Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Luela Myftari

Kërkoj të kaloj një mëngjes, diku në një fermë. Mendoj si shumëkush se fusha e gjelbër dhe qetësia e një femre do ta bëjë jo vetëm ditën, por edhe javën që ka nisur edhe më të qetë. Nuk kam shumë kohë dhe nisem të shkoj në Sukth, aty ku e di se do të më presin miq. Mirëpo, nga një ditë e qetë siç mendoja se do të ishte çdo fjalë e banorëve që takoj më zhyt në mendime. Nuk ka mundësi që jeta në vetëm 20 minuta largësi gjeografike të ndryshojë tërësisht. Ndryshon imazhi, pamja, mënyra se si vishen njerëzit dhe se si rregullohen për të blerë bukë apo ujë në dyqanin ngjitur. Ndryshon thuajse gjithçka. Ndryshon mentaliteti, mënyra se si festojnë dhe mënyra se si qajnë.

Imazhi

Unë e ardhur nga kryeqyteti, kam veshur një palë atlete, një palë pantallona sportive, një bluzë pa dizenjo dhe një xhuboks. Vajzat që ecin përbri meje, të dyja gjimnaziste që po shkojnë në shkollë, kanë veshur këpucë të larta ortopedike, njëra të kuqe dhe tjetra rozë, bluza të bardha, por me dizenjo që kombinojnë me këpucët respektive dhe streçe të zeza të ngjitura aq shumë pas mishit sa që mund t’u dallosh edhe lëkurën që ka dalë nga tërheqja e streçeve, që me siguri i kanë marrë një masë më të vogël se ajo që u nevojitet. ثshtë mëngjes dhe ato po shkojnë në shkollë. Kaloj tek parukeria ngjitur. Gruaja është ulur përpara pasqyrës, ndërsa burri është duke i bërë shenja parukieres. Gjuhën nuk ia njoh, por mikja ime më e mirë aty më ka thënë që kjo është e zakonshme në Sukth. Meshkujt i shoqërojnë gratë në parukeri për t’u bindur se gruaja nuk do të gënjehet nga modelet që i ofron parukierja nëpërmjet revistave. Ai do ta zgjedhë vetë se si do t’i lyejë apo presë gruaja e tij flokët. Dhe nuk do të ikë aty pa mbaruar ajo.

16 vjeç, vajzë të pret unaza

Nëse i ke mbushur të 16-tat me patjetër duhet të mendosh seriozisht për të ardhmen tënde. Përfundimi i shkollës nëntëvjeçare nënkupton se është koha që t’i të pëlqesh dhe të pëlqehesh nga dikush, që pas një muaji duhet të të kërkojë dorën. Në të 18-tat je mjaftueshëm e pjekur, pas dy viteve fejesë, të hedhësh hapin tjetër, të martohesh e të bësh fëmijë. Nënat në Sukth janë relativisht të reja. Por, si Sukthi jam e bindur se ka edhe shumë vende në Shqipëri. Po mbushe 16- të dhe nuk ke gjë në vijë, përgatitu të të fejojë familja, sepse është turp të ngelesh në shtëpi. Dikush do të mendojë se nuk je e virgjër, nuk je e ndershme apo nuk di të bësh punë shtëpie.

Nuse me shkollë? Pupupu

Sukthi ka një shkollë 9-vjeçare dhe një gjimnaz. Po ashtu banorët, të rinjtë, kanë mundësi që për rreth 30 minuta të shkojnë në Universitetin e Durrësit dhe për rreth 35 minuta të tjera në Universitetin e Tiranës. Mirëpo, në Sukth, numërohen me gishtat e njërës dorë vajzat me arsim të lartë. Unë njoh vetëm dy. Më thonë se është edhe një tjetër. Dy vajzat që njoh e kanë pasur të vështirë të pranohen nga familja e djemve që duan. Të dyja i kishin kaluar të 20-tat dhe të dyja kishin udhëtuar çdo ditë drejt Tiranës dhe Durrësit për t’u shkolluar. Jeta rrugëve, edhe pse për shkollim, në sytë e vjehrrave aty nuk është gjë e mirë. Mosha e tyre e madhe gjithashtu. Përpjekja për t’u sjellë mirë me mamanë e njeriut që do, duhet të jetë tri herë më e madhe, një sepse të ka “kaluar” afati, një tjetër sepse ti ke bërë shkollë të lartë dhe e treta për të treguar që bën për djalin e saj gjithçka, madje edhe të lash rrobat me dorë si në shekullin e 21-të.

Punët e shtëpisë

Punët e shtëpisë i bën nusja e vogël, nëse ka edhe një nuse të madhe shtëpia. E nëse është e vetme i bën sërish ajo. Mos u çudisni nëse ju them se kam zbuluar edhe shtëpi që ende nuk kanë lavatriçe. Këtë e gjen në Sukth, por jo sepse nuk kanë para për ta blerë, por sepse nusja 20-vjeçare që ka dy fëmijë duhet të lajë rrobat e burrit kur fëmijët janë në gjumë. Kryesisht gratë e këtij vendi vetëm 20 minuta larg kryeqytetit nuk bëjnë asgjë tjetër veçse punë shtëpie. E nëse nuk di të bësh punë shtëpie bëhu gati të kacafytesh me vjehrrën që e ka kaluar provën e saj dhe pret çdo mëngjes kafenë nga nusja e djalit, edhe nëse kjo e fundit ka gjithë natën pa gjumë në krevatin e fëmijës.

“E dua jetën familjare, por më mungojnë librat”

Intervistë me Elsida Kurtin, ish-studente në Tiranë, tashmë një nënë e re që jeton në Sukth

Ajo nuk dëshiron të flasë se sa të vështirë e ka pasur të krijojë familje në një ambient të tillë, pasi aty të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Shprehet e lumtur që është bekuar me një fëmijë dhe që ka një bashkëshort që më shumë se kurrë po përpiqet t’i japë familjes së tyre të vockël pak stabilitet ekonomik. Edhe ajo punon, ndryshe nga shumica e femrave në Fermë, siç e quajnë ato lagjen e tyre. Elsida Kurti ka mbaruar studimet e larta për Letërsi në Tiranë, por tani kujdeset për Elion, djalin e saj që sapo ka mbushur 1 vjeç. Nuk punon si mësuese, sepse nuk mundi të mbyllte Masterin Profesional që i duhej. Edhe pse ajo nuk e thotë haptazi, Elsida ka frikë se qetësia në shtëpi do të prishet nëse ajo do të kërkonte të përfundonte Masterin. Tani është një nënë e re që mëngjeseve duhet të bëjë kafenë, kurse mbrëmjeve ta gdhijë pranë fëmijës.

ثshtë e pamundur t’i mbyllësh studimet?

Nuk kam kohë, nuk kam mundësi. Nuk është vetëm mentaliteti i fshatit, por janë të gjitha bashkë: fëmija, familja, shtëpia. Më është dashur të tërhiqem, edhe pse ndoshta jetoj këtu.

Ju e njihni pak a shumë jetën në kryeqytet. Ndryshon shumë nga ajo që jetoni sot në Sukth?

Ndryshon, sigurisht. Dikur lexoja shumë dhe kisha se me kë të flisja për letërsinë. Sot, edhe pse kujdesem për një mijë e një gjëra si të gjitha vajzat dhe gratë në lagjen time, gjej gjithnjë pak kohë për të lexuar. Ajo që më vret më shumë është fakti që këtu nuk ke me kë të flasësh. Janë me kokrra njerëzit e arsimuar apo ata që lexojnë. Këtu jetojnë njerëz që blejnë kondicioner dhe nuk dinë të përdorin pultin. Jo pak herë banorët e kësaj lagjeje më kërkojnë ndihmë me katalogë në duar për gjërat e reja që kanë blerë. Jemi shumë pak vajza të shkolluara, ndoshta tre. Nuk kam vërtet me kë të flas. Më pëlqen jeta familjare, por më mungojnë shumë edhe bisedat për librat. Ndonjëherë mendoj se lexoj kot.

Pra, ndiheni sikur po jetoni në një rreth që nuk ju përket?

Po, pak a shumë. Kam një partner, bashkëshort shumë të mirë, që mundohet shumë dhe që e di se për mua dhe Elion do të shkonte deri në fund të botës, por ambienti rrethues shpeshherë më mbyt. Kam një bibliotekë në shtëpi, por kam parë njerëz që vepra të klasikëve të mëdhenj i grisin për të mbështjellë misra. Më ka ndodhur edhe që të kenë tërhequr një libër nga rafti i librave të mi dhe pasi të kenë bërë sikur e kanë lexuar i kanë grisur fletët për misra apo kaushë farash. Kjo është diçka që më trembte, tani jo më. Jam mësuar me njerëz që nuk i duan dijet aq sa punën si gomar.

اfarë do të doje që të ndryshonte më së shumti në zonën ku ti jeton?

Ta duan arsimin dhe të lexojnë. Po të dish, bën. Këtu paragjykohen vajzat që janë të shkolluara. Dhe nuk kuptohen. Realiteti këtu të detyron të përshtatesh. Ndryshe mund të përfundosh në vetëvrasje si Ema Bovari. Ama, sikur të gjithë të lexonin më shumë do të kuptonin se jeta sot në këtë mijëvjeçar nuk mund të ndërtohet më kështu, ose të paktën nuk mund ta detyrosh dikë të jetojë kështu.

Kur mblidhen gratë e Sukthit për vendime

Një nga vajzat më aktive në Sukth, Ina, ajo që na siguron edhe ndonjë fotografi të realizuar gjatë aktiviteteve në këtë qytezë, na rrëfen se në këtë zonë të Durrësit ka edhe aktivitete që organizohen nga vetë vajzat dhe zonjat e kësaj rrethine. Kryesisht këto takime organizohen nga ajo. Ajo mbledh herë pas herë gratë dhe vajzat e Sukthit për ndonjë qëllim të caktuar. Janë mbledhur për të fituar të drejtën për të hyrë në politikë, për të debatuar mbi çështje që i përkasin barazisë gjinore ose për të ndaluar dhunën në familje. Kryesisht, këto takime i bëjnë në shtëpinë e ndonjërës nga organizatoret ose në ndonjë lokal aty afër. Dhe çdo rast i tillë është në një farë mënyre një lloj eventi për këto gra dhe vajza. Të mblidhen bashkë për të biseduar më gjatë se zakonisht është një lloj organizimi që meriton të përflitet edhe një javë pas përfundimit të tij. Thuajse të gjitha janë aktive në këto lloj takimesh.

Madje, duket se të gjitha e respektojnë njëra-tjetrën. Flasin me leje dhe në të gjitha fotografitë e realizuar janë duke buzëqeshur. Takimeve të tyre nuk i mungojnë biskotat, amaretat, patatinat apo edhe ndonjë ëmbëlsirë të gatuar vetë. Sigurisht që, në këto takime mungojnë pijet alkoolike, por gjithashtu mungon edhe uji. Në tavolinat ku zhvillohen takime të tilla ka gjithnjë lëngje frutash apo pije të gazuara joalkoolike. E nëse sheh disa fotografi të realizuara gjatë këtyre takimeve ku diskutohet roli i gruas në politikë, në familje apo edhe në fshat e ke më për mbarë të mendosh se aty po organizohet një ditëlindje apo po festohet ndonjë ditë e veçantë.

E sado e ashpër të jetë politika dhe dhuna për këto femra, ato dinë sërish të buzëqeshin kur vjen puna te blici i një aparati. E megjithatë, numri i pjesëmarrëseve në këto lloj aktivitetesh është relativisht i vogël. Mjaftojnë tre tavolina lokali ose dy tavolina të mëdha shtëpie për të mbledhur parinë e grave të fshatit. Organizimi i vetëm që kthehet edhe në festë është ai i 8 Marsit. Për gratë e Sukthit, dhe me siguri edhe të shumë fshatrave në Shqipëri 8 Marsi është një ditë e shënuar dhe thuajse të gjitha e festojnë. Po a janë vërtet të lumtura këto femra që duket se japin dita-ditës frymën e tyre në familje, duke mos menduar asnjë grimë, përveçse në këto aktivitete, për veten e tyre?


gazeta shekulli
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Mua teksa po e lexoja mu rrenqeth mishi... Momentalisht s'kam koment... o_O... jam pa fjale...
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Vjet ne maj isha nje jave ne Tirane. Ne avion pasagjeri prane ishte nje burre i moshuar (tek 70-tat) qe kishte ardhur te vizitonte vajzen e tij. Ishte nga Dukagjini. Une nuk jam shume e sigurt se ku bie Dukagjini, por diku ne Malsi do kisha hamendesuar. Prezantohemi, me pyet kush jam, vajza e kujt, nga vij, mese merrem, etj. Pas nje fare kohe bisede, lind tema e vajzave shqiptare.

Me thote: "Prindi ka me shume detyrime ndaj vajzes sesa djalit. Djalit i ka dhene i madhi Zot fuqi e me fuqi e ben diçka per jeten e tij. Ndersa vajza jo. Vajza eshte e brishte, ka nevoje per çdo ndihme qe te perparoje ne jete. Nuk me degjoi djali, i them udha mbare o bir, shih jeten tende. Por vajza jo. Vajza duhet shkolluar qe te dije sa me shume e te behet e zonja e vetes!"

Mua, ndryshe nga Soulmind nuk eshte se me beri aq pershtypje artikulli. Shoqeria shqiptare avash avash po perparon edhe po e kupton rendesine e edukimit, ama te tille mentalitet ka edhe ne mes te Londres. Atyre ne Sukth s'ju ve edhe aq faj, sepse vend i vogel nuk dijne me shume, por ç'keni per te thene per ata qe fejojne vajzat qe 16 vjeç ne mes te Londres?
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Kurse mua me ben shume pershtypje qe vendi yne pas 90 es u kthye me dekada mbrapsht ne kohe persa i perket emancipimit te gruas,.

Mentalitet me dy standarte!
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Kushedi se sa dajak do haja ne nje ambient te tille. Do mkishin bo nai ekzorcizem...
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Une se kuptoj se Pse duhet nje si kjo qe ka shkruar kete artikull te ndryshoje kete gje mos ndryshimi duhet ardhur nga prinderit duke I edukuar me pare ato per lirite e femijeve te thuash sepse Po tu japesh liri ne kete moshe dhe ne kete gjendje jame I sigurte qe nuk do dine ta perdorin ne dobi te tyre.

Keshtu qe ky shkrim nuk me tregoj me shume se cfare Kame pare vete
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Sa mbrapa bote jemi ne ... lol
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Kjo ndodh me sh sepse me idene qe x-ja do beje shkolle te larte....
Si fillim, del duarsh :p, dhe nuk e din vjehrra cf goce ka marre cuni
sepse sepseeeee tjetra kur iken ne shkolle, fiton pavarsi e sia ka nevojen cunit
dhe neser pasneser nese si 'ploteson' tekat e le nusjaaaaa me shkolle

Ndaj me mire berryl e te rrije ne shtepi, te rrise femijet te laje te thaje
Sepse po u martove 1 here ate mision ke, vec te rrisesh femijet

Une nuk e di se si vete femrat qe kane vuajtur aq te mos mesojne o te pakten te pakten
ti lehtesojne jeten brezit tjeter

I shtypuri te shtyp thone.
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

Kto jane thjesht fjale te kota. Kam familjare te mite ne sukth dhe nuk kane keto mendime aspak. Bile jane goxha me mentalitet te hapur nese do llogarisim vendndodhjen

kam pershtypjen pa kaluar ne paragjykim qe kjo artikull shkruajtsja do i kete rrahur gjetke canga!
 
Titulli: Ke shkollë të lartë? Nuk ka burrë për ty

As ne fshatrat e thella te Vlores nuk egziston ky mentalitet, madje perpiqen me shume per ti shkolluar vajzat.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 3 21.4%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 14.3%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 7.1%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 21.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 14.3%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 3 21.4%
Back
Top