Kur është Bajram?

Kur është Bajram?



Imam Neki Kaloshi

Me emrin e Zotit, të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit të Ditës së Gjykimit

Duke qenë se po afron dita e Bajramit, zëra të ndryshëm besimtarësh kanë shprehur paqartësi në lidhje me përcaktimin e kësaj dite. Ka një mospërputhje midis datës së shpallur nga Arabia Saudite, si vendi që organizon edhe ritualin e haxhit, me të cilin lidhet edhe festa e Kurban Bajramit, dhe ditën e shpallur nga vende të ndryshme të cilët ndjekin me përpikmëri kalendarin hënor, të përcaktuar sipas përllogaritjeve të sakta astronomike. Po përpiqemi të japim shpjegimet fetare në lidhje me këtë debat, në mënyrë që të ofrojmë sadopak qartësi ndaj kësaj çështjeje.

Së pari, përcaktimi i datës së Kurban Bajramit është i lidhur ngushtë me përcaktimin e shikimit të hënës së re të muajit Dhul-Hixhe, gjë që kërkon sqarimin e dy parakushteve: Atë që ka të bëjë me ligjshmërinë sheriatike të përllogaritjeve astronomike, si dhe atë që ka të bëjë me një diskutimin nëse shikimi i hënës në një vend të caktuar, vlen apo jo për të gjitha vendet në botë.

2. Në lidhje me ligjshmërinë fetare të mbështetjes në përllogaritje astronomike, në përcaktimin e Bajramit apo hyrjes së Ramazanit, dijetarët ndahen në dy grupe:

Grupi i parë e konsideron këtë metodë si argument të ligjshëm sheriatik.

Al Kushaijrij prej hanefive thotë: ”nëse përllogaritja (astronomike) tregon se hëna e re ka dalë në horizont, në atë formë që mund të shikohet, kur nuk ka pengesa, si psh. retë, kjo tregon obligueshmëri, për shkak të gjetjes së shkakut sheriatik….” Gjithashtu, Mutraf iben Abdullah, i cituar nga Iben Rushdi ka thënë: hëna e re merret për bazë sipas yjeve dhe pozicioneve të hënës dhe sipas mënyrës së përllogaritjeve (astronomike). Ndërsa Ibnu Surejxhi e konsideron thënien e Profetit a.s., “…perllogariteni ate…” si udhëzim për t’u mbështetur në të dhënat astronomike: “ky urdhër i drejtohet asaj kategorie njerëzish që Allahu i ka përzgjedhur dhe iu ka dhënë njohuri mbi përllogaritjet (astronomike).

Grupi i dytë nuk i konsideron të vlefshme sheriatikisht të dhënat astronomike.

Imam Maliku e ka ndaluar mbështetjen në të dhëna të tilla në përcaktimin e hënës, ndonëse, sic na njofton Imam Karafi, tek dijetaret malikij ekziston edhe nje mendim tjeter, se kjo gjë është e lejuar. Imam Neveviu transmeton nga dijetarët shafij se fillimi ramazanit vërtetohet me shikimin e hënës ose me plotësimin e tridhjetë ditëve të muajt të mëparshëm. Këtë mendim, imami e mbështet në hadithet profetike duke ofruar një përkufizim të qartë të mënyrave që vërtetojnë përcaktimin e hënës së re që duke përjashtuar mbështetjen në dijet astronomike. Ndërkohë, nga dijetarët Shafi, Kaljubi thotë se: “Nëse me anë të përllogaritjes (astronomike) vërtetohet qartazi se hëna e re nuk mund të shikohet, atëherë refuzohet dëshmia e dëshmitarëve që pretendojnë se e kanë parë, edhe nëse ato janë njerëz të besueshëm”. Me pas Kaljubi vazhdon duke thene se: “Kjo (çështje) është shumë e qartë, dhe në këtë rast nuk lejohet agjërimi. Kundershtimi i kësaj është tregues i arrogancës dhe mendjemadhësisë”. Prej kësaj, mund të themi se dijetarët shafij, edhe kur kërkojnë doemos shikimin e hënës së re, e marrin në konsideratë mënyrën astronomike të përcaktimit të saj, si mbështetje për të vërtetuar dëshmitë. Ndërkohë dijetaret hanbelij përkundrazi nuk e marrin per bazë këtë metodë.

2. Në lidhje me vlefshmërinë e shikimit të hënës së re për të gjithë globin, kur ajo është parë në një vend të caktuar, kemi përsëri dy mendimi. Shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se lindja e hënës së re duhet të jetë unike për të gjitha vendet, por disa prej tyre thonë se kjo nuk është e domosdoshme. Sipas këtyre, nuk është problem, nëse diku Ramazani fillon një ditë më parë e diku një ditë më pas.

Hanefitë, malikitë dhe hanbelitë mbështesin mendimin e parë. Ata thonë se shikimi i hënës në një vend, obligon të gjitha vendet e tjera ta ndjekin atë në fillimin e muajit të ri. Ata e bazojnë këtë mendim në thënien e Profetit: «Agjëroni kur ta shikoni atë (hënën e re) dhe çeleni (iftarin) kur ta shikoni përsëri». Sipas tyre, ky hadith u drejtohet mbarë besimtarëve, kudo që ata ndodhen. Nëse dikush prej tyre dëshmon daljen e hënës së re atëherë mbarë besimtarët obligohen të marrin në konsideratë këtë fakt. Ata e interpretojnë gjykimin e Ibn Abasit në kohën e Muavisë, i cili pohon të kundërtën në rastin e një personi që kish ardhur nga një vend ku agjërimi kish hyrë në një ditë tjetër, si mendim personal të tij, duke mos u mbështetur në të.

Megjithatë dijetarë të tjerë thonë se duhet marrë në konsideratë edhe mundësia e ndryshueshmërisë nga një vend në një tjetër, sidomos kur largësia mes tyre është e konsiderueshme. Shafitë janë të mendimit se banorët e çdo vendi apo shteti duhet ta vërtetojnë më vete shikimin e hënës së re dhe fakti që ajo mund të jetë parë në një vend nuk është detyrues për një vend tjetër, në distancë të largët prej tij. Mendimin e tyre ata e arsyetojne nëpëmrjet mendimit të Ibn Abasit.

Së dyti, përcaktimi i datës së Kurban Bajramit lidhet me autoritetet fetare. Profeti as. ka thënë: “Agjëroni kur agjërojnë njerëzit dhe çeleni (iftarin) kur ta çelin ata. Nga kjo kuptojmë se përcaktimi i kësaj dite është diçka kolektive dhe jo individuale. Si e tillë ajo i përket atyre që kanë tagrin drejtues të bashkësisë.

Së treti, në rastet kur drejtuesit fetarë të një vendi, bazohen në një prej autoriteteve fetare botërore të mirënjohura, siç janë ata të përmendur më sipër, vendimi është në rregull fetarisht. Në rastin konkret, ne e kemi për detyrë të ndjekim vendimin e autoritetit tonë fetar, edhe nëse mendojmë se pala tjetër (ajo që nuk bazohet në përllogaritje astronomike) ka të drejtë. Kjo bëhet në zbatim të hadithit të Profetit as. “agjëroni kur agjërojnë njerëzit dhe çeleni kur ta çelin ata”. Sipas kësaj, kur vendimi merret nga autoriteti përfaqësues i besimtarëve në një vend, duhet të zbatohet nga të gjithë banorët e atij vendi.

Së katërti, kemi edhe një rast të veçantë kur përcaktimi i shikimit të hënës se re lidhet jo vetëm me kohën, por edhe vendin ku kryhet adhurimi që kërkohet. I tillë është rasti i ditës së Arafatit, e cila, përveç kohës (që është dita e nëntë e muajit Dhul Hixhe), lidhet edhe me vendin e kryerjes së adhurimit, që është kodra e Arafatit ku mblidhen haxhilerët. Në rastin konkret kemi autoritetin fetar të Arabisë Saudite që përgjigjet për organizimin e kryerjes së haxhit, i cili ka shpallur datën 25 tetor si ditën e Arafatit, ndërkohë që nga ana tjetër, autoritetet fetare në Turqi, bazuar në kalendarin hënor, kanë përcaktuar datën 24 tetor. Autoriteti fetar në Shqipëri, është mbështetur në vendimin e autoriteteve turke në përcaktimin e kësaj dite, duke ndjekur kalendarin, megjithëse haxhilerët do të jenë në Arafat një ditë më vonë.

Bazuar nga gjithë sa thamë, në këtë rast, ajo që duhet të bëjnë besimtarët në Shqipëri, nëse nuk arrijnë të bindin drejtuesit e fesë për të kundërtën, është bindja ndaj këtij vendimi, ndonëse mund të mendojnë se ai është i gabuar. Adhurime të tilla si kremtimi i Kurban Bajramit, janë adhurime kolektive dhe nuk mund të bëhen në mënyrë individuale. Festa është diçka shoqërore. Ajo synon bashkimin dhe vëllazërimin e njerëzve dhe jo ndarjen e distancimin e tyre nga njëri-tjetri. Për këtë arsye, natyra e kësaj feste, por edhe rregullat e qarta e të sakta të fesë, nuk tolerojnë asnjë veçim individual, i cili deformon qëllimin e adhurimeve të tilla.

Uroj që ky Bajram të na gjejë të vëllazëruar, të gëzuar, të pastruar e begatuar me të mirat e Zotit të Gjithësisë dhe uroj që ky bajram të zbusë zemrat tona, për të përzënë prej andej të ligën e ti hapë ato ndaj pendimit e përunjësisë. Mirësia e kësaj dite i mbuloftë gjithë njerëzit me begatinë e vet!
 
Pe: Kur është Bajram?

Cfar ore falet bajrami ?
 
Back
Top