Titulli: Dhuratat e shqiptareve per festat
Në fakt, sipas sondazheve të fundit, gjashtë europianë në dhjetë të tillë i lënë dhuratat për t‘i blerë në çastet e fundit, vetëm disa orë para festave. Vetëm 16 për qind e tyre i kishin blerë ato para kohe
Si të mos turpërohemi
Janë simbol i festave, një mënyrë për të treguar dashuri, miqësi dhe përkushtim. Në ditët e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, në të gjithë globin shitjet shtohen në mënyrë marramendëse, sidomos në dyqanet e dhuratave. Shumë e konsiderojnë stresues faktin e të blerit diçka për miqtë apo të afërmit, ndaj i lënë gjithmonë për në minutën e fundit. Në fakt, sipas sondazheve, gjashtë europianë në dhjetë të tillë i lënë dhuratat për t‘i blerë në çastet e fundit, vetëm disa orë para festave. Vetëm 16 për qind e tyre i kishin blerë para kohe. Sondazhet tregojnë se rreth katër europianë në dhjetë do të donin të gjenin si dhuratë produktet e shtrenjta ushqimore si vera dhe çokollatat, kurse 21 për qind zgjedhin veshje. 15 për qind CD/DVD, 13% pajisjet e fundit teknologjike dhe 2 për qind nuk kishin asnjë preferencë. Këtë vit mendohet se shpenzimi mesatar për dhuratat do të vërtitet te 300 euro dhe vetëm 3.7 për qind e europianëve mendohet se do të shpenzojnë më shumë se 1000 euro. Secili prej tyre do të blejë mesatarisht shtatë dhurata, ku më i preferuari për miqtë ngelet libri apo ndonjë CD. Por sipas të intervistuarve, dhurata më e shtrenjtë do të bëhej për veten. Për femrat, në modë janë dhuratat ku fjongot janë të pranishme, si kapelat, këpucët, çantat, fustanet. Falë tyre, këtë vit ato zbuluan sensualitetin. Ato nuk janë vetëm një ornament femëror, por edhe një shenjë fisnikërie.
Megjithatë, studimet kanë treguar se vetëm një në pesë dhurata vlerësohet dhe pëlqehet, ndërsa të tjerat përfundojnë në sirtar, ose në rastin më të keq, në plehra. Megjithatë, në shenjë mirënjohjeje je i detyruar të japësh një buzëqeshje të shtirur dhe një falënderim të ngrohtë. Vetëm në Britaninë e Madhe, sipas një prej faqeve më të mëdha të internetit për shitjet online në këtë periudhë, vlera e dhuratave të padëshiruara kap shifrën e 2 miliardë eurove. Në dhjetorin e vitit të kaluar, "eBay", sajti i shitjeve online, regjistroi një numër jashtëzakonisht të madh të objekteve të reja që viheshin sërish në shitje, ku shumë prej tyre ishin dhuratat e marra për Krishtlindje. Mes dhuratave më pak të dëshiruara, dhe që bëheshin më shpesh, ishin çorapet, këpucët, parfumet, shampot apo kremrat për trupin dhe objektet për kuzhinën. Në fakt, në Londër, në ndihmë të atyre që nuk duan t‘i hedhin poshtë dhuratat, vijnë disa magazina të mëdha angleze, që në këto ditë të fundit të ndërrimit të viteve paralajmërojnë që të mos dëmtohet kutia dhe të ruhet fatura, për të pasur një mundësi të re me një ndërrim të mundshëm.
Në Britani, një nga shtëpitë më të mëdha botuese, "Debrett‘s", e njohur për dhënien e këshillave aristokracive britanike dhe e vjetër që shumë se 200-vjeçare, ka nxjerrë në qarkullim një libër mbi atë se çfarë duhet të bëjmë nëse marrim një dhuratë që na pëlqen pak ose aspak. Sipas saj, rregulli i parë është ai që kemi dëgjuar prej kohësh, se ai që ka rëndësi është mendimi dhe jo dhurata, ndërsa e këshilla e dytë është se të shtiresh sikur të pëlqen dhurata, nuk ka lidhje fare me hipokrizinë, përkundrazi është një detyrim që të gjithë ne duhet ta bëjmë. Në të vërtetë, më shumë rëndësi i jepet sinqeritetit të dhuratës, që mendohet se është bërë me gjithë zemër, që i pëlqen atij që e merr dhe që ka një vlerë afektive dhe simbolike. Po ashtu, janë të paktë ata që e konsiderojnë dhuratën një veprim të detyrueshëm, që i kushtojnë shumë rëndësi faktit për të treguar vlerën ekonomike të saj. Njerëzit pëlqejnë më shumë që të marrin një dhuratë që ka për ta vlerë afektive, shoqëruar kjo edhe me ndonjë mesazh të këndshëm. Kështu, edhe nëse dhurata që burri, i dashuri apo një i afërm i juaji u ka bërë, nuk u pëlqen, në raste të tilla mund të thuhet "mjafton mendimi".
Në Francë i kushtohet rëndësi edhe elegancës, cilësisë së dhuratës, thjeshtësisë dhe bukurisë së saj. Në këtë vend, 12 për qind e të pyeturve e riciklojnë dhuratën e pakëndshme, 6 për qind e flakin në plehra, ndërsa vetëm 1 për qind e shesin apo ua tregojnë të afërmve për t‘u "argëtuar" me të. 67 për qind e anglezëve mbështesin faktin se është mendimi ai që ka rëndësi, duke pohuar se i vlerësojnë dhuratat e bëra me sinqeritet dhe entuziazëm, kurse në Gjermani mendojnë se një dhuratë e shtrenjtë nuk është domosdoshmërish e suksesshme. Të njëjtin mendim me gjermanët ndajnë edhe suedezët. Por, pavarësisht këtyre, ajo që është vërtetuar plotësisht, është se ata që zgjedhin gjithmonë dhuratën e gabuar, janë meshkujt. Të brendshme, aksesorë që nuk kombinohen lehtë, çanta, parfume, rruaza, objekte për shtëpinë, që shpesh janë jashtë shijeve të femrave. Kjo është ndoshta edhe arsyeja që meshkujt shpesh preferojnë të bëjnë dhurata shumë të shtrenjta për ta shmangur këtë. Në të vërtetë, stresi që pothuajse të gjithë kalojnë për të gjetur dhuratën e duhur për një mik, shok, të afërm apo njeriun e zemrës në festat e fundvitit, është bërë pre e studimeve të ndryshme. Kështu, ekspertët që shpjegojnë sjelljet shoqërore, dinë të japin edhe arsyet. Sipas anketave të bëra në Holandë, pas marrjes në pyetje të shumë çifteve të reja, rezultati ka qenë ky: ثshtë më e lehtë të zgjedhësh dhurata për të tjerët, domethënë për një të huaj, se sa për gruan tënde. Kështu, njëri prej autorëve të këtij studimi thotë se është gabim të mendosh se "kur njeh dikë, mund të dish gjithçka për të".G. Shqip