PiNkY
Anëtar i Nderuar
Suzana Skeja është gruaja me histori të trishtë, që ka shkaktuar jo pak revolta dhe indinjata publike. Vajza ka humbur zërin gjatë një operacioni për tiroidet të kryer në vendin tonë dhe prej kohësh ka kërkuar që 'drejtësia të shkojë në vend dhe përgjegjësit për fatkeqësinë e saj të vihen përpara ligjit'.
Skeja ka kërkuar ndihmë në disa institucione, por duket se ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete për shqetësimin e saj.
Zonja iu drejtua ditën e sotme Kryeministrisë për të biseduar me përfaqësues lidhur me çështjen. “Më ofenduan ‘s’ke surrat për të hyrë këtu’ dhe menjëherë erdhën punonjësit e policisë nr. 1 dhe më shoqëruan në komisariat”,- rrëfeu Suzana për Shqiptarja.com, ndërsa shtoi se e mbajtën 5 orë brenda në komisariat.
Burime pranë policisë, të kontaktuar nga redaksia jonë, thanë se e shoqëruan në komisariat për t’i bërë pyetje, në mënyrë që të kuptonin më mirë ngjarjen dhe e mbajtën vetëm 20 minuta.
Suzana kreu ndërhyrjen në nëntor të vitit 2010, pasi u konsultua me mjekun përgjegjës në QSUT. Pas operacionit zëri i saj ishte larguar pothuajse plotësisht, ndërsa shenja post-operative ishte shumë e madhe për një ndërhyrje të tillë.
Për shkak të gjendjes së zërit të saj, ajo është sot e papunë, ndërsa pohon të ketë pësuar një lodhje të madhe psikologjike. Disa vite më parë Suzana hapi një padi kundër QSUT dhe disa klinikave private që operojnë në Tiranë, të cilat, sipas saj, gjykata i ka favorizuar.
"Aktet e ekspertimit ishin në favorin tim, por kjo nuk i mjaftoi gjyqtares Selvie Gjocaj dhe e rrëzoi padinë se gjasme s’vërtetohet shkak-pasoja. Argumentat dhe faktet janë të pamohueshme."- rrëfeu zonja Skeja për Shqiptarja.com.
Ditën e sotme, ndërkohë që e mbanin në komisariat, Suzana e ka çuar luftën e saj në Facebook, si i vetmi vend ku mund t'i dëgjohet zëri.
"Shtet Rrugaçe doktorara kasape gjyqtare te korruptuar........nuk ka fakte qe zeri ka ik nga operacioni",- ka shkruar ajo disa orë më parë në llogarinë e saj, ndërsa pak më vonë shënoi vendndodhjen e saj në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.
Ndërkohë shumë personazhe publikë janë solidarizuar me Suzanën dhe historinë e saj tronditëse dhe kanë kërkuar lirimin e saj të menjëhershëm. Ka humbur mjaftueshëm.
/ shqiptarja.com /