Familja anëtarët e së cilës kanë për emra, emrat e qyteteve dhe krahinave shqiptare

Një bisedë me Shqiptarin, vëlla i Dragobisë, Frashërit dhe kushëri i Martaneshit…

“Emri më bënte presion, por shufrat e gomave së policisë më bënin presion po ashtu. Ashtu u rrita unë, mes dy presionesh. Mbaj mend një herë, do të kem qenë rreth 10 a 11 vjeç, kur një polic më kapi e më rrahu në rrugë, pse dikush e kish shkruar një parullë në një mur, “Rroftë Shqipnia”. Unë qëllova rastësisht afër dhe polici më kapi mua, thjesht për rehati, pse unë isha i vogël e hutaq, e ai kish normë për të plotësuar. Pasi më rrahu një herë mirë, më lëshoi të prekja në tokë. Ndreqi flokët, vuri mirë kapelen që i kish rrëshqitur, vendosi sërish këmishën nën pantallona, të gjitha me një dorë, se me tjetrën më mbante mua për veshi. Dhe pastaj, do ti dreqin, më pyeti për emrin. Besoj se e imagjinon vetë vazhdimin”- këto janë fjalët e një gjakovari, i cili ka një emër të veçantë.

Ai quhet Shqiptar Oseku (46). Hasim jo rrallë emrat Alban, Arbër, Ilir, dhe versionet femërore të tyre, por nuk na qëllon shpesh të ndeshemi me një shqiptar që edhe emrin e ka Shqiptar. Dhe ajo çka është e rrallë në këtë histori, jo vetëm ai, por vëllezërit dhe motra e tij kanë emra të qyteteve dhe krahinave të vendit tonë. Ai ka vëlla Frashërin. Për motër ka Dragobinë. Nip ka Përmetin e Devollin. Kushëri ka Martaneshin, Beratin, Rubikun, Janinën. Duket se fisi i tyre ka bërë bashkë gjithë trevat shqiptare.

Shqiptari, sot jeton në Suedi, drejton një strehë për të mitur azilantë dhe përkthen letërsi. Në këtë rrëfim të sinqertë, ai tregon për emrat e shqiptarëve të Kosovës, jetën dhe lidhjet e tij me Shqipërinë, por edhe për atë çka po kalon Shqipëria sot.

Ju flet Shqiptari….



-Shqiptar, na trego diçka më shumë për veten, cila është jeta juaj?

Jam gjakovar me origjinë, linda më 1970 te Lëma e Druve, lagje në jug të Gjakovës ngjitur me rrugën e اarshisë së Madhe. Për lexuesin fatkeq që s’ka pasur rast ta njohë Gjakovën, kjo rrugë është ajo e karvanëve të dikurshme shkodranë, në vaun e të cilave u shtrua rruga e kalldrëmit, e u ngrenë kisha e Shën Ndout, xhamia Hudum, hamami, hanet dhe tërë çarshia e qytetit. Unë, si gjithë gjakovarët, jam i lidhur fort shpirtërisht me vendlindjen time e me Shkodrën. Ndoshta me mitin e tyre, më fort se me qytetin aktual, kushedi. Bashkëqytetarët e mi përgjithësisht veten e shohin si avantpost të Shkodrës, e me shkodranët ndajnë shumë tipare komplet identike, sofrën, këngët jare, humorin, egocentrizmin epik, e pasionin e madh për thashetheme lagjesh. Por unë shyqyr jam në mërgim ka 24 vjet, në Suedi, e s’më kapin dot në nishan. Në Suedi kam studiuar punën sociale në universitetin e Stokholmit e kam punuar 18 vjet si terapist, tash drejtoj një strehë për të mitur azilantë në një periferi të kryeqytetit. Përkthej letërsi, kam përkthyer Reshpjen, Podrimen, Transtrِmerin, kam edhe tri përmbledhje të miat. Dua t’i përdëlloj suedezët me magjinë gjakovare e shkodrane, e shqiptarët me Transtrِmerin. Do të doja ta përdor atë metaforën e vjetër të urës, që lidh kulturat e më the të thashë, por më kujtohet si haja rregullisht fara kungulli e pështyja lëvoret te Ura e Fshejt, ndaj po heq dorë. Më mirë ta lëmë pa metafora.

-Kosova ka një traditë interesante në vendosjen e emrave, madje në familjen dhe fisin tuaj ju nuk jeni i vetmi që mbani një emër kaq domethënës, apo jo?

Epo, shqiptarët në Kosovë e kanë, apo e kishin më saktë se nuk e kanë më aq fort, një traditë të emërtimit të fëmijëve me emërtime topografike nga Shqipëria e matanë kufirit. Se ashtu e quanim ne Shqipërinë, “hisja matanë”. Sidoqoftë, trendi nisi kur Kosovës iu liruan ca frerët nga Beogradi, mes viteve 1968 e 1981, një dritare e vogël kohe kur u bë një boom i përkohshëm në kulturë. U hoqën kllapat rreth identitetit shqiptar, u hapën shkollat, universiteti, u lejua për ca kohë flamuri i ngratë, u bënë disqe shqip, Nexhmije Pagarusha këndonte, shqipja u bë gjuhë zyrtare. U zbërthye pak edhe tabuja rreth shtetit shqiptar, nisën shkëmbimet mes vendeve. Kjo frymë do të merrte fund pas demonstratave të studentëve në Prishtinë më 1981, e pas ngritjes së Millosheviçit në pushtet. Por, për aq pak kohë sa zgjati, qe një frymë ca më liberale, një liri e kontrolluar kulturore, ekonomikisht gjendja rronin më mirë madje se në Shqipërinë enveriste. Por diskriminimi ekzistonte ama megjithatë, ajo që ishte tavan për shqiptarët mbetej dysheme për serbët. Sot është pak çuditshëm t’i shpjegosh dikujt këto flukse të niveleve relative të shtypjes, t’i thuash se shqiptarët e diskriminuar në Kosovë për ca kohë rronin më mirë se shtetasit në Shqipëri. Them se kjo e ilustron më së miri mizerjen enveriste. Sidoqoftë, në ato vitet e frymës liberale, u bë zakon që njerëzit t’u vinin fëmijëve emra nacionalë. Kur u bënë tepër të gjithë Flamurët, Bashkimët, Liritë, u erdhi disi natyrshëm rendi, emrave topografikë nga “matanë”. Nisën me Shkodran, natyrisht, e vazhduan me Berat, e shkuan gjer në Sarandë, se nuk e dinin gjindja që është emërtim grek, e u pëlqente eufonia e zanoreve. Mirëpo, dhe kjo është interesante, unë s’kam takuar kurrë dikë që të quhej Tirana. Kishte pra një nacional-romantizëm, por ky nuk shkalloi kurrë gjer në marrëzi.

Shqiptar Oseku
Shqiptar Oseku
-Po ju si ndiheni me këtë emër?

Për shumë vjet, e kam pasur emrin ngarkesë të rëndë. Im atë ma vuri në shenjë respekti jo vetëm nacional, por edhe ndaj shkrimtarit Adem Demaçi, Mandelas së Europës, të burgosurit të ndërgjegjes me 28 vjet përvojë burgu, i cili e kish quajtur të birin Shqiptar. Vendimi i tim ati ishte i prerë, “una s’e la Ademin vetëm”. Madje ai e kish quajtur Shqiptare një vajzë para meje, e cila i vdiq pas dy muajsh. Kokëfortë siç ishte e ka mbetur, kapedani më vuri mua të njëjtin emër kur linda, atë natë të ftohtë tetori 1970. Lexuesi me fantazi mund ta imagjinojë se ç’fëmijëri ishte ajo, të quheshe “Shqiptar” me Sh të madhe, e të jetoje në Kosovë. Emri më bënte presion, por shufrat e gomave së policisë më bënin presion po ashtu. Ashtu u rrita unë, mes dy presionesh. Mbaj mend një herë, do të kem qenë rreth 10 a 11 vjeç, kur një polic më kapi e më rrahu në rrugë, pse dikush e kish shkruar një parullë në një mur, “Rroftë Shqipnia”. Unë qëllova rastësisht afër dhe polici më kapi mua, thjesht për rehati, pse unë isha i vogël e hutaq, e ai kish normë për të plotësuar. Pasi më rrahu një herë mirë, më lëshoi të prekja në tokë. Ndreqi flokët, vuri mirë kapelen që i kish rrëshqitur, vendosi sërish këmishën nën pantallona, të gjitha me një dorë, se me tjetrën më mbante mua për veshi. Dhe pastaj, do ti dreqin, më pyeti për emrin. Besoj se e imagjinon vetë vazhdimin.

Në Suedi, emri im është vetëm një ndër emrat e zorshëm të emigrantëve. Por unë u kujtoj suedezëve që as emrat e tyre s’janë ar i shkrirë, ka Ragnhild e Torbjِrn e tjerë ku thyhet e sakatoset gjuha e gjorë e emigrantit. Por për mua emri ka qenë obligim megjithatë, një si urdhër i brendshëm ndër vite. Do fati e u çlirua Kosova, e u çlirova mbase edhe unë nga presioni i emrit. Kur pushoi edhe presioni i plumbave, lotsjellësit, e shufrave të gomës. Por, po më pyete troç, do ta them copë, se është emër i rëndë për t’u mbartur. ثshtë rrëfim plot tragjikë, kjo storja shqiptare, e nuk është lehtë ta gërmëzosh në vetëdijen e ndërdijen tënde intime. Ta mbash me vete, kudo të shkosh, një histori të dhimbshme.

-Ju është bërë ndonjëherë pengesë emri që mbani?

Raste të tilla kam me bollëk nga fëmijëria. Probleme në shkollë, në rrugë. Por në raste të tilla më ka ardhur inat më fort, s’di si ta shpjegoj, e jam munduar gjithmonë ta mposht antipatinë me kulturë. Thua se kisha një ide të ndërdijshme që, po të kthehem emri dhe unë në bastion të mirësjelljes e kulturës, si i tillë të shihet edhe emri i kombit tim, e vetë kombi. Ambicie e madhe për supe të hajthme do të thuash ti, por mos harro që jam gjakovar. Kur je gjakovar, e kthen botën mbarë; kështu themi ne për vete së paku.

Ato raste kur më ka penguar emri im, është kur jam ftuar si konsulent nga policia a gjyqësori suedez, për të ekzaminuar raste me keqbërës shqiptarë, kryesisht burra, që kanë kontrabanduar ose kanë rrahur gratë. Ai momenti bizar kur një i pandehur në pranga i shpjegon policit me krenari për emrin tim, e se ai ndihet krenar që është shqiptar, ndërsa unë s’di se ku të futem.

-Ju jeni Shqiptari, por pas vetes keni edhe shumë të afërm që mbajnë emra qytetesh me rëndësi në vendin tonë, kush janë ata?

Kjo tashti do të japë shkas për ekzotizim të kosovarëve, por hajde t’i numërojmë. Pas meje lindi motra, Dragobia, pastaj vëllai i vogël Frashëri; dua të shtoj se ai vetëm në moshë është i vogël, pasi është një kokë më i gjatë. Për ty ky detaj s’është me rëndësi, por dua ta theksoj për hir timin, se s’dua të më gërgasë as ai, as tjerët në Gjakovë. Pastaj, kur im atë, si kapedan që ishte, u dha të mbarën tërë fisit, familja u vërshua nga një lumë emrash nacionalë. Dale të shohim, t’i përmend me radhë, Devolli që shërben si polic në Prishtinë, Martaneshi që është shitës medikamentesh, Luarasi që punon me OSBE-në, Nëntori jurist e fotograf i shpërblyer i natyrës shqiptare, një si institucion privat mbarëkombëtar i turizmit shqiptar, Berati, Rubiku, Përmeti, Janina… bëhet fjalë për një traditë familjare që ka vërshuar brigjet e tre brezave, në Kosovë e në Suedi. Por unë jam larguar cazë nga tradita, se fëmijëve të mi s’u kam vënë emra topografikë. Vajza e madhe më quhet Orezana, një shpikje imja nga bashkimi i fjalëve Orë e Zana. Pastaj kam Perrinë, që është e bukur ashtu si i thotë emri, dhe Arian, që e mori emrin ngaqë qante shumë si bebe, e mua më dukej se këndonte arie nga Verdi. Por unë mund t’i lejoj vetes ekscentrizma të këtilla, pse më mbron emri.

OgIsBVRMyBIY0rJs9hB0q7lhe3G3Su-Kur kanë qenë momentet kur je ndjerë krenar për emrin tuaj?

Aha… Epo, jam ndjerë shpesh krenar, ndoshta jo për emrin tim vetjak, por për të mirat e kombit tim. Ta zëmë kur është botuar suedisht Kadareja, apo kur është botuar përmbledhja ime e tre poetëve, Kadaresë, Rreshpjes, Podrimes.

-Cila është lidhja juaj me Shqipërinë?

ثshtë atdheu im, nga Ulqini e gjer në Janinë, me një dobësi të veçantë për Sarandën. (E kam fjalën për qytezën, jo për ndonjë grua me atë emër; se u bëmë lëmsh me këto emra tashti). Ta them nga del shpirti, mua më vjen keq që shqiptarët janë kaq të ngatërruar, jo po këndej kufirit, jo po andej. Unë kam banuar në Suedi ka 24 vjet, kam fëmijë me një grua joshqiptare, ata ndihen lirshëm edhe shqiptarë, edhe suedezë, askush s’e konteston që është e natyrshme të kesh identitet të shumëfishtë, se të gjithë ashtu e kanë. Njësoj si unë që jam stokholmas, gjakovar, shqiptar, suedez, tifoz i ekipit Hammarby për hokej mbi akull, terapist, poet, baba. Që thua ti, mendësia ime mbase është e indikuar nga kjo përvojë, nga perspektiva e shlirët e inkluduese europiane. Kur shoh me këta sy ngërçet e shqiptarëve, nganjëherë më bëhet ta ul gjithë kombin shqiptar në një sesion terapie. Dua të them, suedezët janë vetëm 9 milionë banorë, por vendi i tyre është 1600 km i gjatë, më merr dy a tre ditë udhë të shkoj në takt normal (joshqiptar) me makinë nga pika më jugore gjer te ajo më veriore. Ka një gjuhë standarde në të shkruar, por ka aq shumë dialekte, në krahina, regjione, ishuj të shkëputur nga stereja, që fliten pa asnjë kompleks në media, tv, radio. Dhe të gjithë e kanë të natyrshme të quhen suedezë, askush s’bishërohet ububushëm të kontestojë. Nga kjo perspektivë them, më duket absurde ky ngatërrim fisesh e farësh mes shqiptarëve. ثshtë absurd, një grusht njerëz të një gjaku e një gjuhe, që s’e mbushin dot as një lagje të një metropole si New York apo Mexico City, e kaq të ngatërruar, kaq përjashtues, kaq paragjykues për njëri-tjetrin. Ky vend që kërkon të integrohet me portugezët, por i duken të çuditshëm të vetët nga 20 km më tej, bah. Për mua, e them prapë, absurd.

-ا’do të thotë të jesh xhaja i Përmetit, kushëriri i Martaneshit…?

Të jesh xhajë i Përmetit është të jesh xhajë krenar i një nipi 9 vjeç që shkëlqen në shkollë elitare angleze në Stokholm, me anglishte perfekte, pjesëmarrje në klub debati anglisht, e kartë anëtarësie si anëtari më i ri te Tifozët kuqezi. Një nip stokholmas, shqiptar, e suedez pra, me shkollim anglez, e debulesë për bakllavanë arabe. Ndërsa të jesh kushëriri i Martaneshit është të jesh kushëri i një burri të zënë me prodhime farmaceutike, që e shoh rrallë e për mall, më shpesh në facebook se live, e të cilit uroj të mos ia kem nevojën kurrë. Ngjashëm është me gjithë tjerët. Sado ekzotikë të jenë emrat në fillim – dhe emrat tanë në fillim ishin ekzotikë dhe për ne, dua të them, kjo qe tërë ideja – dikur ata prapë normalizohen. Njeriu nuk shoqërohet me emra. Njeriu shoqërohet dhe e gjen veten në mesin e njerëzve të tjerë.

-E keni ndjekur aktualitetin në Kosovë? Sipas jush, çfarë i shtynë kosovarët (dhe shqiptarët e tjerë) të lënë vendin e tyre dhe të kërkojnë azil në Europë?

Them se ndodh pse njerëzit humbën shpresën për një zgjidhje. Ka varfëri, mungesë pune, e korrupsion. Ato dy të parat do të ndiqeshin disi, po të mos ishte kjo e treta. Por mjerisht, korrupsioni endemik, që e kemi ne shqiptarët në natyrë, i dëbon investuesit e huaj. Dhe ne sot e dimë, nga shkenca e ekonomisë, që investimet e huaja direkte janë faktor kyç i këndelljes së çdo ekonomie në tranzicion. Edhe këtu mendoj se vogëlsia e shteteve të vocrra shqiptare është problem. Se kjo vogëlsi kultivon vogëlsinë shpirtërore, natyrën nepotiste brenda ngastrash të ngushta.

-Beson në bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe me trojet e tjera?

Kam hamendje, ta them të drejtën. E dua bashkimin, pse them se do të zhvillonte vendin. Do të na hiqte këtë frymën e vogëlsisë e ngastrat fisnore, që na lënë si Kurdistan të Europës. Më duket e panatyrshme që të duam të integrohemi me portugezë e grekë, e jo mes shqiptarësh. Por në anën tjetër, unë e dua një Shqipëri progresive, sekulare, me të drejta për minoritete, LGBT, grupet e tjera. Me një fjalë, një Shqipëri si Suedia. Dhe nëse Shqipëria e bashkuar do të ishte beden i errësirës, i prapambeturisë, religjionit, nacionalizmit përjashtues, shtypjes së minoriteteve LGBT, etnike, etj. Atëherë më shumë e dua kështu të ndarë, e të parrezikshme për tjerët!

dita
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top