Krishterimi në Lezhë

BeniT

Donatorë
Lezhën si tokë "të shenjtë" nuk e kam menduar asnjëherë në menyrë eksplicite. Që diskursi im të shkojë drejt një përkufizimi të tillë është bërë shtysë libri album "Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës" i studiuesve dhe arkeologëve Gëzim Hoxha, Luan Përzhita dhe At Flavio Cavallini OFM. Duke ndërtuar dimensionin historik të mistikes, besimit dhe art-kulturës lezhjane ata ndërtuan edhe modelin se si mund të realizohet një gjë e tillë për krejt trashëgiminë e këtij lloji në Shqiperi. Elementet e mësipërm themelojnë dhe konturojnë shpirtin e një vëndi duke marrë formën e subjektit që shpreh civilizimin dhe identitetin e asaj bashkësie.

Nëse pranojmë që Historia është në ndryshim të vazhdueshëm, ku ritmet biologjike të jetës dhe vdekjes ndjekin njëri-tjetrin apo ato natyrore të errësirës dhe dritës, gjejmë brenda kësaj marrëdhënie Kishën Katolike shqiptare që i ngjan Feniksit mitik që digjet dhe rilind nga hiri duke i dhënë formë "historisë së shpirtit" dhe murit të katërt të ngrehinës shqiptare me katër besime.

Kjo vepër historiografike e organizuar sipas metodës kronologjike lineare e deskriptive e shoqëruar me shumë fotografi që na mundësojnë imazhe epokash të ndryshme, është histori bashkëkohore sepse në realitet historia funksionon duke ju referuar së tashmes, në të cilën fakte të së kaluares gjejnë sintoni dhe vibrim. Libri me prurjet e tij të shumta shndërrohet në dëshmi autentike e asaj që pohohet virtualisht, e faktit që invazionet konvertuese dhe ateizmi komunist vërtet përdhunuan kishat dhe persekutuan priftërinjtë por nuk ia dolën të shuajnë dokrinën e krishterë si një nga elementet bazikë të qytetërimit shqiptar e perëndimor. Nga puna e këtyre studiuesve ne perceptojmë që Kisha Katolike përveçse një institucion shpirtëror, ka edhe një semantikë tjetër, atë të kontaktit të vetëm të komunikimit me Europën përgjatë pushtimit osman nëpërmjet Vatikanit dhe botimeve që ndikuan mbi ndërgjegjen kombëtare të mundësuara nga Papati. Gjithashtu njihemi nëpërmjet dokumenteve historike origjinalë mbi vështirësitë që kulti i krishterë ka kaluar për të mbijetuar.

Libri në vetvete është një inventar i plotë i të gjitha kishave të dioqezës së Lezhës dhe për çdo objekt kulti ka një përshkrim historik të plotë që përfshin edhe të dhëna mbi stilin, arkitekturën e përdorur si dhe komente profesionale mbi afresket e Rubikut, Pllanës dhe Balldrenit të vetmet që kanë mbetur në Veriun e Shqipërisë. Në testamentin e vjetër thuhet: "Për çdo gjë ka një stinë, ka një kohë për çdo qëllim nën këtë qiell, për të vdekur dhe jetuar, për tu plagosur dhe shëruar, një kohë për të shkatërruar dhe një kohë për të ndërtuar" dhe në këtë frymë është konceptuar alternimi i historisë brënda këtij libri, në krah të rrënojave ndërtimet e reja, pra të ndërtojmë atë që etërit dhe gjyshërit tanë shkatërruan të shtrënguar apo me dashje, të korrim çka mbollën martirët. Sigurisht kjo delikatesë është realizuar pa cënuar kriteret shkencore. "Monumentet…" është një çelës themelor leximi për krejt realitetin tonë shpirtëror e kulturor sepse strukturon memorjen tonë lokale dhe kombëtare duke shkaktuar disa nxitje. Na ofron një eksperiencë tjetër njerëzore, e ndryshme nga e sotshmja në shërbim të kësaj të fundit; Pasuron informacionin tonë mbi të kaluarën dhe identitetin; Krijon një marrëdhënie origjinale ndërmjet fakteve, personaliteteve, njerëzve të thjeshtë, fenomeneve dhe objekteve, me besimin në hapësirë dhe në kohë; ekspozon moralin, qëndresën, forcën e ideve, artin, bashkëjetesën dhe integrimin nëpërmjet historisë së Kishes Katolike.

Duhet shtuar edhe një fakt kontekstual që ka të bëjë me njërin prej autorëve At Flavio Cavallinin (sepse dy prej tyre Gëzim Hoxha dhe Luan Perzhita, janë të njohur në lëmejtë e kërkimeve dhe studimeve arkeologjike në vëndin tonë) veronez i konvertuar në shqiptar, prej vitesh me nënshtetësinë tonë i cili me dashuri dhe pasion me këtë vepër na ka dhënë një leksion jo vetëm shkencor por edhe patriotizmi shqiptar duke ju bashkangjitur atyre emrave të misionarve italianë që u bënë pjesë e historisë së këtij vëndi si At Balneu, Pasio, Cordignano, Valentini etj.


nga Agron Gjekmarkaj
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top