GLOOM
Catch me if you can...
Në lidhje me formimin e identitetit në moshën adoleshencës, Erikson ka thënë se ky proces është rrjedhojë pozitive e konflikteve jetësore, të cilat i japin ritmin ciklit të jetës nga lindje gjer në vdekje. Adoleshentët për të përballuar vështirësitë me mjetet sa më racionale, duhet të kenë një mbështetje të veçantë shoqërore, e cila u jep atyre edhe një farë sigurie.
Shpërndarja e vetes përbën zgjidhjen negative të të njëjtit konflikt. Psikologët e kanë përshkrur “identitetin” si një lloj ose si vendosje e një baraspeshe ndërmjet impenjimit dhe konfuzionit rreth vlerave shoqërore.
Marcia e ka lokalizuar interesin e tij për llojin dhe mënyrat e impenjimit të çdo adoleshenti përballë realitetit në të cilin ndodhet. اdo impenjim është cilësuar si një nivel indentiteti dhe çdo nivel është i përcaktuar mbi dy mundësi. E para është eksplorimi i alternativave të mundshme në fushën e punës, të politikës etj. E dyta është impenjimi me alternativën e zgjedhur.
Sipas Marcias nivelet e indentitetit janë katër:
Fitimi i indentitetit;
Bllokimi i indentitetit;
Vonesa;
Përhapja e indentitetit.
Kush ka fituar identitetin, e ka arritur atë falë një procesi eksplorimi në të cilin indetifikimet e mëparshme janë radhitur në një paraqitje të vetes, e cila nga ana cilësore është superiore nga shuma e komponentëve që e përbëjnë. Duke formuar identitetin, adoleshenti braktis konceptin e vetvetes, që është krijuar në bazë të opinionit të prindërve, duke e zëvendësuar me atë që formohet nga vlerësimet që vijnë nga moshatarët. Ky koncept i ri i vetvetes përmban aspektin fizik, tërheqjen seksuale dhe inteligjencën. Po u vlerësua negativisht një nga këto elemente, shkaktohet ankthi. Duhet kaluar një përvojë eksplorimi, duhet kaluar kriza e zgjedhjeve të zhvillimit për të arritur stacionin e dëshiruar, për kapjen e të cilit ka shumë mundësi, megjithëse ai mbetet i njëjtë.
Ndërsa adoleshentët që janë në “nivel bllokimi” ende nuk kanë filluar asnjë lloj eksplorimi të nevojshëm për të formuar një identitet origjinal. Kështu, identifikimi me njerëz të tjerë të afërt e të rëndësishëm qëndron si e vetmja alternativë për të zgjidhur problemin, për t’u rritur në kuptimin e vertetë të këtij koncepti.
Ekziston një anologji ndërmjet “vonesës dhe përhapjes”. Të dyja janë indikatorë të një mungese impenjimi të saktë në drejtim të identifikimit të realitetit në të cilin veprojmë. Në fazën e vonesës kemi një lloj sforcimi eksplorimi drejt roleve shoqërore konveniente e të përshtatshme me natyrën e veçoritë individuale të çdo subjekti.
Përhapja i korrespondon fazës që shoqërohet me identifikime të zbehta dhe të momentit, pa zhvillimin e një interesi të vërtetë, i cili çon në marrjen e impenjimeve moshore.
Pengesat drejt fitimit të identitetit janë të shumta. Disa janë të lidhura me një lloj sjelljeje të karakterit mbrojtës të familjes, e cila e detyron dhe e bën individin të mos dijë, të mos jetë i aftë të kapërcejë identifikimet fëminore. Rezultati i kësaj gjendjeje është mungesa e eksplorimit, bllokimi i identitetit në një nivel zhvillimi të karakterit pothuajse primitiv. Mbrojtja që u bëhet të rinjve nga prindërit e tyre, mbajtja nën kontroll për gjithçka në jo pak raste, jep ndikime negative në edukim.
Ndoshta është paksa paradoksale, por e njëjta gjë ndodh dhe kur individi jeton në mjedise jashtëzakonisht të varfra me pak mjete nxitëse. Kjo gjendje përgatit një tip të veçantë mjedisor, nga i cili adoleshenti nuk mund të shkëputet lehtë. Kështu, duke qenë se nuk ka alternativa të tjera për të zgjedhur, adoleshentit i mbetet të përcaktojë identitetin e tij në të vetmen mënyrë që kushtet i mundësojnë.
Shpërndarja është niveli në të cilin individi nuk arrin të kalojë të bëjë dallimin ndërmjet vetes reale dhe ideales.
Ai nuk merr përsipër detyra, pasi mendon se do të gjejë diçka më të rëndësishme për t’u përshtatur me normat shoqërore. Nga ana tjetër, nuk arrin të eksplorojë alternativat, që ka përpara, sepse zotërohet nga ankthe të shumta dhe konflikte të brendshme, të cilat pengojnë procesin normal të zhvillimit të individit.
Vonesa është faza në të cilin individi ëndërron, ka objektiva gjithnjë e më ambicozë. Mbase për këtë, nxitja dhe eksplorimi në një farë mase janë të bllokuara. Kjo kohë mund të vlerësohet si momenti kur individi përpiqet të dallojë në vetvete realen dhe idealen. Nëse njeriu do të dijë të shfrytëzojë paknaqësinë që lind nga shkaqe të ndryshme, pa i lënë vend zhgënjimit, ndjenjës së impotencës, pamundësisë etj., sforcimi i tij mund të ndihmojë për të fituar identitetin. Kjo shoqërohet edhe me përcaktimin e projekteve ambicioze për jetën. Ndërsa përzgjatja e kësaj faze do t’i ngjajë një periudhe përhumbëse, e cila do të shoqërohet me një frustacion, që shkaktohet prej mundësive të pashfrytëzuara.
Të gjitha këto procese mund t’i shpjegojmë me pak fjalë me këto argumente:
Nëse ka shqetësime të dukshme në rrugën e zhvillimit të konceptit të vetvetes në moshë të re, krijmi i identitetit do të shoqërohet me komplikime, të cilat janë pasojë e tyre. Këto shqetësime mund të vijnë si rrjedhojë e paaftësisë. Prandaj zhvillimi në një moment të caktuar lidhet me mjedisin shoqëror, mund të jetë edhe rrjedhojë i limiteve të rënda që vijnë nga vetë mjedisi që na rrethon.
Mundësia e të përballuarit në mënyrë pozitive me këto dhe vështirësi të tjera të mëdha në dukje, lehtësohen nga mbështetja shoqërore. Në jetën e çdo njeriu, zgjidhja e detyrave të zhvillimit, nga më të lehtat gjerë tek më të vështirat, realizohet falë mbeshtetjes shoqërore, tek e cila individi shpreson dhe pret ndihmë konkrete. Parësore është familja, e cila është përgjegjëse kryesore. Por për realizimin e procesit të edukimit, ka edhe mjaft faktorë të tjerë, vlera e të cilëve është e madhe dhe në momente të caktuara mbetet vendimtare. Përfitimi i identitetit zgjat shumë. Ai arrihet pas përvojash e identifikimesh, duke provuar, si një aktor, situata reale, njohje personash, vëzhgime, shfaqje ndjenjash të ndryshme: habi, irritim e kënaqësi.
Pjesë nga libri “ stina e shpërthimeve”