Tuana
Nada é por acaso!
Besëtytnitë vijojnë të shkaktojnë persekutimin e grave në këtë pjesë të Afrikës
Kur fati i keq godet një fshat, në shumë vende ekziston tendenca që të kërkohet për një “shtrigë”, që mund të ketë hedhur një mallkim. Në Gana, gratë ekscentrike apo ato që flasin shumë, rrezikohen gjithashtu të akuzohen për magji dhe detyrohen të mbyllin jetën në kampe të veçuara nga fshati.
Një motor i ndryshkur shpejton përgjatë savanës së thatë të rajonit të varfër verior të Ganës, duke lënë pas një re pluhuri të kuqërremtë. Pasi mbërrin në një grup kasollesh, motoçiklisti i ri ndihmon të ëmën të zbresë, për të filluar jetën e saj të re në ekzil.
Gruaja 82-vjeçare, Samata Abdulai, sapo ka mbërritur në fshatin Kukuo, një nga gjashtë kampet e shtrigave në Gana, ku gratë e akuzuara për magji kërkojnë shpëtim nga rrahjet, torturat dhe linçimi. Kampet thuhet se janë krijuar më shumë se 100 vjet më parë, kur krerët e fshatrave vendosën të krijojnë zona të sigurta dhe të izoluara për gratë. Këto fshatra drejtohen nga tindanasit, udhëheqës të aftë për të pastruar gruan e akuzuar, në mënyrë që jo vetëm bashkësia të mbrohet nga magjia e saj, por edhe vetë shtrigat të çlirohen nga ky problem.
Sot këto kampe janë ende të drejtuara nga udhëheqësit vendorë dhe i japin strehë deri 1 mijë grave njëherësh në baraka të improvizuara, ku mungon elektriciteti apo uji i rrjedhshëm, si dhe me çati që pikojnë.
Për të gjetur ujë, banoret e kampit Kukuo ecin afro pesë kilometra çdo ditë deri te lumi Otti dhe ngjisin me vuajtje kodrën gjatë rrugës së kthimit, të ngarkuar me poçet e rënda. Kjo është një mënyrë e patolerueshme jete për gratë e moshuara, por ato janë të gatshme ta pranojnë, për sa kohë janë të sigurta.
Ato mbijetojnë duke mbledhur dru zjarri, duke shitur qese të vogla me lajthi apo duke punuar në fermat aty pranë. Samata jetonte 40 kilometra më larg, në fshatin Bulli. Atje kaloi vitet e vjeshtës së jetës së saj, duke u kujdesur për nipërit binjakë, ndërsa vajza e saj punonte në fushë. Ndihej e lumtur me atë jetë familjare dhe arrinte të fitonte para duke treguar rroba të përdorura. Pastaj, papritur një nga vëllezërit e saj erdhi ta paralajmërojë se nëpër fshat po qarkullonin fjalë që e akuzonin atë si fajtore për vdekjen e një mbese, një vajzë e vogël për të cilën thuhej se vdiq, pasi qe mallkuar.
“Në fillim u tremba shumë, sepse e dija se isha e pafajshme. Por e dija gjithashtu se, sapo njerëzit fillojnë të të quajnë shtrigë, jeta jote është në rrezik dhe pa u menduar gjatë duhet të mbledhësh plaçkat e të ikësh,” thotë Samata.
Kampet e shtrigave duket se janë unike dhe gjenden vetën në Ganën e Veriut. Por Gana ndan me vendet e tjera të Afrikës besimin endemik te ekzistenca e shtrigave dhe shumë shpesh, sëmundjet, thatësia apo zjarret konsiderohen jo thjesht si katastrofa natyrore, por si rrjedhojë e magjisë së re. Dhe ato që akuzohen për magji janë pothuajse gjithmonë gra të moshuara.
Një raport i një organizate joqeveritare thotë se më shumë se 70 për qind e banoreve të kampit Kukuo u akuzuan për magji. Zakonisht një grua akuzohet për magji, pasi i vdes bashkëshorti, duke të krijuar përshtypjen se shumë nga akuzat mund të jenë ngritur me synimin e fshehtë për të marrë nën kontroll pasurinë e vejushës.
“Këto kampe janë tregues dramatikë të statusit të grave në Gana,” thotë profesor Dzodzi Tsikata nga Universiteti i Ganës. “Gratë e moshuara bëhen objektiv i akuzave, sepse ato nuk janë më në gjendje të punojnë.” Gratë që nuk kanë sjellje në përputhje me pritshmërinë e shoqërisë bien gjithashtu viktima të akuzave për magji.
Një nga motrat më të reja të Samatës, 52-vjeçarja Safia, jeton gjithashtu në kampin e shtrigave. Ajo erdhi për herë të parë këtu për t’u bashkuar me nënën dhe gjyshen, që të dyja të përzëna nga fshati për të njëjtën arsye.
“Ato nuk janë shtriga,” thotë Saifa. “Kjo është thjesht urrejtje, xhelozi dhe një mënyrë për t’i hequr qafe.”
Si shumica e anëtarëve të kampit të shtrigave, Safia beson në ekzistencën e shtrigave, por ndien se shumë gra akuzohen pa të drejtë. Gratë ekscentrike janë gjithashtu viktima të besimit te magjia.
“Në shoqëritë tradicionale nuk kuptohen fort mirë probleme të tilla, si depresioni dhe dementia,” thotë Akuesi Osei, psikiatër në zyrën e Shëndetit Publik të Ganës. Qeveria thotë se shumica e grave në kampe shfaqin shenja të sëmundjeve mendore.
Qeveria e Ganës i sheh kampet si një problem për reputacionin e vendit më progresiv dhe demokratik të Afrikës dhe deklaroi vitin e kaluar se ka ndër mend t’i mbyllë kampet sa më parë. Por kthimi i grave te fshatrat e lindjes mund t’i përballë me rreziqe të mëdha.
Ayishetu Bujri, 40 vjeç, u përzu nga fshati i saj, pasi vajza e një fqinji ra sëmurë. Një organizatë joqeveritare shkoi në fshatin e saj dhe bisedoi me muaj të tërë me fshatarët, për t’i bindur se ajo nuk qe shtrigë. Bujri u lirua nga kampi pas tre vitesh.
“Akuzat për magji nuk largohen menjëherë, por shoqata ndihmoi që të bindet fshati se bëri një gabim me mua,” thotë ajo. Shoqata ka ndihmuar lirimin e 250 grave.
“ثshtë shumë e vështirë të bindësh bashkësinë që t’i ripranojë këto gra dhe njëkohësisht, të mos i akuzojë ato sërish për magji, sa herë që një lopë rrëzon një gardh apo shkakton ndonjë dëm të ngjashëm,” thotë një aktivist.
Në Kukuo, Samata duhet t’i nënshtrohet një riti përmes së cilit fshati beson se mund të zbulojë nëse ajo është apo jo fajtore. Ajo duhet të blejë një gjel me pupla shumëngjyrëshe e me shkëlqim për t’ia ofruar udhëheqësit shpirtëror. Prifti troket tokën dhe reciton lutje para se t’i presë fytin gjelit. Samata pret me ankth, ndërsa gjeli jep shpirt, pasi fluturon për herë të fundit. Kur bie në tokë, gjeli rrëzohet në kurriz. Kjo është një shenjë që tregon se Samata është e pafajshme. Në rast se nga prova e gjelit do të dilte fajtore, do të detyrohej të pinte gjak gjeli të përzierë me qime majmuni dhe dhé. Në rast se pas kësaj nuk sëmuret për shumë ditë, atëherë konsiderohet e shpëtuar. Por kjo nuk do të thotë se mund të kthehet sërish në fshat. Fshatarët nuk do ta pranojnë kurrë provën dhe do të vijojnë ta akuzojnë sa herë që diçka nuk shkon mirë./Tema/