La Liga - Formacioni i sezonit.

Sc0rP10n

Antar Aktiv
Barcelona mbrojti titullin në La Liga, por pos Barcelonës, kishte dhe protagonistë të tjerë të cilët ishin shtysë e sukseseve të Barcelonës nga ana e rivalëve të tjerë. Ishte ky një sezon i paharruar në La Liga, një sezon që si identitet kishte dy superfuqitë në Iberik, ndërsa vulën sezonit ia dhanë pikët e grumbulluara nga dy skuadrat e para, të cilat padyshim janë të pandashme dhe që të dyja meritojnë kurorën e më të mirës.
Le t’i hedhim një shikim formacionit më të mirë të sezonit në La Liga:

Portier

Victor Valdes (Barcelona)

Valdes pranoi çmimin e tretë të portierit më të mirë të sezonit në La Liga, pasi që pranoi vetëm 24 gola këtë sezon. Përderisa vitin e kaluar ai ishte i panevojshëm për shkak të një mbrojtjeje të hekurt dhe mesfushës shkelëse, këtë sezon Valdes ishte thirrur në aksion, për të bërë ndërhyrje të panumërta vendimtare. Secilën herë që Barca kërkoi nga ai ndonjë mrekulli, ai ishte te vendi.

Mbrojtja

Dani Alves (Barcelona)

Braziliani i shpejtë e përfundoi këtë sezon me një statistikë mbresëlënëse prej 10 asistimeve, duke dalë i dyti më i miri, natyrisht pas Xavit. Përkundër angazhimit konstant në sulm, Alves vazhdoi të jetë i gjithanshëm, duke qenë njeriu më energjik i mbrojtjes blaugrane, duke lëvizur si ‘skifter’ i vërtetë në krahun e djathtë.

Nunes (Mallorca)

Nuk është njëri ndër emrat më pikantë që po shihni në këtë formacion, por ‘çeliku’ portugez ishte njëri prej faktorëve kyç prapa suksesit të Mallorcas, që për pak sa nuk u kualifikua në Ligën e Kampionëve. Ai nuk është mbrojtësi qendror më i shpejtë dhe më i ri në moshën 33-vjeçare, por ai meriton të jetë në formacionin tonë të vitit për shkak të pozicionimit perfekt në lojë dhe leximit perfekt të saj.

Sergio Ramos (Real Madrid)

Ky ishte sezoni kur u ‘zgjua nga varri’ Sergio Ramos. Duke lëvizur herë si anësor i djathtë, e herë si qendërmbrojtës nën Manuel Pellegrinin, 24-vjeçari ka mësuar të jetë më i baraspeshuar në lojën e tij. Kur luajti në zemrën e mbrojtjes madrilene, Ramos ishte gur për mbrojtjen e Los Blancos dhe kur kërkohej që ai të shkonte përpara, ai e bëri këtë punë për mrekulli, pasi që katër golat dhe pesë asistimet e dëshmojnë më mirë këtë fakt.

Mesfusha

Jesus Navas (Sevilla)

Anësori i shpejtë ka detyruar tifozët e La Ligas të valëvisin flamujt në shenjë të aftësisë së tij, por këtë sezon ai kapërceu në një nivel tjetër. Pasi kaloi frikën nga loja nëpër terrenet mysafire, Navas më në fund ishte në gjendje të demonstrojë qëndrueshmërinë e tij, diçka që i mungoi viteve të kaluara. Me nëntë asistime këtë sezon, Navas udhëhoqi Sevillan drejt Ligës së Kampionëve.

Xavi (Barcelona)

Nëse është ndonjë njeri që duhet të përfshihet në koleksionin tuaj të lojtarëve më të mirë të sezonit, atëherë ky është Xavi. Dhe, nëse është një futbollist që duhet ta keni në konstelacionin tuaj të superyjeve, atëherë ky do të duhej të ishte mjeshtri i mesfushës. Gjithsej 14 asistimet në La Liga, tregojnë më mirë gjysmën e tregimit të këtij njeriu prej gjeniu. Gjysma tjetër mbetet të dëshmohet vetëm duke e shikuar atë, me dy sytë tuaj.

Ever Banega (Valencia)

Argjentinasi befasoi të gjithë këtë sezon me paraqitjet e tij për Los Che. Mesfushori shkatërrues nga njëri gjashtëmbëdhjetësh në gjashtëmbëdhjetëshin tjetër, u shndërrua në një instrument të planeve të Unay Emeryt, falë aftësisë së tij për të vjedhur topa dhe për të filluar sulmet. Përfundoi sezonin si top asistuesi i Valencias, me gjithsej tetë asistime.

Cristiano Ronaldo (Real Madrid)

CR9 dëshmoi se pse është transferi më i shtrenjtë në histori të futbollit dhe njëkohësisht futbollisti më i paguar në botë. Jo vetëm shënoi 26 gola në 29 paraqitjet e tij në sezonin e parë të tij në La Liga për ‘Shtëpinë e Bardhë’, por ai personalisht u përkujdes që ta shtyjë kurorëzimin e Barcelonës si kampione deri në javën e fundit, falë disa paraqitjeve epike, me gola vendimtarë.

Sulmi

Lionel Messi (Barcelona)

Nuk ka nevojë të flitet shumë për ‘El Messiah’. Ai e fitoi çmimin e tij të parë si golashënuesi më i mirë në La Liga me 34 gola në një sezon të vetëm, duke barazuar rekordin e Ronaldos, brenda klubit Blaugran, të vitit 1997. Ai gjithashtu fitoi Këpucën e Artë evropiane me 68 pikë, dhjetë pikë para Didier Drogbas së Chelseat. Definitivisht, ky është një sezon që e zhvendosi atë nga kategoria prej futbollistit më të mirë në botë, në kategorinë e futbollistit më të mirë të të gjitha kohërave.

Gonzalo Higuain (Real Madrid)

‘El Pipita’ Higuain, ishte njeriu i vetëm që arriti të cenojë autoritetin e Lionel Messit si golashënuesi më i mirë në mes të sezonit, duke arritur për një moment 19 gola në 15 paraqitje. Për herë të dytë me radhë ai bëhet golashënuesi më i mirë i Real Madridit me 27 gola, pesë më shumë se sezonin e kaluar. Edhe një sezon tjetër që e pa atë duke u përmirësuar.

David Villa (Valencia)

Sulmi ‘All-Star’ i këtij formacioni përmbyllet me sulmuesin më të mirë spanjoll këtë sezon. Me 21 gola, ‘El Guaje’ luajti rol të madh në ringjalljen e Valencias si top klub i Spanjës, pas dy viteve të kaluara të kësaj skuadre nëpër ‘xhunglat e gadishullit Iberik’. Villa ishte një kohë kryesuesi në listën e realizuesve, me 12 gola në 14 paraqitje.

Skema e Formacionit të sezonit në La Liga (3-4-3):

Valdes

Sergio Ramos – Nunes – Dani Alves

C.Ronaldo – Banega – Xavi – Navas

Villa – Higuain – Messi
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top