Shteti shqiptar fiton gjyqin në Londër 
Premtimi i Alibeajt për rigjykim prish rregullin e vendosur nga 
Gjykata e Lartë britanike
Nga Londra
Muhamed Veliu
Drejtësia shqiptare ka fituar një sfidë të rëndësishme në Gjykatën e 
Lartë britanike "Royal Court of Justice" në Londër, e cila ka rrëzuar 
apelin e një shqiptari, që kërkonte të bllokonte ekstradimin për në 
Shqipëri.
Ndërkohë, një tjetër sfidë akoma më e rëndësishme e pret atë me 
rigjykimin e Armand Bogdanit, i cili është dënuar me 13 vite burg në 
mungesë, si i dyshuar në trafikun e 1720 kilogramëve kanabis sativa 
drejt Greqisë në vitin 2002.Rigjykimi ka qenë "thembra e Akilit" 
gjatë apelit zhvilluar në Gjykatën e Lartë britanike.
Avokatët mbrojtës të Bogdanit, duke u bazuar në precedentët e 
vendosur nga Fatmir Bleta dhe Vullnet Muçelli, kanë tentuar të 
bllokojnë ekstradimin, duke pohuar se rigjykimi nuk është i 
aplikueshëm në Shqipëri për personat e gjykuar në mungesë, që 
ekstradohen nga vendet e tjera, gjë e cila bie ndesh me ligjin 
britanik të ekstradimeve "Extradition act 2003".
Garancitë e dhëna nga vetë ministri shqiptar i Drejtësisë, Enkelejd 
Alibeaj, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka bërë që shteti shqiptar ta 
fitojë këtë apel, duke i hapur rrugën e ekstradimit të shtetasit 
Armand Bogdani me banim në qytetin Nottingham në Angli. Mbi të 
gjitha, ky rast shënon një precendet për drejtësinë britanike, duke 
marrë një rëndësi të veçantë për proceset e mëvonshme të ekstradimeve 
që do të kërkohen nga Shqipëria.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive për drejtësinë shqiptare, 
çështja e Armand Bogdanit, i cili ka nënshtetësinë britanike dhe 
pritet të ekstradohet nga Anglia në ditët në vazhdim, nuk mbaron 
këtu. Vetë Bogdani thotë se ai e pret shumë qetësisht ekstradimin dhe 
është i bindur se e vërteta do të mësohet mjaft shpejt."Shpresoj 
shumë në drejtësinë shqiptare. Shkoj atje me mendjen e mbushur se jam 
i pafajshëm.
Në Angli kam ndërtuar disa biznese të miat, të cilat nuk kam ndërmend 
t`i shesh, pasi shpejt do të rikthehem si një njeri i lirë për të 
vazhduar jetën normale me bashkëshorten dhe vajzën time", ka pohuar 
Armand Bogdani. Gjatë një interviste për gazetën "Shqip", 
bashkëshortja e tij, zonja Debbie Bogdani, thotë se posedon prova të 
mjaftueshme, të cilat vërtetojnë se bashkëshorti i saj është i 
pafajshëm.
Britanikja shpreson se drejtësia do të vendoset në vend për burrin e 
saj, me të cilin ka ndërtuar një familje dhe kanë një vajzë 13-
muajshe dhe e cilëson si "drita e jetës së tyre". Ajo pohon se do ta 
lërë Anglinë për të jetuar në Shqipëri, në mënyrë që t`i bëhet krah 
atij në procesin e rigjykimit.
Intervista
Bashkëshortja e të dënuarit: Kemi prova pafajësie Rigjykimi, shpresë 
për të rifituar lirinë 
Tashmë Armand Bogdanit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të luftojë fort 
për të bindur gjykatën shqiptare për pretendimet e tij. Bashkëshortja 
Debbie Bogdani ka shpresë se burri do të dalë shpejt nga burgu, pasi 
beson se ai është i pafajshëm dhe se sistemi i drejtësisë në Shqipëri 
funksionon. Shtetasja britanike ka planifikuar tashmë strategjinë e 
mbrojtjes së bashkëshortit.
A keni pasur dijeni që emri i burrit tuaj, zotit Armand Bogdani, 
ishte përmendur në polici si një person i përfshirë në trafikun e 
drogës drejt Greqisë?
Unë nuk kam pasur dijeni që emri i Armandit është përmendur në polici 
si i përfshirë në një krim të tillë. Përpara se ai të arrestohej nga 
skuadra e ekstradimeve në Metropolitane Police, m`u tregua një 
artikull i botuar në një gazetë shqiptare në lidhje me ngjarjen.Që 
atë moment, kur kuptova se ai ishte një person në kërkim, në mënyrë 
imediate kërkova ndihmë përmes e-mail-eve të dërguara shumë 
departamenteve të drejtësisë dhe shtetit shqiptar. Deri më sot nuk 
kam marrë asnjë përgjigje, edhe pse e kërkoja ndihmën e tyre në 
mënyrë urgjente.
Si reaguat kur në derën e shtëpisë suaj në Nottingham erdhi policia 
për të ekzekutuar një mandat ndërkombëtar arresti, të lëshuar nga 
autoritetet policore shqiptare?
Ishte shokuese. Tërësisht e pabesueshme. Policët erdhën në mbrëmje, 
në orën 21:30, para se ta arrestonin Armandin. Sapo kisha vënë në 
krevat vajzën. Atëherë ajo ishte vetëm dyjavëshe. Armandi nuk ishte 
në shtëpi. Kishte shkuar për të vizituar disa miq. Të nesërmen në 
mëngjes, Armandi u telefonoi atyre në numrin që më kishin lënë. U tha 
se mund të vinin për ta vizituar, pasi ndodhej në shtëpi. Nuk kishim 
asgjë për të fshehur. Donim që kjo çështje të merrte zgjidhje. 
Policët erdhën dhe e arrestuan menjëherë Armandin. U mërzita shumë, 
pasi kisha në shtëpi gjashtë policë, ndërkohë që në krahë mbaja 
vajzën dyjavëshe, duke parë bashkëshortin tim që u mor nga policia 
dhe komshinjtë që shikonin nga cepi tjetër i rrugës. Ndjeva për një 
moment jetën time të shkatërrohej. Shumë shpejt, e gjitha kjo m`u 
kthye në një dëshirë e forcë të madhe për të provuar pafajësinë e tim 
shqoi me çdo kusht dhe kosto.
Zonja Bogdani, ju thoni se mund ta provoni pafajësinë e bashkëshortit 
tuaj, duke paraqitur prova. Mund të na i tregoni këto prova?
Këto prova do t`i paraqiten gjykatës përmes avokatit tonë në Tiranë, 
në seancën e parë të rigjykimit. Mund t`ju them me përgjegjësi të 
plotë se kam në dispozicion dokumente zyrtare që provojnë se 
bashkëshorti im nuk ka asnjë lloj përfshirje në krimin që akuzohet 
dhe është dënuar në mungesë. Kam prova që vërtetojnë se ai nuk mund 
të ishte përfshirë në tentativën e transportit të lëndëve narkotike 
drejt Greqisë.
A keni tentuar t`ua parashtroni këto prova autoriteteve të drejtësisë 
shqiptare dhe nëse po, cila ka qenë përgjigjja që keni marrë?
Qëkur Armandi u arrestua, në qershor 2007, kemi qenë të përqendruar 
te procesi i ekstradimit. Gjykata këtu nuk merr në konsideratë 
cilëndo provë të lidhur me krimin e ndodhur jashtë Anglisë. Interesi 
dhe theksi që kanë vënë dy gjykatat në vendimet e tyre, është një 
rigjykim i drejtë kur ai të kthehet në Shqipëri. Autoritetet 
shqiptare e kanë garantuar këtë. Kështu, unë do të kem rast t`i 
parashtroj këto prova në gjykatën shqiptare.
Pas këtyre garancive për rigjykimin e bashkëshortit tuaj, besoni se 
do të jepet drejtësi për të?
Besoj se Armandi do të përballet me një gjyq të drejtë, kur ai të 
kthehet në Shqipëri, siç edhe kanë premtuar autoritetet. Po, besoj 
shumë, se pasi të kem paraqitur provat e mia në gjykatë, drejtësia do 
të fitojë dhe akuzat ndaj tij do të rrëzohen. Kam lexuar shumë 
raporte. Mjaft njerëz nuk besojnë, apo janë skeptikë në drejtësinë 
shqiptare, por besoj se gjërat aty janë duke u ndryshuar. Besoj shumë 
se palët në këtë proces do të punojnë drejt vajtjes në një konkluzion 
të drejtë për këtë çështje.
Cilat janë pasojat që do të shkaktojë ekstradimi i Armandit për 
familjen tuaj, duke pasur parasysh se keni një vajzë 13-muajshe?
Pasojat e ekstradimit për familjen tonë do të jenë shkatërruese. Kemi 
një vajzë 13-muajshe, që për ne është drita e jetës sonë. Ajo ka 
nevojë për këshillat e babait teksa rritet, për ta informuar për 
origjinën e tij, në mënyrë që mos të harrojë se nga buron edhe 
origjina e saj. Unë kam nevojë për këtë bashkëshort që më ndihmoi kur 
isha në universitet, pa të cilin sot nuk do të quhesha kjo nënë që 
jam sot.Nuk mund të lejoj që bashkëshorti im të ndahet prej meje për 
13 vitet e ardhshme. Për këtë do të luftoj me çdo çmim për pafajësinë 
e tij. Të jetuarit pa Armandin do ta shkatërrojë shpirtin tim, duke 
shkaktuar dhimbje tek unë dhe vajza ime, përfshirë një rrjet të gjerë 
miqsh e shokësh në Angli. Nuk mund të mbijetojmë pa të mes nesh.
ا`plane keni pasi Armandi të jetë ekstraduar në Shqipëri?
Planifikoj të udhëtoj drejt Shqipërisë një ditë përpara ekstradimit 
të Armandit. Jam informuar nga policia se nuk do të më lejohet të jem 
afër tij ditën kur ai do të ekstradohet. Po ashtu, nuk do të më 
tregohet se me cilën linjë avioni ai do të udhëtojë. Në të tilla 
kushte nuk më mbetet gjë tjetër veçse të udhëtoj një ditë përpara për 
t`u risiguruar se ndihma ligjore nga avokati që do marrë në mbrojtje 
atë është imediate dhe eficente. Do të vizitoj burgun ku Armandi do 
të qëndrojë, për të siguruar se të drejtat e tij elementare nuk janë 
thyer. Ndërkohë që do të jem në Shqipëri, do të vazhdoj të përpiqem 
që ai të lirohet dhe kjo çështje e një dënimi të gabuar të mbërrijë 
në një konkluzion të duhur.