ISLAMI -Origjina e shkences bashkekohore

ISLAMI -Origjina e shkences bashkekohore

Katërmbëdhjetë shekuj më parë, Zoti zbriti Kuranin si një udhëzues për mbarë njerëzimin. Në atë kohë, shoqëria arabe ishte në një gjendje shthurjeje, kaosi e injorance të plotë. Arabët ishin një popull barbar. Ata adhuronin idhuj që i përgatisnin vetë, besonin se lufta e gjakderdhja ishin të virtytshme dhe ishin të aftë të vrisnin edhe fëmijët e tyre. Ata ishin shumë pak të interesuar në çështje të dijes; të mos flasim pastaj për këndvështrim shkencor të botës e të natyrës.
Megjithatë, nëpërmjet Islamit, ata mësuan të jenë të njerëzishëm e të qytetëruar. Jo vetëm arabët, por të gjitha bashkësitë që pranuan Islamin u larguan prej territ të kohëve të padijes dhe u ndriçuan me urtësinë hyjnore të Kuranit. Ndër aftësitë që Kurani i solli njerëzimit ishte të menduarit shkencor.

NXITJE PثR HULUMTIM SHKENCOR, E SHPALLUR Nث KURAN

Zanafilla e mendimit shkencor është ndjenja e kureshtjes. Duke qenë se njerëzit janë kureshtarë të dinë se si funksionon natyra, ata hulumtojnë dhe interesohen për shkencën. Mirëpo shumicës së njerëzve u mungon një kureshtje e tillë. Për ta, nuk kanë rëndësi të fshehtat e gjithësisë dhe natyrës, por përfitimet dhe kënaqësitë e vogla në këtë botë. Në bashkësi të tilla ku njerëzit mendojnë në këtë mënyrë, shoqëria nuk ecën përpara. Aty mbizotëron prapambetja dhe padija.
Bashkësia arabe para zbritjes së Kuranit i përkiste këtij lloji, por vargjet e Kuranit u bënë thirrje arabëve dhe mbarë njerëzimit të mendojnë, të hulumtojnë, të përdorin mendjen, ndoshta, për herë të parë në jetën e tyre. Në shumë ajete të Kuranit, njerëzve u mësohet të marrin në shqyrtim natyrën dhe të mësojnë prej saj, pasi ata mund ta njohin Zotin vetëm pasi të kenë shqyrtuar krijimin e Tij. Për këtë arsye, në një nga vargjet e Kuranit, muslimanët përkufizohen si njerëz që mendojnë rreth krijimit të qiejve dhe të tokës:

Ata që e përkujtojnë Zotin në këmbë, ulur e shtrirë dhe mendojnë për krijimin e qiejve e të tokës: "O Zoti ynë! Ti nuk e ke krijuar këtë më kot. Lëvduar qofsh! Na ruaj nga dënimi i zjarrit! {Kurani 3 : 191}

Si pasojë, për një musliman shfaqja e interesit për shkencën përbën një formë shumë të rëndësishme të adhurimit të Zotit. Në shumë vargje të Kuranit, Zoti u mëson muslimanëve të hulumtojnë qiejt, tokën, qeniet e gjalla apo vetë ekzistencën e tyre dhe të mendojnë për to. Kur lexojmë ajetet kuranore, ne gjejmë tregues të të gjitha degëve të shkencës.

Për shembull, Zoti në Kuran nxit zhvillimin e shkencës së astronomisë:

Ai i krijoi qiejt një mbi një. Ti nuk do të gjesh asnjë të metë në krijimin e të Gjithëmëshirshmit. Vështro, pra, përsëri! A sheh ndonjë të çarë? {Kurani 67 : 3}

Në Kuran, Zoti nxit, gjithashtu, studimin e botanikës:

"Allahu është Ai që bën të zbresë ujë nga qielli, me të cilin bëjmë të lindin lastarë të çdo lloji. Prej tyre mundësojmë të lindë bimësi e prej saj, grurë në kallinj e palma, nga lëpushat e të cilave varen vile hurmash. E kopshte të mbjellë me vreshta e ullinj e shegë, që ngjajnë por që janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Vëzhgoi frutat tek formohen e piqen! Ja, pra, shenja për njerëz që besojne! {Kurani 6 : 99}

Në një tjetër varg të Kuranit, Zoti tërheq vëmendjen tek zoologjia:

Nga gjëja e gjallë, ju duhet të nxirrni mësim...
{Kurani 16 : 66}

Ajeti i mëposhtëm është një varg kuranor që ka lidhje me arkeologjinë dhe antropologjinë:

A nuk kanë udhëtuar në tokë dhe nuk e kanë parë përfundimin e popujve të mëparshëm? {Kurani 30 : 9}

Në një varg tjetër kuranor, Zoti tërheq vëmendjen tek provat dhe argumentet ekzistencës së Zotit në trupin e vetë njeriut:

"Në tokë ka argumente të qarta për ata që besojnë vendosmërisht. Edhe në vetveten tuaj, gjithashtu, ka argumente. A nuk mendoni, pra?
{Kuran 51:20-21}

Siç mund të shohim, Zoti u rekomandon muslima-nëve në Kuran të gjitha fushat dhe shkencat. Për këtë arsye, rritja e ndikimit të Islamit në histori solli, në të njëjtën kohë, edhe zhvillimin e njohurive shkencore.

RILIDNJA SHKENCORE E LINDJES Sث MESME
Kur Profeti Muhamed (a.s.) filloi të predikonte Islamin, arabët ishin një bashkësi fisesh të paditur e plot bestytni. Por, falë dritës së shpalljes hyjnore, ata shpëtuan nga bestytnitë dhe nisën të ndjekin udhën e arsyes. Si rezultat, një nga zhvillimet më mahnitëse në historinë botërore ndodhi në disa dhjetra vjet pas ardhjes së fesë Islame, e cila lindi në qytezën e vogël të Medines për t'u shpërndarë nga Afrika në Azinë qendrore. Arabët, që më parë nuk mund të qeverisnin në harmoni as edhe një qytet të vetëm, u bënë qeverisës të një perandorie botërore. Një nga tiparet më të rëndësishme të kësaj qeverisjeje ishte se ajo siguroi bazën për një zhvillim shkencor të paparë më parë në histori. Në një kohë kur Europa përjetonte errësirën mesjetare, bota islame krijoi trashëgiminë më të madhe të dijes shkencore që kishte njohur historia deri në atë kohë. Shkencat e mjekësisë, gjeometrisë, algjebrës, astronomisë dhe madje sociologjisë u zhvilluan sistematikisht për herë të parë.

Qendrat e mëdha të mësimit fetar ishin, njëkohësisht, qendra të dijes e të zhvillimit shkencor. Qendra të tilla zyrtare filluan të hapen gjatë kohës së abasidëve (750-1258 e.s.), kur u ngritën mijëra shkolla. Në shekullin e dhjetë në Bagdad kishte më shumë se 300 shkolla. Aleksandria e shekullit të katërmbëdhjetë kishte 12,000 studentë. Në shekullin e dhjetë u zhvillua në Bagdad koncepti formal "medrese" (apo ndryshe- shkollë). Medreseja kishte një kurrikulum dhe mësues që punonin me kohë të plotë e të pjesshme. Prej andej u zhvilluan libraritë (mektebet) dhe u përfituan librat e huaj. Dy nga libraritë më të famshme ishin Bejtu'l-Hikme në Bagdad (rreth vitit 820) dhe Daru'l-ilm në Kairo (rreth vitit 998). Universitete si El-Ez'heri (969 e.s.) u ngritën shumë kohë përpara atyre në Europë. Bota islame ngriti universitetet dhe madje spitalet e para në botë.
Ky fakt mund të habisë shumë perëndimorë bashkëkohorë që në përgjithësi, kanë një përfytyrim krejt të ndryshëm për Islamin në mendjet e tyre, por ai përfytyrim u lind nga padija për fillimet e historisë dhe qytetërimit islam. Ata që u shpëtojnë kësaj padijeje, si dhe disa paragjykimeve, njohin natyrën e vërtetë të Islamit. Një shembull është dokumentari i fundit i PBS-së, i titulluar "The Empire of Faith" (Perandoria e besimit), në të cilin komentuesi pohon me të drejtë:


Në shpalosjen e historisë, qytetërimi islam ka qenë një ndër arritjet më të mëdha të njerëzimit... Për Perëndimin, shumë nga historia e Islamit është errësuar pas një tisi frike dhe keqkutimi. Megjithatë, historia e fshehur e Islamit është e ndërthuar thellë dhe në mënyrë të çuditshme me qytetërimin perëndimor... Ishin ata (dijetarët muslimanë) që hodhën farërat e Rilindjes, 600 vjet përpara lindjes së Leonardo da Vinçit. Nga mënyra se si i shërojmë të sëmurët e deri te numrat që përdorim për numërim, kulturat përreth globit kanë marrë formë nga qytetërimi islam.

Në një artikull të botuar në Salon.com, një zë i rëndësishëm i shquar i medias liberale amerikane, shkrimtari Xhorxh Rafael, shkruan në një artikull të titulluar "A Is For Arabs" (A-ja tregon arabët):

Nga algjebra dhe kafeja, te kitarrat, optika dhe universitetet... Perëndimi u ka borxh njerëzve të Gjysmëhënës... Një mijëvjeçar më parë, ndërsa Perëndimi ishte zhytur në errësirë, Islami i gëzohej epokës së artë. Ndriçimi në rrugët e Kordovës, kur Londra ishte një guvë barbare; toleranca fetare në Toledo, ndërsa pogromet bënin kërdinë nga Jorku në Vjenë. Si mbrojtës të trashëgimisë klasike, arabët ishin bashkëshortë të Rilindjes sonë. Ndikimi i tyre, sado i huaj që mund të duket, mbetet gjithmonë pranë nesh, pavarësisht nëse shprehet përmes një filxhani me kafe të nxehtë apo përmes algoritmesh në programe kompjuterike.



MENDJA E HAPUR E ISLAMIT
Ajo që i lejoi muslimanët të krijojnë një kulturë shkencore kaq të përparuar rridhte nga karakteristikat e botëkuptimit islam. Njëri prej tyre, siç kemi vërejtur më lart, ishte motivi i të mësuarit mbi gjithësinë dhe natyrën sipas parimeve kuranore. Një tjetër ishte edhe mendja e hapur. Urtësia kuranore dhe mësimet profetike u jepnin muslimanëve një vështrim global ndaj botës dhe i bënin që t'i kapërcejnë barrierat kulturore. Në Kuran, Zoti shpall:
O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre dhe ju ndamë në popuj e fise që të njihni njëri-tjetrin..." {Kurani 49 : 13}

Ky varg nxit marrëdhëniet kulturore mes kombeve dhe bashkësive të ndryshme. Në një varg tjetër të Kuranit thuhet se "lindja e perëndimi i përkasin vetëm Allahut" (2:115), prandaj muslimanët duhet ta shohin botën me një vizion universal.

Thëniet e Profetit, gjithashtu, e mbështesin këtë vizion. Në një hadith shumë të njohur, Profeti u thotë muslimanëve se "dituria është si pasuria e humbur e muslimanit; ai e merr atë kudo që e gjen". Kjo do të thotë se muslimanët duhet të jenë shumë pragmatistë e mendjehapur në përshtatjen dhe përdorimin e arritjeve kulturore e shkencore të jomuslimanëve. Edhe jomuslimanët janë, gjithashtu, krijesa të Zotit, megjithëse disa prej tyre mund të mos e pranojnë këtë.
Në ngritjen e shkencës islame, roli i kësaj mendjeje të hapur ka qenë shumë i qartë. Xhon Espozito, profesor në universitetin e Xhorxhtaunit, një ndër ekspertët perëndimorë të Islamit, bën komentin e mëposhtëm:

Zanafilla e qytetërimit islam ishte me të vërtetë një përpjekje bashkëpunuese që mishëroi mësimet dhe urtësinë e shumë kulturave dhe gjuhëve. Në administrimin e qeverisjes, të krishterët e çifutët që kishin qenë boshti intelektual dhe burokratik i perandorisë bizantine, morën pjesë në proces njëlloj si muslimanët. Kjo përpjekje ishte e dukshme në Shtëpinë e Diturisë të Kalifit el-Memun, (i cili sundoi në vitet 813-833) dhe në qendrën e përkthimit që kryesohej nga dijetari i njohur Hunejn ibn Isak, një i krishterë nestorian. Kjo periudhë përkthimi dhe përthithjeje u ndoq nga një krijimtari intelektuale dhe artistike nga ana e muslimanëve, të cilët pushuan së qeni çirakë dhe u bënë mjeshtra, në procesin e prodhimit të qytetërimit islam, të mbizotëruar nga gjuha arabe dhe nga këndvështrimi i Islamit për jetën...
Kontribute madhështore u dhanë në shumë fusha: letërsi e filozofi, algjebër e gjeometri, shkencë e mjekësi, art e arkitekturë... Qendra të mëdha urbane kulturore në Kordovë, Bagdad, Kairo, Nishapur e Palermo u shfaqën dhe eklipsuan Europën e krishterë, të mbetur në baltën e Mesjetës.

Sipas njërit nga studiuesit e mëdhenj muslimanë të kohës sonë, Sejid Husejn Nasr, shkenca islame ishte "e para shkencë e një natyre vërtet ndërkombëtare në historinë njerëzore."
Duhet të kemi parasysh se muslimanët nuk mishëruan kulturat e tjera, por zhvilluan një kulturë të tyren. Disa komentues e lënë pas dore këtë të vërtetë dhe përpiqen ta lidhin zhvillimin shkencor të muslimanëve me ndikimin e Greqisë së Lashtë dhe Lindjes së Largët, por burimi i vërtetë i shkencës islame ishte eksperimentimi dhe vëzhgimet e shkencëtarëve muslimanë. Në librin e tij "The Middle East" (Lindja e Mesme), profesori Bernard Ljuis, një ekspert me famë në historinë e Lindjes së Mesme, shpjegon si më poshtë:

"Arritja e shkencës islame të Mesjetës nuk është e kufizuar në ruajtjen e mësimit grek, as në mishërimin e elementeve nga Lindja e Largët. Kjo trashëgimi që përcollën shkencëtarët muslimanë të Mesjetës ishte pasuruar pafundësisht nga përpjekjet dhe kontributi i tyre. Shkenca greke, në tërësi, mbeti teorike. Shkenca mesjetare e Lindjes së Mesme ishte praktike dhe në fusha të tilla si mjekësia, kimia, astronomia dhe agronomia, trashëgimia klasike u qartësua dhe u plotësua nga eksperimentet dhe vëzhgimet e shkencëtarëve mesjetarë të Lindjes së Mesme."

Sikurse theksohet nga perëndimorët, kultura e përparuar shkencore e botës islame i hapi rrugën Rilindjes Europiane. Shkencëtarët muslimanë vepruan duke e ditur se hulumtimi i krijimit hyjnor ishte një rrugë, nëpërmjet së cilës ata do të mund të njihnin fuqinë e Zotit. Espozito thekson se "shkencëtarët muslimanë, që ishin shpesh edhe filozofë të mistikës e shihnin gjithësinë fizike si një manifestim të pranisë së Zotit, Krijuesit dhe burimit të njëshmërisë dhe harmonisë në natyrë." Me ndjekjen e këtyre gjurmëve dhe me grumbullimin e dijes në botën perëndimore, filloi përparimi i Perëndimit.


PREJARDHJA TEISTE E SHKENCثS PERثNDIMORE

Europa mesjetare qeverisej nga regjimi dogmatik i Kishës Katolike, e cila i kundërvihej lirisë së mendimit dhe ushtronte trysni mbi shkencëtarët. Njerëzit mund të dënoheshin nga Inkuizicioni thjesht për arsye se bartnin besime e ide të ndryshme. Librat e tyre digjeshin dhe ata vetë ekzekutoheshin. Trysnia mbi kërkimin shkencor në Mesjetë përshkruhet shpesh në librat e historisë, por disa e interpretojnë gjendjen në mënyrë të gabuar dhe pretendojnë se shkencëtarët që iu kundërvunë Kishës ishin kundër fesë.

E vërteta është pikërisht e kundërta. Shkencëtarët i kundërviheshin fanatizmit të Kishës, por ata ishin besimtarë. Ata nuk ishin kundër fesë, por kundër klerit të ashpër të asaj kohe. Për shembull, astronomi i famshëm Galileo, që Kisha deshi ta dënonte për arsye se pretendonte që toka rrotullohej, ka thënë:

"I kushtoj falenderime të pafund Zotit që u tregua kaq bujar, sa të më bëjë mua të parin vëzhgues të mrekullive që kishin mbetur të fshehura në shekujt e mëparshëm."

Shkencëtarë të tjerë që themeluan shkencën bashkëkohore shprehnin besim të gjithë. Kepleri, i njohur si themeluesi i astronomisë bashkëkohore, u tha atyre që e pyetën se pse e lodhte veten me shkencën:

"Kisha për qëllim të bëhesha teolog... por tani unë e shoh se Zoti, në përpjekjet e mia, është i lëvduar edhe në astronomi, sepse 'qiejt shpallin lavdinë e Zotit'.
Kurse Njutoni, një ndër shkencëtarët më të mëdhenj në histori, sqaroi arsyet që qëndronin pas zellit të tij për punën shkencore duke thënë:

"Ai (Zoti) është i përjetshëm dhe i pafund, i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëditur; pra, vazhdimësia e Tij mbërrin nga përjetësia në përjetësi; prania e Tij, nga pafundësia në pafundësi; Ai sundon gjithçka dhe di gjithçka që është ose që mund të bëhet... Ne e njohim atë vetëm nga krijimi plot urtësi e madhështi i sendeve... Ne e nderojmë dhe e adhurojmë Atë si robër të Tij..."

Gjeniu i madh, Paskali, babai i matematikës së sotme, ka thënë:

"Përmes besimit ne njohim ekzistencën e Tij (Zotit); në lavdi do ta njohim natyrën e Tij."Shumë themelues të tjerë të shkencës bashkëkohore perëndimore ishin, gjithashtu, besimtarë të patundur të Zotit. Për shembull:

" Von Helmont, një ndër figurat kryesore të kimisë bashkëkohore dhe shpikës i termotmetrit, ka deklaruar se shkenca është pjesë e besimit.
" Xhorxh Kuvier, themelues i paleontologjisë bashkëkohore, i shihte fosilet si prova të mbjetuara të Krijimit dhe mësonte se qeniet e gjalla ishin krijuar nga Zoti.
" Karl Lineus, që sistematizoi i pari klasifikimin shkencor, besonte në Krijim dhe deklaronte se rregulli natyror ishte një provë domethënëse e ekzistencës së Zotit.
" Gregor Mendel, themeluesi i gjenetikës, një-kohësisht murg, besonte në Krijim dhe kundërshtonte teoritë evolucionare të kohës, si atë të darvinit dhe të lamarkut.
" Lui Paster, emri më i madh në historinë e mikrobiologjisë, provoi se jeta nuk mund të krijohej nga lëndë inerte dhe mësonte se jeta ishte një mrekulli e Zotit." Maks Plank, fizikanti i famshëm gjerman thosh-te se Krijuesi i gjithësisë ishte Zoti dhe theksonte se besimi është një cilësi e nevojshme e shkencëtarëve.
" Albert Ajnshtain, i njohur si shkencëtari më me famë i shekullit të 20-të, thoshte:
"Shkenca pa besimin në Zot është e çalë."
 
Back
Top