LeVoyageur
RDM 33 NSOE
Entela Resuli
Erli Gurra njihet si mjeshtëri i violinave. Ai është tiranas dhe laboratorin e ka te “Selvia” në kryeqytet. Ata që janë muzikantë dhe punojnë me instrument e njohin 35-vjeçarin, i cili vjen nga një familje e njohur artistësh.
I ati i tij është mjeshtër i instrumentit të pianos dhe jo vetëm, punon në Universitetin e Arteve. Gjyshi, stërgjyshi por edhe me tej kanë qenë ustallarë të instrumenteve muzikorë.
Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me Erlin, ndaj, sot ai është një nga pasardhësit e denjë i tyre.
Prej dhjetë vitesh punon në laboratorin e tij në një shtëpi përdhese në lagjen e vjetër të Tiranës, pranë shkollës “Servete Maçi”.
Në ambientin e punës dëgjohet vetëm zhurma e limës, daltës që godet drurin e butë të panjës dhe bredhit. Këto janë dy llojet e drurit me të cilat ai ndërton violinat.
Tinguj nga… druri
Është e çuditshme se si nga një copë dru ai arrin të krijojë një instrument muzikor që nxjerr tingull dhe me të bëhet muzikë.
“Duhet të jetë një ndjenjë e bukur që nga druri të krijosh këtë instrument që mund të pushtoi sallat e koncerteve apo jo Erli”, e pyes ndërsa dhoma e tij e punës ka një rrëmujë që nuk duket aspak e tillë, për shkak të veglave muzikore që gjenden në çdo cep të saj.
“Kur përfundoj një violinë, kam të njëjtin emocion ashtu sikur kam patur kur kam krijuar violinën e parë. Është rezultati i një pune të gjatë, të imtësishme, me shumë detaje që ti e shikon të përfunduar. Violina është e njëjtë, procesi po ashtu, por më duket sikur të gjitha janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Me secilën krijoj një marrëdhënie të veçantë”- tregon Erli në studion e tij të qetë.
Gurra është rritur mes aromës së drurit të violinës, violinçelit, tingujve të pianos…
“Kur isha i vogël dhe futesha në dhomën e punës së babit më dukej sikur isha në disneyland. Për mua ishte këndi më i bukur i lojërave në botë. Aty i provoja të gjitha veglat muzikore dhe i vëzhgoja me imtësi se si ishin ndërtuar ato. Nuk ishte e vështirë për mua të mendoja se një ditë do të merresha më këtë punë, pasi më dukej sikur kisha lindur për të bërë këtë gjë”- tregon Erli teksa më ofron një violinë ta mbaj në dorë.
Ua, është pendë e lehtë…! “është realizuar me dru bredhi”- thotë ai
“Në laboratorin e tim eti, instrumenti që më tërhiqte më shumë ishte violina. Gjithnjë isha kurioz se si ndërtohej një e tillë dhe sillesha përreth violinave të hapura, të thyera, që ishin për rregullim. Dhe isha 10 vjeç kur kam kryer punimet e para në një violinë. Aty kuptova se ç’ishte pasioni dhe pata fatin që pasioni m’u kthye në profesion”, shprehet Gurra.
Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa” Erli shkon në Itali, në Cremona, i cili quhet ndryshe qyteti i violinave. Aty vazhdoi për 5 vite studimet në Shkollën e Ndërtimit të Instrumenteve me Harqe. Më pas një stazh pune ku ndiqte nga afër nëpër laboratorë, proceset e restaurimit dhe realizimit të instrumenteve, duke mësuar e “vjedhur” profesionin prej mjeshtërve italianë e ka ndihmuar shumë që sot të jetë ky që është.
Prej 10 vitesh punon në Tiranë, por tregu i tij i madh është jashtë vendit, kryesisht në Kinë. Sa herë që ka panair për instrumentet muzikore, Erli mundohet të jetë prezent duke prezantuar punën e tij, duke zgjeruar kështu tregun dhe duke u bërë më i njohur jo vetëm te muzikantët, por edhe tek ata që tregtojnë vegla muzikore.
Në një dekadë punë, ka realizuar 55 violina, me firmën dhe emrin e tij. 90 për qind e tyre kanë udhëtuar jashtë vendit. Realizimi i një violine kërkon 1 muaj kohë. Procesi është i vështirë dhe kërkon durim.
Nëse ka marrë porosi për një violinçel, puna kërkon më shumë kohë. Si violina ashtu edhe violinçeli kërkojnë durim dhe precizion. Që nga përzgjedhja e drurit, që si gjithçka vjen nga jashtë, gdhendja, realizimi i një objekti të bukur estetikisht, por mbi të gjitha nga ana akustike, e deri te vendosja e telave dhe ai momenti kur do të dëgjosh tingullin e parë.
Precizioni duhet të jetë maksimal, luhet me të dhjetat e milimetrit. Nga një milimetër mund të varet tingulli i violinës dhe për këtë nuk duhet vetëm saktësi, luftë nervash, por edhe një vesh i mirë muzike, në të kundërt do të ishte e pamundur të kapje tingullin e pastër e të bukur.
Momenti kur provon tingujt është më delikati, pasi çdo copë druri ka reagime të ndryshme, duhen me dhjetëra prova për të arritur tingullin e duhur.
Netët e gjata të punës në tavolinën e drurit janë të zakonshme për Erlin, i cili tashmë është baba i një vajze një vjeç e gjysmë. Edhe pse ende e vogël, Gurra ka kuptuar që vajza e tij ka qasje të veçantë ndaj tingujve, reagon kur i dëgjon dhe ndjek ritmin. Kaq mjafton për ta kënaqur më tepër mjeshtrin e violinës.
Trashëgimia
Dhjetë vite punë intensive, nuk e kanë zbehur, dëshirën dhe pasionin e tij për këtë profesion. Në fakt nuk është e thjeshtë pasi dinastia Gurra, në fushën e instrumenteve muzikore, i ka rrënjët e thella.
Dëshira dhe planet e Erli Gurrës janë që, një ditë ai të ketë sallonin e tij të instrumenteve në qendër të kryeqytetit, në një vend ku vizitohet shumë nga turistët, në mënyrë që ai të prezantojë jo vetëm punën, por edhe traditën e familjes së tij.
Tre-katër breza që merren me muzikë dhe që janë ustallarë të instrumenteve sigurisht që kanë shumë për të treguar dhe ekspozuar. Familja Gurra ka lënë gjurmë në historinë e kryeqytetit dhe ekspozimi i saj do të ishte një vlerë e shtuar për Tiranën turistike.
Vlera të tilla do të duhet t’i mbajmë gjallë duke i rrëfyer dhe duke qenë mbi të gjitha krenar që një familje e trashëgon mjeshtërinë e saj brez pas brezi.
Pas kësaj bisede në “Dita” e lamë Erlin me violinën e tij të radhës, shoqëri me të mirë nuk mund të gjejë jashtë portës së shtëpisë ku punon.
Dita