Kompenzimi i agjërimit të ramazaneve të kaluara

Kresha

A pretty face can never trick me
I nderuari dhe shumë i respektuari mufti, shejh, Dr.Jusuf el-Kardavi, pranoni përshëndetje të përzemërta.

Fillimisht po ju lus që mos të qortoni dhe të më kritikoni, gjendja ime më mjafton si pendim, dhembje dhe qortim, por unë shpresoj që të më udhëzosh në atë që e përmirëson gabimin dhe veprimin tim.

Unë qe dhjetë vjet me radhë nuk e kam agjëruar muajin e Ramazanit, gjegjësisht që kur kam patur tridhjetë vjet. Nuk jamë i sëmurë dhe as që e mohoj obligimin e agjërimit të Ramazanit, por pranoj se agjërimi i Ramazanit është farz për çdo musliman të moshës madhore, që është i shëndoshë dhe i mençur, dhe se është shtylla e katër e Islamit. Nuk kam agjëruar thjesht nga dobësia ime dhe dominimi i epshit.

Këtë vit, falë Allahut të Madhërishëm, e agjërova muajin e Ramazanit, por pyes se çka do të bëhet me Ramazanet e kaluara? A t’i agjëroj dhjetë Ramazanet e kaluara, nga një muaj për çdo vit të lënë, gjë që është rëndë për mua, apo të japë kompenzim për dhjetë vitete e pa agjëruara? Apo, a kërkohet prej meje që të agjëroj nga gjashtëdhjetë ditë për çdo ditë që nuk e kam agjëruar e që në mënyrë matematikore do të dukej si vijon:60 ditë x 30 ditë x 10 vjet, marrë parasyshë se kompenzimi për mosagjërimin me qëllim të një dite, është si kompenzimi për Dhiharin, sikur që kam lexuar një herë një fetva të Shejhu-l-Ez’herit Sejjid Tantavi.

Më duhet t’ju përkujtoj se unë nuk e kam braktisur namazin dhe as ndonji obligim tjetër fetar që prej atëherë e deri më tash. Më tregoni, si do ta përmirësoj këtë gabim.

Një i penduar nga Katari

Dr.Jusuf el-Kardavi

PثRGJIGJA

Unë nuk do ta qortojë vëllaun e nderuar për veprimet jo të drejta karshi Allahut të Madhërishëm dhe për atë që e ka lënë pas dore obligimin e agjërimit të Ramazanit, i cili është një nga obligimet më madhështore islame, për dhjetë vjet rresht, ngase mjafton që vëllau e qorton veten, ndjehet fajtor dhe e bren ndërgjegja. Qoftë lavdëruar Allahu që e ka ngjallur ndërgjegjen e tij, pas gjithë atyre viteve që ka qenë nën pushtimin e epshit.

Më duhet të theksoj se është për të ardhur keq dhe mjaft e çuditshme ajo që shohim shumë muslimanë dhe muslimane të cilët e agjërojnë Ramazanin, por, për fat të keq, nuk e falin namazin, ndërsa namazi është obligimi më i madh në Islam pas dëshmisë së përkatësisë islame përmes Shehadetit. Vetëm njeriu i prishur merr guxim që ta shkel shenjtërinë e Ramazanit duke mos agjëruar me qëllim, Allahu na ruajt.

Vëllau që po na pyet, e ka bërë të kundërtën e asaj që si zakonisht e shohim në mjediset muslimane, ngase e ka falur namazin e nuk e ka agjëruar Ramazanin, obligim ky të cilin e detyroi Allahu i Madhërishëm një muaj për çdo vit me qëllim që t’i pajisë shpirtërat me devotshmëri ndaj Allahut të Madhërishëm, si që shihet kjo në ajetin vijues:<<O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm (183)>>.[1]

Së këtejmi, pasi vëllau ynë që na e ka parashtruar pyetjen e pranon se nuk e ka mohuar se agjërimi i Ramazanit është farz-obligim për çdo musliman që është i moshës madhore dhe i mençur, dhe se agjërimi i Ramazanit është kushti i katër i Islamit, si dhe e ka falur namazin gjatë atyre viteve, atëherë ne nuk mund të themi se ai ka filluar në Islam prej fillimi, e Islami e fshinë atë që ka qenë më parë, si dhe nuk mund të themi se ka qenë më parë jobesimtar, e tash është udhëzuar dhe ka hyrë në fe, e për ta në Kur’an thuhet:<<Thuaju atyre që nuk besuan, nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara... >>.[2] Pra, e gjithë kjo nuk mund të thuhet për pyetësin, ngase është e qartë se ai ka qenë musliman mëkatar i cili ka bërë gabime karshi Allahut të Madhërishëm, nuk ka qenë plotësisht i nënshtruar ndaj Tij, e ka neglizhuar një nga obligimet më të shenjta dhe një nga shtyllat e fesë të cilës ai i takon. E kjo do të thotë se dhjetë muajt, gjegjësisht dhjetë Ramazanet që i kanë kaluar pa agjërim, janë borxh që ai obligohet ta plotëson, si të gjitha borxhet tjera me të cilat obligohet njeriu, qofshin këto borxhe ndaj Allahut apo ndaj njerëzve. Në hadith qëndron:”Borxhi i Allahut është ma meritor të kryhet”.[3]

Kalimi i gjithë këtyre viteve, nuk e shlyen nga ai këtë borxh apo këtë obligim që robërit e kanë ndaj Allahut të Madhërishëm. Sipas Islamit, kalimi i viteve nuk i shfuqizon të drejtat e njerëzve e as të drejtat e Allahut (Obligimet ndaj njerëzve dhe ndaj Allahut), por kjo e drejtë-hak, ngelet borxh për njeriun derisa ai vetë ta kryej apo dikush tjetër ta kryej për të, përndryshe ky borxh i kërkohet në Ditën e Gjykimit.

Për atë, prej teje kërkohet që:të agjërosh një ditë për çdo ditë të pa agjëruar, gjegjësisht komplet 300 ditë për dhjetë vitet e kaluara pa agjërim të Ramazanit. Ti nuk do të agjërosh gjashtëdhjetë ditë për çdo ditë që nuk e ke agjëruar, sikur përmende në pyetje, e që në mlnyrë matematikore do të dukej kështu:60 x 30 x 10= 18000 ditë.

Këtë mënyrë të kompenzimit e mbështesin disa njerëz, duke u nisur nga ajo se kush e prish ndonji ditë të Ramazanit me qëllim- sipas disa shkollave juridike kjo vlen për ata që e prishin me qëllim për shkak marrëdhënieve intime, e sipas disa tjerave kjo vlen për ata që e prishin me qëllim për shkak marrëdhënieve intime si dhe për shkak ngrënies dhe pirjes[4]- obligohet me kompenzim të rënduar për çdo ditë që e ka prishur:lirimin e një robi, apo agjërimin e dy muajve pa ndërprerë, apo ushqimin e gjashtëdhjetë të varfurve, qofshin këto gjëra obligative sipas renditjes së përmendur, apo obligative me të drejtë të zgjedhjes njërën prej tyre, varësisht prej qëndrimeve të drejtimeve të fikhut.

Mirëpo, ne themi:Ky kompenzim i rënduar ka të bëjë me atë që agjëron dhe me qëllim e prish agjërimin. Ky kompenzim i është bërë obligim që të jetë pastrim për të. Ndërkaq, ai që aspak nuk ka agjëruar, për të nuk ka kompenzim të këtij lloji. Kjo çështje mund të krahasohet me betimin valid, i cili nëse nuk zbatohet, obligon kompenzim. Ndërkaq, betimi jovalid-jeminu-l-gamus, betim ky të cilin e përdor njeriu për ndonjë gënjeshtër me qëllim, për të nuk ka kompenzim, por për të vetëm duhet kërkuar falje dhe bërë pendim.

Poashtu, këtë mund ta krahasojmë edhe me kompenzimin në vrasjen pa qëllim. Për vrasjen pa qëllim ka kompenzim, ndërkaq për vrasjen me qëllim nuk ka kompenzim, por personi që e ka bërë aktin e tillë, duhet të pendohet konform kushteve të pendimit.

Dera e pendimit është e hapur për çdo mëkat, qoftë i madh apo i vogël, qoftë se është bërë duke lënë pas dore një detyrë, apo duke e vepruar një gjë të ndaluar.

Ndërkaq, pendimi nuk do të jetë i sinqertë dhe nuk do të pranohet vërtetë pa mos u shoqëruar nga kthimi i hakeve te të zotët e tyre, qofshin haket ndaj Allahut apo haket ndaj njerëzve. Ky është kusht i patjetërsueshëm për pranimin e pendimit te Allahu i Madhërishëm.

Fidja në vend të agjërimit të çdo dite, gjegjësisht ushqimi i të varfurit, pranohet vetëm nga personi i cili nuk ka mundësi të agjërojë aspak. Pasi personi i tillë nuk mund ta agjërojë Ramazanin në kohën e vet, normalisht agjërimi bie prej tij edhe në plotësimin e mëvonshëm. Por, nëse ka mundësi të agjërojë, atëherë nuk pranohet asnji mënyrë tjetër e kompenzimit pos agjërimit.

Së këtejmi, unë e këshilloj vëllaun që pyet të agjërojë gjatë dimrit, kur ditët janë të shkurtëra dhe të ftohta. Shumë muslimanë agjërojnë në këtë kohë agjërim vullnetar-nafile.

Vëllau që po pyet, ka mundësi që të vendoset të agjërojë nga tre muaj të dimrit në çdo vit, e unë e sigurojë se ai kur do të agjërojë muajt njërin pas tjetrit, agjërimi do t’i lehtësohet dhe nuk do të ndjejë asnji ngushti apo lodhje, në veçanti kur kihet parasyshë se ai do të ketë ndjenja se është duke e përmirësuar një gabim të mëparshëm, se e paguan borxhin dhe e kënaq Zotin.



(Pjesë e shkëputur prej librit Fetava Muasire-Fetva Bashkëkohore, pjesa e III)

Përktheu:Mr.Bashkim Aliu

_______________________________________________________________________________________________________
[1] El-Bekare: 183.

[2] El-Enfal: 38.

[3] Hadithin e kanë shënuar së bashku:Buhariu dhe Muslimi prej Ibn Abasit. Shih:El-Lu’ëlu’u ve-l-merxhan, nr.705.

[4] Ky është qëndrimi i shkollës juridike Hanefite, sipas të cilëve ai që e prish një ditë të Ramazanit me qëllim dhe pa arsye, obligohet me kefaret i cili është:agjërimi i dy muajve rresht. Këtu, shejh Kardavi e tregon qëndrimin e vet për çështjen në fjalë, marrë parasyshë se ai është një nga juristët dhe dijetarët më të mëdhej të kohës tonë (B.A.)
 
Back
Top