‘Lifeline’ me 300 emigrantë drejt Italisë, Salvini: Nuk shkelni këtu! Ikni në Holandë

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
‘Lifeline’ me 300 emigrantë drejt Italisë, Salvini: Nuk shkelni këtu! Ikni në Holandë

1.jpg

Një anije holandeze OJQ-je, e quajtur “Lifeline” i ka ardhur në ndihmë 300-400 emigrantëve libianë duke i imbarkuar në bordin e saj, pranë brigjeve të Libisë. Ekipet e shpëtimit tashmë kanë kërkuar ndihmë nga roja bregdetare italiane për të zbarkuar në portet e tyre.

Tani për tani anija është duke lëvizur me mbështetjen e një anije patrullimi nga Tripoli që ka ndërhyrë në kushte emergjence. “Lifeline” ndërhyri në ujërat libiane në një operacion kërkim-shpëtimi dhe u ngarkua me njerëz, por për ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës në Italia, Danilo Toninelli, kjo anije OJQ-je është duke vepruar në ujërat e Libisë jashtë çdo rregulli dhe ligji ndërkombëtar.

“Ata hipën në bord rreth 250 të mbijetuar pa pasur mjetet teknike për të garantuar sigurinë e tyre dhe ekuipazhit”, tha Toninelli.

Ai i ka kërkuar Rojes bregdetare italiane që të nisë një hetim, për të “verifikuar korrespondencën aktuale midis flamurit dhe anijes, nëse i përkasin të njëjtës kombësi.

“Unë do ju mbaj të përditësuar mbi zhvillimet, por sigurisht unë parashikoj se Ligji i Detit nuk lejon navigacion për shërbime nga anije klandestine”, theksoi ministri.

Në postimin e tij ministri Toninelli thotë se, “Lifeline nuk ka bashkëpunuar me rojen bregdetare të Libisë”.

“Ne nuk kemi asgjë kundër OJQ-ve, por ne vazhdojnë të jemi në përputhje me ligjin. Sidomos kur është fjala për jetën e njerëzve. Për këtë duhet të shtohet që ne kemi ende prova se anija “Lifeline” nuk është vërtetë e OJQ-ve, pavarësisht se lëviz me flamurin e Holandës”, shton ai.

Kundër kësaj anije ka shpërthyer edhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, duke theksuar se nuk do të hapen portet për të.

“Lifeline ka bërë një akt force duke mos dëgjuar rojen bregdetare italiane dhe atë të Libisë. E pra, kjo ngarkesë me qenie njerëzore le të shkojë në Holandë. Le ta bëjë “xhiron” pak më të gjatë”, ka thënë Salvini.

Salvini ka qenë i prerë duke theksuar se nuk do të ketë ndërhyrje italiane në operacionin e shpëtimit të anijes OJQ Lifeline.

“Këto anije në Mesdhe nuk janë vullnetare. Ato ndihmojnë në trafikimin e qenieve njerëzore.Kjo Lifeline përdor njerëz të dëshpëruar si mallra. Anijet e këtyre pseudo OJQ-ve nuk do të shkelin kurrë më në tokën italiane”, theksoi kreu i ‘Lega Nord’.

“Anijet e marinës italiane dhe Roja Bregdetare italiane në vitet e fundit kanë bërë një punë meritore dhe të papaguar, duke shmangur tragjedinë për qindra e mijëra jetë. Ato janë të angazhuara në brigjet italiane, për të mbrojtur dhe për të shpëtuar jetë në afërsi të brigjeve tona. Ka të tjerë që mund dhe duhet të ndërhyjnë me ndërgjegje të pastër, si autoritetet tuniziane dhe malteze. Duhet të marrin më shumë përgjegjësi për veten e tyre, kostot dhe shpenzimet e ndërlidhura sociale për emigracionin jashtë kontrollit”, përfundoi Salvini.

(gazeta-Shqip.com)
 
Back
Top