Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë

Skëndërbeu, ka "shkruar" në Krujë simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit.............

Ylli XHAFERRI

Rruga fërfëllonte si një balerinë elegante, hollake dhe gjelbëroshe, ngjitej butë e ëmbël, midis një peizazhi të thepisur malor. Shkonim drejt vendit të shenjtë, Sari Salltëkut të Krujës që ndodhej në Majën e Liqenit në lartësinë 1724 metra të Malit të Skënderbeut. Me ne shkëmbeheshin makina që ktheheshin nga vizita e bekuar, njerëzit uronin pa na njohur: "Ju ndihmohtë"! Ishte një përshëndetje miqësie, paqeje, harmonie, dashurie dhe solidariteti njerëzor që se kisha hasur kund. Me këtë formë dëshiroreje të përshëndesnin pleq, vajza, turistë të huaj, fëmijë, emigrantë të malluar, djem, plaka të veshura me kostumin e zonës përreth, por edhe të Zadrimës së largët, burra, misse, kosovarë, gjimnazistë, të fejuar, gra, cilido që kishte bërë nijet për t'u ngjitur në vendin e shenjtëruar. Ndjeheshe mirë e ngrohtë mbështjellë nga ky urim sa njerëzor aq edhe religjioz. Me siguri këtyre anëve kishte dalë njeriu që pati thënë i pari: "Pa miq, bota është e shkretë". Këtu të bëheshin miq zot e njerëz, shkrepa dhe rrëpira, përrenj dhe humnera, mali i Skënderbeut, luginat e Drojës dhe Gallatës poshtëë në fushë, gurë graniti dhe frashër, panja, shkoza, ahe e pisha, deri lumi i Hurdhazës që derdhej në Mat dhe ai i Zezës që vërshonte në Ishëm. Peizazhi ishte një grishje për në lartësim shpirtëror, moral dhe atdhetar. Poshtë gurgullonte si baladë krutane lumi i Drojës, në të cilin ishin hedhur nga Shkëmbi i Vajës plot 90 vajza, lulja e bukurisë krutane, që mos të bëheshin robinja të pushtuesit turk. Peizazhi formë ndryshonte, ndërsa çatitë e qytetit shpaloseshim si shami feste, valviteshin si flamuj të kuq, uronin ardhësit e shumtë si të qe pelerina e purpurt e kryekështjellarit legjendar, Vrana Konti. Pas kishim lënë guroret, këto dinosaur të egër të natyrës, shpërthimet tronditëse të dinamitit, pluhurin e zhultë që ngrihej si tym djegiesh, duke i dhënë peizazhit parajsor krutan një hije të përzishme. Ullinjtë, kumbullat, pishnaja në hyrje të qytetit, mbjelljet nëpër kodrina, vreshtat, gjithçka e gjallë, dukej si e thinjur. Një gri e egër, asfiksuese. Ishte shfrytëzimi pa kriter i shkëmbinjve të Krujës, këtyre karakollëve të lirisë dhe monumenteve të gjalla, ku "Atleti i Krishtërimit", Skënderbeu, kishte shkruar simfoninë e pavdekshme të lirisë si mbrojtësi i qytetërimit europian. Vetëm Krujës nuk i shkonin ato thinja pluhurore dhe ato tymtarë gëlqeresh, ndaj të cilëve duhej bërë patjetër diçka në mbrojtje të ekosistemit të krahinës. Krutanët janë punëdashës, përgjegjësia e saj ndjehej ngado, natyra sikur thonte: për çdo njeri ka një lloj pune me të cilën bëhet i dobishëm për familjen, qytetin dhe shoqërinë, duke gjetur aty njëkohësisht edhe lumturinë e vet. Vështrimi nuk kishte ku të ndalej më parë, mrekullia e natyrës harmonizohej me ditën e kthjellët, qiellin e kaltër, ku si qengja të bardhë luanin disa re të vogla. Nëpër kthesa të rrugës, treteshin nga errozioni furrat e shuara të gëlqeres, dëshmi e resurseve të pashembullta të këtij masivi shkëmbor jetëdhënës. Jo më kot, kronikanët turq e kishin quajtur "Qyteti i bardhë". Gëlqerja e Krujës, graniti i saj, guri i bardhë, pse jo rëra, granili, çimentoja, janë me emër në fushën e ndërtimtarisë për të gjitha viset shqiptare. Makina i vinte rrotull Malit të Skënderbeut, si t'i blatonte një valle, një rit, një baladë të kohës. Isa Halili, përqendruar në timon, nuk mungonte të shijonte magjinë e peizazheve alpine që çeleshin me spektrin e plotë të ngjyrave të ylberit. Të bëhej sikur mëma natyrë po shfletohet para nesh një album të rrallë.

Kruja, vizitorët e shumtë, të huaj dhe vendas, i grish në dilema dhe mrekulli. Cilën rrugë të marrin, cilën relike të përzgjedhin, cilën monumet historik apo kulturor të vizitojnë? Ku më së pari të shkrepin foton e rrallë! ا'objekt etnografik, folklorik, gdhendje në dru a alabastër, bakër të rrahur apo veshje të endur në vegjë, qëndisur me gjergjef e larë në arë, të blejnë. Me një shtrirje intime, epike, familjare, lirike dhe origjinale, frymëmerr e gjallë, ku shenjtëria me historinë bashkëjetojnë në paqe përjetësisht. Vargu i njerëzve dhe makinave që vijnë për peligrinazh zgjatet si gjerdan mirësie, derdhet si lum i kthjellët në dy drejtime, drejt Muzeut "Gjergj Kastriot Skënderbeut", dhe Sari Salltëkut, vendit të bekuar. Kruja e bardhë i mirëpret njëlloj zemërhapur, si ato që vijnë për hall e nevojë, për të përfituar shërbesat e shenjtit Sari Salltëk, ashtu dhe ata që vijnë për kërshëri, kulturë turistike apo njohje të vlerave historike qytetare.

Arritëm në Sari Salltëk. Legjendat flasin për një njeri të shenjtë, figurë gojëdhënash bektashiane, për të cilin mendohet të ketë qenë dervish në oborrin e Sulltan Orhanit (1326-1360) dhe dishepulli i drejtpërdrejtë i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të Bektashizmit. Gjurmët arkeologjike dhe lashtësia e tyre tregojnë se më shumë gjasa ka që Sari Salltëku të ketë qenë një figurë ballkanase e agimeve të historisë, të cilën bektashinjtë e shfrytëzuan, për popullaritetin që gëzonte, si simbol të sinkretizmit dhe toleancës fetare islame, për përhapjen e doktrinës së tyre. Për herë të parë, Sari Salltëku, përmendet nga gjeografi maroken Ibn Battuta, (1304-1377) i cili pohon se për të ka patur shtatë varre, në çdo njërin prej të cilëve gjendej një pjesë e trupit të martirit. Varr për Sari Salltëkun nuk ka vetëm në Krujë, por edhe në majën e malit të Pashtrikut në Has, në kishën e Shën Naumit në brigjet jugore të Liqenit të Ohrit, etj. Studiusi holandez, Machiel Kiel, ka zbuluar së fundmi në një regjistër perandorak Osman të viteve 1567-1568, një shënim për ndreqjen e rrugës që çonte nga qyteti i Krujës për tek varri i Sari Salltikut, ku thuhet: "Në malin e Krujës është varri i Sari Salltëkut, ku njerëz nga trevat përreth vijnë për peligrinazh. Rruga e përmendur është mjaft e pjerrët dhe e mundimshme për t'u ngjitur nga vizitorët"...,"...disa vendas me të dhjetat...janë ngarkuar të shtrojnë, të sheshojnë e të ndreqin rrugën kurdo e kudo që ajo të prishet"...

Ndjehesh i mrekulluar. Të bëhet vetja si në ballkonin e përëndive. Syri rrokte gjithë Shqipërinë. Tiranën. Detin. Tomorrin. Kepin e Rodonit. Rrugën e Arbrit. Malin e Shëngjinit. Malin me Gropa. Lagunën e Patokut. Ishmin e piktorit të shquar, Ibrahim Kodra, etj. Një arrë e madhe, çuditërisht e vetme, gjallonte si monument qindravjeçar. Kujtesa e kohërave. Miku im. Lumtori, më tregoi se aty, kishte qenë bazë e raketave në kohën e diktaturës. Vërtetë për t'u çuditur! Ishte një antitezë e mahnitshme me historinë, namin dhe simbolikën e vendit. Sari Salltëku, dëshmonte legjenda, kishte qenë një dervish i thjeshtë, kishte mbërritur në Krujë në kohën kur një kuçedër që e kishte shtëpinë në shpellën majë malit, kërkonte nga qyteti t'i blatonin për të ngrënë çdo ditë një burrë dhe një grua. Dervishi i moshuar, me mjekër të bardhë, ishte dukur të ecte kalldrëmeve të qytetit me një degëz qiparisi në dorë, kurse në brez kishte ngjeshur një shpatë druri, dëshmi e misionit paqëtues. Legjenda thotë se i kishte ardhur radha vajzës së bukur të princit, e cila sypërlotur po i ngjitej malit për t'u flijuar. Aty ndeshi dervishin, që edhe pse veshur me zdranga e zhele nuk e trembi vajzën. Pasi dervishi mori vesh gjëmën që priste vajzën, e shoqëroi për tek Kuçedra. Vendi ishte tharë e përcëlluar nga fryma e përcëllimtare e Kuçedrës. Vajza digjej nga etja. Dervishi plak kishte ngulur shkopin në shkëmb, nga ku kishte gurgulluar uji i freskët. Fati i betejës dihet, me shpatën e drunjtë, dervishi plak, i preu Kuçedrës shtatë kokët që villnin kob e gjëmë. Nuk pranoi ta merrte për grua bijën e re të princit, por kërkoi si shpërblim të jetonte në shpellën majë malit. Legjenda vazhdon se me mushkën e tij, dervishi Sari Salltëk, vetëm me katër hapa arriti Korfuzin. Gjurmët duken edhe sot e kësaj ditë në Fushë-Krujë, Shijak dhe Durrës...

Edhe Sari Salltëku kishte përjetuar tmerrin ateist-komunist. Më 1967 ishte shembur vendi i shenjtë, por krutanët nuk ishin shkëputur nga besimi. Netëve, merrnin të përpjetën e mundimshme me dashin në krah, bënin kurbanin dhe ktheheshin pa iu trembur rrokullimës për në zgafellat e thella të malit. I ruante dhe printe Sari Salltëku. (Të ndihmohtë!) Bektashinjtë i përbahen formulës: "Eline, diline, beline sahip ol", që do të thotë "...të mos vjedhësh, të mos gënjesh, të mos flasësh kot dhe të mos bësh tradhëti bashkëshortore...". Për të mbrojtur këtë besim është masakruar martiri i besimit, Baba Myrtezai i Krujës, i cili, pasi u turturua dhe gjymtua nga zelli ateist, u hodh nga dritarja e burgut në vitin 1946. Ky martir i kohës sonë, se ç'më kujtoi rilindasin tonë të madh, Naim Frashërin, që në veprën "Fletore e Bektashinjët", shprehet: "Besa e Bektashinjve është udha e gjerë që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë. Miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Me një anë ka lulet e diturisë, më anën tjetër të së vërtetës. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri, s'mund të bënetë njeriu bektashi i vërtetë"...

Vendi ishte si një ballkon gjigand. Ballkoni i Krujës, ballkoni i shenjtërisë dhe historisë. Ballkoni i bukurisë. Prej aty, syri shkonte larg në horizonte, hynte thellë në histori. Shpella edhe pse zbriste në zemër të shkëmbit, ngjitej për në lartësim shpirtëror, pastrim moral, qetësi të amëshuar. Shkallët edhe pse uleshinin, krijonin imazhin e fluturimit. Qetësi. Harmoni divine midis shpirtit dhe trupit. Natyrës dhe hyjnores. Gurgullimë uji. Freski. Qirinj të ndezur. Stalaktide dhe stalakmide, dëshmi e lotëve të mpiksur të pelegrinëve halleshumtë që nuk mungonin të vinin për të qetësuar dhimbjet e trupit, zemrës dhe shpirtit. Nëpër mure emra, dëshira, iniciale, gdhendje, skicime, foto të zbardhura nga koha. Vetëm dashuri. Dashuri dhe aspak urrejtje. Varret, mbuluar me pelerinën e gjelbërt, dëshmonin gjethimin, ringjalljen, pavdeksinë e këtij shenjti që nuk mungonte të shëronte plagët e njerëzve modern, për të cilin qe sakrifikuar në antikitetin e largët... Dolëm nga shpella dhe ndjeheshim të lehtësuar. Në trup e shpirt sikur më pëshpëriste një lajm i mirë...

Pllaja në majë ishte e bukur. Ujdhesë. Kullotë alpine. Bredh. Ah. Pishë. Panjë. Lerat e ujit për bagëtitë. Stane. Disa lokale. Tufa bagëtish. Makina të shumta që pushonin nën hijen e shenjtërisë. Nëpër livadhe gëzoheshin lulet e stinës, lulebleta, çaji, luledelet, luleakulli, manushaqet, luleshtrydhet... Pelegrinë dhe turistë. Ta kishte ënda të pushoje. Njerëzit ishin përhapur nëpër punët e ditës. Tek i shihja me merakun e punës në sy, në mend më erdhi një thënie e artë e Mit'hat Frashërit, "Shpresa është bijë e punës!"... Këta njerëz patjetër që besonin në të ardhmen. Ato shpresonin nga puna e tyre, djersa e ndershme, përpjekjet e duarve, natyra e mrekullueshme. Ato kishin pasur dhe do të kishin të ardhme. Jetonin nën hijen e shenjtërisë, historisë së lavdishme, bukurisë së natyrës, madhështisë së vendit dhe institucionit të punës dhe meritës. Me mund e sakrifica kishin ngritur tempullin e përjetësisë, Krujën e tyre.

Rilindjademokratike
 
me te vertet eshte nje vend i bukur Kruja:)
 
kruja quhet ballkoni i shqiperise
 
Kruja kete vit thithi edhe numrin me te madh te turisteve te huaj nga lindja si dhe perendimi, kryesisht Anglia.

I cuditshem ishte edhe interesi i turqve rreth Kalase qe i perballoi 3 rrethimeve te Perandorise me te madhe te kohes.

 

Attachments

  • 260px-SkanderbegKruja.jpg
    260px-SkanderbegKruja.jpg
    23.9 KB · Shikime: 13
  • kruja2.jpg
    kruja2.jpg
    61.2 KB · Shikime: 8
  • kruja22.jpg
    kruja22.jpg
    60.7 KB · Shikime: 14
  • kruja23.jpg
    kruja23.jpg
    91 KB · Shikime: 11
  • kruja4.jpg
    kruja4.jpg
    93.5 KB · Shikime: 10
Une mund ta kem vizituar me 10 here,e gjithmone gjej ndonje gje te re...
 
Ky artikulli fliska me shume rreth Sari Salltekut. Pike se pari, shyqyr, qe ta mesojne edhe te tjeret se here tjeter kur te betohem krutanet ne Sari Salltek, te pakten t'i besojne, lol. :p

Gjyshi mua me tregonte disa gojedhena rreth tij, dhe duke lene elementin fetar menjane, i pelqeja shume sepse ishin 'letersi orale,' folklor, e lene brez pas brezi.

Gjithmone kur me thone njerezit qe kane vizituar Krujen, u them qe eshte ndryshe te kesh nje dite te tere dhe ta vizitosh me nje vendas. Ahh, pjesa ime e preferuar eshte rruga e mbrapme e kalase, pak e rrezikshme me kalldrem, me nje tunel te vogel rruges, dhe poshte nje krua dhe nje peme te madhe. Ky vend te jep nje pamje fantastike, dhe nje freskim qe duket si flori ne ditet e nxehta te veres.
 
Redaktimi i fundit:
Titulli: Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë

Qyteti historik i Krujes
Kruja.jpg


Kruja eshte nje nga qytetet me historine me te pasur ne Shqiperi. Ndodhet vetem 32 km larg nga kryeqyteti. Emri dhe rendesia e Krujes lidhet me veprimtarine e heroit kombetar shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeu, I cili udhehoqi luften kunder pushtimit Osman ne shek XV.

Keshtjella e saj u kthye ne nje fortese te pamposhtur rezistence kunder kercenimit Osman, duke duruar sulmet e turqeve per 25 vite , ne kete menyre u be e njohur dhe ne Europe.

Emri Krujes rrjedh nga fjala krua, burim. Sot qyteti shtrihet ne ane te malit te Krujes, 600 metra mbi nivelin e detit, duke mundesuar nje pamje panoramike, ku mund te shikohet qarte edhe deti Adriatik.

Eshte nje nga qytetet qe ruan traditat dhe vazhdon te praktikoje metodat artizanale. Ne Kruje zhvillohen edhe aktivitete industriale, si industria e kepuceve dhe ajo e nxjerrjes dhe e perpunimit te gurit gelqeror. (R.T)
 
Titulli: Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë

kruja_trave_magazine1_7784860acea6bfa242423942d2bc2533.jpg


Kruja – mbretëresha e historisë shqiptare

kruja_trave_magazine_ce467375a8786f37fcfaa50932ff63a5.jpg


ثshtë e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë (miqtë tanë të bizneseve turistike kanë vazhdimisht nevojë për produkte, për shkak të fluksit të madh të turistëve), bën gjithmonë kohë e bukur. Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës, për të shkëlqyer e lëmuar oborret dhe trotuaret e metropoleve të botës. ثshtë mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit - tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh - e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.
Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu – i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë. Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin Albanët, Pleuratët, Enkeljetë, Adrianët, Labeatët e, Arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm.
Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë.




Tek portat e Krujës
Makina medoemos duhet të qëndrojë poshtë, e sido që të përpiqemi t’i afrohemi rrezes së kalasë mbi rrota, nuk shkojmë dot më larg sesa tek parkimi me pagesë tek sheshi i vogël i mbushur me lokale e me lule kacavjerrëse. Kalldrëmin e bukur do ta përshkojmë në këmbë, duke kullotur sytë në tezgat e shumta përgjatë të dy anëve të rrugës, të cilat vazhdojnë nëpër tunel, e dalin në oborrin e jashtëm, ose më mirë të themi në sheshin e mbushur dingas me njerëz, tezga, suvenire, restorante, shkrepje aparatesh, vizitorë që pozojnë pa fund ballë fasadës së Muzeut Historik, e gjithçka tjetër që përbën gjallërinë e nevojshme të një qendre turistike. Restorante të shumtë kanë mbushur këtë shesh përqark dhe brenda ambienteve të kalasë, e kjo është një gjë e trishtueshme po të mendosh se shumicën e njerëzve mund t’i ketë sjellë këtu kuzhina e mrekullueshme e Lulit, në restorantin e tij Alba, apo gatimet me famë të restorant Bardhit e kështu me radhë. Por ana e mirë e kësaj dukurie që rëndom po përhapet në sitet kulturore shqiptare është se këto restorante e hotele, përpiqen të mos shkatërrojnë peisazhin ose dukjen e arkitekturës, duke ruajtur shumë prej elementeve të ndërtesave ekzistuese, qeramikë, gur, dru, hekur i rrahur etj. Oborri i Albës ku hyjmë të pijmë një kafe, ndërkohë që na pret krahëhapur i zoti i shtëpisë, nuk ka ndonjë ndryshim nga kalldrëmi i jashtëm i sheshit e gjithashtu veshja e mureve me tullë, tavolinat e zbukuruara me mbulesa të punuara me dorë po nga artizanet e Krujës, e ruajnë më së miri dukjen shqiptare. Gama e shijeve në kuzhinën e restorantit ndahet çuditshëm mes preferencave të shqiptarëve për pica e dëshirës së të hujave për tavë dheu, kabuni, apo mish të pjekur në hell. Kjo është një gjë që ndodh gjithmonë, thotë Luli. Të huajt kërkojnë kuzhinë shqiptare dhe më pyesin vazhdimisht për vende ku duan të shkojnë të shohin diçka. Fundja ata për këtë kanë ardhur. Nëse nuk janë pjesë e një grupi, duan që t’i çosh në Sarisalltik, nganjëherë edhe deri në Qafshtamë, ose kërkojnë informacione për Muzeun Etnografik, duan të dinë se çfarë mund të blejnë poshtë tek pazari që të jetë me vlerë.

Një shëtitje në Pazarin e Vjetër
Në fakt, tek shihnim të dy anët e mbushura të Pazarit të Vjetër, plot me objekte të pluhurta, gjyma, xhezve, mullinj kafeje, djepa fëmijësh, tepsi bakri, për të mos folur për monedhat e bizhutë e shumta prej bakri e argjendi, syri na shkonte tek gratë brenda dyqaneve që thurnin në tezgjah qilima, çanta e tapete të vegjël prej leshi dhe tek veshjet e mrekullueshme popullore me motive të panumërta zbukuruar me ar dhe argjend. ثshtë e trishtueshme të mendosh se kinezëritë e shumta që mbushin sot dyqanet e suvenireve nëpër qytetet turistike apo edhe në kryeqytet, mund ta mbysin një ditë edhe Krujën dhe punën e palodhur të këtyre grave që çdo gjë e nxjerrin nga duart e që pashmangshmërisht do të kushtojë shumë më shumë sesa stemat me shqiponjë apo suveniret prej pleksiglasi që dalin në seri prej fabrikave turke apo kineze me simbolet shqiptare përsipër.
Por shëtitja përgjatë Pazarit, na qetëson hëpërhë, teksa shohim produktet që edhe kur janë të reja e nuk vijnë prej shekujve, prodhohen ende në kthinat e këtyre dyqaneve shekullorë që kanë ndërruar vetëm artizanët, njerëz të ulur mbi punën e tyre, duke prodhuar qeleshe, filigran, duke gdhendur dru apo duke thurur çorape.

Muzeu dhe Skënderbeu
Muzeu i Krujës është vazhdimisht plot, jo vetëm me grupe turistësh por edhe me individë, e nganjëherë edhe me nxënës shkollash. Ky qytet, i cili pavarësisht vuajtjeve ambientale, vazhdon të tërheqë mbi vete vëmendje, mund të jetë një nga qytetet turistike më të vizituar në Shqipëri, jo thjesht për faktin se ndodhet pranë kryeqytetit (vetëm 37 km larg), por edhe sepse ka aftësinë të zhvendosë në kohë, e të bën të ndihesh banor i një epoke tjetër.
Duke jetuar në mes të metropolit apo kudo qoftë, nuk mund të lësh pa vizituar një qytet, i cili në një rreze prej pak kilometrash, të bën të jetosh dy periudha të ndryshme kohe, Antikitetin e herët që flet përmes gurëve të mëdhenj të Albanopolisit dhe Mesjetën, e cila për shqiptarët ka falur jo pak lavdi e histori, sidomos në vitet e arta kur jetoi Skënderbeu - Gjergj Kastrioti.

U kthyem te Luli dhe porositëm mish qengji të pjekur në hell, perime zgare, verë të hapur vendi e në fund, Kabuni Kruje, duke i thënë me humor se jo të gjithë shqiptarët vijnë te Alba për për një picë në furrë druri, megjithëse nuk ka asgjë të keqe të vish edhe për këtë. Në Krujë mund të vish edhe për të shijuar panoramën mbresëlënëse që shijohet nga veranda e Albës, e që shkon deri poshtë në Adriatik, ku në kohë të kthjellët e më një dylbi në dorë, mund të dallosh edhe vijën ndarëse të horizontit, ose diellin e lodhur që zhytet në det për t’u freskuar e për të bërë gjumin e natës.
Krujë, mars 2012

Info
Largësia e Tiranës nga Kruja është 37 km
Nëse udhëtoni me mjete publike, furgonat për në Krujë nisen në fund të Rrugës Mine Peza. Rruga për në Krujë kalon nga kryqëzimi i Kamzës, Ura e Tapizës, merr djathtas për në Fushë-Krujë pasi keni lënë autostradën Tiranë-Lezhë dhe pasi jeni future në zonën e Fushë-Krujës, vazhdoni në dalje drejt lindjes. Pak para se t’i ngjiteni malit, në të djathtë ndodhet qyteti ilir i Albanopolisit


albtravel
 
Titulli: Kruja turistike, mes shenjtërisë, historisë dhe lavdisë

Kruja eshte nje qytet vertet i bukur. Kam qene kur isha e vogel aty. Me kujtohet ajo rruga e pazarit me gjera artixhane, shume bukur.
 

Konkursi Letërsisë

  • Aeroporti i Zaventemit

    Votat: 6 54.5%
  • Të harrova, sepse të dua

    Votat: 5 45.5%
  • Vetëm …

    Votat: 4 36.4%

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back