Një rajon i qendërzuar, që do të shërbejë si motori ekonomik i vendit. Kështu do të mund të projektohet zona Tiranë – Durrës, ndryshe e njohur me emrin e branduar “Durana” pas më shumë se një dekade. Agjencia e Planifikimit të Territorit, thotë se sfida do të jetë kthimi në një rajon që do të jetë i integruar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, mbi të gjitha, konkurrues. “Durana” synon që të mbështesë bizneset dhe industritë kreative nën një cikël të mbyllur, me qëllim që deri në vitin 2030, rajoni të ketë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto në rreth 10%, papunësia te të rinjtë të ulet me rreth 5% dhe investimet në teknologji të rriten me rreth 10%. Plani parashikon edhe krijimin e katër klasterave dhe katër inkubatorëve të zhvillimit.
Ky rajon vlerësohet si nyja kryesore në vend e burimeve njerëzore, mallrave, hapësirave të jetueshme dhe si porta hyrëse e Korridorit të 8. Ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e rajonit luajnë edhe “portat” logjistike, siç janë Porti i Durrësit dhe aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Për zhvillimin ekonomik, plani përcakton krijimin e dhjetë poleve strategjike, si ai autostradë – Kashar – Vlorë; Vlorë – Maminas; Kamëz – Nikël; Kinostudio; Aeroport – Vorë; Kashar – Kombinat – Vaqarr; Durrës – Shkozet; Durrës – Sukth/Shkozet; Spitallë – Porto Romano dhe Kavajë. Secila prej tyre do të ofrojë kushte për krijimin e bizneseve me cikël të mbyllur në logjistikë, fason, kreativitet etj.
Nga ana tjetër, rajoni konsiderohet si nyja më e rëndësishme e qarkullimit në nivel kombëtar, në të cilin është zhvendosur fluksi më i madh i akomodimit dhe shërbimit, si dhe shpërndarja e vizitorëve. Por, sipas studimit, ky rajon nuk ka arritur dot të krijojë identitetin e tij në raport me turizmin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Produktet turistike duhet të ndërlidhen me destinacione si Kruja, Elbasani apo Kavaja. Vizioni i ndërtimit të turizmit rajonal bazohet në krijimin e një destinacioni metropolitan të qëndrueshëm, me komunitet gjithëpërfshirës dhe multietnik, klimë biznesi të bazuar në shërbime inovative.
Krijimi i një marke rajonale vlerësohet faktori kyç në rritjen ekonomike të rajonit, ku parashikohet që bashkitë të hartojnë strategjitë duke u bazuar në pikat e forta, siç janë kapitali njerëzor i lartë, prezenca e modaliteteve të ndryshme, përqendrimi i shumë aktiviteteve ekonomik etj.
Mbi këto janë përcaktuar edhe pesë sistemet bazë territoriale që janë: ai urban, infrastrukturor, bujqësor, natyror dhe ujor.
Por, cili është vizioni që parashikon plani i integruar ndërsektorial i zonës ekonomike Tiranë – Durrës? Sipas dokumentit, ajo vlerësohet si një rajon që promovon dhe respekton stilet e shëndetshme të jetesës, aksesit në shërbimet shëndetësore cilësore dhe zhvillimin e komuniteteve të qëndrueshme. “Një nga hapësirat ekonomike më të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor me zhvillim të qenësishëm në punësim, infrastrukturë konkurruese, ku lëvizshmëria dhe aksesi në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar janë të përshtatshme me nevojat e banorëve dhe bizneseve. Një rajon që vlerëson të shkuarën historike dhe kulturore, e cila konkurron metropolet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer Tiranë – Durrës në një ambient tërheqës të talentit vendas dhe ndërkombëtar, të një krahu pune kreativ, i cili përputhet dhe ruan diversitetin ekonomik”.
Nga ana tjetër, sipas hartuesve të këtij plani, “Durana” do të shërbejë edhe si një praktikë e mirë për hartimin e planeve rajonale, duke qenë se Shqipëria nuk ka përvoja të tilla. Kjo është edhe arsyeja që “Durana” do të shërbejë si shembull për hartimin e planeve të tjera rajonale në vend.
Monitor.