Nga Anxhela Ferra
Kristiani nuk është njëri nga ata. Një nga shumë të rinj që duan të largohen nga Shqipëria, drejt vendeve të mundësive të mëdha, Gjermani, Angli, SHBA. Kristiani ishte atje, e kishte mundësinë të jetonte dhe u kthye.
Kristian Dimo, 23 vjeçari nga Tirana, e la Londrën, për qytetin e lindjes.
Ishte 18 vjeç kur u nis në kryeqytetin anglez për të ndjekur studimet. Për dy vjet studioi në CATS College Cambridge. Më pas, fitoi të drejtën të vazhdonte studimet në Universitetin Cass Business School, për biznes.
Londra është qyteti i mundësive, nuk ka mundësi të mos kesh shans aty, kur ke shkollimin e duhur. Dhe Kristiani e kishte. Kërkesat për punësim, atje vijnë qysh në shkollë. Dhe Kristiani i pati.
“Kur shkova nuk mendoja se do të rikthehesha në Shqipëri për të jetuar, s’kishte pse, pasi e ndjeja Londrën si qytetin tim, mbase ngaqë shkova dhe i vogël.
Më pas, me kalimin e viteve, teksa po i hyja më në thellësi profesionit, gjërat ndryshuan. Mendova se ishte më e arsyeshme dhe më e lehtë për të ngritur një biznes në Shqipëri. Sepse kjo më tërheq dhe te kjo besoj, ndërtimi i një biznesi. Ndaj, pa shumë dilema vendosa të kthehem,”- tregon Kristiani për dritare.net.
Tani në Londër, shkon herë pas here, por Tirana është shtëpia e tij. Nuk dëshiron të rikthehet në Londër për të jetuar, pasi këtu ka familjen, por është edhe biznesi personal që sapo ka krijuar “Go Taxi”, të cilin e frymëzon për të qëndruar në Shqipëri. Nuk ka frikë, nuk mendon se këtu nuk ia vlen të investosh. Përkundrazi.
“Gjithmonë kam dashur të krijoj një biznes timin. Qysh në studimet e mija mendoja dhe ëndërroja si do e realizoja. Ideja për shërbim taksish, më ka lindur nga një kompani amerikane Uber, ku çdo makinë është në pronësi të individit dhe jo të kompanisë. Ideja ime fillestare ka qenë kjo, por tregu këtu nuk e lejon. Me ndihmën e familjes dhe kredisë që mora në bankë, arrita ta vija në zbatim planin që kisha.”
Pavarësisht moshës së re, Kristiani e nisi biznesin me ide te qarta dhe i vendosur për të pasur sukses. Mbase shkolla, mbase shembulli i babait të tij, u bënë bashkë për të ndihmuar Kristianin në një rrugë të vështirë, por që të mrekullueshme.
“ثshtë pak e vështirë sepse konkurrentët tanë janë shumë të hershem, krahasuar me ne dhe e kanë krijuar emrin e tyre. Por, unë së bashku me stafin tim po mundohemi shumë të sjellim standarde të reja në shërbimin e taksive. Jemi duke ecur me hapa shumë të mirë, kemi vetëm katër muaj që operojmë dhe rezultatet janë të admirueshme.
Për momentin kemi 20 makina Skoda Oktaviate 2016, të cilat ofrojnë siguri dhe komoditet të lartë. Ndonëse për mua, më i rëndësishëm se vetë makina, është shoferi, ndaj bëj shumë kujdes në përzgjedhje, para se të punësohen.
Janë më shumë se 40 shoferë, kushti kryesor është profesionalizmi dhe komunikimi me klientët, duhet të ruhet etika. Për çdo makinë janë nga dy shoferë, të cilët janë të pajisur me uniforma nga kompania.
Kompania funksionon me qendrën operative, çdo rrugë i jepet operatorëve, të cilët kontaktojnë me shoferët. Kur qytetari hipën në taksi, shoferi i thotë operatorit vendndodhjen, që të ndiqet rruga në kohë reale, pasi çdo makinë është e pajisur me GPS.
Lëvizim në çdo qytetet të Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë. Kemi pasur shumë kërkesa edhe për në Prishtinë. Na rezervojnë qytetarë të thjeshtë, por edhe shumë këngëtarë, të cilët ikin me taksitë tona për në aeroportin e Prishtinës.
Kemi lidhur kontrata me shumë klube natë me të cilët punojmë dhe normalisht që fundjavat janë netët më të zëna.
Ne jemi 24 orë në shërbim, çdokush që do Go Taxi, mund të kontaktojë në numrin pa pagesë 0800 0100, (të klikojë këtu )ose shkarkojë aplikacionin mobile GoTaxi.”
Kristian thotë për dritare.net se shqiptarët janë të shfrenuar për jetën e natës dhe problemi fillon me klientët e dehur.
“Gjatë jetës së natës, problemet më të shumta vijnë nga klientët që janë të dehur, ka pasur raste që kanë ikur edhe pa paguar apo që bëjnë pis makinën. Por, duke qenë se Tirana nuk është aq e madhe, janë pothuajse gjithmonë të njëjtët persona.
Ajo që më ka bërë më tepër përshtypje për sa i përket jetës së natës në Shqipëri, është sa shumë rrinë në klube shqiptarët, natën dhe sa të shfrenuar janë. Në taksitë tona hipin njerëz të cilët dalin nga këto klube nate edhe në orën 7 të mëngjesit.”
Kristiani është një prej atyre të rinjve, prioriteti i të cilit është të rrisë biznesin e vet, duke shtuar se nëse punon fort edhe Shqipëria është një vend ku mund t’ia dalësh mbanë.
“Nëse do të bësh diçka, Shqipëria ta jep mundësinë që të rritesh e ta shijosh, por duhet të punosh dhe të guxosh. Unë atë po mundohem të bëj dhe prandaj them me bindje që nuk do të rikthehem në Londër për të jetuar. Por, do i plotësoj qëllimet e mia, këtu.”/ dritare.net
Redaktimi i fundit: