Kur lulja thahet afër ujit!

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Kur lulja thahet afër ujit!


Kur ke ç'të thuash, kërkon hapësirë që të thënën ta thuash, e kur do të kaplojë heshtja, zhvillohet biseda e heshtur me vetveten.

Sinqeriteti përkufizohet si shprehje e së vërtetës ku gjuha është në ujdi me zemrën, e kam fjalën, njeriu kurrë s'mund të heq dorë prej diçkaje, nëse diçka kurrë s'ka qenë pjesë e njeriut.

Dy zemra mund të gëzohen në masën kur gëzimi buron nga zemra e gëzuar e cila nxitet ta gëzojë zemrën tjetër. Mendimi për dikë që të frymëzon të mendosh lind nga dashuria që të ka përfshirë dhe rezulton që dikë ta mbash veç në mendje.

Në fakt, edhe pse frymori erdhi prej uji, sërish mosshfrytëzimi i ujit siç duhet mund të rezultojë me tharjen e frymorit prej ujit.

اdo nisje ka një destinacion ku të arrihet, kurse çdo ngecje s'është pamundësi për arritje në destinacion, por është mospërdorim sikurse duhet i mjeteve që të shpien në destinacionin e duhur.

Mungesa e dikujt apo diçkaje e nxit njeriun të meditojë, e pastaj meditimi i jep një rrugëdalje njeriut, e ajo është se duhet të qetësohet njeriu, se i është caktuar të mos jetë me të munguarin.

Me heshtje çdoherë nuk shprehet mosdija, por ndonjëherë edhe prezenca e turpit, që njeriu të mbyllet në vetvete dhe mosdijen ta mbajë në heshtje.

Largësia s'matet me distancë, porse me vendin që zë në ndjenjën e zemrës, ku dihet se çdokush e ka zemrën në qenien e vet, por çdokujt ndjenja e zemrës i qëndron diku tjetër.

Njeriu sillet ndaj tjetrit në mënyrën siç tjetri e reflekton sjelljen e vet ndaj njeriut.
Dije se me një fjalë zemre mund të ndryshojë jeta, se frymori erdhi në jetë me një fjalë që është fryrë në frymorin.

Kur do të mjaftohesh me pak nuk do të thotë se pak është e mjaftueshme, dua të them, një zemër të mjafton edhe nëse është e paktë për ta dhënë.

T'i humbasësh sytë kur i pate në duar, rezulton që sytë të mos i harrosh kurrë, dhe nga malli i atyre syve nuk do të çmallesh kurrë edhe pse përherë do të kesh dikë në duar që do ta shohësh me sy.

O njeri!

Edhe të mëkatosh sa kupa e qiellit, dije se Ai është lartë në qiell që ia falë mëkatet njeriut.

Tani, dëshira është një lutje zemre që zhurmon në heshtje në qenien e njeriut dhe plotësohet kur njeriu e ndien kënaqësinë e dëshirës.

S'mund të largohesh prej dikujt që e donë pa dije, dhe arsyetimi me arsyen e largimit s'mund të konsiderohet arsye nëse nuk konsultohesh me të larguarin për arsyen e largimit.

T'ia lejosh syrit që ta lëshojë lotin nëpër faqe lind nga malli që është mbledhur në brendi dhe rrugëdaljen e vetme të ngushëllimit e ka rrjedhjen e lotit.

Në çastin kur njeriu nxitet që t'i mbledh shkronjat që ta formojë një fjalë frymëzohet nga çasti që njeriu veç me fjalë mundet ta kurorëzojë atë çast.

E zemra ndjeu dhimbje, jo dhimbje që shërohet, por një dhimbje që pa plagë nxit dhimbje të përhershme.

Kur njeriu mundohet ta qetësojë veten, e vëren se "biseda" me lotin i mundëson një lehtësim në brendi, që tjetri e vëren veç lotin, jo edhe ndjenjën e qetësisë së njeriut.

Në jetë mësohesh nga përvoja, kurse përvojën e mëson me kalimin e jetës.
Në fund, e kuptova se adhurimi i takon Dikujt që më solli në jetë, ku kuptova se Dikë duhet ta adhurojë...

E mora Lulen t'i marrë erë, e Lulja më mbushi me erë që më kurrë të mos e lëshojë!


Autor: Blerim Muhaxheri
 
Back
Top