Gjeneva, qyteti ndërkombëtar me histori të pasur shqiptare

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
Reportazh nga qyteti ku shkencëtarët po eksperimentojnë se si lindi universi

Këtë fillim shtatori e gjeta Gjenevën të përlotur nga kapriçot e natyrës. Shiu i imët e kishte shprishur paksa bukurinë e natyrës brilante dhe konfigurimin estetik, por jo imazhin që shfaqet fill pas lindjes së diellit. Nën petkun e pasqyrës së vet, një ndër 10 qytetet më të bukura dhe më të pasura të Evropës, shkëlqen si askush nga simotrat e tjera. Një qytet i qëndisur me shumë kujdes nga Zoti, i cili i ka dhënë me të dyja duart gjithçka, aq sa vendasit mburren për origjinën e tyre, edhe pse janë të paktë në numër. Tani është bërë më i zhurmshëm se kurrë nga prova historike e lindjes së universit.

Në të vërtetë, më shumë se 60% e popullsisë prej 185 mijë banorësh përbëhet nga të huajt, të cilët e kanë parë me zili këtë perlë botërore dhe kanë kryer aty procese historike shumë të rëndësishme, duke instaluar edhe një sërë institucionesh ndërkombëtare. Gjeneva është po ashtu një prej qyteteve më të gjelbra në botë, falë numrit të madh të parqeve dhe një numri të madh të vendeve për pushim dhe relaksim. Koha e kthjellët është karakteristike, temperatura është e ndryshueshme dhe dita mund të jetë me diell, ndërsa vetëm pas disa minutash mund të ketë shi. Disa thonë se dimri në këtë qytet më së shpeshti është i ftohtë dhe me borë, ndërsa ndonjëherë edhe i mjegullt. Pas Zyrihut, Gjeneva është vendi më i banuar në Zvicër, ku flitet gjuha frënge dhe është pa mëdyshje në listën e qyteteve me standard të lartë jetese.

Mirë se erdhët në qytetin e ndërkombëtarizuar!

Në mes shenjave dalluese të këtij qyteti historik është selia e Kombeve të Bashkuara, që mund të shihet dhe vizitohet në këtë qytet vetëm nga grupet turistike për shkak të sigurisë së numrit të madh të emrave të njohur ndërkombëtar që punojnë atje. Rrugës për në parkun kryesor të qytetit vihet re edhe selia e parë e Kryqit të Kuq, një institucion human i themeluar pikërisht në këtë qytet. Përpos shumë institucioneve të tjera, më krenar ngjan Liqeni i Gjenevës, si një prej simboleve etiketuese të këtij qyteti. Në të gjendet statuja e Jet d’eau, që është 140 metra e lartë dhe në ndonjë mënyrë e tregon fuqinë e vet hidraulike. “Flower clock” është një kopsht i mrekullueshëm, që rrethohet nga tufa të mëdha lulesh. ثshtë i përbërë nga 6500 lule dhe disa herë në vit bëhet ndryshim i aranzhimit të tyre. Në udhëtim e sipër s’ka si të mos të të bëjë përshtypje ishulli i Rusoit, që është krijuar në kujtim të filozofit nga Gjeneva Jean-Jacques Rousseau, shumë pranë lumit Ron dhe ofron një pamje të mrekullueshme, nëse gjendeni në një prej restoranteve të tij. Rreth tij, në pjesën jugperëndimore shtrihen dy vargje malore: Alpet dhe Jura. Numrin prej 185 mijë banorësh e përbëjnë kryesisht banorë të komunitetit protestant, të cilët jetojnë në një qytet me transport të zhvilluar, që i ka të gjitha llojet e komunikacionit. Në sport, më të njohura janë klubet futbollistike dhe ata të hokejit.

Liqeni i Gjenevës, çfarë perle!

ثshtë një ndër liqenet më të vjetër të botës më një ekosistem me gjallesa ujore si koran, belushke etj. Peizazhet magjepsëse liqenore nuk mund të lënë askënd pa u mahnitur. Sapo del me tren në të përparmen e Kodrës së Lozanës, syri të rrok pamje të mrekullueshme ujore të liqenit fantastik të Gjenevës, majtas e djathtas në Lozanë e deri në qytetin princëror. I shtrirë në një sipërfaqe të madhe me anije dhe varka të pafund me vela, liqeni i Gjenevës i jep mrekullinë vetë qytetit. Stola të bukur përgjatë shëtitores liqenore të pambarimtë, pisha e drurë të tjerë zbukurues, lule nga më të ndryshmet e me të gjitha ngjyrat e ylberta, shpend që fluturojnë lirisht…

Gjeneva e vjetër dhe e re, muzetë, katedralet, institucionet ndërkombëtare, parqet, lojërat, patinazhi në ujë, fontana e famshme që përcjell ujin në 80 metra lartësi etj. Kuzhina është mikse, më shumë franceze dhe italiane. Përgatitu para se të paguash, sepse çdo gjë kushton sa qimet e kokës. Nëse dëshiron të punësohesh, është pak e vështirë, por jo e pamundur. Duhet të gjesh dikë që të punëson për të marrë lejen e qëndrimit.

Sa shumë shqiptarë!

Mund të duket qesharake, por shqiptarët e tregojnë si anekdotë: “Kur të zbresësh në Gjenevë, të tretin person që do të takosh fliti shqip e të drejton nga dëshiron të shkosh.” Në këtë qytet dominon një simbol shqiptar, pikërisht busti i Skënderbeut, që ndodhet pas ndërtesës së Organizatës Botërore të Tregtisë, ngjitur me liqenin. E si të mos ndihesh krenar për një hero të ngulitur një herë e përgjithmonë në mendjen e evropianëve! Studiuesi Albert Ramaj tregon se në Zvicër jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë, shumica e të cilëve janë nga Kosova, pastaj nga Maqedonia, Serbia Jugore, Mali i Zi dhe një pjesë e vogël nga Shqipëria. Rreth zanafillës së pranisë së shqiptarëve në Zvicër nuk ka ndonjë studim të veçantë deri më tani që mund të shpjegonte historikisht kontaktet e para të Zvicrës dhe popullit shqiptar. Në shumicën e studimeve në gjuhën shqipe apo gjermane që janë bërë rreth shqiptarëve në Zvicër merren në konsideratë vetëm periudhat e pas Luftës së Dytë Botërore, bile që prej viteve 1960. Për fat të keq, në shumicën e rasteve mendohet se kontaktet mes popullit shqiptar dhe zviceran datojnë vetëm nga vitet 1960 dhe me këtë pa të drejtë lihet anash i tërë aktiviteti i atyre njerëzve shqiptarë që kishin vepruar në Zvicër para Luftës së Dytë Botërore, apo edhe atyre zviceranëve që kishin vepruar në Shqipëri. Kontaktet e para mes Zvicrës dhe shqiptarëve datojnë qysh në vitin 1431. Në këtë vit është mbajtur Koncili i Bazelit, në të cilin ishin ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë dhe për të debatuar mbi çështjet kishtare të asaj kohe edhe etërit kishtarë nga Shqipëria. Një aktivist shumë i shquar në këtë koncil ishte edhe Andreas von Kram, i njohur me emrin Andrea Zamometich. Zamometich ishte lindur më 1420 në Nin dhe vdiq në Bazel në vitin 1484. Ai kishte jetuar po ashtu edhe në Granea të Shqipërisë si ipeshkëv i atij vendi. Këtë mund ta gjejmë edhe në leksikonet zvicerane. Ka disa autorë shqiptarë që mendojnë se ky person e ka mbiemrin Camaj apo Camometich, por kjo është më shumë hipotezë dhe nuk duket të ketë të bëjë shumë me të vërtetën.

Një pjesë e historisë sonë ndodhet në Zvicër

Në Zvicër kishin jetuar përkohësisht apo më gjatë Faik Konica, Sami e Mithat Frashëri, Mustafa Kruja, Ismail Qemali, Fan Noli, Eqrem bej Vlora, Luigj Gurakuqi, Dervish Hima. Aleksandër Moisiu vdiq më 22 mars 1935 dhe u varros në varrezat Morcote mbi liqenin e Luganos, në Zvicër. Qysh në atë kohë Sami Frashëri i propozoi Mithat Frashërit idenë se modeli zviceran i bashkëjetesës dhe paqes të realizohet edhe në Shqipëri. Gazeta "Shqipëria - Albanie" në mes të viteve 1903-1906 ishte botuar në Gjenevë. Prapë më vonë, më 1915-1919, gjejmë një revistë tjetër me të njëjtin emër, pra "Shqipëria - Albanie", që ishte botuar në Lausanne. Në Gjenevë është botuar "Liria kombëtare" - La Liberté Nationale gjatë viteve 1925-1935. Po ashtu në Gjenevë është botuar "Biblioteka zëri i Shqipërisë" (La Voix de L`Albanie), më 1935 dhe1936.

Metropol
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top