Në kategorinë e shqetësimeve mendore, kleptomania hyn në shqetësimet e kontrollit të instikteve dhe karakterizohet nga një paaftësi për t’i rezistuar impulsit për të vjedhur objekte për të cilat nuk ke asnjë lloj nevoje. Këto objekte shpesh nuk kanë asnjë vlerë dhe personi shpesh i kthen ose i hedh. Për momentin ky veprim sjell kënaqësi, por shpesh subjekti pendohet deri në gjendje depresioni. Kleptomania është një fenomen i rrallë që prek rreth 0.6% të popullsisë dhe kryesisht gratë e moshës mesatarisht 35 vjeçare dhe adoleshentët, por kjo mund të zgjasë edhe për gjithë jetën. Shpjegimi që japin kleptomanët për të justifikuar fiksimin e tyre është se ata kanë një lloj mospërmbushje personale, por realisht shkaqet janë shumë më të thella se arsyet. Në psikologji kleptomania përkufizohet si një fiksim që bllokon të gjitha idetë e tjera. Personi konsiderohet me kapacitet për të kuptuar por jo për të dashur të kundërshtojë aktin që kryen. Fiksimi është aq i fortë, sa i kalon tentativat për të frenuar dhe për të menduar për pasojat. Nga ana tjetër, psikoanaliza e shpjegon kleptomaninë si një ndjenjë faji që më vonë shkakton edhe depresion. Shpesh kleptomania është e lidhur edhe me patologji të tjera si personaliteti paranoid, skizoid, ose çrregullime të tjera kufitare. Gjithashtu mund të manifestohet pasi personi ka kaluar një traumë cerebrale, ose ndonjë intoksikim nga monoksidi i karbonit. Për të diagnostikuar një person kleptoman, duhet që ai të plotësojë këto kritere: pamundësi për të evituar impulset e të vjedhurit të objekteve që nuk janë domosdoshmërisht të përdorshme apo me vlerë të madhe monetare; rritje e tensionit menjëherë pasi është kryer veprimi i vjedhjes; kënaqësi dhe ndjenjë shpërblimi sa herë që kryhet ky veprim; vjedhja nuk bëhet për të shprehur zemërim apo rebelim ndaj diçkaje dhe nuk është një përgjigje ndaj një zgënjimi apo haluçinacion; vjedhja nuk është e lidhur me çrregullime të sjelljes, të një episodi maniakal, apo të një çrregullimi të personalitetit antisocial. Për sa i përket trajtimit, ende nuk është përcaktuar një kurë ekzakte. Terapia konjitivo-sjellore këshillohet, por do të kishte më tepër efekt nëse do të shoqërohej me një kurë farmaceutike.
Psikologji.org