Arfenilla
Themelues i Forumit
Mëngjesin e 9 prillit 1985 shërbimi i ngushtë i Enver Hoxhës është lajmëruar tepër urgjent për një kolaps të rëndë në shëndetin e tij. Që nga ai çast, gjithçka ishte në shërbim të udhëheqësit komunist, u trondit tërësisht. Po në të njëjtën kohë, pas një ataku të fortë kardiak dhe sëmundjesh të tjera që e stimulonin atë, Enver Hoxha ndodhej në agoni.
Sulo Gradeci kujton se atë ditë, Komandanti, ishte ngritur nga shtrati si zakonisht dhe, pasi kryer veprimet e para të mëngjesit së bashku me tualetin e zakonshëm, ishte drejtuar për në studion e tij, ku kishte lënë shënimin e fundit në ditarin personal: “Sot do të shkoj tek shokët në Komitetin Qendror”. Pak çaste më vonë sinjali që tregonte se Enver Hoxha kishte problem me shëndetin, ishte shpërndarë te të gjithë ata që përgjigjeshin për mbarëvajtjen e jetës së tij. Sinjali kishte shkuar rrufeshëm tek mjekët dhe ndihmësmjekët e rojës, tek shefi i Sigurimit, si dhe tek të gjithë ata që ishin në gatishmëri për një rast të tillë. Situata ishte tepër e rëndë, përderisa në një kohë rekord, në Vilën nr 31, ku banonte Enver Hoxha, mbërritën: grupi i mjekëve ekspertë që ndiqnin ecurinë e shëndetit të tij prej më shumë se 12 vitesh, por dhe shoqëruesit e tjerë që përgjigjeshin drejtpërsëdrejti për mbarëvajtjen e jetës... ...Sulo Gradeci përshkruan: “Ndodhesha në makinë, në rrugën pranë Presidiumit të Kuvendit Popullor, kur më hodhi përpjetë sinjali i alarmit. Nuk mund ta besoja. “Mos i ratë gjë gabim?” – pyeta me zemër të ngrirë shokët nëpërmjet radios. “Jo”, - thanë ata me zë të dridhur. Pas disa sekondash u ndodha në shtëpinë e udhëheqësit. Ngriva një çast i tëri. E ndjeva se kishte ndodhur ajo që s’duhej e s’na shkonte në mend se do të ndodhte ndonjëherë. Mjekët po bënin përpjekjet më heroike, të pandërprera, të papërshkruara, për t’i dhënë drejtimin e duhur luftës midis jetës dhe vdekjes. Kishte ndonjë çast kur dukej sikur po arrihej ndonjë përmirësim, por, pastaj papritur rrëzohej gjithçka. Kaluan kështu orë të tëra të një tensioni të patreguar. Vetëm rrahjet e zemrës së tij dëgjoheshin me një tingëllim torturues. Kështu na gjeti ajo orë e hidhur e 11 prillit 1985. Nga kabineti dëgjoheshin vajet dhe ligjet e shoqes Nexhmije, të fëmijëve, të motrave. Sakaq u dha te shkallët shoku Ramiz Alia. Kaq e kaq herë e kishim parë të tronditur e të shqetësuar sa më s’ka, por këtë radhë ai nuk përmbahej më”.
Detyra
Sulo Gradeci kujton se Hysni Kapo, më shumë se 50 vjet më parë, në zyrë tij i ka thënë: “Partia ka menduar të të ngarkojë një detyrë të rëndësishme e delikate…” Dhe Sulo ka treguar gatishmërinë e plotë për të siguruar jetën e Enver Hoxhës, duke u shprehur pas vitesh se një gjë e tillë ishte dhe ëndrra e tij e vjetër. Që prej asaj kohe, ai u vu në krye të shërbimit që përgjigjej drejtpërsëdrejti për jetën e numrit një të shtetit shqiptar. Dhe këtë detyrë e ka kryer më së miri për 30 vjet më radhë.
Sulo Gradeci perifrazon se: “Në procesin e një lufte të madhe, plot “zikzake”, “maja” e “kthesa”, shoku Enver ka treguar një optimizëm të shkëlqyer. Por ishin një sërë rrethanash që gjatë viteve ’60 ne nuk e “shihnim” sëmundjen e tij. Ishte ditë e natë në punë, i shëndetshëm, me një organizëm të mrekullueshëm, me një forcë të habitshme për të përballuar ngarkesa të mëdha”. Pikërisht në maj-qershor të ‘70, Enver Hoxha, në moshën 62-vjeçare, ndërmerr një turne në Veri të vendit, ku viziton rrethet: Kukës, Tropojës, Pukë, Shkodër, e ndalet në Dukagjin, Malësi të Madhe, Shtoj, Bajzë, Zadrimë e Vaun e Dejës.
Infarkti
Deri në fillim të viteve ’70 Enver Hoxha njihej si një konsumues i rregullt i cigareve. Megjithë kërkesën dhe presionet që i bëheshin nga ana e ekipit mjekësor, Enver Hoxha dukej se nuk kishte ndër mend ta linte këtë zakon të vjetër.
“Në vitet e luftës, kur ndodhej i rrethuar mes maleve, ai ka pirë dhe gjethe fiku në mungesë të duhanit. Por, ndër ata që këmbëngulnin më tepër për ta lënë duhanin ishte edhe shoku e miku i tij i fëmijërisë, profesor Fejzi Hoxha. Dhe pas shumë përpjekjesh, një ditë shoku Enver vendosi që të mos e ndezë më”, kujton Sulo Gradeci.
Duke pasur një kujdes rigoroz, shërbimi pranë Enver Hoxhës ka mundur të çojë jetën e tij pa probleme shqetësuese deri në tetor të vitit 1973. Pikërisht gjatë këtij muaji, kur sapo kishin përfunduar pritjet festive me rastin e 65- vjetorit të lindjes, Enver Hoxhës iu shfaq një kolaps i rëndë. Mjekët ekspertë diagnostikuan me shpejtësi: infarkt i miokardit. “Infarkti ishte i rëndë e shqetësues, por falë kujdesit shëndetësor dhe aftësisë së mjekëve tanë, goditja e parë dhe më e rrezikshmja u përballua”, thotë Sulo Gradeci.
Pikërisht pas kësaj situate u vendos që për gjendjen e shëndetit problematik të Enver Hoxhës të kujdesej një grup mjekësh të përbërë nga: Fejzi Hoxha, Petrit Gaçe, Isuf Kalo si dhe Nikolla Shurbani, Ylli Popa, Ahmet Kamberi, Hajro Shyti, Panajot Boga, Arben Fino, Gjergji Cepa, Ylli Shtylla, Bajram Preza, Skënder Sinoymeri, Xhavit Gjata etj.
Shërbimi roje
Pas infarktit të vitit 1973, jeta e Enver Hoxhës ka qenë vazhdimisht në një rrezik, që ishte çmuar edhe nga mjekët specialistë. Një gjë e tillë, sot pas 19 vitesh, konfirmohet dhe nga ish-shefi i Sigurimit, Sulo Gradeci. Në këto kushte problematike për shëndetin Sekretarit të Parë, e për të qenë sa më pranë tij, Komiteti Qendror, jo vetëm ka miratuar krijimin e një grupi pune me mjekë specialistë, por nga strukturat përkatëse është vendosur që të ketë edhe një shërbim mjekësor roje prej 24 orësh. Ky shërbim ka ekzistuar për më shumë se 12 vjet rresht, deri ditën e vdekjes së Enver Hoxhës.
Pikërisht pas kësaj gjendjeje, (që u cilësuar si më problematikja e jetës së tij) grupi i mjekëve, që do të kujdesej drejtpërsëdrejti për shëndetin e Enver Hoxhës, ishte i përbërë nga: Fejzi Hoxha, Petrit Gaçe, Isuf Kalo, Nikolla Shurbani, Ylli Popa, Ahmet Kamberi, Hajro Shyti, Panajot Boga, Arben Fino, Gjergji Cepa, Ylli Shtylla, Bajram Preza, Skënder Sinoymeri, Xhavit Gjata etj. Në këtë mënyrë Enver Hoxha nuk mund të ishte vetëm nën vrojtimin e një mjeku të quajtur thjesht si personal, ndërsa ndihmësmjekja me e afërt e tij do të mbetej Konstandina Nauni.
100 metra larg Enverit
Fillimisht grupi i mjekëve është vendosur shumë afër Vilës nr. 4, pranë Pallatit të Brigadave në Sauk, ku banonte përkohësisht Enver Hoxha dhe familja e tij, pasi në ato kohë ishte marrë vendimi për ngritjen e shtëpisë së tij të re në qendër të Bllokut. Sulo Gradeci, kujton se grupi i mjekëve, gjatë kësaj periudhe të tensionuar u vendos pikërisht në ambientet e Shkollës së Ministrisë së Brendshme.
Në këtë mënyrë, për çdo rast të ngjashëm, apo dhe për forma më të lehta të shfaqjes së sëmundjes, ata do të ishin të gatshëm pranë shtratit të Enver Hoxhës, vetëm në pak sekonda nga marrja e lajmërimit. Ndërkohë njëri nga mjekët bënte shërbimin e rojës fare pranë Enver Hoxhës, në dhomën përbri. Ndërsa, kur Vila e re në mes të Bllokut, e pagëzuar me numrin 31, u inaugurua më në fund, grupi i mjekëve roje u vendosën gjithashtu po shumë afër shtëpisë, në fund të lulishtes, ku ishte një godinë enkas për shërbimin mjekësor.
Goditja e rëndë, një vit para vdekjes
Në 7 shkurt 1984 Enver Hoxha lajmërohet për vdekjen e Myslym Pezës. Në 16 shkurt të po këtij viti, ai kalon një situatë tepër të vështirë shëndetësore.
Këtë situatë Sulo Gradeci, në ditarin e përshkruan: “Ditë e enjte. Shoku Enver u ngrit shpejt, megjithëse mbrëmë ra vonë për të fjetur. Rreth orës 18 pasdite ndjeva lëvizje të shpejta dhe tepër të shqetësuara. U ngrita menjëherë dhe dola nga zyra. Aty m’u paraqit Myslim Korja, shoferi i makinës personale të shokut Enver dhe më thotë se shokët shkuan me shpejtësi në drejtim të shtëpisë. Ia dhashë vrapit dhe unë, por m’u deshën disa sekonda deri sa mbërrita tek oficeri i brendshëm. Diçka e keqe dhe e rëndë kishte ndodhur. Në ecje e sipër mora vesh se shoku Enver kishte pësuar një goditje cerebrale dhe kjo na ra si rrufe. Falë organizimit shumë të mirë shëndetësor, sidomos të ndihmës së parë e të shpejtë, mjekët e caktuar u dhanë në hyrje të shtëpisë. Pasi u sigurova se mjekët: Isuf Kalo, Ahmet Kamberi, Sabit Brokaj e n/mjekët: Fari Bufi e Edmond Jorganxhiu ishin ngjitur lart, nisëm Myslymin tek Ylli Popa, pastaj tek prof. Bajram Preza e Fejzi Hoxha, si dhe te Ajli Alushani. Me ndihmën e shpejtë e të kualifikuar, që po i jepnin shokut Enver, nuk kishin ndonjë parandjenjë të keqe. Kishim vite të tëra që ia kishin frikën një gjëje të tillë, por shoku Enver nuk pranonte mjekë në shtëpi në kohë normale. Si të thuash, detyrën e “mjekut roje” brenda në shtëpi për vite të tëra e mbulonte shoqja Nexhmije gjatë 24 orëve. Ashtu si kurdoherë, edhe këtë të enjte, kur pa se kaloi ora e zgjimit nga pushimi i drekës dhe nuk po i binte ziles, ajo hyri në dhomë ta zgjonte dhe e gjeti keq. Për fat të mirë, në saje të masave që ishin marrë prej kohësh, u ndodhën gati mjekët e medikamentet e domosdoshme për përballimin e goditjes”.
Sulo Gradeci shkruan se një ditë më vonë, më 17 shkurt 1984 Enver Hoxha u bë më mirë duke e kaluar situatën. Ndërsa në 23 mars të po këtij viti, pas një mungese prej 37 ditësh, ai u përgatit për të shkuar në zyrën e tij të punës. Ndërsa në 8 prill 1984 Enver Hoxha ka preferuar që të bëjë një shëtitje me makinë nëpër rrugët e Tiranës.
Nexhmija, krahu i djathtë i Hoxhës
“Nexhmija ka bërë që të zbatohej me përpikëri rendi në të gjitha shërbimet që kishin të bënin drejtpërdrejt me jetën e udhëheqësit. Pra, puna na mësoi se jeta e tij nuk mbrohet e sigurohet vetëm nga efektshmëria e lartë e shërbimit të rojës, e shërbimit të ushqimit, të veshmbathjes etj. Udhëheqësi mbrohet në çdo sekondë e për gjithçka, duke filluar nga gjërat më të zakonshme”, shkruan në ditarin e tij me kujtime Sulo Gradeci.
Kështu, ndoshta për herë të parë, ishshefi i Sigurimit, shpjegon me detaje pjesë nga jeta dhe zakonet e Sekretarit të Parë. Kështu për shembull, Enver Hoxha kishte zakon që të zgjohej herët dhe gjëja e parë që kërkonte, ishte kafeja apo qumështi, si dhe shtypi i ditës. Më pas vinte tualeti e pastaj mëngjesi. Sipas përshkrimeve të Gradecit, Enver Hoxha e kishte zakon që mëngjesin ta hante vetëm e me shpejtësi, ndërsa gjatë kësaj kohe makina duhej të ishte bërë gati, pasi ai shfaqej menjëherë në derën e jashtme i gatshëm për të shkuar në zyrën e tij, në KQ.
Ndërsa drekën Enver Hoxha e hante me gjithë familjen, ku futeshin nëna Aneja, motra Sano dhe bashkëshortja Nexhmije. Kurse darkën e hante bashkërisht edhe me fëmijët: Ilirin, Sokolin dhe Pranverës. Ndërsa, kur të tre fëmijët u martuan, Enver Hoxha preferonte të ishte gjatë darkës me të gjithë familjen e tij. Të dielave dhe në rastet e festave familjare apo zyrtare, Enver Hoxha kërkonte që në tryezën e ngrënies të ishin të pranishëm të gjithë, deri tek nipërit dhe mbesat.
“Jeta dhe marrëdhëniet e shokut Enver në familje si njeri, si bashkëshort, bir, baba, vëlla, gjysh, kuptohen më drejt dhe në një kënd më të gjerë, kur shihen në lidhje të ngushtë me shoqen e tij të jetës, të luftës e të punës, të gëzimeve e të halleve, me shoqen Nexhmije”. Kështu perifrazonte Sulo Gradeci në ditar. Sipas tij: “Ne që kemi pasur fatin t’i njohim disi më nga afër, në momente e në situata intime, më personale, e dimë mirë se sa të forta, të shëndosha e tepër njerëzore ishin lidhjet e tyre”.
Gradeci kujton se syrit dhe mendjes së Nexhmije Hoxhës nuk i shpëtonte asgjë dhe, si njohësja më e mirë e gjendjes shpirtërore të bashkëshortit, dinte t’i përshtatej atij një atmosferë zbutëse. “ثshtë e vështirë të gjesh ndonjë rast kur shoku Enver t’ia ketë kthyer fjalën ose të mos ia ketë pranuar mendimin apo sugjerimin shoqes Nexhmije”, kujton Sulo Gradeci.
Mjekët nga Franca dhe nga Kina
“Lidhur me situatën e krijuar në shëndetin e Enver Hoxhës, Komiteti Qendror dhe qeveria shqiptare morën edhe një sërë masash të tjera. Kështu për shembull, në Shqipëri erdhi një ekip prej 11 mjekësh kinezë, të specialiteteve të ndryshme, të kryesuar nga profesori اu. Por u bashkëpunua edhe me një ekip francez ku u angazhua profesor Miliezi. Pikërisht ky ekip do të ishte i gatshëm pothuaj deri në fund të jetës së Enver Hoxhës. Gjithsesi të dy këto ekipe; kinezë apo francezë, bashkëpunuan ngushtë me mjekët shqiptarë”, thotë Sulo Gradeci.
Aparaturat dhe medikamentet
Sulo Gradeci kujton se një varg masash u morën menjëherë nga KQ e nga qeveria. “U koordinua puna e shërbimit të Sekretarit të Parë me gjithë sektorët e tjerë, si edhe me Gardën e Republikës e Drejtorinë e Pritjes. Në mënyrë të veçantë bashkëveprimi ishte me Klinikën Speciale që mbante dhe peshën kryesore. Madje ai thotë se bashkëpunimi me ekipin mjekësor ishte një nga detyrat kryesore, ndërsa çdo kërkesë e tyre plotësohej në kohën e duhur. Plotësimi i këtyre kërkesave fillonte që me blerjen e aparaturave dhe medikamenteve.
“Porosia e Hysni Kapos ishte që asgjë nuk duhej të mungonte. Bashkëpunimi i parë u bë me Pavllo Milon, drejtorin e Klinikës Speciale, ku u siguruan një sërë aparaturash bashkëkohore”. Sulo Gradeci kujton se që prej atakut të parë në vitit 73, Enver Hoxha ka kaluar disa probleme shëndetësore me zemrën e tij.
“Kështu ndodhi për shembull në 26 maj 1984. Atë pasdite, rreth orës 15.30, njoftohemi se ishte dhënë sinjali për grumbullimin urgjent. Ky ishte sinjali më alarmant, kur ndodhte diçka e rëndë. Diçka e keqe po ndodhte me zemrën e komandantit”, shkruar Sulo Gradeci në kujtimet e tij. Gjithsesi, në shërbim të afërt të Enver Hoxhës ishte vënë edhe një makinë me një mjek dhe mjetet e nevojshme për të përballuar çdo situatë të mundshme. Kjo makinë qëndronte poshtë zyrës së Enver Hoxhës, në KQ. Por, dhe nëse Enveri lëvizte, makina ambulancë duhej të ishte në dispozicion të tij. Gjithashtu Gradeci thotë se “përveç ndjenjës së lartë të dashurisë e gatishmërisë, detyrat që na takonin ishin: rritja e vigjilencës, forcimi i bashkëveprimit midis mjekut, infermieres, punëtores, rojës, gjer në përsosmëri”.
Sigurimi
Një nga njerëzit që ka punuar më gjatë me Enver Hoxhën, të paktën për 30 vjet me radhë, është ish-shefi i Sigurimit të tij, Sulo Gradeci. Të paktën që prej vitit 1956 ai është ngarkuar me detyrën e sigurimit të jetës së Enver Hoxhës. Por Gradeci kujton se me Enver Hoxhën njihej qysh prej demonstratës së madhe të 28 nëntorit ‘41. Ndërsa takimi i parë i tyre do të ndodhte në marsin i vitin 1944, pasi Sulo ishte inkuadruar si partizan në اetën e Skraparit.
Nga duart e Sulo Gradecit kanë dalë 45 mijë fotograf ku është fiksuar Enver Hoxha në të gjitha aktivitetet e tij, politike, shoqërore e familjare. Gjithashtu, Sulo Gradeci ka fokusuar mbi shiritin elektronik të kamerës, të paktën 50 orë film nga jeta dhe veprimtaritë e Enver Hoxhës. Por Gradeci ka ruajtur si të shtrenjta, të paktën 2000 fletë ditari, në të cilat janë përshkruar qindra detaje nga jeta në shërbim të udhëheqësit komunist. /shekulli/