët e ka efektin e njejtë juridik sikurse një aktgjykim i plotfuqishëm dhe detyrues i gjykatës.

(2)Në vendim ceken arsyet mbi të cilat mbështetet vendimi, përveç nëse palët janë pajtuar që arsyet të mos ceken.

(3)Vendimi nënshkruhet nga arbitri ose arbitrat, dhe mbanë datën dhe vendin kur është nxjerrë. Në procedurën e arbitrazhit me më shumë se një arbitër, nënshkrimet e shumicës së anëtarëve të tribunalit janë të mjaftueshme, me kusht që në vendim të shpjegohen arsyet për mungesën e nënshkrimeve të tjera.

(4)Nga një kopje e vendimit të nënshkruar nga arbitrat u dorëzohet të dyja palëve, pasi që të jenë paguar të gjitha taksat.

(5)Vendimi bëhet publik vetëm me pëlqimin e të gjitha palëve.


Neni 33
Pajtimi

(1)Nëse para nxjerrjes së vendimit palët pajtohen për zgjidhjen e kontestit, tribunali e ndërprenë procedurën e arbitrazhit.

(2)Nëse kërkohet nga palët, tribunali i arbitrazhit mund të dokumentojë pajtimin e palëve në formë të një vendimi të arbitrazhit sipas kushteve për të cilat janë pajtuar palët, përveç nëse përmbajtja e pajtimit cenon ose është në kundërshtim me rendin publik (ordre public). Vendimi i tillë e ka efektin e njëjtë sikur një vendim meritor.


Neni 34
Përfundimi i procedurës së arbitrazhit

(1)Procedura e arbitrazhit përfundon me nxjerrjen e vendimit përfundimtar ose të një urdhëri të tribunalit të arbitrazhit sipas paragrafit 2 të këtij neni.

(2) Tribunali i arbitrazhit nxjerr urdhër për ndërprerjën e procedurës së arbitrazhit nëse:

1.paditësi:

a)nuk e dorëzon padinë e tij sipas nenit 21, paragrafi 1;

b)e tërheq padinë, përveç nëse i padituri e kundërshton këtë dhe tribunali i arbitrazhit konstaton se i padituri ka interes legjitim që të nxirret vendimi përfundimtar mbi kontestin;

2.palët pajtohen për përfundimin e procedurës; ose

3.palët nuk vazhdojnë procedurën e arbitrazhit edhe pse vazhdimi i procedurës është kërkuar nga tribunali i arbitrazhit ose nëse vazhdimi i procedurës së arbitrazhit është bërë i pamundshëm ose i panevojshëm për arsye të tjera.

(3)Mandati i tribunalit të arbitrazhit përfundon me ndërprerjen e procedurës, përveç nësë me ligj parashihet ndryshe.

Neni 35
Shpenzimet e procedurës

(1)Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, tribunali i arbitrazhit cakton shpenzimet në vendimin e tij përfundimtar. Shpenzimet në fjalë përfshijnë:

1.taksën e tribunalit të arbitrazhit;
2.shpenzimet e udhëtimit dhe jetesës së arbitrave;
3.shpenzimet për ekspertë dhe ndihmën tjetër të cilën e ka kërkuar tribunali i arbitrazhit dhe për të cilën janë pajtuar palët;
4.shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e tjera të dëshmitarëve, deri në masën e miratuar nga tribunali i arbitrazhit;
5.shpenzimet për përfaqësimin dhe ndihmen për palën e suksesshme, nëse kompenzimi i këtyre shpenzimeve është kërkuar gjatë procedurës së arbitrazhit, dhe vetëm deri në atë masë që tribunali i arbitrazhit e cakton të arsyeshëm; dhe
6.të gjitha taksat dhe shpenzimet e gjykatës kur kjo bënë emërimin e arbitërve.
(2)Taksat e tribunalit të arbitrazhit duhet të jenë të arsyeshme, duke marrë parasysh vlerën e kontestit, kompleksitetin e lëndës, kohën e shpenzuar nga arbitrat dhe rrethanat e tjera të rastit. Në rast se shfaqen mosmarrëveshje në lidhje me shumën e taksave që duhet paguar tribunalit të arbitrazhit, gjykata është kompetente që të vendosë mbi këtë çështje.

(3)Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, shpenzimet e arbitrazhit i ngarkohen palës humbëse. Tribunali i arbitrazhit mund të ndajë shpenzimet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni ndërmjet palëve, nëse konstaton se një ndarje e tillë është e arsyeshme duke marrë parasysh rrethanat e rastit.

Neni 36
Korigjimi, interpretimi dhe plotësimi i vendimit

(1)Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, brenda tridhjetë ditëve nga marrja e vendimit, secila palë, duke e njoftuar edhe palën tjetër, mund të kërkojë nga tribunali i arbitrazhit:

1.ta interpretojë vendimin;
2.ta korigjojë ndonjë gabim në llogaritje, gabim shtypi ose çfarëdo gabimi tjetër të kësaj natyre; ose
3.ta nxjerrë një vendim plotësues në lidhje me paditë e ngritura para tribunalit të arbitrazhit, por të cilat nuk janë përfshirë në vendimin përfundimtar.
(2)Brenda tridhjetë ditëve nga dërgimi i vendimit, tribunali i arbitrazhit mund të bëjë korigjime të tilla me iniciativë të vetën. Tribunali i arbitrazhit i bën korigjimet ose jep interpretimin brenda tridhjetë ditëve nga pranimi i kërkesës për ta bërë këtë.
(3)Nëse tribunali i arbitrazhit konsideron se kërkesa për nxjerrjen e vendimit plotësues është e arsyeshme dhe konsideron se vendimi plotësues mund të nxirret pa mbatjen e seancës së dëgjimit ose nxjerrjes së provave, tribunali i arbitrazhit e plotëson vendimin brenda gjashtëdhjetë ditëve nga pranimi i kërkesës. Neni 31 vlen përshatshmërisht edhe për vendimet plotësuese.

Kreu VII
Procedura gjyqësore

Neni 37
Mjetet juridike

(1)Në rastet e parapara në paragrafin 2 dhe 3 të këtij neni, secila palë mund të kërkojë nga gjykata që të anulojë një vendim të tribunalit të arbitrazhit.
(2)Gjykata anulon vendimin e tribunalit nëse:
a)paditësi dëshmon se:
a)njëra palë në marrëveshjen e arbitrazhit nuk ka patur zotësinë për të vepruar;
b)marrëveshja e arbitrazhit nuk është e vlefshme sipas së drejtës së caktuar nga palët ose nga tribunali i arbitrazhit ose, në mungesë të një caktimi të tillë, sipas ligjit të zbatueshëm në Kosovë;
c)paditësi nuk është njoftuar me rregull në lidhje me emërimin e një arbitri ose mbi procedurën e arbitrazhit, ose për arsye tjera nuk ka qenë në gjendje të paraqesë rastin e tij;
d)vendimi nuk ka të bëjë me çështjen e shqyrtuar nga tribunali i arbitrazhit ose ka të bëjë me një çështje për të cilën nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit, ose vendimi përfshinë çështje për të cilat nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit. Në këto raste, nëse vendimi mbi çështjet për të cilat është kompetent tribunali i arbitrazhit mund të ndahet nga çështjet tjera, atëherë kjo pjesë e vendimit mund të ekzekutohet;
e)përbërja e tribunalit të arbitrazhit ose procedura e arbitrazhit nuk ka qenë në pajtim me dispozitat e këtij ligji ose me marrëveshjen e arbitrazhit, me kusht që mangësia e tillë të ketë patur ndikim në vendimin e tribunalit; ose
b)gjykata konstaton se:
a)arbitrazhi në fjalë është i ndaluar me ligj; ose
b)ekzekutimi i vendimit do të cenonte ose do ishte në kundërshtim me rendin publik (ordre public).
(3)Përveç nëse palët janë pajtuar ndryshe, padia për anulimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit i dorëzohet gjykatës jo më vonë se nëntëdhjetë ditë pas pranimit të vendimit të tribunalit të arbitrazhit nga pala përkatëse.
(4)Padia për anulimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit mund të hidhet poshtë nga Gjykata nëse vendimi është shpallur i ekzekutueshëm nga një gjykatë në Kosovë.
(5)Kur kërkohet anulimi i vendimit të tribunalit të arbitrazhit, Gjykata mundet, nëse kjo është e arsyeshme, ta anulojë vendimin dhe t’ia kthejë lëndën tribunalit të arbitrazhit që ta inicojë sërish procedurën e arbitrazhit ose që t’i merr ato veprime, të cilat sipas vlerësimit të tribunalit të arbitrazhit do të menjanojnë arsyet për anulimin e vendimit.


Neni 38
Dispozitat e përgjithshme të procedurës

(1)Gjykata vendos me aktvendim. Para nxjerrjes së aktvendimit Gjykata ka për detyrë ta dëgjojë palën kundërshtare.

(2)Në rastin e ngritjes së padisë, sipas nenit 37, për anulimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit, Gjykata ka për detyrë t’i dëgjojë të gjitha palët.

(3)Kundër aktvendimit të Gjykatës në rastet e parapara në nenin 37, paragrafi 2, lejohet ankesa. Për të gjitha aktvendimet tjera të nxjerra nga Gjykata në pajtim me këtë ligj nuk lejohet ankesa.

Kreu VIII
Njohja dhe ekzekutimi i vendimeve


Neni 39
Vendimet e arbitrazhit të nxjerra brenda Kosovës

(1)Vendimi i arbitrazhit i cili është nxjerrë nga një tribunal i arbitrazhit brenda Kosovës ekzekutohet pasi që të shpallet i ekzekutueshëm nga Gjykata.

(2)Kërkesa që vendimi i arbitrazhit të shpallet i ekzekutueshëm hidhet poshtë nëse Gjykata konstaton se ekzistojnë një ose më shumë arsye për anulimin e vendimit sipas nenit 37, paragrafi 2. Kërkesës për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit sipas këtij neni i bashkangjitet vendimi i tribunalit të arbitrazhit ose një kopje e vërtetuar e tij.


Neni 40
Vendimet e arbitrazhit të nxjerra jashtë Kosovës

(1)Gjykatat e Kosovës i njohin vendimet e arbitrazhit të nxjerra jashtë Kosovës si të plotfuqishme dhe i ekzekutojnë ato në pajtim me rregullat përkatëse procedurale që janë në fuqi në Kosovë. Kërkesa për njohjen dhe ekzekutimin e një vendimi të tillë i paraqitet Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila mund t’ia delegojë lëndën gjykatës e cila e ka kompetencen lëndore dhe në territorin e së cilës parashihet të ekzekutohet vendimi i arbitrazhit
(2)Për ta fituar njohjen dhe ekzekutimin e vendimit, pala gjegjëse, së bashku me kërkesën dorëzon:
1.origjinalin e vendimit ose një kopje të vërtetuar të vendimit; dhe
2.origjinalin e marrëveshjes së arbitrazhit ose një kopje të vërtetuar të saj.
3.një përkthim të çertifikuar të marrëveshjes së arbitrazhit dhe të vendimit të arbitrazhit në njëren prej gjuhëve zyrtare të Kosovës, nëse marrëveshja ose vendimi nuk është përpiluar në njëren prej gjuhëve zyrtare të Kosovës.
(3)Kërkesa për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit refuzohet në bazë të kërkesës së palës tjetër, nëse ajo dëshmon se:
1. njëra palë në marrëveshjen e arbitrazhit, sipas së drejtës kompetente për atë marrëveshje, nuk ka pasur zotësi për të vepruar; ose nëse marrëvëshja e arbitrazhit nuk ka qenë e vlefshme sipas së drejtës së caktuar nga palët ose, në mungesë të një caktimi të tillë, sipas së drejtës në territorin ku është marrë vendimi;
2.pala, ndaj së cilës kërkohet ekzekutimi i vendimit, nuk është njoftuar me rregull në lidhje me caktimin e një arbitri ose për procedurën e arbitrazhit, ose për arsye tjera nuk ka qenë në gjendje të paraqesë rastin e saj;
3.vendimi nuk ka të bëjë me çështjen e shqyrtuar nga tribunali i arbitrazhit ose ka të bëjë me një çështje e për të cilën nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit, ose vendimi përfshin çështje për të cilat nuk është kompetent tribunali i arbitrazhit. Në këto raste, nëse vendimi mbi çështjet për të cilat është kompetent tribunali i arbitrazhit mund të ndahet nga çështjet tjera, atëherë kjo pjesë e vendimit mund të njihet dhe të ekzekutohet;
4.përbërja e tribunalit të arbitrazhit ose procedura e arbitrazhit nuk ka qenë në pajtim me dispozitat e ligjit të zbatueshëm në atë rast; ose
5.vendimi ende nuk është bërë i plotfuqishëm për palët, ose është shfuqizuar ose pezulluar nga një organ kompetent në territorin ku është nxjerrë vendimi, respektivisht sipas drejtës në bazë të së cilës është nxjerrë vendimi.
(4)Kërkesa për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit gjithashtu mund të refuzohet nga Gjykata Supreme e Kosovës, përkatësisht nga gjykata të cilës i është deleguar lënda sipas paragrafit (1), nëse konstaton se:
1.sipas ligjit në fuqi në Kosovë, konstesti përkatës nuk mund të zgjidhet përmes arbitrazhit, ose
2.njohja ose ekzekutimi i vendimit do të cenonte ose do të ishte në kundërshtim me rendin publik (ordre public) të Kosovës.

Kreu IX
Dispozitat Përfundimtare

Neni 41
Ligji në fuqi

Me këtë ligj shfuqizohen të gjitha dispozitat e ligjit në fuqi të cilat nuk janë në pajtim me këtë ligj.


Neni 42
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi një muaj pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe pas shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top