Jetë e bukur dhe shembullore u takon vetëm besimtarëve

Jetë e bukur dhe shembullore u takon vetëm besimtarëve (muslimanëve)

Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (En - Nahl, 97)

Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut të madhërishëm, Zotit të botëve, salavati dhe selami qofshin mbi pejgamberin e fundit, Muhammedin s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Amin!

Hafiz Ibnul Kajjim el-Xhevziu (Allahu e mëshiroftë), në shpjegimin e versetit të përmendur, thotë: “Kush bën vepra të mira, Allahu i madhërishëm do t’i jep jetë të bukur e të mirë, varësisht nga imani i tij dhe veprat e tij.”

Gabojnë ata që e shpjegojnë sipërfaqësisht fjalën “jetë” duke menduar që “jetë” ka të bëjë me ushqimet dhe pijet e mira, gardërobë të bukur, ****, pozitë, pasuri, mbizotërim të armikut, vese të këqija të ndryshme (shehevat) . . . Sferat e jetës të përmendura i kemi të përbashkëta me shtazët.

Të gjitha kënaqësitë e përmendura nuk mund të krahasohen me kënaqësitë e imanit i cili kur përfshin zemrën, e bën njeriun t’i harrojë fëmijët, bashkëshorten, pasurinë, shtëpinë, etj. Kështu, njeriu edhe pse i varfër thoshte: “Sikur mbretërit të dinin në çfarë kënaqësie jam, do të ma merrnin me shpata.”

Njeriu hasë në rritje të fuqisë kur është në bindje ndaj Allahut të madhërishëm, por nëse kundërshton urdhrat dhe rregullat e Allahut, vie deri te fesadi dhe dobësia, përulja, përbuzja, ngushllëku dhe jeta e vështirë.

Jetë e bukur shpjegohet me termet e tipit qetësi, kënaqësi, furnizim i bukur, etj., por para se gjithash jetë e bukur është jeta e zemrës, kënaqësia dhe gëzimi i zemrës, lumturia e besimit, duke njohur Allahun e madhërishëm, dashuria ndaj Tij, pendimi ndaj Tij, mbështetja tek Ai. Zemra në këtë gjendje (hal) jeton dhe kënaqet dhe jetë më të bukur dhe begati më të madhe nuk ka përveç begative të xhennetit. Nëse jeta e zemrës - jetë e bukur dhe shembullore është e tillë, atë në këtë e pason trupi, sepse zemra është sundimtar i trupit, për këtë Allahu i madhërishëm u jep jetë me ngushllëk (psikik dhe fizik) atyre që refuzojnë ta pranojnë shpalljen e Tij, siç thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.” (Ta Ha, 124)

Jeta e bukur përfshin tri lloje të jetës:
1. Jetën në këtë botë - dynja,
2. Jetën në berzah (jeta në varr) dhe
3. Jeta në shtëpinë e përhershme - ahiret.

Jetën e vështirë dhe me ngushllëk përfshin tri:
1. Vuajtjet në këtë botë,
2. Vuajtjet në varr dhe
3. Vuajtjet në botën tjetër.

Besimtarët e mirë do të jenë në kënaqësi dhe begati të kësaj dhe botës tjetër, ndërsa jobesimtarët do të jenë në vuajtje në këtë dhe në botën tjetër. Allahu xh.sh. thotë: “Ata që bënë vepra të mira, edhe në këtë jetë kanë shpërblim të mirë, por shpërblimi i tyre në botën tjetër është shumë më i mirë, e sa vend i mirë është ai i të devotshmëve.” (En - Nahl, 30)

“E të kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni (kthehuni) te Ai, se Ai do t'ju mundësojë përjetime të mira (në këtë jetë) deri në një afat (të caktuar) dhe çdo punëmiri ia jep shpërblimin e merituar ...” (Hudë, 3)

Në versetin e cituar në fillim, Allahu i madhërishëm u garanton besimtarëve që bëjnë vepra të mira, shpërblim në këtë botë i cili manifestohet me jetë të mirë dhe të bukur, si dhe shpërblimin në botën tjetër. Kështu që besimtarëve u takon pjesa më e bukur e jetës në dy botët, dhe vetëm këta do të jetojnë në kuptimin e vërtetë të fjalës në dy botët.

Kush ka jetë më të bukur se ai që të gjitha brengat i ka tretur në një brengë, d.m.th. si ta arrijë kënaqësinë e Allahut?

Zemra e këtij njeriut nuk harxhohet në të gjitha anët, por shkon në një drejtim, dëshirat dhe mendimet që kanë qenë konfuze në gjitha anët, tani lëvizin në një kahje. Kjo zemër është e preokupuar me përkujtim ndaj Tij, me dëshirë të takimit me Te, si dhe shoqërinë ndaj afërsisë së Tij. اdo rrahje e zemrës është për Te, nëse sheh e dëgjon, sheh e dëgjon për Te, në emër të Tij lëviz, në emër të Tij jeton dhe vdes, dhe në emër të Tij ringjallet!



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
 
Back
Top