Goranët në Kukës, gollobordasit në zonën e Bulqizës dhe Prespa e Vogël në Korçë, tani e tutje, do të njihen si pakicë kombëtare bullgare. Kjo, pasi Parlamenti i Shqipërisë, në seancën e ditës së premte, me vota unanime, miratoi ligjin e minoriteteve, ku u përfshinë në ligj edhe pakicat bullgare, që nuk kanë ekzistuar më parë. Sofja zyrtare pretendon se, sipas të dhënave jozyrtare, 50 mijë–100 mijë njerëz, që i përkasin etnisë bullgare, jetojnë në Shqipërinë Lindore
Ndërsa Shqipëria Zyrtare, më parë, ka njohur dy lloje minoritetesh: nacional-etnik dhe kulturor-linguistik. Kategoria e parë përfshin minoritetin grek, maqedonasit dhe serbo-malazezët. Ndërkohë që etnia e pretenduar bullgare nuk hyn në asnjërën prej këtyre kategorive. Por kërkesat e Bullgarisë për njohjen e “pakicës etnike bullgare” në Shqipëri kanë shkaktuar jo pak komente në mesin e komuniteteve joshqipfolëse, apo më saktë bilinguistike (dy gjuhësh ) në Kukës. Banorë nga Gora e Kukësit para konsullatës bullgare në Tiranë në pritje për të dorëzuar dokumentat.
Në dy dekadat e fundit, diplomatë të vendeve ballkanike dhe segmente të caktuara të politikës dhe akademive të shkencave të këtyre vendeve, duke përfituar nga rrethanat aspak të favorshme ekonomike të Shqipërisë, si dhe rrethana të tjera jo shumë komode në aspektin gjeopolitik, kanë treguar oreks në rritje për të “zbuluar” pakicat etnike në Shqipëri dhe mundësisht komunitetet me një numër sa më të madh.
Fshatrat e Kukësit
Një nga komunitetet e synuar për t’u përfituar si pakicë, janë goranët e Kukësit, të cilët banojnë në 9 fshatra të njësive administrative Zapod dhe Shishtavec të Bashkisë Kukës, si dhe një numër familjesh të shpërndara në Kukës, Tiranë, Durrës, etj. Goranët në Shqipëri janë deklaruar si shqiptarë, pa asnjë mëdyshje, në kohën e sundimit komunist në Shqipëri. Por me ndryshimet demokratike të ndodhura pas viteve 90-të të shekullit të kaluar, edhe goranët e Kukësit kanë kërkuar një farë autonomie kulturore, por kjo kërkesë e tyre nuk është realizuar, pasi pjesa që kërkonte këtë lloj autonomie ishte minorancë.
Por herë pas here, të ashtuquajtur lider të këtij komuniteti, në publikimet e tyre e kanë paraqitur veten, herë si maqedonas, herë si bullgarë, apo si myslimano-boshnjakë, por asnjëherë si serbë. Edhe ish-ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Gert Ahrens, gjatë një vizite të realizuar në Shishtavec, vite më parë, i ka quajtur goranët e Shqipërisë minoritet. Kjo deklaratë e ish-ambasadorit Ahrens ngjalli asokohe reagimet e banorëve të kësaj zonë, të cilët e kundërshtuan atë.
Në vitet ’90, kanë qenë serbët, që përmes përpjekjesh jo gjithnjë të qarta, janë munduar ta “përgatisin” si pakicë të tyre Gorën dhe goranët. Pas tyre, maqedonasit dhe së fundi, edhe bullgarët. Serbët, në vitet ‘90, ndërsa mbanin Kosovën nën shtypje të pashembullt policore e ushtarake, dhanë viza për goranët e Kukësit, me synimin, siç komentohej në atë kohë, të përgatisnin një ditë shpalljen e Gorës së Kukësit si pakicë etnike të tyre. Maqedonasit, nga ana e tyre, shkuan deri atje sa t’u premtonin jo vetëm viza goranëve, por edhe pasaporta maqedonase.
Vite më parë, aty nga fundi i viteve ’90 dhe fillimi i shekullit të 21-të , siç u shkrua në shtypin e kohës, udhëtoi jo zyrtarisht në Gorën e Kukësit, ambasadori i Maqedonisë në Shqipëri, për t’u dhënë banorëve premtime për benefite në këmbim të deklarimit si pakicë maqedonase. Të fundit, por duket se me të vendosurit, ishin bullgarët. Duke qenë anëtarë të BE-së, bullgarët, megjithëse të fundit, e kanë arritur qëllimin duke qenë një hap para të tjerëve lidhur me sensibilitetet e krijuara.
Siç pohojnë vetë goranët, në Sofje vepron prej vitesh një shoqatë me emrin e një poeti bullgar, një OJF me ndikim kur është fjala për të përfituar një vizë apo një pasaportë nënshtetësie të dyfishtë. (Bëhet fjalë për shoqatën “Ivan Vazov”, të themeluar dhe drejtuar nga Zehrudin Dokle, me origjinë nga fshati Borje i Kukësit. Aktualisht, dhjetëra goranë, të pajisur me vërtetime të OJF-ve, kanë bërë aplikimet për marrjen e pasaportave bullgare, ndërsa shumë të tjerë janë bërë tashmë bullgarë e rrjedhimisht “europianë”.
GJUHA
Deri tani, goranët, që flasin një variant të sllavishtes, kanë mbrojtur statusquonë. Shumica e tyre nuk janë treguar asnjëherë entuziastë për ofertat e ballkanasve, edhe për faktin se janë zhvendosur nga fshatrat e Gorës dhe banojnë në Kukës e qytete të tjera të Shqipërisë dhe janë integruar jo vetëm në jetën ekonomike dhe kulturore, por edhe atë politike të vendit, gjithnjë si shqiptarë dhe jo si pakicë etnike. Edhe në fshatin Shishtavec, si qendër administrative e Gorës, pavarësisht të folurit në sllavisht të pashkruar, ndryshe nga vendet e tjera që pretendojnë se janë minoritete, nuk sheh asnjë gjurmë të shkruar me germa cirilike, apo sllave. Tabela në hyrje të komunës është e shkruar në shqip dhe anglisht. Po ashtu, edhe tabela treguese për shtigjet për turistët. Ndërsa në muret, në qendër të fshatit, dikur qendër e kooperativës bujqësore që mbante emrin “Hysni Kapo”, ishfunksionar i lartë komunist në Shqipëri, ende ekzistojnë të vetmet parulla të sistemit komunist si “Lavdi Marksizëm-Leninizmit” dhe
“Plani i Pestë Pesëvjeçar Vepër e Vetë Masave” etj. Por një arsye më shumë. që hedh poshtë pretendimet bullgare, është se Gora është një, por e ndarë në dy pjesë, në Shqipëri e Kosovë. Ndërkohë që me Kushtetutë, Kosova është shtet multietnik, krahina e Gorës, e vendosur në komunën e Dragashit, kufi me Gorën e Kukësit, emërtohet si “komuniteti goran”, pas ndonjë lidhjeje me Bullgarinë.
GORANET
Goranët në Shqipëri ndihen të fyer po t’i etiketosh si sllavë. Etiketimi i tyre si banorë me origjinë sllave është fyerje për goranët. Pas ish-ambasadorit Gert Ahrens, i cili i quajti para disa vitesh si minoritet, ka pasur dhe të tjerë që i kanë quajtur goranët si popullsi sllave dhe që kanë mundur të marrin azil në Angli, duke u deklaruar si viktima të UاK-së dhe të bombardimeve të NATO-s në ’99-n. Këtë shqetësim për fyerjen që u është bërë nga shkrime të ndryshme, banorët e Shishtavecit ia kanë parashtruar edhe Kryeministrit Edi Rama, kur ai ishte për vizitë në këtë fshat më 25 tetor të vitit kaluar, përmes një emigranti që ndodhej në Angli, por kishte qëlluar aty për arsye familjare.
Por kryeministri e ka injoruar shqetësimin e emigrantit, duke injoruar edhe mediat që e kanë pasqyruar reportazhin. “Të jap vëllai një këshillë. Jeton në Angli, mirë ne që e kemi taksiratin me këto media këtu në Shqipëri, ti ke ‘The Guardian’, ‘The Independent’”, ka qenë përgjigjja e Kryeministrit Edi Rama ndaj shqetësimit të banorëve të Gorës, përcjellë përmes emigrantit që jetonte në Angli.
Panorama