Antonela Hako, gruaja e arrirë e biznesit: E keqja e madhe e gruas është që mban veten jashtë vëmendjes, nuk “bërtet” për aftësinë e saj dhe as për arritjet e suksesin
Antonel Hako, një biznismene dhe filantrope e mirënjohur nga Shqipëria. Ajo shquhet si një model i gruas së suksesshme në biznes, është sipërmarrëse e njërës prej firmave më të njohura në Shqipëri dhe në rajon për prodhimin e produkteve të mishit. Sipas saj, suksesi nuk ka ndonjë formulë të veçnatë por është me shumë të panjohura.
“Nuk ka një formulë fikse për suksesin. Është me shumë të panjohura, ndryshon stad pas stadi, sipas fazave ku kalon biznesi. Unë jam e sigurtë që në thelb jane misioni, vizioni dhe analiza”. thotë Hako.
1. Për ata që nuk ju njohin, kush është Antonela Hako?
Antonela Hako është një grua në biznes si shumë gra të tjera. Lindur në Tiranë, edukuar nga një nënë e mrekullueshme (babain e kam humbur qysh femijë) që në bazë të vlerës vinte arsimin dhe dinjitetin, si armët që askush nuk mund t’ja rrëmbejë një gruaje dhe ta gjunjëzoj. Kam mbaruar fakultetin për ekonomi financë, kam emigruar si shumë shqiptarë, sapo u dha mundësia. Emigrimi në botë krejt të panjohur na mësoi ndryshimin e të qenurit i lirë në mendim dhe guximin që të nëse ëndërron të bëhesh dikushi në jetë, mund ta arrish. Sot jam administrator e kompanisë Hako në Shqipëri dhe Kosovë.2. Në pika të shkurtëra cili është historiku i biznesit tuaj? Gratë në biznes dhe roli juaj në këtë drejtim?
Në 1994 së bashku me bashkëshortin, kemi hapur biznesin tonë të vogël në Tiranë, pas disa vitesh në emigrim. Shumë vështirësi, si financiare ashtu dhe njerëzore.Në Shqipëri “lulëzonin” firmat piramidale, njerëzit notonin në çmenduri. Përballë kësaj, mendimi yt që fitimet ti investojë në pajisje pune, quhej cmenduri.
Një rrugëtim mes sfidash, nga një ambient i vogël, në një më të madh, nga prodhimi me makineri të përdorura në sfidën për të investuar gjithçka të re.
Sot prodhimi është i përqendruar në ambiente totalisht bashkëkohore, ku investimi dhe standarti janë garancia për cilesinë e produkteve dhe emrin e mirë të kompanisë.
Hako ka 200 të punësuar, shtrihet në të gjithë Shqipërinë, ka një flotë prej 50 mjetesh, investime në makineri e pajisje që do krahasoheshin me më të mirat në Europë, me sfidën që të njihemi në rajon e më tej. Prej disa kohësh dhe në Kosovë.
Në vitin 2020, së bashku me një grup zonjash në biznes dhe profesioniste në fushat të ndryshme , themeluam “Dhomën Ekonomike të Gruas”, si një mendim dhe deshirë e pjekur për tu ardhur në ndihmë e për bashkëpunuar me zonja në mbarë Shqipërinë që drejtojnë biznese në fusha të ndryshme të ekonomisë. Mbaj rolin e kryetarit të dhomës, dhe prej një viti, me kënaqesi e them që kemi punuar mirë për të dëgjuar, informuar, ndihmuar zonjat në drejtime të ndryshme si trajnime, rrjetëzim, etj.
Qëllimi i shoqatës është mbrojtja e interesave ekonomike dhe sociale të grave sipërmarrëse, profesioniste, dhe të vetëpunësuara nga të gjitha sektorët e ekonomisë dhe ofrimi i shërbimeve ndaj tyre përmes zhvillimit të politikave favorizuese për mbështetjen ekonomike dhe sociale të grave, veprimtarive promovuese dhe zhvilluese, bashkëpunimeve kombëtare dhe rajonale, studime, botime, projekteve dhe konsulencave.
3. Përse vendosët pikërisht për produket e mishit dhe sallamërisë?
Emigrimi nuk ishte fushe me lule. Ti nuk zgjedh por punon për të zgjidhur jetën. E pas kësaj mëson dhe profesione të reja, të cilat as që i ke menduar më parë.Kur studiuam tregun, para vendimit të kthimit në atdhe, vëmë re që ajo çfarë i mungonte ishte shërbimi i mishit në mënyrë europiane (sipas anatomisë) dhe që tregu nuk kishte produkte gjysëm të gatshme. Sallamëritë e para të vogla ofronin pak produkte dhe shuanin urinë e tregut të trashëguar nga diktatura
Një analizë si më lart, gradualisht, na bëri të mendojmë të investojmë në këtë linjë. Duke filuar me produkte të paketuara e më pas duke investuar në sallamëri.
Sigurisht, jo kaq kollaj sa shkruhet, por me vite, lodhje me dështime dhe me suksese.
Dhe, sigurisht, me vizionin që ky biznes do të duhej të behej mirë, me investim në çdo drejtim, makineri, burime njerëzore, lëndë të para, standart paketimi…..
Veç kjo mënyrë do ta bënte Hakon kompani bashkëkohore, një kompani që do vazhdojë të ekzistojë dhe pas 100 vjetësh, që i jep vlerë zinxhirrit të ekonomisë dhe që padyshim është pasuri kombëtare.
4. Mes tjerash njiheni edhe për filantropi, çdo të thotë kjo për ju?
Disa thonë që e bëjnë për modë ose se e kërkon koha, ose që meqe e bëjnë të gjithë duhet ta bësh dhe ti. Në fakt, filantropia është edukatë që nga fëmijëria dhe e mëson në ambientin ku rritesh e ku jeton. Është njerëzore të ndash, të gjendesh kur është nevoja, të japësh sa mundesh e të kesh durim të dëgjosh. Nëna ime e bënte, si mjeke e si njeri i shkëlqyer. Vjerra ime po ashtu, me sa kishte e më gjithë shpirt.Filantropia nuk eshte modë, as reagim i një dite, por është mendim i të përditshmes, është mënyrë sjellje dhe reagim i çdo vendimi që merr në biznes e familje.
5. Lidhur me këtë në një intervistë jeni shprehur se:”Unë do të doja shumë që filantropia të mos bërtitej”, çfarë keni dashur të thoni me këtë?
Asgjë të veçantë. Kam dashur të them atë çfare nënat tona na kanë mësuar ”të mirën kur e bën mos e përmend”. Nuk duhet konsideruar si një nder qe po i bën dikujt ose diku, por si detyrë shoqërore që të bëjmë të lumtur e të ndihmojmë sado pak.Kur ti e bërtet, është njësoj si ti marrësh frymën apo ta bësh të ndihet keq personin ose organizatën që ke vendosur të ndihmosh.
6. Formula e suksesit qëndron në të ëndërruarit apo në pa parashikueshmërinë?
Nuk ka një formulë fikse për suksesin. Është me shumë të panjohura, ndryshon stad pas stadi, sipas fazave ku kalon biznesi. Unë jam e sigurtë që në thelb jane misioni, vizioni dhe analiza.Sikurse jam e sigurtë që ëndërra lidhet fort me përpjekjet për të arritur, që shpesh mbeten pa realizuar sepse rrugës zgjedh të përqafosh gjëra të reja, sikurse jam e sigurt që një strategji afatgjate e biznesit është çelës suksesi.
7. Në çka bazohet performanca e biznesit dhe cilësia e produketeve?
Pikë së pari varet nga pozicionimi i biznesit. Varet nga çfarë më sipër janë të rëndësishëm, misioni dhe vizioni. Çdo hap, investim, strategji, janë të lidhura e të varurara nga sa më lart.Besimi tek njerëzit, përgjegjësia shumë e madhe dhe transparenca me klientin. Klienti i Hako-s konsumon atë që paguan dhe që i përshtatet shijes që ka zgjedhur. Ai është i sigurtë për standartin dhe i garantuar për përmbajtjen.
Ndaj dhe i gjithë fokusimi i kompanisë që nga çfare zgjidhet të investohet nga zgjedhja e lëndëve të para dhe bashkëpunëtorët seriozë e afatgjatë, investimi në burime njërzore dhe mënyra e sjelljes ndaj klientit ,të gjitha janë të lidhura me cilësinë e produktit
8. Për dallim nga “burrat” në biznes, çka i veçon gratë?
E veçanta te gruaja eshte aftësia e saj për të mbajtur ekuilibra. Në familje dhe punë, manaxhimi i kohës, gjithë gjendja e saj kudo që është e nevojshme, përgjegjësia në punë e në rritjen e fëmijëve.Nëse një gruaje I jep një detyrë ajo do bëjë maksimumin ta realizojë, pa marrë nga koha e familjes. Ajo nuk merret me fjale, as harxhon kohën në kafe. Një grua që drejton një biznes nuk bën kompromise.
Por, e keqja e madhe e gruas është që mban veten jashtë vëmendjes, nuk “bërtet” per aftesinë e saj dhe as për arritjet e suksesin.
9. Lidhur me rritjen e çmimit të produketve ushqimore, si e keni mirëpritur këtë masë dhe si ka ndikuar te oferta dhe kërkesa e tregut?
Nuk është e para herë që ka paqëndrueshmëri në çmimet e lëndëve të para e të sherbimeve.Kriza ka patur e do ketë. Aftësia e një organizate është të manaxhojë burimet, të rrisë efiçiencën, të riorganizohet, të lëvizë shpejt që të mos humbasë terren.
Për rritje çmimesh kur të ardhurat janë të njëjta, sigurisht që, ka luhatje të kerkesës ,por menaxhohet.
10. A e ndryshon fama njeriun? Nëse po, si ka ndikuar te ju?
Se pari, unë nuk e konsideroj veten të famshme, por të njohur! Të njohur për punën dhe përpjekjet për një biznes cilësor, edukatën që dëshiroj të transmetoj tek brezat që nga ëndrra për tu bërë dikushi në jetë deri tek realizimi, ka disa sfida që të rrisin dhe të formojnë, që të japin siguri dhe pjekuri, që të bëjnë të investohesh në dije çdo ditë. Asgjë nuk vjen menjëherë. Kështu që, mendoj që pyetjes, .si ka ndikuar fama,të mos i kthej përgjigje.Nuk mundet të ndikoje opinioni apo fama (siç e quani ju), ne formësimin personal, as në bindjet e as në seriozitetin e biznesit. Përkundrazi, si e tillë ajo rrit përgjegjësinë ndaj konsumatorëve, ndaj skuadrës me të cilën punon, ndaj gjithë bashkëpunëtorëve me të cilët je në marrdhenie prej kohësh. E nëse rritja e përgjegjësisë quhet ndikim, atëherë le ta konsiderojmë si të tillë.
11. Pandemia dhe biznesi?
Vit i vështirë shumë. Se pari, sepse asnjë nga bizneset nuk ka fond emergjence. Se dyti, duhet të merrje masat për vazhdimësinë dhe për ekzistencënKompania jone punoi, sepse është në industri ushqimore. Sigurisht që, personeli i cili duhet të qëndronte në shtëpi, qëndroi dhe u pagua njësoj sikur të punonte.
Kompania përdori burimet e veta. Tek e fundit njerëzit janë ata që peshojnë dhe kanë vlerë. Nuk pranuam të merrnim ndihmë nga shteti sepse e menduam të rrugës që keto fonde i duheshin dhënë bizneseve që u mbyllën totalisht.
Unë po ju dërgoj dhe rezultatin e një ankete që u bë me gratë në biznes. Sipas rezultateve të anketës së Dhomës Ekonomike të Gruas, gjatë pandemisë, 30% e sipërmarrjeve ulën numrin e të punësuarve. 7% e tyre mbyllën aktivitetin. Pozitive: zhvillimi tregtisë online.
Anketa e zhvilluar nga Dhoma Ekonomike e Gruas me gratë sipërmarrëse në biznes nxjerr në pah efektet e pandemisë dhe sfidat e grave në biznes. Anketa e kryer dy muajt e fundit me 80 gra sipërmarrëse vë në dukje se 30% e tyre ulën numrin e të punësuarve nga 10-70%, krahasuar me një vit më parë.
Flasim për një kategori sipërmarrjesh që kishte siguruar qëndrueshmëri më parë, pasi rreth 70% e tyre, raportojnë të kenë mbi 5 vite në treg dhe 37% e totalit të të anketuarve kanë mbi 10 vjet.
Gjatë vitit të kaluar gati 36% e sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë ulën aktivitetin, por theksuan se nuk pushuan punonjës nga puna. Ndërsa vetëm 8% vazhduan normalisht si më parë.
Gjatë kulmit të pandemisë, gati një e treta e sipërmarrjeve të drejtuara nga gra e kanë menduar mbylljen e aktivitetit dhe 7% e tyre e kanë mbyllur atë në vijim.
Për pjesën më të madhe të grave në biznes, shqetësimi kryesor ishin: pasigurua, e shoqëruar me ndryshime të vazhdueshme të masave mbrojtëse dhe pamundësia financiare e tyre për të rritur kapitalin.
Pasiguria ishte shqetësimi kryesor i 37 % të të anketuara, ndërsa pamundësia për të shtuar kapitalin, si dhe ulja e kërkesës në treg janë shqetësim parësor për 23% të tyre. Edhe në këtë periudhë kritike, vijoi të mbetej shqetësim fuqia punëtore e pakualifikuar. Ajo u rendit si shqetësim kryesor nga 11% e sipërmarrjeve.
Zhvillimi pozitiv i kësaj periudhe ishte aktiviteti online i kompanive. 53% e tyre thonë se kanë shënuar zhvillime pozitive në sipërmarrje pikërisht për shkak të periudhës tranzitore dhe fokusit në shitje online. Kjo mundësoi ulje të kostove operative për shumë kompani. Në drejtim të shërbimeve online, ato zhvilluan dëgët e tyre të shërbimeve të mëparshme, ose produkte tërësisht të reja.
Disa nga pergjigjet ishin:
1-Shitje online dhe futje e një produkti të ri
2- Përshtatje e aktivitet dhe shtim i shërbimeve
3- Zhvillim i shitjeve online për t’u përshtatur me tregun dhe kushtet e pandemisë
4- Hapje e një sipërmarrje të re me fokus tregtinë online
5- Zhvillim i aplikacionit online
Në këtë periudhë, vetëm 26% e sipërmarrjeve të anketuara pohojnë se arritën të përfitojnë nga mbështetje financiare, si projekte apo masa të posacme, nga të cilat gati 70% ishin grante