Aren
Anëtar i Respektuar
Një studim amerikan tregon: dhimbja për një histori të marrë fund nuk ka lidhje me humbjen e bashkëshortit, apo frikën për të ardhmen, por për aftësinë e humbur gjatë martesës për të dashur vetveten
“Kur dashuria merr fund, ushqimet mbushin boshllëkun”, thoshte dikur Marlene Dietrich. Mesa duket “femra fatale” e atyre kohërave dinte diçka rreth ndarjes, por është diçka krejt tjetër të braktisësh Ernest Hemingway për Jean Gabin dhe gjë krejtësisht tjetër të ndahesh nga njerëzit e zakonshëm, ndoshta me fëmijë të vegjël dhe një tufë borxhesh për të paguar. Gjithmonë ndarja është moment i vështirë për t’u përballuar, si në planin praktik ashtu edhe në atë psikologjik, por jo të gjithë njerëzit e përjetojnë në të njëjtën mënyrë. Ka nga ata që e kalojnë traumën pas disa muajsh, të tjerë që e hedhin menjëherë pas krahëve duke e harruar përgjithmonë, disa të tjerë që çmenden nga inati, të tjerë që bien në depresion dhe nuk arrijnë më të krijojnë stabilitet.
Psikologu David A. Sbarra nga Universiteti i Arizonës, së bashku me kolegët Hillary L. Smith dhe Mathias R. Mehl, ka studiuar dinamikat psikologjike të divorcit dhe kapacitetet e ndryshme të reagimit dhe arriti në përfundimin se pavarësisht situatave të ndryshme, çdo gjë varet nga niveli i “self compassion” (mëshirës ndaj vetes) së individit. Me fjalë të tjera, sa më shumë të drejtë dhe bujarë të jeni me veten, aq më mirë e përballoni dhimbjen. Studimi u publikua në revistën e shoqatës psikologjike amerikane “Psychological Science” dhe tregon hapur diçka tepër të rëndësishme: lotët që derdhen gjatë një ndarjeje, nuk janë për humbjen e bashkëshortit apo vetëdijen e vështirësive ekonomike që duhen përballuar, por për paaftësinë për të falur dhe për t’i lënë gjërat që të shkojnë drejt shkatërrimit. E keqja është se njerëzit që ndahen janë mësuar gjithmonë të shqetësohen për të tjerët dhe familjen. Gjatë kësaj kohe shumë persona harrojnë ta duan veten, duke pretenduar perfeksionin dhe kur vjen momenti i divorcit, e fajësojnë veten për gjëra të kota. Në këtë situatë fatlumët nuk janë egoistët, por ata që duan më shumë veten se sa gjithçka tjetër në këtë botë. “Pasja mëshirë për veten mund të sjellë qetësinë, ose më saktë aftësinë e njeriut për të përballuar vështirësitë e jetës, për t’i kapërcyer dhe për t’i hedhur pas krahëve ngjarjet e hidhura. Vetëm në këtë mënyrë gjendja bëhet më pozitive”, shpjegon psikologu Sbarra.
Në studim kanë marrë pjesë 105 dyzetvjeçarë, përkatësisht 38 burra dhe 67 gra, të martuar prej më shumë se 13 vjetësh dhe të divorcuar prej 3 ose 4 muajsh. Të gjithë pjesëmarrësve iu kërkua të flisnin 30 minuta për ish-bashkëshortin/en dhe më pas 4 minuta për ndjenjat e tyre për sa i përket ndarjes. Duke matur nivelin e “mëshirës ndaj vetes” përmes disa detektorëve audio që deshifrojnë ndërlikimet psikologjike të ndërtimit të fjalive dhe duke i intervistuar vullnetarët sërish pas 3 dhe 6 muajsh, studiuesit arritën në përfundimin se ata që kishin mëshirë për veten e përballonin më mirë traumën e divorcit, ndërsa ata që ishin të ashpër me veten, vuanin më shumë. “Nuk është e lehtë t’i kërkosh dikujt të mos shqetësohet. Nuk mund të ndryshosh personalitetin kaq lehtë, megjithatë është e mundur të ndryshosh gradualisht sjellje falë përvojës. Në këtë gjë, femrat janë më të zonjat se meshkujt”, shton psikologu.
Sipas të dhënave të fundit, numri i ndarjeve është rritur më shumë se ai i divorceve. Një e dhënë kjo, fryt i rritjes eksponenciale të 15 viteve të fundit (në vitin 1995 çdo 100 martesa kishte 158 ndarje dhe 80 divorce, në 2009-n, gjithnjë në 100 lidhje, 297 ndarje dhe 181 divorce) dhe, sipas në docenti të psikoterapisë, rritja është motivuar gjithashtu nga ndërgjegjësimi i partnerëve, të cilët janë gjithnjë e më të zhgënjyer nga lidhjet. “Sot çiftet martohen duke e ditur mirë se një ditë do të ndahen dhe kur e kuptojnë se gjërat nuk shkojmë më, janë gati ta mbyllin”, thotë një psikiatre, e cila është edhe autore e librit “Miq, armiq, dashnorë të mundshëm”.
Sipas ekspertit, mënyra e reagimit të çdo njeriu përballë një faze të tillë të jetës varet kryesisht nga motivet që e çuan një lidhje drejt divorcit. “Në fakt shkaqet që një çift ndahet janë të ndryshme: nga besnikëria në fazën e ndarjes, te mëritë që e kanë shoqëruar në atë periudhë të vështirë, apo dëshira për t’u sjellë si individë të pavarur. Këtu bëjnë pjesë edhe karakteristikat e secilit prej partnerëve”, shpjegon ai. Gjithsesi një divorc shkakton gjithmonë ndjesi humbjeje dhe dështimi, madje edhe atëherë kur duket sikur mbizotëron një ndjenjë çlirimi. Në këtë situatë nuk është e thënë se femrat janë më të forta se meshkujt. “Femrat dinë të përballojnë çështjet praktike të jetës me më shumë pavarësi dhe kjo ua bën më të lehtë situatën. Meshkujt e kanë më të lehtë të gjejnë ngushëllim, për të lehtësuar dhimbjen e humbjes”, përfundon psikologu.Bota Sot