Fëmijëritë e këputura

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Elda Spaho Bleta
Revista Klan

Gati 8 në 100 fëmijë shqiptarë të moshës 5-17 vjeç, detyrohen të punojnë. Disa shembuj të hidhur nga Librazhdi e Dibra, puna e një organizatë dhe mendimi i sociologes. Cili është filli ndarës me kulturës së punës dhe shfrytëzimit të fëmijëve?

Ditët e saj janë mëse të trishta. Ashtu mbyllen, me frikë e trishtim, dhe po ashtu nisin: në mbrëmje, një krevat me shtresa të grisura, një jastëk i shtrembër, flokët e saj të palarë mbi të. Hëna jashtë dritares. Në mëngjes ndoshta pak qumësht, ndonjë copë bukë aty-këtu. Ndoshta asnjëra nga këto… Dielli, gjithsesi, është aty jashtë. Më së shumti për ta kujtuar 12-vjeçaren nga fshati i Librazhdit (një nga zonat më të varfëra të Shqipërisë) se një ditë e lodhshme e pret. Familja e saj e këputur, ajo e xhaxhait me aftësi të kufizuara aty ngjitur, të tjera familje që ndoshta s’janë kaq shumë të varfra, por që enden në këto kufij të rrezikshëm. Dhe kaq lehtë të kapërcyeshëm nga ana e gabuar. …Të mbledhura strukur në një kodër të Librazhdit, brenda atyre fshatrave që duken kaq piktoreskë kur i sheh nga makina, nga rruga automobilistike. Por që s’kanë asgjë piktoreske sapo fut këmbën në to.

Kaq thellë e ka kuptuar varfërinë e saj kjo fëmijë, saqë nuk ka dëshirë as të buzëqeshë. As që e merr mundimin. Fytyra e bardhë që tani ka nisur të shenjohet nga dielli dhe uria; mungesa e lumturisë i lexohet qartazi. Flokët e verdhë, të kapur pa kujdes, i varen lehtë supeve. Nga muret shtëpisë së saj, të lyera keq me të bardhë, varen priza të montuara keq, thuajse të shkulura, kalendarë me trëndafilë ngjyrë çiklamin, kurse në oborr presin disa thasë plot kanaçe, të mbledhura prej saj, kushërirës së mitur dhe gjyshes shumë të moshuar. Këto mbeturina do venë mbi tryezë bukën e ditës, për të dyja familjet.

Vajza është e veshur thuajse me zhele dhe rrethohet nga të tjerë, shumë të ngjashëm me të në mjerim. Pothuajse nuk flet fare. Me ç’duket, kjo është mënyra e saj për t’i bërë ballë gjithë këtij trishtimi të kultivuar me kujdes nga varfëria e madhe e gjithë familjarëve të saj, e bashkëfshatarëve, e zonës. Vetëm mendimi se diku, në njërën ose disa prej këtyre shtëpive, sërish priten të vijnë në jetë të tjerë fëmijë, mjafton që e gjelbra e bukur e kodrës të të venitet sakaq.

Banorët e qytetit të Librazhdit e shohin shpesh duke lypur, bashkë me gjyshen dhe të kushërirën, thuajse moshatare me të. Të tria, ashtu gjithë pluhur, lypin para, ushqim, ç’të jetë. Në rrugën kryesore, nëpër lokalet ku ndalojnë udhëtarët e lodhur, nëpër dyqane. Ditë të tjera i kalojnë duke mbledhur kanaçe. Punojnë gjithë kohën, thjesht sa për të mbijetuar. Ajo nuk shkon në shkollë ose duket në dyert e saj shumë rrallë.

Në një fshat tjetër të varfër, në rrethin e Dibrës, të tjerë fëmijë përjetojnë pak a shumë të njëjtën histori. Madje ndoshta edhe më të rëndë. Gjatë vitit të shkuar dhe gjatë një pjese të këtij viti, ata jetuan vetëm në shtëpi, me njëri-tjetrin. Babai ka qenë thuajse gjithnjë në emigrim, në Greqi dhe vjen kalimthi në shtëpi. Vitin e shkuar, e ëma e tyre vendosi të bëjë të njëjtën gjë, duke i shkuar bashkëshortit pas. Djali i dytë, thuajse 19-vjeçar, u kujdes më së shumti për të tjerët. Gjyshja dhe motra e tyre e madhe, martuar aty afër, kanë ardhur përditë për të pastruar e gatuar diçka. Pjesën tjetër të kohës, fëmijët ia kanë dalë vetë. Kanë dalë shpesh me vëllain e madh për të mbledhur bimë mjekësore nëpër pyll, për t’i shitur pastaj më vonë.

Shtëpia është thuajse e rrënuar dhe po ashtu muret me plitharë që rrethojnë oborrin e saj. Për më tepër, ajo as që është pronë e tyre, ua ka dhënë dikush në fshat, sa për të futur kokën brenda. Të vegjlit e kalojnë ditën mes divanëve me këmbë të shtrembra, karrigeve të vjetra, mureve të lyer trashë nën të cilën duket ngjyra e dikurshme, diçka e papërcaktuar mes bizeles dhe jeshiles. Tenxheret e vjetra, tiganët e shpuar, lugët pa shkëlqim janë një histori më vete. Rrobat e të miturve po ashtu.

Motra e vogël, vetëm 9 vjeçe, është kujdesur me aq sa mundet për shtëpinë: është përpjekur të lajë enët, të pastrojë. Dy vëllezërit e tjerë të mitur, 11 e 12 vjeç, ndihmuan (dhe me shumë gjasa, vazhdojnë ta bëjnë) vëllain më të madh mbetur në shtëpi, në mbledhjen e bimëve mjekësore. Mes braktisjes së prindërve dhe punëve të përditshme, këta fëmijë thuajse nuk shkuan kurrë në shkollë, për shumë muaj.

Të mitur në punë

Sa punojnë fëmijët në Shqipëri? Për herë të parë, e kemi një studim kombëtar mbi punësimin e tyre. I publikuar vetëm disa ditë më parë nga INSTAT (Institutit të Statistikave) dhe ILO (Organizata ndërkombëtare e punës), ai është bazuar mbi intervistimin e mbi 6000 fëmijëve të moshës 5 -17 vjeç, vetëm ose të shoqëruar nga të afërmit. Ajo që deri tani shihej me sy të lirë dhe perceptohej intuitivisht kur flitej për shkallën e shtrirjes, tashmë ka marrë trajtën e shifrave: 7.7% e fëmijëve shqiptarë të moshës 5-17 vjeç punojnë, shpesh përtej fuqive të tyre. “Llogaritet që në Shqipëri punojnë rreth 54 mijë fëmijë”, thuhet në studim. Një përqindje serioze të këtyre punëtorëve të vegjël, 2.4% e numrit të përgjithshëm të fëmijëve, janë të moshës 5- 11 vjeç. Përqindja rritet bashkë me moshën. “Janë 9.4% e 12-14-vjeçarëve dhe 16.8 për qind të 15-17-vjeçarëve. Djemtë priren të kenë një shkallë më të lartë punësimi sesa vajzat”, sqaron më tej studimi. Dhe punojnë jo pak fëmijët e punësuar: krahasuar me 40 orët e punës në javë të të rriturve, ata punojnë thuajse sa gjysma, edhe pse janë të mitur. Më saktë, 18.7 orë në javë!

Të miturit punojnë më së shumti në bujqësi, rreth 80% e tyre. Një pjesë e mirë e ditës u kalon duke punuar tokën apo duke u kujdesur për bagëtinë. Por ka edhe nga ata që janë punësuar bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, në biznesin familjar. Ata lihen disa orë në ditë në dyqan, në sallën e internetit, në hotelin e vogël turistik, ndihmojnë në furnizimin e marketit të familjes, në ofiçinën e babait. Shpesh pa u thënë as faleminderit sepse ky angazhim i të miturve shihet si pjesë e natyrshme e jetës së tyre, si diçka që duhet ta bëjnë.

Tregtia me shumicë dhe pakicë si edhe hotelet e restorantet kanë punësuar respektivisht 8.2 për qind dhe 4.1 përqind të fëmijëve që punojnë. “Pra, këto dy sektorë dhe bujqësia, kanë punësuar mbi 90 për qind të të gjithë fëmijëve që punojnë. Një përqindje më e madhe vajzash sesa djemsh punojnë në bujqësi, ndërsa një përqindje më e madhe djemsh sesa vajzash punojnë në hotele e restorante si edhe në ndërtim. Një numër relativisht i ulët i fëmijëve të secilit **** janë të punësuar në manifakturë”, saktëson studimi i INSTAT dhe ILO.

Shkodra dhe Elbasani janë dy rrethet që e kanë më të lartë shkallën e punësimit të të miturve.

Pse punojnë fëmijët shqiptarë?

Familjet e 12-vjeçares nga Librazhdi dhe 3 fëmijëve të Dibrës janë shumë të varfra dhe kjo shpjegon pjesërisht pse ata kalojnë orë të tëra duke bërë punë të papërshtatshme për moshën e tyre, larg shkollës. Dhe akoma më larg lojrave, leximit të lirë, fantazive. Familja e Librazhdit ka vetëm disa bagëti të imëta, shumë pak tokë. Fshati ku jetojnë është goxha i thepisur. Të dy prindërit nuk kanë patur thuajse kurrë një punë të paguar. Në Dibër, braktisja prindërore i shtohet varfërisë. Dhe të dyja këto i shtyjnë vazhdimisht të miturit drejt punës përtej forcave të tyre.

Por, siç tregohet edhe në studim, varfëria nuk është shkaku i vetëm i punësimit të fëmijëve. Duket sikur, për shumë të rritur, kjo përbën një normë natyrale.

“Këtu vlen të përmendet fakti që në Shqipëri ende zotëron konceptimi i fëmijës si pronë dhe jo si një person me të drejtat dhe dëshirat e tij. Ky qëndrim është një ndër faktorët që çon në pasoja siç është abuzimi i fëmijëve. Shfrytëzimi për punë është një ndër format kryesore të tij”, thotë Izela Tahsini, pedagoge e punës sociale, e cila është përfshirë vazhdimisht me problemet e fëmijëve në Shqipëri. Kodi shqiptar i Punës parashikon mundësi punësimi të të miturve, gjithnjë mbi 14 vjeç, gjatë pushimeve të shkollës.
Kuptohet, punët duhet të jenë gjithnjë të lehta, diçka që të mos vështirësojë jetën e tyre, por t’i edukojë. Por shumë nga të punësuarit e vegjël shqiptarë, ndoshta shumica, punojnë përtej fuqive, në kushte shumë të vështira. Orë të gjata në fusha, rrugë apo markete, madje edhe në miniera e ndërtim (këto dy të fundit zënë rreth 3%).

Për shkak se Kodi i Punës flet qartë në mbrojtje të të miturve, por të rriturit nuk duket se i njohin mirë kufijtë, reagimi i shoqërisë civile është goxha i prerë. “Si organizatë që punon drejtpërdrejt me 32.000 fëmijë në nevojë në Shqipëri, një pjesë e të cilëve janë të punësuar, World Vision mendon dhe beson se punësimi i tyre, jashtë kuadrit ligjor, është shkelje e të drejtave. Shpesh punësimi u shkakton dëm fizik e psikologjik dhe, në të njëjtën kohë, kufizon mundësite, shanset e fëmijëve për të zhvilluar potencialin e tyre. Ne sapo kemi nisur një projekt studim mbi këtë dukuri, këtë herë parë nga këndvështrimi i fëmijëve, rezultatet e të cilit do bëhen të ditura pas shtatorit të këtij viti”, - thotë Migena Shulla, drejtoresha e Programeve të Integruara në World Vision, organizatë që identifikoi dhe ndihmon fëmijët nga Librazhdi dhe Dibra.

Arsimi dhe shëndeti në pikëpyetje

Pasojat në trup duken që tani, edhe pse të punësuarit e mitur janë në vitet e para të jetës. “ثshtë vlerësuar se 13 për qind e fëmijëve që punojnë kanë kaluar një sëmundje ose dëmtim të shkaktuar nga puna një vit para këtij studimi… Lodhja ekstreme dhe temperatura e lartë janë problemet shëndetësore më të zakonshme të kaluara prej tyre. Një përqindje më e madhe djemsh sesa vajzash vuajnë nga probleme shëndetësore të shkaktuara nga puna. Rreziqet më të zakonshme në vendin e punës, me të cilat përballen fëmijët, janë temperaturat ekstreme, të nxehta apo të ftohta, dhe puna në mjedise me pluhur/tym. Për më tepër, 8.2 për qind e fëmijëve ankohen për trajtim të pafavorshëm në punë, kryesisht në formën e të bërtiturës dhe rrahjes”, thuhet në studim.

Pasojat në arsim duken edhe më të forta. Një fëmijë tipik që punon, përfundon arsimin e detyruar, por nuk vazhdon më tej shkollën e mesme. Ai ka më shumë gjasa ta përsërisë klasën. Në përgjithësi, puna dhe shkollimi pas arsimit të detyruar nuk pajtohen edhe aq me njëra-tjetrën: vetëm 61.9 për qind e fëmijëve që punojnë ndjekin shkollën, krahasuar me 89.1 për qind të fëmijëve që nuk punojnë.

“Krahasimi i rezultateve shkollore të fëmijëve që punojnë dhe të atyre që nuk punojnë zbuloi se në moshën 17-vjeçare, ata që punojnë kanë përfunduar 4 vjet më pak shkollë sesa fëmijët që nuk punojnë”, thuhet në studim.

Mungesa e gjatë në shkollë ishte, për një kohë të gjatë, pengu më i madh i djalit 11-vjeçar të Dibrës. Ndryshe nga vëllai tjetër, që me sa duket kishte rënë në paqe me braktisjen e arsimit, ai ndaloi së shkuari në shkollë jo se nuk kishte më një prind që ta dërgonte aty, por sepse nuk kishte më libra. Por nuk e futi nën divan çantën e shkollës. E mbajti jashtë, gjithnjë para syve, me shpresën se të nesërmen dikush do t’ia blinte librat. “Dua të shkoj në shkollë… kur nuk shkoj më duket vetja djalë i keq”, pat shpjeguar ai gjatë dhjetëra ditëve, sa herë e pyesnin me habi për çantën që gjendej gjithnjë mbi ndonjë karrige të shtëpisë.

Dhe para disa kohësh, ajo më në fund u mbush me librat e pritur gjatë. Bashkë me to, pas ndihmës që u dha të miturve World Vision, u blenë mobilje, ushqime, rroba, u bisedua vazhdimisht me të afërmit dhe prindërit e larguar në Greqi. Më në fund, ata u kthyen.

Varfëria ngelet po aty, në oborrin gjysmë të rrënuar dhe në shtëpinë e lyer trashë me gëlqere, por të paktën një fëmijë iu kthye shkollës. Dhe shpresës.

A do të dalin ndonjëherë nga cikli i varfërisë? Ndoshta po, ndoshta jo. Ama duket qartë që puna e gjatë, e lodhshme dhe lënia e shkollës i shtyjnë në kahun e gabuar. Jo vetëm 3 fëmijët e Dibrës dhe 12-vjeçaren e Librazhdit. Por edhe të paktën 54 mijë të tjerë gjithandej në Shqipëri.



Kodi Shqiptar i Punës

Kur mund të punojnë fëmijët?

Neni 98 - Mosha minimale


1. Ndalohet marrja në punë e të miturve nën moshën 16 vjeç. Bëjnë përjashtim rastet kur të miturit nga mosha 14 deri në 16 vjeç punësohen gjatë pushimeve shkollore vetëm në punë të lehta, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre.

2. Të miturit nga mosha 14 vjeç deri në moshën 16 vjeç mund të jenë subjekt i këshillimit dhe i formimit profesional, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 99 - Punët e lehta

1. Të miturit nga mosha 16 deri në 18 vjeç mund të punësohen në punë të lehta, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre.

2. Këshilli i Ministrave përcakton punët e lehta dhe vendos rregulla të veçanta për kohëzgjatjen maksimale dhe kushtet e kryerjes së punës.
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top