Komiteti për 100 vjetorin e Pavarësisë ka rënë dakord në parim që monumenti fitues të jetë ai për të cilin ka rënë dakord juria dhe vetë qytetarët që kanë votuar online. Bëhet fjalë për monumentin e përgatitur nga kosovari Visar Obrija dhe gjermani Kai Roman Kiklas. Megjithatë vendimi përfundimtar do merret javën tjetër.
“Projekti i propozuar nga bashkëpunimi mes dy arkitektëve nga Mynihu frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare. Ajo është e lartë, e gjatë dhe e gjerë prej tetë metrash dhe njerëzit mund të kalojnë lirisht përmes hapjes së saj. Në faqet e brendshme anësore të monumentit do të ketë elementë të vizatuar me lazër si Deklarata e Pavarësisë, simboli kombëtar i shqiponjës dhe figura njerëzore. Hapja e banesës simbolizon çlirimin e kombit shqiptar dhe kapërcimin nga izolimi drejt lirisë dhe pamjen nga e ardhmja,” thuhet në përshkrimin e punimit.
Megjithatë ende nuk është vendosur se në cilin shesh do ngrihet ky monument, por fakti se ai është relativisht i vogël, do të thotë se mund të vendoset në një ambient urban jo shumë të madh. “Ky është monumenti i 100 vjetorit të Pavarësisë, jo monumenti i Pavarësisë,” deklaroi Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi.
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi kryebashkiakut të Tiranës që të ngrejë edhe një monument me një shqiponjë të madhe, që ta kenë qytetarët në Tiranë. Berisha sulmoi Ramën duke thënë se ai është dadaist si artist.
Tani pritet që të ngrihet edhe një tjetër juri për sheshin ku do vendoset monumenti.
TemA