Dhuna në fëmijëri dhe pasojat, reflektim për fenomenin në vendin tonë

Love

βeℓℓe â๓e
Prof.Dr. Ylli Pango

images-12.jpg


Dhuna dhe frika si element pasues i saj kanë një ndikim shumë të madh në zhvillimin e fëmijës. Në aspektin psikologjik, images (1)fizik, neurologjik të zhvillimit,.në gjithë personalitetin e aftësinë e tij të ardhme për të funksionuar normalisht në shoqëri. Për fat të keq, është mjedisi shtëpiak ndër vendet ku shfaqet dhuna më e madhe karshi fëmijës. Ajo shfaqet në dhunën e babait a të nënës karshi fëmijës, në relacionet e këqija nënë-babë që reflektohen psikologjikisht, emocionalisht në dhunë tek mendja e fëmijës, me pasoja të mëvonshme në personalitetin dhe jetën e tij, por edhe fizikisht në dhunë karshi tij në rastet kur ai ndërhyn në këto relacione të ashpërsuara nënë-babë në mbrojtje të nënës, për zbutje të tyre, a nën terrorin psikologjik për të kërkuar mbrojtje etj. Veç familjes, edhe komuniteti e shkolla, gjithnjë e më tepër në dekadat e fundit janë mjedise ku dhuna shfaqet në rritje. Këtu, veç dhunës të të rriturit shfaqet edhe dhuna e adoleshentit ndaj moshatarëve të vet. Kështu edhe lagja e shkolla bëhen mjedise gjithnjë e më pak të sigurta..

Tek ne, në rrethinat e qyteteve të mëdha e sidomos në kryeqytet, nga imigrimi masiv prej zonave rurale janë krijuar tashmë mjedise heterogjene, tipike për lulëzimin e dhunës e kriminalitetit adoleshent. Gjenden aty shembujt më të larmishëm të dhunës në familje, dhunës ndërmjet adoleshentëve, deri të krimeve nga më të rëndat. Lëvizja migratore, me problemet e veta të mbijetesës për familjet, është një faktor stimulues për dhunën në familje karshi fëmijëve e adoleshentëve por edhe për edukimin me dhunën të këtyre të fundit.

Media-violenca është një tjetër faktor madhor, problematik e i rrezikshëm i shtimit të dhunës karshi fëmijës në kohërat e sotme, por edhe i stimulimit e imitimit të saj nga prej tyre. Ajo është faktor i frikshëm, i ushtrimit të dhunës së vetë fëmijëve e sidomos adoleshentëve karshi moshatarëve të tyre por edhe më tej. Fëmijët shpenzojnë gjithnjë e më shumë kohë përpara ekraneve. Dhuna në media rrit potencialin agresiv dhe shfaqjet agresive e antisociale nxisin imitimin. Në bazë të teorisë së modeleve ato formësojnë në psikologjinë fëminore e atë të adoleshentit modelin për t’u ndjekur të heroit agresiv, kriminal, i dhunshëm i fortë fizikisht, por edhe i pashpirt. Në përfytyrimin e fëmijëve skenat e dhunës mediatike e bëjnë botën reale të duket më pak e rrezikshme se ajo që shohin atje. Në realitet ai nuk gjen në mënyrë kaq të mpiksur artistikisht e të dukshme sa në media, këtë larmi krimi e përmasash të shfaqjes së tij. Kjo i bën fëmijët të jenë disi të përshtatur, të mësuar, më pak të ndjeshëm ndaj violencës a dhunës reale; dhunës së ardhshme ushtruar karshi tyre por edhe të tyres mbi të tjerët në një mjedis real. Fëmijët bëhen kështu viktima, dhunues ose dëshmitarë të dhunës në shtëpi, lagje, shkollë. Ata rriten e përshtaten në këtë atmosferë frike e dhune. Kjo pa dyshim ndikon në zhvillimin e tyre e sjell ndryshime bazale në funksionimin social, njohës, sjellor, emocional. Fëmija bëhet më pak reagues, më pak impulsiv, më i menduar kur dhuna e mposht atë. Kur ai e përvetëson atë si model, rritet njëherazi dhe kapaciteti i tij individual për agresivitet, impulsivitet dhe për dhunë. Truri karakterizohet nga aftësia e zhvillimit në varësi të aktivitetit të vet. Kjo do me thënë që sa më shumë aktivizohet sistemi nervor aq më shumë zhvillohet e ndryshon truri. Sa më shumë aktivitet ushtron fëmija, sport fjala vjen, aq më shumë i zhvillohet aftësia për këtë aktivitet. Truri i fëmijës zhvillon kështu funksione e kapacitete që reflektojnë përvojat e përsëritura. Për analogji kjo ndodh edhe për aktivitete të tilla si dhuna. Fëmija i dhunuar tenton të moderojë frustrimin, impulsivitetin, agresivitetin, e dhunën dhe truri i zhvillohet në varësi të këtyre përvojave. Dhuna e traumat ndikojnë në trurin në zhvillim dhe ndërhyjnë e ndryshojnë procesin e zhvillimit nervor normal. Ato ndikojnë emocionet, perceptimet, përvojat. Kështu kërcënimet e dhunës aktivizojnë formën stres-reagim. Truri në zhvillim është mjaft i ndjeshëm. Pastaj fëmija rritet dhe truri i tij përshtatet me dhunën. Kjo d.m.th formim i një tërësie reagimesh karshi dhunës e kërcënimit. Këto sigurisht ndikojnë, ndryshojnë mënyrën se si vepron fëmija edhe në situatë normale. Shfaqen kështu çrregullime funksionale në aspektin njohës, në mënyrën e sjelljes, në emocionet. Zhvillohen hipervigjilenca, irritueshmëria, pasiviteti, nënshtrimi.

Shfaqet edhe një mungesë angazhimi ndaj botës së jashtme dhe reagohet kryesisht vetëm me stimujt që vijnë nga bota e brendshme, shoqëruar me hutim, shmangie, mpirje, ëndrra me syhapur,depersonalizim, derealizëm. Fëmijët që pësojnë dhunë kronike përjetojnë sikur shkojnë në një vend tjetër apo edhe ikin vërtet (fuga), robotizohen, vështrojnë ngultas diku. Më të vegjlit bëhen më të palëvizshëm, vuajnë më shumë dhe ndjehen të pafuqishëm për të reaguar karshi stresit të dhunës. Dhuna e përvojat traumatike sjellin edhe ankth dhe ndjenjë rreziku të vazhdueshëm. Rreziku mund të jetë direkt fizik që paralajmëron për një kërcënim konkret dhe që nxit të bëjmë diçka për ta mënjanuar atë. Ose mund të jetë dhe mendim i tipit: “A do më rrahë babai sonte?” Ka edhe shfaqje rreziku të këtyre dy tipave së bashku. Kur fëmija është i pafuqishëm të reagojë karshi rrezikut, ankthi rritet dhe mund të shkojë deri në depresion. Në këto raste duhet dhënë ndihmë profesionale. Më pas këto gjendje bëhen tipare të qëndrueshme të personalitetit. Kështu kur rritet njeriu karakterizohet nga hipernxitshmëria fiziologjike e vazhdueshme, hiperaktiviteti, çrregullimet e thella të gjumit, ankth i përgjithësuar, problemet emocionale etj. Në një kategori të dytë, fëmijët e dhunuar kanë më shumë të ngjarë të bëhen edhe vetë të dhunshëm. Kjo sepse duke përjetuar vazhdimisht dhunë dhe frikë apo pritshmëri për dhunë, ndodhin dhe çrregullimet e sferës njohëse të të menduarit apo perceptimit për jetën. Kështu fëmija i dhunuar keqinterpreton edhe sjelljet normale si kërcënuese dhe duke u bërë kështu më reaktiv, reagon në mënyrë më impulsive, e më tej të dhunshme. Për sa kohë është ende fëmijë, kjo është e vlefshme për t’i shpëtuar dhunës, apo si reagim e adaptim. Por duke u kthyer në tipar personaliteti në moshë më të rritur, këto tipare kthehen në keqadaptim social. Fëmija që dhunohet i ka të ndryshme edhe përvojat sociale, emocionale e njohëse. Përderisa përvojat lidhen me dhunën edhe raportet sociale lidhen me të. Ndodhin kështu ndryshime negative dhe në aftësinë për të mësuar, për të shkruar, aftësimin social etj..

Kështu fëmija i padhunuar, normal, fokusohet në fjalët e mësuesit, dhe mëson të abstragojë, përfytyrojë. Ndërsa fëmija që ka pësuar dhunë aktivizon pjesë truri të tjera që përpunojnë informacion tjetër. Ai fokusohet tek informacioni joverbal, shprehjet e fytyrës e lëvizjet e duarve të mësuesit, mundësia që së andejmi të vijë ndonjë rrezik i tipit dhunë. Kjo bëhet gati refleksive. Kështu tek ai rriten më shumë aftësitë joverbale e informacioni joverbal bëhet më me rëndësi se ai verbal. Kjo sepse duke qenë i stresuar e hipervigjilent ai përqendrohet tek gjestet, tek rreziku, pra për rrjedhojë përfton shprehi joverbale. Vështrimi i syve për të nënkupton kërcënim. Një prekje miqësore për fëmijën që dhunohet, është predispozitë mashtrimi, agresiviteti, normale për botën e dhunës nga vjen i dhunuari, por jo normale për situatat e zakonshme konkrete. Duke u kushtuar vëmendje gjithnjë ngacmuesve joverbalë, ata janë në gjendje frike e alarmi të vazhdueshëm. Këta fëmijë të keqtrajtuar e traumatizuar mund të kenë aftësi të mira e madje talent, por nuk arrijnë t’i shfaqin këto e konsiderohen të paaftë. Ata nuk mund të mësojnë e as të vlerësohen kurrë sepse janë në gjendje nxitshmërie të vazhdueshme dhe nuk arrijnë të shfaqin veten. Edhe sensi i kohës ndryshon për të dhunuarin. Për të e ardhmja nuk ekziston pothuaj, e për rrjedhojë pasojat e sjelljes së vet agresive nuk llogariten në kohë. Kështu ai vijon pa vështrim perspektiv të jetës deri në kohën kur rritet dhe motua bazë bëhet ajo e tipit “vrit, ose të vranë”. Ai vepron vetëm mbi bazën e shpërblimit imediat. Atij që i përforcon sjelljen dhe që përfitohet menjëherë. Asnjë shpërblim i vonuar për aktivitete si puna këmbëngulëse, të mësuarit etj., që do i japë rezultat më vonë, sukses nuk ndikon tek ai. Në përgjithësi dhuna në fëmijëri sjell pra dëmtimin e zhvillimit në të gjithë sferat intelektuale, socialemocionale, fizike dhe lëvizore e që vazhdojnë në moshë të rritur. Po kështu përvojat negative të jetës së fëmijërisë funksionojnë më vonë si modele negative në jetë.

Sa më i vogël fëmija që pëson dhunë, aq më të mëdha e mbetëse pasojat. Kjo sepse ai është në procesin e zotërimit e formimit të mjaft shprehive psikosociale, aftësive e vijave të karakterit. Në psikologji pranohet se në 5 vitet e para formohen tiparet më të qenësishme, të cilat në moshë më të vonë shumë-shumë trashen por mbeten në thelb të njëjta. Në një plan më të thjeshtë formohen, lëvizjet e pavarura, mendimi i pavarur, analiza e thjeshtë, komunikimi nëpërmjet gjuhës, kuptimi i hapësirës e distancës, tërheqja emocionale e tjetrit tek vetja, krijimi i lidhjeve. Fëmija mëson shumë shpejt gjuhën amtare, gjuhën e huaj. Formohet në thelb dhe personaliteti. Të gjitha këto goditen.

Shoqëria pasqyron në një masë të madhe mënyrën si janë edukuar fëmijët e së shkuarës. Kur ata edukohen keq, nuk mbrohen nga dhuna, bëhen vetë të dhunshëm, goditet shoqëria e së ardhmes. Fëmijët e dhunuar e bëjnë dhunën pjesë të strategjisë së tyre të jetës së ardhshme për të realizuar nevojat e tyre. Ata shohin se si dhuna shpërblen agresorin në raportin midis dy prindërve e më tej në shoqërinë e rrugës apo edhe të shkollës. Kësisoj fëmijët që bëhen më vonë të rritur, krijojnë një shoqëri agresive, jo krijuese, violente. A mund të thuhet se edhe ne do të vuajmë për ca kohë pasojat e formimit a keqedukimit të fëmijëve të dekadës së parë të viteve ’90? A mund të gjykohet se dhuna e brutaliteti, kriminaliteti i këtyre viteve por edhe i viteve më vonë, komplekset e vazhdueshme të frikës e konformizmit sot janë pasojë e këtyre viteve? Kjo periudhë për vetë tranzicionin e kaosin që kaluam, mendoj se frenoi kreativitetin, abstragimin, kulturimin e të rinjve, edukimin, shkollimin, i cili ishte formal dhe edukatën prindërore (sidomos në basifondet e imigrimit), elemente këto të domosdoshme të progresit human. Po edhe sistemi i dhunshëm nëpër të cilin kaluam para viteve ‘90 ka ndikimin e vet në formësimin apo shfaqjen e agresivitetit e dhunës në shoqërinë e sotme. Një sistem i dhunshëm natyrisht që reflekton më vonë në mendjen e njerëzve metoda të dhunës e të agresivitetit ndaj njeriut në shoqëri e familje. Edhe fëmijët e atëhershëm, burra të rritur sot, mbartin të interiorizuar dhunën, sidomos atë të modeluar e shfaqur deri në qarqet më të larta të shtetit totalitar të pamëshirshëm me njerëzit. Dhuna dhe emocionet e dallimet gjinore. Ka pa dyshim probleme të mëdha për sa i takon sferës emocionale dhe ndikimit të dhunës në fëmijëri.

Tek meshkujt fëmijë të dhunuar, siç mund të jetë vënë re, shfaqen dy kategori: e para ka të bëjë me inferiorët, ata që dhuna i mposht krejtësisht e kthehen në qenie të frikësuara me tiparet e komplekset që përshkruam më lart. Kategoria e dytë, kategoria që nga i dhunuar, në të ardhmen kthehet në dhunues apo i dhunshëm, veç pandjeshmërisë emocionale shfaq edhe zhvillimin e ndjenjave johumane, agresivitetit e deri në formësim të personalitetit antisocial, a kriminal. Djemtë mbi të cilët është ushtruar dhunë, kategoria që nga i dhunuar në të ardhmen kthehet në dhunues, veprojnë mbi bazën e motos “Me dhunë arrihet gjithçka. Dhuna të jep atë çka dëshiron”. Duke iu nënshtruar dhunës në fëmijëri, ata humbasin shprehitë verbale apo i kanë ato tepër të varfra e jo adekuate dhe përforcojnë ato joverbale. Nuk njohin as dialogun, as debatin e diskutimin. Aspekti emocional goditet rëndë dhe zhvillohet mungesa e dhembshurisë, dashurisë, mizoria, indiferenca e ftohtësia për vuajtjen e tjetrit a mungesa e empatisë. Ata mësojnë të njohin e përdorin vetëm agresivitetin fizik, trembjen e tjetrit, dhunën në raportet me tjetrin.

Ndikimi i dhunës pësuar në fëmijëri është i fuqishëm tek të dy ****et, por ka dhe ndryshime a variacione gjinore për sa i takon goditjes së aspekteve emocionale e atyre intelektuale: Kështu vajzat, ndryshe nga djemtë, (sigurisht me përjashtime të vogla vajzash që mund të bëhen të dhunshme) i takojnë kryesisht kategorisë së parë. Ato adaptohen me mendimin që dhuna është normale dhe për rrjedhojë përshtaten për të mos thënë aftësohen, për t’iu nënshtruar dhunës e për ta pranuar atë si normale a të zakonshme në marrëdhëniet e tyre të ardhshme intime a familjare. Tek ato zhvillohet kësisoj veç frikës, nënshtrimit edhe kompleksi i inferioritetit. Kur ende nuk kanë krijuar familje, ato fillojnë të praktikojnë përjashtimin a mënjanimin nga grupi shoqëror të të tjerëve që iu duken të rrezikshëm, (sidomos meshkujve) e kur nuk e realizojnë këtë, mënjanohen edhe vetë.

Thashethemi ka gjithashtu ndikim të madh tek ato e përdoret si armë e të pafuqishmëve prej tyre. Por në përgjithësi të dyja palët, meshkujt e femrat, humbasin ndjeshmërinë karshi sjelljes së dhunshme dhe kur rriten e pranojnë atë si normale. Po kështu, kur rriten a më herët, angazhohen vetë në sjellje të dhunshme, si prindër apo në raport me të tjerë. Të rriturit në familje të dhunshme, qofshin meshkuj a femra, gjithashtu pranojnë më lehtë dhunën në kurrizin e vet, ose e tolerojnë atë duke mos e parë si të tillë edhe sepse në disa raste ajo mund të jetë më e vogël se ajo që kanë provuar vetë në fëmijëri. Ky është një lloj adaptimi që sjell tjetërsim të personalitetit njerëzor.
 
Back
Top