Monique
With or Without u
I dashur Sali,
Po të shkruaj sepse e di që ti je nga të vetmit liderë në atë kontinent të plakur, që je tejet i gëzuar nga fitorja ime. Shresoj se je dhe një nga ata që e kupton më së miri faqen e re që ajo do të hapë në historinë e botës.
Si i vetmi udhëheqës i asaj pjese të globit që qëndron në krye të partisë tënde që prej rënies së komunizmit- kam dëgjuar se tani ke emëruar de jure një djalë të ri dhe me perspektivë në krye të partisë, ashtu sikurse do bëj edhe unë me drejtimin e ndërmarrjeve të mia, pasi të hyj në shtëpinë e Bardhë-, pra si një profil krejt i veçantë, po të shkruaj për të nisur një komunikim me ty. Pët të të dhënë disa porosi dhe për të të kërkuar një këshillë.
E para dua të të qetësoj.
I'a kam thënë edhe atij rivalit tënd në Tiranë, që kur bën gafa sillet si piktor dhe kur i del mirë hiqet si kryeministër: unë nuk jam një njeri që mbaj inate. Ashtu sikurse dhe ty, në partinë time jo të gjithë më duan, mediat e establidshmentit vazhdojnë të më masakrojnë, kundërshtarët më trajtojnë si seksoman, misogjen, racist, arrogant, por unë përsëri nuk mbaj inat.
Prandaj nuk kam asnjë mëri as me ty që të gjitha paratë e privatizimeve, ato të Gërdecit, ato të atij oligarkut të naftës që tani më kanë thënë se gjendet në një burg të Zvicrës, i çove drejtpërdrejt në xhepat e atyre mashtruesve të Podestës.
Jo, jo nuk mbaj mëri, por së paku edhe ti tani e kuptove sa të aftë janë këtë vëllezërit Podesta. I kishin të gjithë pro dhe e morën më qafë Hillarinë. Edhe ty të morën një mal me para dhe cili qe rrezultati: që kur pajtove ata si firmë lobuese, të gjithë amabasadorët e Amerikës përsëri armiq i ke pasur.
Unë ndryshe nga ti, që nuk ke lidhje me paranë, i përulem dollarit dhe po të them që kjo nuk ndodh në asnjë biznes të botës: të paguash për të prodhuar armiq, kjo është absurde.
Po tani nuk ka pse të jesh më i shqetësuar. Tani kam ardhur unë në pushtet dhe do ta pastroj dhe Amerikën edhe Shqipërinë nga Podestat dhe Sorosi. (Ah, meqë erdhi fjala, ky po më organizon protesta pa fund përpara kullës sime në Manhatan…..megjithëse për këtë do të flas më pas).
Po, pra i dashur Sali të zotohem.
Në vendin tënd nuk do të dëgjosh më për hajdutët e Podestës dhe për ata të degjeneruarit e Sorosit. Këshilltari im më i mençur, Stiven Bannon më tha se një sorosiste e vjetër, tani ministre, kishte thënë në shtyp se “Edi Rama ishte brendi më i mirë për të reklamuar Shqipërinë”! E shikon deri ku arrijnë ata. Unë i njoh më mirë se ty.
Ata janë një sekt nga i cili duhet të ruhemi.
Fillimisht lidhen si shoqëri. Pastaj afrohen me njëri tjetrit përmes një jete të çthurur. Organizojnë orgji. Ndërrojnë gratë me njëri -tjetrin. Sillen si libertinë. Por pavarësisht nga kjo pamje në sipërfaqe, prej hipish të pafajshëm, kanë vetëm një qëllim: paranë dhe pushtetin. Më beso mua, janë race e keqe sorosianët, Sali.
Por tani mos ki merak, do të merrem unë me ta.
Nga ty dua tjetër gjë.
Megjithëse të thashë që jam tolerant dhe e kam falur, dua të vazhdosh ta mbash nën presion atë rivalin tënd, Ramën , duke ia përsëritur vazhdimisht ato që ka dërdëllisur për mua: “Katastrofë për botën“, Fatkeqësi për Amerikën” “Përkeqësim të marëdhënieve me Shqipërinë”.
Dua ta bësh këtë, jo për atë, se më kanë thënë se është një frikacak proverbial edhe me kaq sa i ke bërë mjafton. Por për të ngjallur frikën në mbarë kontinentin tuaj. Që ta bëjmë shembull për tu treguar liderëve europianë se asgjë nga ato që kanë deklaruar nuk harrohet.
Po vazhdove kështu do të dij të ta shpërblej. Dhe ja nga do të fillojmë.
Ti e di, në këtë pikë më kanë thënë që je si unë, që nuk i kemi qejf, as të zinjtë, as latinët dhe as të verdhët. Kështu që kurbani im i parë për ty, do të jetë ai verdhacuku që flet shqip në emër të Amerikës në Tiranë. Xhulani më raportoi para disa ditësh për fjalimet e tij në gjuhën tuaj që nuk i merr vesh askush, por që të gjithë shqiptarët qeshin nga halli. Ai nuk mund të përfaqësojë më ShBA. Në vendin më arian të Evropës, pas Gjermanisë ( e di që ty gjithnjë të pëlqen të jesh i dyti pas gjermanëve) vendi ynë nuk mund të përfaqësohet veçse me një të bardhë. Qetësohu pra, do të kesh një armik më pak në Tiranë.
E dyta që dua të të them është që mos i trembesh më reformës në drejtësi. Ka vdekur ajo. Nuk do të lejoj unë që ata pinjollët e Sorosit ti bëjnë lëmsh gjykatat sovrane shqiptare. Unë e di pse e nisën ata atë gjoja reformë. Donin ta kishin si një kërbaç në duart e tyre për t iu trembur ju politikanët. E mban mend atë rastin kur edhe ti edhe rivali yt, e ndërruat pllakën dhe fjalën që kishit dhënë dhe nuk i lejuat armët e Asadit të demontoheshin në Shqipëri. Ja për raste të tilla e duan këtë reformë sorosianët. Që sapo të thoshit edhe njëherë jo, ata tu shantazhonin me prokurori dhe gjykata.
Por, kjo nuk është politika ime.
Siç më ke ndjekur gjatë fushatës (më kanë thënë që tani që nuk je më kryeministër shikon gjithë ditën lajmet e botës në TV dhe shkruan në Facebook) e kam përsëritur disa herë: Amerika me mua nuk do të ndërhyjë më në punët e brendeshme të vendeve sovrane. Ndaj edhe reforma në drejtësi me bekim amerikan ka vdekur.
Besoj u qetësove tani nga kërcënimet e atyre shqiptarëve frikackë që ngaqë nuk maten dot as me hijen tënde të kërcënonin me burgun amerikan. Të kërcënonin me sekuestrimin e pasurive të femijve të tu dhe me hapjen e dosjeve të të shkuarës tënde.
Kjo fabul ka mbaruar i dashur Sali.
Dhe për këtë nuk dua të ma dish për nder.
Unë e di se ne jemi shumë të kundërt. Unë e adhuroj pasurinë, ti e fsheh atë ; Unë i dua femrat e bukura dhe i shfaq në publik, ti bën si indiferent ndaj tyre dhe i fsheh vetëm në errësirën e zyrës tënde ; Unë kam një pallat të artë në Florida, kurse ti deklaron se je kundër atyre që lahen në vaska të florinjta ; Unë i dua serbët, kurse ti bën sikur je armik i tyre ; Unë i urrej Merkelin, Hollandin, Renzin, Sarkozinë, ndërsa ty ta do puna ti respektosh.
E shikon pra që jemi të ndryshëm.
Por megjithëatë besoj se arrijmë të kuptohemi sepse kemi një të përbashkët të madhe: Urrejmë të na kthejnë fjalën dhe nuk durojmë askënd të na kundërshtojë.
Pikërisht për këtë tipar të përbashkët, ashtu siç të shkruajta në krye të letrës, doja të të kërkoja një mendim.
Ti e di për ato demostratat gjigande që po organizon Sorosi me ca miliarderë të tjerë të majtë dhe me ca nga ata kokëboshët e Holliwoodit përpara Trump Tower në New York. Nuk i duroj dot ata palaço përpara ndërtesës sime private. Nuk i shoh dot ata burra me bythët jashtë dhe ato gra me buzë e gjokse të fryra të protestojnë në emër të gjoja lirive, antiracizmit, të drejtave të femrave.
Më ngrejnë nervat ata maskarej të organizuar nga tjetër kush. Nuk i duroj dot.
Më thanë se ti ke një zgjidhje për këtë. Kur të bënë një gjë të tillë para zyrës tënde, një janar të pesë viteve më parë, ti ua tregove qejfin paq.
Jam gati dhe unë. Aq më tepër që kam dëgjuar se që pas asaj dite, askush nuk të çau më kokën me protesta.
Po dua të të pyes vetëm për një gjë? Si ia bëre për të fshehur gjurmët? Si e mbylle atë raportin shkatërrues të FBI? Si i fshive serverat me filmime? Si i nderove shulat edhe tytat?
Në emër të gjithçkaje që do të bëj për ty, dua një përgjigje për këto i dashur Sali.
Këtu e di, se unë, që pas pak javësh do të bëhem njeriu më i fortë në botë, kam se ç‘mësoj prej teje.
Më shkruaj sa më parë i dashur Sali.
Dhe letrën ma sill dorazi, as me anë të Podestës, dhe mbi të gjitha jo përmes atij verdhacukut.
I Yti
Donald
Lapsi.al