Titulli: FC Internazionale
Interi projekton tri supergoditje në merkaton e janarit
23/10/2013
Interi po bën gati tri superblerje pas ardhjes së Erik Tohirit në krye të klubit. Miliarderi indonezian dëshiron t’u dhurojë tifozëve të tij futbollistë të kalibrit të lartë. Madje i ka piketuar lojtarët që do i shndërrojnë zikaltrit në një skuadër të frikshme. Buxheti për blerjet e janarit është 50 mln euro, ndërkohë që objektiva janë futbollistë që klubet e tyre respektive i lënë të lirë, nëse u përmbushen kërkesat financiare. Në sulm, dëshira e zikaltërve është një mes Karim Benzemasë dhe Edin Xhekos, në mesfushë Shinji Kagaua pëlqehet së tepërmi nga trajneri Valter Maxarri, kurse në mbrojtje Daniel Ager do të zgjidhë shqetësimet e shumta që ka shfaqur prapavija në takimet e fundit. Synimi i drejtuesve është që të përgatisin një Inter konkurrues, që të sigurojë pjesëmarrjen në Champions dhe të mund të fitojë ndaj rivalëve europianë.
Sulmi - Tohir kërkon të sjellë në skuadër një sulmues të frikshëm, të aftë që të zgjidhë takimet më të vështira ndaj skuadrave të mëdha. Dy janë kandidaturat: Karim Benzema (25 vjeç) dhe Edin Xheko (27 vjeç). Për të parin vlera e kartonit është 35 mln euro, kurse boshnjaku kushton më pak, 25 mln. Benzema aktualisht është i pazëvendësueshëm te Real Madridi, pas shitjes së Gonzalo Higuainit, por gjërat mund të ndryshojnë, nisur nga plani i madrilenëve për të sjellë një tjetër yll në sulm. Xheko nuk luan titullar te Siti, ndaj synimi i tij është të shkojë në një klub ku të mund të aktivizohet rregullisht. Mundësitë më të mëdha janë që boshnjaku të veshë fanellën zikaltër vitin e ardhshëm.
Mesfusha - Shinji Kagaua, një yll i ardhur nga Borusia Dortmundi, nga i cili pritej shumë, por që ka mbetur në hije te Mançester Junajtid. Japonezi u bë pjesë e “djajve të kuq” përpara dy sezonesh, por me gjithë përpjekjet e tij nuk ia ka dalë që të sigurojë vendin e titullarit. Fakti që Januzaj firmosi kontratë 5- vjeçare dhe që luan në të majtë të mesfushës, njësoj si Kagaua, bën që për këtë të fundit të mos ketë më vend në skuadër. Junajtid ka vendosur ta nxjerrë në shitje. Për kartonin e tij në 2012, “Djalli” i pagoi Borusia Dormtundit 15 mln euro, por Interi mund ta rrëmbejë 24-vjeçarin për 10 mln.
Mbrojtja - Dëmtimi i Kampanjaros ka treguar se tek Interi prapavija është në krizë, kur argjentinasi nuk luan. Trajneri Maxarri, që luan me tre futbollistë në mbrojtje, do lojtarë të sigurt. Dhe i tillë është futbollisti i Liverpulit, Daniel Ager, 28 vjeç. Kapiteni i Danimarkës mund të merret nga zikaltrit për shumën e 10 mln eurove. Edhe në verë u përfol për një largim të tijin nga “të kuqtë”, nëse për të do bëhej një ofertë e kënaqshme.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ