Kjo Jetë ?

Violetta

>> KS- AL. etnike <<

Kjo Jetë ?

Përpara se të vijmë në jetën e kësaj bote, sa shekuj kanë parakaluar? Pasi ta lëm këtë jetë sa breza do të vijnë pas nesh ?

Sa është raporti i jetës së pakët që jetojmë, me kohën që ka kaluar përpara saj si dhe me atë që do të vijë? Ky raport është jashtëzakonisht i vogël. Por nga kjo pak kohë që të është dhënë ty dhe mua, formohet jeta e kësaj bote!
Nga kjo dukuri e jetës së veshur me asgjënë e përparshme dhe me të fshehtën pas saj, është populluar toka!

Në rrugën e gjatë të jetës ecin dhe ecin brezat e njerëzimit, derisa njeriut i vjen dobësia, më pas pamundësia dhe më pas, ai vdes.
Përpara se njeriut të nisin t’i ngatërrohen këmbët kur ecën dhe të japë frymën e fundit, ka dalë një brez tjetër që do të fillojë ecjen dhe do të kryejë të njëjtin rol.
Brezi i konsumuar tërhiqet, qefinoset dhe varroset në tokë.
Brezi i ri dallohet në përpjekjet që bën, derisa edhe atë ta prekë ajo që preku të tjerët. Edhe ky brez tërhiqet, vijnë të tjerë dhe kështu njëri pas tjetrit.

Këto janë korpuset e jetës...punë e vazhdueshme prej jetësh të ndërprera!
E çuditshme është se kjo punë e vazhdueshme i vë në dispozicion të vet të gjithë ata që punojnë, të cilët nuk e llogarisin veten si një hallkë e një zinxhiri të këputur nga e djeshmja dhe të zgjatur kah e nesërmja. Ndonjëri mashtrohet nga e gabuara dhe nuk mendon se ai është i ri në këtë botë, nuk mendon se ashtu siç erdhi befasisht, përsëri befasisht do ta lërë këtë botë.
Jo, e gabuara nuk mashtron njeriun, por ai ka iluzione se ka ekzistuar qysh nga koha e parë e krijimit dhe se do të qëndrojë përgjithmonë!!

Njeriut kur i vjen vdekja, habitet se si erdhi kjo ngjarje e huaj për të, por habia nuk e zmbraps të vërtetën që ndodh.
Ja kështu, njeriu e lë jetën e kësaj bote.
ثshtë mirë për njeriun, qysh kur është me shëndet dhe me qartësi mendore, ta njohë karakterin e botës në të cilën jeton dhe të mos ndërtojë katet e ndërtesës, njërin pas tjetrit mbi kolona të paqëndrueshme.
ا’do të thotë kjo?
Vallë, ky është fati i njeriut në këtë ekzistencë?
Përgjigja është e shpejtë dhe e prerë: Jo!

Sikur jeta mbi tokë të ishte e tillë, me siguri që jeta që vjen pas asaj të kësaj bote, është shpresa më e lartë dhe fati më i madh.

Sikur jeta në këtë botë të ishte gjithçka, atëherë vetëvrasja e shpejtë do të ishte më e mirë për të gjithë njerëzit.
Në të vërtetë bota e ardhshme është më e mira dhe përgatitja për botën e ardhshme është detyra parësore e njerëzve të mençur, gjatë gjithë kohës së shkurtër të jetës që kanë.

I mençur është ai që e shpërndan interesin e tij në të dyja botët, në masën që meriton secila; punon për këtë botë, sipas vendit që zë në të, kurse puna e tij për botën e ardhshme, është në atë masë që i duhet atij për të qëndruar në të.



nga Besarti
 
Titulli: Kjo Jetë ?


Jeta

Kjo është edhe si lum me rrjedhë veprimesh e kundërveprimesh, e përmbushur përplot kundërthënie.

Jeta është ngarkim-shkarkim, pritje-përcjellje, hyrjedalje, ardhje-vajtje… është marshim përmes errësirës së vdekjes… është një ortek tragjiko-komik. Të jetosh do të thotë ta mashtrosh vetveten, ta shikosh një ëndërr ose të hysh në një derë e të dalish në derën tjetër… Sot, toni i jetës jehon me zërin e plagosur prej goditjeve të rrepta të fatit, prej korrupcionit e padrejtësisë si dhe prej natyrës së pashpirtshme, e cila (me tërmete, vërshime, vullkane…) kërcënohet në çdo çast. Kështu, njerëzit nuk kanë ndonjë cak drejt të cilit do të shkonin me hapa të sigurt. Toka është mbushur me të liga, sëmundje të paftuara, me gjithçka jonormale. Kështu, bota në tërësi është bërë skenë, në të cilën bën kërdi anarkia e interesave konkurrente. Truri është zbritur në lukth ose siç thoshte Polihimi – “në tigan”.

Njerëzit pa vetëdije dhe me paturpësi dehen me interesat vetjake, të cilat paraqiten në brendinë e ngopjes së tepërt. Interesi, kjo sëmundje e tmerrshme, i çrregulloi edhe marrëdhëniet më të afërta njerëzore.

Njerëzit janë konsoliduar mbi sipërfaqen e tokës sikurse figurat e shahut, disa sulmojnë – të tjerët mbrohen dhe qëllimi i kësaj loje është eleminimi i atij që është më i vlefshëm. Në këtë epokë të luftës së rreptë për ekzistencë, më shumë gëzojnë respekt ata që bëjnë punë të liga dhe marrëzi. Jetojnë në pasuri të madhe ata që nuk punojnë, e mbesin gjallë ata që lahen me djersë duke punuar punë nga më të rëndat. Paratë janë bërë më të çmueshme se dituria, morali, nderi dhe fitohen me lloj-lloj matrapazllëqe. Korrupcioni ka pushtuar çdo hap, kurse bamirësia është një gjest shumë i rrallë. Njeriu për njeriun është bërë po se po ujk, por plus edhe dhelpër. ثshtë mbushur çdo skutë me psikoza, psikopati dhe neuroza. Këto e kanë burgosur mentalitetin njerëzor. Nga ana tjetër më tepër ka debilë=moronë, imbecilë dhe idiotë, se sa dijetar të mençur dhe të aftë. ا’është më e keqja janë në gjendje të simulojnë të gjithë rolin e budallës, vetëm që ta kenë udhën çelë. Në çdo anë janë ngjallur tekanjozët, saqë vaj halli për durimtarët. Keqbërësit sillen me njerëzit e mirë në atë mënyrë, që t’i detyrojnë edhe ata të bëhen të këqinj. Në këtë mënyrë ata e shumëfishojnë poshtërsinë e tyre. Shpeshherë edhe më të pafajshmit shpallen kryefajtorë. Njerëzit e mirë kanë rënë në pozitë mjaft të vështirë. Rrënjët e kalbura të shpresës së tyre kacafyten me pengesat, të cilat përqeshen në mënyrë therëse. Ata meqë në numër janë pak dhe të pafuqishëm, nuk mund ta kthejnë rrokaqiellin në themele të sigurta.

Njerëzit e këqinj janë bërë bujqër të mbrapshtë, kudo që shkelin e mbjellin të keqen me vete. Ata janë të pakujdesshëm, të pavlefshëm, të papastër, të pamoralshëm, të neveritshëm, të tërbuar, të ndyer, imponues, ziliqarë, tradhëtarë, kriminelë, kryeneq... Sjellja e tyre është dëm i pandërprerë, stuhi, përmbytje, pengesë për gjithçka, ndryshk, luftë e përditshme dhe vdekje. Nuk është çudi se kafshët, po të dinin të flisnin, do të flitnin më mirë se disa njerëz të poshtër, bile për shumë të meta të tyre do të thonin “kjo është njerëzore“ siç themi ne “kjo është shtazore“ (Safira).


Autor: Avni Avdiu

 
Back
Top