Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Kundër standardit baraz kundër shqiptarisë

Një gjuhë që është shkruar vetëm në shekullin XVI, ka handikapin e madh në raport me gjuhët e fqinjëve, veçmas me greqishten dhe latinishten (italishten), por edhe me sllavishten. Nga ana tjetër, është patentuar një version ideologjik, sipas të cilit gjuhën e kanë ruajtur dhe shpëtuar priftërinjtë katolikë Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, që e shkruan këtë gjuhë në shekujt XVI e XVII.

Por, ky glorifikim dhe zmadhim i rolit të priftërinjve katolikë të kësaj periudhe nuk e shpjegon se si u ruajt gjuha shqipe ndër shekujt pararendës, kur qe e ndaluar dhe nuk u shkrua. Gjuha ilire/shqipe nuk u shkrua gjatë sundimeve romake, bizantine, bullgare, anzhuine e serbe. Por, mbijetoi dhe erdhi deri në periudhën e sundimit osman, kur ajo filloi të shkruhej. Ngjarjet shkatërrimtare sikundër qenë lufta bizantino-bullgare në shekujt IX-X e deri në vitin 1018, kur u instalua përfundimisht pushtimi bizantin, ndarja e kishave në vitin 1054, e edhe kryqëzatat e periudhës 1095-1270, shkaktuan shkatërrime të rënda ekonomike, shoqërore e kulturore dhe konflikte fetare.

Përpjekjet e rimëkëmbjes së Arbërisë në shekullin XII e XIII, u dëmtuan nga ekspansioni serb në shekullin XII dhe nga pasojat që shkaktoi Kryqëzata e katërt e vitit 1204, me pushtimin kryqtar të Kostandinopojës. Kjo ngjarje ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në forcimin e identitetit fetar e kulturor serb në territoret veriore shqiptare, sepse strehimi në Serbi i piktorëve, i arkitektëve dhe i dijetarëve bizantinë të arratisur nga Kostandinopoja e pushtuar, mundësoi zhvillimin ekspansiv të kulturës serbe edhe në trojet shqiptare.

Vetëm pesëmbëdhjetë vjet pas Kryqëzatës së katërt, Kisha serbe fitoi autonominë e saj. Ndër pasojat e forcimit të shtetit serb e të kishës serbe janë serbizimi i një pjese të popullsisë, serbizimi i toponimeve dhe i patronimeve, dyndja e shqiptarëve drejt jugut dhe shkatërrimi i strukturave të kishës katolike romane. ثshtë e kuptueshme se as në këso rrethanash të pushtimit serb nuk ka qenë e mundshme që të zhvillohej gjuha shqipe e as kultura dhe letërsia në këtë gjuhë.

Kjo jetesë e gjatë nën pushtimet bizantine, bullgare e serbe dhe nën juridiksionin e kishave ortodokse, e ka amputuar popullin ilir/shqiptar nga lidhjet politike e kulturore me pjesën tjetër të Europës, shumë para se të pasonte pushtimi osman. Këto arsyetime tash për tash nuk janë pjesë e shpjegimeve dominuese të historisë së letërsisë, as të historiografisë e as të studimeve kulturore.

Shpjegimi normativ ende mbetet që vetëm Perandoria Osmane ishte ngulfatëse e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe se ajo e ndau këtë kulturë nga Europa. Rrjedhimisht, shpjegimet e pasakta dhe të ngjyrosura me ideologji islamofobe nuk arrijnë të formësojnë një ndërgjegjësim më aktiv lidhur me vlerat e gjuhës e të kulturës shqiptare në sfondin e nacionalizmit shqiptar. Në fakt, që nga Rilindja kombëtare e këndej, gjuha shqipe ka qenë njëra nga argumentet më të fuqishme për identitetin e veçantë shqiptar dhe për idenë e krijimit të një shteti etnik shqiptar.

Gjuha shqipe, për Sami Frashërin, rezulton të jetë nga më të lashtat e më të lartat gjuhë të botës mbarë. Sipas këtij vlerësimi nacionalist e romantik të Sami Frashërit, shqipja ka qenë e tillë, edhe në kohët më të lashta, pra ajo edhe në kohërat e pellazgëve ka qenë e njëjtë, njësoj e bukur. Të gjithë romantikët dhe rilindësit, që kanë shkruar më vonë për gjuhën, nuk e kanë kaluar asnjëherë këtë stekë të nacionalizmit gjuhësor, të ngritur kaq lart nga Sami Frashëri. Me këtë perceptim për gjuhën shqipe, si gjuha më e lashtë dhe më e lartë e botës, pra më e lartë se ato në të cilat janë shkruar kryeveprat e lashtësisë, nacionalizmi shqiptar kishte në dorë një armë të fortë.

Edhe observimet e autorëve të tjerë për gjuhën shqipe, si Kristoforidhi e Faik Konica ose poetët, si Naimi e Fishta, e kanë kultivuar më tej atë vizion se kombi shqiptar e ka një gjuhë të lashtë, të bukur e të lartë, e cila i dallon shqiptarët nga kombet e tjera dhe i bën krenarë me gjuhën e tyre. Ndoshta si në asnjë terren tjetër, në çështjen e gjuhës shqipe nacionalizmi shqiptar e ka ruajtur dinamikën e vet deri në ditët tona.

Pa këtë dinamikë nuk do të ishte e mundur që në kohën e diktaturës komuniste të mbahej Kongresi i Drejtshkrimit dhe të miratohej gjuha standarde shqipe. Pra, ajo nuk ka ardhur si rezultat i një platforme ose i një vizioni të regjimit komunist, por ka ndodhur e kundërta – regjimi komunist e ka shfrytëzuar njërën nga çështjet më esenciale të identitetit kombëtar e të nacionalizmit shqiptar, për të krijuar për vete një dozë legjitimiteti në plan kombëtar.

Në çështjen e gjuhës kjo ka qenë më lehtë e realizueshme, sepse ka pasur të bëjë me një çështje brendashqiptare, ndërsa në terrenin e çështjes së territorit nuk ka pasur as vullnet, as guxim e as fuqi që të bënte ndonjë veprim. Për shkak të kufizimeve të mëdha ideologjike, nuk ka pasur mundësi të bënte ndonjë depërtim në çështjen e historisë, as të besimeve fetare e as të kujtimeve të përbashkëta, prandaj gjuha ka qenë një çështje nga e cila regjimi ka përfituar benefite dhe nuk është përplasur me fqinjët e vet.

Miratimi i drejtshkrimit në vitin 1972, pra, ishte finalizim i një projekti nacionalist të iniciuar nga rilindësit. Sigurisht që në rrethana të tjera, të një diskutimi më të lirë e të një klime më demokratike, edhe për politikat gjuhësore, mund të arriheshin zgjidhje të tjera nga ato që u arritën. Por, edhe ajo që u arrit, realisht është jashtë vizionit të regjimit komunist. Ajo është një domosdoshmëri e imponuar nga zhvillimi i vetë gjuhës dhe nga drejtimi që zhvillimit të saj i kishin rezervuar nacionalistët shqiptarë.

Regjimi pati një përfitim të madh propagandistik, por komunikimi me shqiptarët jashtë Shqipërisë, diskutimet dhe rezultatet që konstituuan një gjuhë standarde, ishin në kundërshtim me politikën e izolimit politik, të ekskluzivitetit ideologjik e gjuhësor, të mbajtjes nën kontroll të politikave gjuhësore. Prandaj, gjuha standarde shqipe më shumë është produkt i vizionit të nacionalistëve shqiptarë sesa i regjimit enverist. Për këtë arsye, kushdo që sot angazhohet për rikthim në dialekte, për çmontimin e gjuhës standarde, angazhohet jo kundër një trashëgimie të regjimit enverist, por kundër vizionit nacionalist shqiptar për një gjuhë unike kombëtare. /Milazim Krasniqi
 

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back