Kushtet rreth fitimit dhe shpenzimit të pasurisë

Kushtet rreth fitimit dhe shpenzimit të pasurisë

Autor: Mr. Bashkim Aliu

Pasuria, ose të mirat materiale, janë mirësi me të cilat Allahu i begatoi robërit e Vet, mirëpo duhet patur parasysh çdo herë se këto të mira mund të përdoren për të mire, por, mund edhe të përdoren për të keq dhe në punë të fëlliqta.Duke u nisur nga kjo, Islami i ka kushtuar kujdes si fitimit, e po ashtu edhe shpenzimit të pasurisë, sepse mospërfillja e njërës prej këtyre dy çështjeve sjell pasoja dhe dëme jo vetëm për individin, por edhe për shoqërinë më gjërë.
Pejgamberi s.a.v.s. nuk e ka përbuzur pasurinë, por, sikur që shihet nga shumë hadithe, ai është lutur që ajo të shumohet në duart e besimtarëve të sinqertë.Kështu, Muslimi transmenton se Pejgamberi s.a.v.s. është lutur për Enesin, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë:”O Zot, shtoja pasurinë dhe fëmijët, dhe bekoja atij atë që ia ke falur”.
Po ashtu, në një hadith tjetër, që e transmenton Ahmedi, Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ”Lum për pasurinë e ndershme, në dorë të njeriut të devotshëm”.
Në këtë kontekst flasin edhe shumë ajete Kur’anore.Kështu, në një ajet, me qëllim të mbrojtjes dhe mos asgjësimit të pasurisë, Allahu i Madhërishëm na porosit që mos t’ua dorëzojmë pasurinë atyre që nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë dhe që nuk rezonojnë në shfrytëzimin e drejtë të saj.Po ashtu, po në këtë ajet, Allahu i Madhërishëm e konsideron pasurinë mëkamje për njerëzit.Allahu i Madhërishëm thotë: Mendjelehtësve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë tuaj që Allahu e bëri për ju mëkamje, e ata ushqeni nga ajo, veshni dhe u thoni fjalë të mira (5) Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzonju atyre pasurinë e tyre.Mos e hani atë duke e shkapërderdhur dhe duke u ngutur para se të rriten ata.Kush është i pasur le të ruhet (shfrytëzimit të pasurisë së jetimëve), e kush është i varfër, le të hajë me maturi.E kur t’ju dorëzoni atyre pasurinë e vet, dëshmoni atë (që ju dorëzoni).Mjafton që Allahu është llogaritës (6) [1].
Po ashtu, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë, Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë, në ajetin më të gjatë në Kur’an, na urdhëron që sa herë të marrim borxh këtë ta regjistrojmë me dëshmitar, me qëllim që mos të vijë në mosmarrëveshje e të humbet pasuria.Allahu i Madhërishëm thotë: O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë…[2].
Pejgamberi a.s duke treguar rëndësinë e pasurisë, thekson se njeriut ia vlen të luftojë dhe të kacafytet me atë që vjen për t’ia rrëmbyer pasurinë, dhe njëkohësisht thekson se në rast se vritet duke luftuar për mbrojtjen e pasurisë, ai vdes shehid (dëshmorë), ndërkaq grabitësi vdes mëkatar. Imam Muslimi transmenton prej Ebu Hurejres, i cili thotë: Erdhi një njeri te Pejgamberi s.a.v.s. dhe tha:”O Pejgamber i Allahut, çka thua nëse vjen një njeri dhe tenton ta rrëmbejë pasurinë time?” (Pejgamberi) Tha: ”Mos ia jep pasurinë tënde”. Ai tha:”Po nëse ai kacafytet me mua?” (Pejgamberi) Tha:”Luftoje dhe ti”. Ai i tha: Po nëse më vret? (Pejgamberi) Tha: ”Atëherë ti je shehid”. Ai i tha: Po nëse vras unë atë? (Pejgamberi) Tha: ”Ai është në zjarr”.[3]
Po ashtu, në dy Sahihet transmentohet prej Mugire ibën Shuëbes se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: ”Allahu i ka bërë haram tre gjëra dhe ka ndaluar nga tre gjëra. I ka bërë haram: mosrespektin e prindërve, varrosjen e vajzave të gjalla dhe lypja e një sendi që nuk të takon. Po ashtu ka ndaluar nga tre gjëra: thashethemet, pyetjet e shumta dhe nëpërkëmbja e pasurisë”.[4]
Duke i pasur parasyshë të gjitha këto fakte, na bëhet e qartë se pasuria në Islam ka vlerë të madhe, por, normalisht, ajo pasuri që është e ndershme, që nënkupton se feja Islame ka vënë kushte në fitimin e saj, e po ashtu, duke u nisur nga kjo pozitë e pasurisë në Islam, fetarisht është e ndaluar nëpërkëmbja e pasurisë dhe humbja e saj, por muslimani është i porositur që pasurinë e vet ta fitojë dhe ta shpenzojë në punë të lejuara, e assesi nuk guxon që me pasurinë e vet të futet në rrugë të ndaluara.
Kështu, asgjësimi dhe nëpërkëmbja e pasurisë bëhet në shumë mënyra.Disa herë kjo nëpërkëmbet duke e harxhuar në gjëra të ndaluara, e disa herë edhe duke e tepruar me shpenzimin e saj në gjëra të lejuara.
Prej formave të ndaluara mund të përmendim sa për ilustrim bixhozin, alkoolin, drogën, bordelet, prostitucionin, miton, kamatën dhe të gjitha format tjera të ndaluara.Allahu i Madhërishëm thotë:<<Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfërit, edhe atij në gurbet, po mos shpenzo tepër e pa rrugë (26) Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të tij (27)[5]. Komentatorët e Kur’anit, këtu theksojnë se me fjalën “tebdhir”, që në gjuhën shqipe përkthehet harxhim ose shpenzim pa rrugë, aludohet në harxhimin që bëhet në gjëra të ndaluara.
Po ashtu, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë, Allahu i Madhërishëm e ndalon harxhimin e tepërt të pasurisë, po edhe nëse bëhet në gjëra të lejuara si haja dhe pija.Allahu i Madhërishëm thotë: O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) [6] nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin) (31) [7].
Për këtë, duke e pasur parasysh se sistemet e sotme administrative ua mundësojnë njerëzve që ta harxhojnë pasurinë e tyre si të dëshirojnë, pa mos u vënë kufij dhe kushte, gjegjësisht ua mundësojnë që ta harxhojnë pasurinë në gjëra të rrezikshme si:alkooli, droga, prostitucioni, hapja e bareve të natës ku shkatërrohet rinia, ose diskotekave dhe kazinove të ndryshme. Po ashtu, këto sisteme ua mundësojnë edhe ta fitojnë pasurinë në mënyra të pa ndershme, si:bordele, mito, alkool, kamatë, etj. ”Kjo pra është një nga cilësitë e etikës kapitaliste. Filmat ***** sjellin para të majme, kinematë i kaplon furia *****grafike, botohen revista të shumta *****grafike. Sipas kësaj etike, këtu s’ka gjë të keqe, kjo është një çështje e ligjit të ofertës dhe të kërkesës”.[8]
Ndërkaq, Islami vuri rregulla dhe kufij si për fitimin ashtu edhe për harxhimin e saj, gjegjësisht muslimani nuk mundet që si t’i thotë mendja ta fiton dhe harxhon pasurinë e vet, por për këtë ka rregulla dhe kritere. Mendja e shëndoshë, duke e ditur se çfarë paraqesin në fakt format e ndaluara të fitimit të pasurisë, nuk mund të pohojë se instruksionet islame rreth fitimit dhe harxhimit të pasurisë janë kufizim i lirisë së njeriut, por ajo do të kërkonte një sistem i cili i ven këto rregulla, gjegjësisht i cili e mbron shoqërinë nga investimet e pasurisë në projekte të mbrapshta dhe famëkeqe për shoqërinë. Këtë mund ta bëjnë vetëm shpirtërat e trazuar dhe mendjet e prishura të cilat ideal të vetin më të lartë në jetë, nëse është e drejtë të quhet ky ideal, e kanë interesin material, pa marrë parasyshë si arrihet ky profit.
Këtë do ta përmbyllim me hadithin e Muhammedit, paqa dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ku thuhet:Nuk do të lëvizë njeriu nga vendi pa mos u pyetur për katër gjëra:për jetën ku e ka kaluar, rininë ku e ka harxhuar, për diturinë çka ka bërë me të, dhe për pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar”[9].
1 En-Nisaë: 5-6.
2 El-Bekare: 282.
3 Hadithin e transmenton Muslimi . Shih për sqarime:Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll.II, f.139, hadithi nr.62.
4 Hadithin e transmenton Buhariu, Shih:Ibn Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll.V, f.83, hadithi nr.2408; dhe Muslimi, shih:Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll.XII, f.11, hadithi nr.12.
5 El-Israë: 26-27.
6 Duhet shtuar, për të qenë përkthimi më adekuat, fjala “vërtetë”.Pra:”Vërtet, Allahu nuk i do ata të cilët e teprojnë”.
7El-A’raf: 31.
8 Ali Bullaç, Koncepte dhe sisteme bashkëkohore, f.237.
9 Hadithin e transmenton Tirmidhiju në Sunenin e tij. Tirmidhiju për hadithin e transmentuar prej Ebi Berzete El-Eslemijut thotë:Hadithi është i mire autentik.Shih: Tuhfetu-l-ehvedhij, vëll.VII, f.85, hadithi nr.2532.
Mesazhi.com
 
Back
Top