Huaja dhe disa nga dispozitat e saj

Kresha

A pretty face can never trick me


Në gjuhën arabe kemi dy shprehje të cilat përdoren me kuptimin e huasë:

1. fjala: “dejn” të cilën mund ta përkthejmë si “borxh”, që nënkupton gjithçka që bie mbi përgjegjësinë e dikujt ndaj tjetrit, dhe kjo ndodh me anë të njërës nga tri gjërat që janë: kontrata, shfrytëzimi dhe huaja, ku edhe në shqip borxhi ka kuptim më të gjerë se sa vetëm për huadhënie, dhe



2. fjala “kard” të cilën mund ta përkthejmë si “hua”. Shpeshherë përdoret njëra në vend të tjetrës, por dallimi është se çdo hua (kard) është borxh (dejn) dhe jo e kundërta, ngase huaja (kard) përdoret vetëm për huazimin e parave. Huaja në gjuhën shqipe nuk ka të bëjë vetëm me paratë, por edhe më gjësende të tjera, në këtë temë kur përmendet huaja për qëllim është huaja e parave.

Huaja në përkufizimet e fukahave do të thotë “Dhënia e parave për shfrytëzim për t’i kthyer ato më vonë”. Huadhënia përveç që është legjitime ajo është edhe e preferuar, madje inkurajimi për të është i qartë në librin e Allahut dhe Sunetin e Resulullahit (lavdërimi i Allahut dhe paqja qofshin mbi të). Në disa ajete Allahu e përmend huadhënien, duke e kërkuar atë për Veten gjë e cila ia ngre vlerën lart huadhënies:

“Ata që japin lëmoshë e që i japin Allahut një hua të mirë, qofshin burra ose gra, do t’u shumëfishohet përfitimi dhe do të kenë një shpërblim fisnik.” (Hadid: 18),​

Ajete të ngjashme janë të shumta në Kuran.

Po ashtu nga hadithet, të cilat legjitimojnë huan është ai që përcjell Buhariu nga Ebu Hurejre, se lajmëtari i Allahut ka thënë:

“Kush iu merr njerëzve para, me qëllim që t’i kthejë ato, Allahu i kthen për të. Kush iu merr njerëzve para me qëllim t’i shfrytëzojë (asgjësojë) ato, Allahu e asgjëson atë”.

Dijetarët muslimanë kanë rënë në konsensus për lejueshmërinë e huas së mirë. Sidomos kur dihet se huaja e mirë ka urtësi të shumta, ku njeriu mësohet të japë nga pasuria e tij, dhe kjo çrrënjos nga shpirti farën e koprracisë, si dhe vë në dukje parimin e vëllazërisë, i cili duhet të mbizotërojë në shoqëri duke praktikuar fjalën e Allahut “Vërtetë besimtarët janë vëllezër.” (Huxhurat: 10) Me legjitimitetin e huas realizohet parimi i solidaritetit dhe mbështetjes në mes muslimanëve, duke praktikuar fjalën e Allahut: “Ndihmohuni në të mira dhe devotshmëri, e mos u ndihmoni në të këqija dhe armiqësi.” (Maide: 2).

Si të ruhet huaja? Meqenëse njerëzit nuk janë të gjithë zemërbardhë dhe shumë prej tyreve u është njollosur natyrshmëria humane, ndonëse gjërat mund të ndodhin edhe pa qëllim të keq, për këtë Islami ka ligjësuar disa gjëra me anë të cilave ruhen kontratat nga shtrembërimi, dhe mbrohen të drejtat nga mohimi, gjë e cila ndikon që transaksionet të jenë më të pastra dhe më aktive, dhe dijetarët muslimanë kanë preferuar që çdo kontratë të ruhet me një nga metodat që do të përmenden në vijim, madje disa këtë e konsiderojnë si obligim. Nga metodat për ruajtjen e huas janë:

1. Shkrimi: është prej metodave më të mira për ruajtjen e informatave nga humbja apo shtrembërimi, dhe është metodë e vjetër në historinë e njerëzimit, të cilën Kurani e ka vlerësuar dhe na ka porositur që me rastin huas të jemi të kujdesshëm në shkrimin e saj dhe kjo bëhet në ajetin më të gjatë në Kuran, ku thuhet:

“O besimtarë! Shkruajeni huan që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar. Le ta shënojë atë me drejtësi një shkrues ndërmjet jush; asnjë shkrues të mos ngurrojë që ta shënojë ashtu siç e ka mësuar Allahu. Ai le të shënojë, kurse borxhliu le të diktojë dhe le t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet, duke mos lënë mangët asgjë nga borxhi! Në qoftë se borxhliu është mendjelehtë ose i mitur, ose i tillë që nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë saktësisht kujdestari i tij.”[/COLOR](Bekare: 282).


2. Dëshmia është gjithashtu nga metodat me të cilat ruhet huaja nga humbja ose shtrembërimi. Allahu në Kuran thotë:

“Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët nuk duhet të kundërshtojnë kurdo që të thirren.” (Bekare: 282).

3. Garancia (dorëzania), që do të thotë me rastin e huas është e lejuar që huadhënësi të kërkojë garanci (dorëzanë) nga huamarrësi, që me rastin e mos-kthimit të huas përgjegjësia bie mbi dorëzanin. “Thanë: “Po kërkojmë gotën e mbretit. Kush e sjell atë, ka shpërblim një barrë deveje ushqim. Unë për këtë jam dorëzënës”. (Jusuf: 72).

4. Marrja peng është prej metodave më të rëndësishme për të ruajtur huan e huadhënësit dhe për të mundësuar kthimin e saj, dhe me rastin e pamundësisë së kthimit shitet pengu dhe lahet borxhi, nëse mbetet diçka tepricë i kthehet pronarit të pengut.

“Nëse jeni në udhëtim e nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng.” (Bekare: 283).
Enesi tregon se:

“Resulullahi kishte lënë peng mburojën e tij për disa masa elb që kishte marrë (nga një çifut)”. (Buhariu)

“اdo hua e cila sjell dobi (interes) është kamatë”

A është çdo interes që sjell huaja kamatë apo ka disa nga to që nuk ndalohen në Islam, dijetarët i kanë ndarë interesat fillimisht në dy lloje:

Interesa të kushtëzuara në kontratë dhe kjo shfaqet në disa forma:

Kushtëzimi i rritjes së sasisë së huas në kthim, që njihet si kamatë.

Kjo s’ka dyshim se është e ndaluar dhe për këtë nuk diskuton askush, Allahu thotë: “Allahu e ka lejuar shitblerjen dhe e ka ndaluar kamatën.” (Bekare: 275).

Kushtëzimi i një vendi tjetër ku do të kthehet huaja për dallim nga vendi ku është marrë.

Nëse ky kusht është në interes të dy palëve, dhe sidomos të huamarrësit është i lejuar, ngaqë esenca e huadhënies është bamirësia ndaj huamarrësit, dhe përderisa në këtë bamirësi shtohet edhe lehtësimi i vendit të kthimit, kjo nuk e bën të ndaluar huamarrjen, edhe nëse huadhënësi konkretisht nuk ka ndonjë interes.

Kushtëzimi i afatit për kthimin e huas, është i lejuar dhe nuk konsiderohet nga interesat e ndaluara.

Kushtëzimi i dhuratës për atë që mundëson huamarrjen, si të thotë: më gjej një hua 100 euro, 10 euro t’i jap ty! Kjo nuk është e lejuar përveç nëse personi ka shpenzuar diçka për të arritur deri te marrja e huas në këtë rast i paguhen harxhimet si udhëtimi etj., ndërsa vetëm për shfrytëzimin e autoritetit të tij nuk lejohet të paguhet asgjë.

Kushtëzimi i huas për hua, pra huadhënësi të thotë: të jap hua, nëse më jep hua më vonë, qoftë në raport me bankën apo individin, kjo nuk lejohet ngase huamarrësi dëmtohet me dhënien e huas, duke u detyruar t’ia ndërrojë destinimin të hollave pa dëshirën e tij, të cilat i ka planifikuar për diçka tjetër, ndërsa huadhënësi dëshiron që me huan e dytë të kompensojë zbrazëtirën e shkaktuar me huadhënien e parë.

Nga ky rregull përjashtohet ajo që ndodh në mes studentëve ose grupeve të ndryshme, të cilët formojnë një fond ku secili jep një shumë çdo muaj për të marrë hua pastaj sipas nevojës, ngase në këtë rast kjo bëhet në formë vullnetare dhe humane.

Interesat e pakushtëzuara në hua, ndahen në dy grupe:

Interesa materiale

Theksuam konsensusin për ndalesën e interesave materiale të kushtëzuara, qoftë ai interes në fillim të kontratës apo në fund, ndërsa për interesat e pakushtëzuara, më i sakti nga mendimet e dijetarëve është se lejohen kur shtesa nga ana huamarrësit bëhet nga dëshira e tij në shenjë mirënjohjeje dhe bamirësie, madje kjo është e preferuar ashtu si na është përcjellë nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut –lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të- kishte huazuar një kafshë dhe kur e kishte kthyer kishte dhënë një kafshë më të mirë për nga cilësia, dhe kishte thënë:

“Më të mirët nga ju janë më mirënjohësit në larjen e borxhit.” [/COLOR](Nesaiu).

Interesat e pakushtëzuara gjatë afatit të huas, pra, para kthimit të saj, si t’i japë ndonjë dhuratë, apo t’ia lehtësojë ose ta ndihmojë në ndonjë punë. Nëse ky veprim vjen si rezultat i huas dhe për shkak të saj, nuk lejohet, sepse është një lloj mite, që huadhënësi të jetë më tolerant me huamarrësin, ose t’ia shtyjë afatin, ose t’i huazojë prapë etj., si dhe është interes i huadhënësit përballë huas së dhënë. Nëse ky veprim nuk bëhet për shkak të huas, por ka qenë zakon i tij dhe raporti mes tyre nuk ka ndryshuar para dhe pas huas, është e lejuar. Por duhet ditur se kamata që jepet nga bankat konvencionale nuk është në emër të bamirësisë dhe mirënjohjes.

Interesa jo materiale (morale)

Falënderimi, lavdërimi dhe lutja për huadhënësin, ky interes për huadhënësin është i lejuar dhe madje i inkurajuar për huamarrësin, Ibën Omeri rrëfen se Resulullahi -lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të- ka thënë:

“Kur dikush ju bën ndonjë të mirë shpërblejeni, po nëse nuk keni atëherë lutuni për të, aq sa mendoni se e keni shpërblyer.” (Ebu Davudi).
Interesi i huadhënësit nga autoriteti i huamarrësit, nëse dikush jep hua jo për hir të Allahut dhe për ta ndihmuar nevojtarin, mirëpo për të pasur merita ndaj tij, dhe të shfrytëzojë autoritetin ose pozitën e tij në raste të ndryshme, kjo është e ndaluar.

Etika e huas: Meqenëse huaja është prej gjërave me të cilat synohet bamirësia dhe lehtësimi ndaj nevojtarit në Islam ka një etikë, së cilës duhet t’i përmbahen, edhe huadhënësi, edhe huamarrësi.

Etika që ka të bëjë me huadhënësin:

Pritja e borxhliut dhe lehtësimi ndaj tij.

Ebu Hurejre tregon se i Dërguari i Allahut –lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të- ka thënë:

“Një tregtar u jepte hua njerëzve dhe kur e shihte ndonjë (huamarrës), që ishte në gjendje të vështirë u thoshte djelmoshave të tij tejkalojeni (faleni) ndoshta Allahu na tejkalon neve, e Allahu e tejkaloi (fali) atë”. (Buhariu).
Toleranca dhe mirësjellja me huamarrësin gjatë kërkimit të kthimit të huas dhe marrjes së saj, Xhabiri tregon se i Dërguari i Allahut –lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të- ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë një njeri, i cili është tolerant (i lehtë) në shitje, në blerje dhe në hua.” (Buhariu).
Falja e borxhit ose një pjese të tij, Allahu në librin e tij thotë:

“Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit.” (Bekare: 280).
Kurtubiu duke komentuar fjalën “të jepni lëmoshë është më mirë” do të thotë se të dhënit lëmoshë huamarrësit, përkatësisht falja e tij, është më e mirë tek Allahu, se sa pritja ose shtyrja e afatit.

* vërejtje: nuk lejohet falja e borxhit të llogaritet si pjesë e zekatit, por duhet dhënë të hollat, pastaj huamarrësi është i lirë të kthejë huanë ose t’i shpenzojë për nevoja të tjera.

Etika që ka të bëjë me huamarrësin:

Kthimi i huas në formën më të mirë, më lart përmendëm vlerën që i Dërguari i Allahut –lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të- ka treguar për mirënjohësit në larjen e borxhit, si dhe vetë ai kur e kthente huan jepte më tepër nga vetja.

Mosvonimi i huas, vonimi i kthimit të huas pa arsye është i ndaluar fetarisht dhe është një padrejtësi e madhe për të cilën i Dërguari i Allahut –lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të- ka thënë:

“Vonimi i kthimit të huas nga ana e atij që ka mundësi ta kthejë atë, lejon përfoljen dhe ndëshkimin e tij.” (Nesaiu).
Kujdesi për ta larë borxhin, muslimani gjithmonë duhet të jetë i kujdesshëm që ta kthejë huan sa më parë, dhe ta pastrojë veten nga kjo përgjegjësi përpara se të vijë momenti i vdekjes, sepse borxhi nuk i falet as shehidit, dhe borxhliu nuk është i qetë në varr deri sa t’i lahet borxhi, siç është e njohur kjo nga hadithet e të Dërguarit të Allahut –lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të.

A është më e vlefshme lëmosha apo huaja? Rreth kësaj çështje ekzistojnë disa hadithe të dobëta që bëjnë dallimet në vlerësimin e njërës ndaj tjetrës, si dhe dijetarët kanë diskutuar duke thënë se huan e merr vetëm ai që ka nevojë, ndërsa lëmosha mund të bjerë në dorë të jo-nevojtarit etj. Por mendimi më i saktë është se vlera e saj shtohet varësisht nga përfitimi prej saj dhe cili është më i nevojshëm për të: Lëmosha për nevojtarin është më e mirë se sa huaja për jo-nevojtarin, huaja për nevojtarin është më e mirë se lëmosha për jo-nevojtarin. Nëse që të dy janë të barabartë, pra që të dy janë nevojtarë, lëmosha është më e vlefshme, sepse lëmosha nuk ka kompensim dhe njeriu e jep atë vetëm për Allahun, ndryshe nga huaja ku huadhënësi pret kthimin e saj. Allahu e di më së miri. /Albislam/
 
Back
Top