Kujto Xhenetin, hapësira e të cilit është sa qiejt dhe Toka

Abstrakt

😉
Kujto Xhenetin, hapësira e të cilit është sa qiejt dhe Toka
Aid el Karni

Nëse ndonjëherë në këtë shtëpi kalimtare je i uritur, të kap skamja, sëmuresh apo të poshtërojnë, të bëjnë padrejtësi dhe nëse të sulen telashe të njëpasnjëshme, kujto Xhenetin. Nëse këtë bindje e mbart fort në mendje dhe punon në këtë drejtim, disfatat tua do të shndërrohen në fitore kurse humbjet - në shpërblime.
Njerëzit më të mençur janë ata që punojnë për botën tjetër, ngase ahireti është më i mirë dhe është i përjetshëm.
Më të marrët janë ata të cilët këtë botë e konsiderojnë prehje të tyre, shtëpi dhe strehë e të gjitha dëshirave. Ata frikësohen më shumë kur pasojnë ditë të vështira, pendohen më së shumti kur ndodh ndonjë e keqe, ngase për ta ekziston vetëm kjo jetë e gjorë dhe kalimtare. Ata dinë vetëm për këtë shtëpi të përkohshme, vetëm për të angazhohen dhe nuk mendojnë për asgjë tjetër. Andaj nuk dëshirojnë që diçka t’ua prishë lumturinë dhe gëzimin.
Sikur të kishim mundësi të hiqnim tendat nga zemrat e tyre dhe perdet e injorancës nga sytë, do të siguronin për vete shtëpinë e përjetshme me të gjitha të mirat, me xhevahire dhe saraje në to. Do të dëgjonin dhe do të ishin të mahnitur me zërin e shpalljes së vërtetë. Pasha Allahun, kjo është shtëpia dhe vendbanimi i përhershëm për të cilin duhet brengosur, të cilin duhet synuar dhe për të cilin duhet punuar.
A jemi thelluar ndonjëherë në përshkrimin e banorëve të Xhenetit. Për ta nuk ka pikëllim, sëmundje apo vdekje. Ata janë gjithnjë të rinj, me rroba të shkëlqyera, në dhoma nëpër muret e cilave shihet se çfarë ka brenda.
Në Xhenet ka gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as që mendja e njeriut nuk ka mundur t`i imagjinoj. Kalorësi në të do të udhëtojë prej një peme te tjetra njëqind vjet. Tendat do të jenë të gjata shtatëdhjetë mile.
Në Xhenet ka lumenj të mrekullueshëm, pallate të praruara, fryte afër dorës. Në të janë burimet e ujit që rrjedhin, edhe divane të çmuara, edhe kupa të vendosura, si dhe qilima të shtruar. Aty është gëzimi i plotë, lumturia e vërtetë. Ai është vend dhe strehë e të gjitha dëshirave.
Përse nuk mendojmë për këtë?!
Përse nuk i përkushtohemi kësaj?!
Sikur gjithçka të mbaronte me këtë botë, kjo do të ishte fatkeqësi e madhe dhe vuajtje e padurueshme. Prandaj, të mos pikëllohen njerëzit që jetojnë në skamje, varfëri, telashe dhe sprova dhe le të kryejnë vepra të mira. Kështu do të vendosen në Xhenetin e Allahut, duke shijuar afërsinë e Tij dhe shenjtërinë e emrave të Tij.
"Paqja qoftë me ju, ngase keni qenë durimtarë, e sa i mrekullueshëm është vendbanimi më i bukur!"
 
Back
Top