Dhënia e tepërt ndaj kësaj bote humbet ahiretin

Ado

FISEBILIL-LAH
Falënderimet i takojnë Allahut, Fuqiplotit, Drejtuesit të kësaj gjithësie, të Parit pa fillim dhe të Mbramit pa mbarim! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara!
Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, gjithashtu dëshmojmë se Muhammedi s.a.v.s. është rob i Allahut dhe pejgamber i Tij!
Salatet, selamet qofshin mbi Muhammedin (s.a.v.s.) për të cilin Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë: “…Ai nuk flet nga hamendja, gjithë atë që e flet Ai është inspirim nga Allahu.”; mbi Familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në amshim!
Të nderuar xhematë!
Ligjëratën e sotme do ta fillojë me një thënie të Imam Aliut r. a. i cili thoshte se gjëja nga e cila frikohem më së shumti është: Shpresat e mëdha dhe ndjekja e epsheve. Shpresat e mëdha bëjnë që ta harrosh ahiretin, ndërsa ndjekja e epshit të largon nga e vërteta.
Si duket ajo për të cilën është mërzitur Imam Aliu r.a. na ka kapluar pikërisht neve besimtarëve të kësaj kohe… Që të dyja këto cilësi i posedojmë ne, pra edhe shpresat e mëdha për këtë dynja, edhe ndjekjen e epsheve. Pse e them këtë? Për shkak se jemi duke ndërtuar pallate sikur nuk do të vdesim kurrë, ndërsa nga ana tjetër jeta sa ma shumë vjen e na ngushtohet dhe duket se na shkurtohet, kurse në fakt ajo është e njëjtë me jetën e të Dërguarit të Allahut Muhammedit (s.a.v.s.) – pra 63 vjet jetoi ai, dhe po aq vite jetojmë edhe ne, por ama me një dallim substancial: ai për këto vite bëri shumë, gjegjësisht realizoi misionin me të cilin e ngarkoi Allahu i Madhërishëm; kurse ne duke ndërtuar pallate e ndërtesa për pasardhësit tanë (të cilat zor se ata, pra fëmijët tanë do t’i pëlqejnë, por me siguri kanë për ti prishur nga themeli…) e humbëm ahiretin dhe e harruam qëllimin për çfarë na krijoi Allahu i Madhërishëm.
Në anën tjetër jemi aq shumë duke e ndjekur epshin sa që të vërtetën e kemi harruar se ekziston. Pse e them këtë? Për shkak se jemi duke shpenzuar aq shumë mund dhe para të fituara me vite të tëra në mënyrë të lejuar hallall dhe të palejuar haram, por për çfarë? Për një synetllëk!!! E drejtë është kjo, reale është kjo, a nuk është kjo pastër ndjekje e epshit? Mos vallë feja na urdhëron kështu, apo kombi…!?!?!
اudi!!! 3 manifestime për një synetllëk, përkatësisht tri akte në një manifestim: larja e fëmijëve manifestim në vete; dita e synetllëkut manifestim me këngëtarë e këngëtare; dhe e fundit, që gjithë kësaj ia vë kapakun – është përsëri manifestimi me një mevlud… Dhe ironia arrin kulmin, kur i zoti i synetllëkut e pyet Imamin: Cilin veprim ta bëj më përpara – mevludin apo muzikën? Imamit duke iu dhimbsur se harxhon para i thotë bëri bashkë: një orë mevlud dhe 5 orë muzikë. Ky nuk ndalet me këtë dhe vazhdon e pyet cila është ma sevap: mevludi para apo muzikat, çudi…
Edhe njëherë e gjithë kjo për çfarë? Për një pastrim shëndetësor i cili është i urdhëruar nga feja.
اudi, vërtetë sa çudi me njeriun: sa i dobët dhe sa i dorëzuar shfaqet përpara epshit dhe shejtanit!!! E, nga ana tjetër, kur vjen në shprehje dhënia për diçka madhështore, për projekte të mira, ai me ngut përgjigjet: nuk kam!; Le ti bëjnë të tjerët, e mua më shkruani në shkallën e fundit se nuk kam…
Atje ku nuk duhet fare nuk shikon se sa harxhon, kurse atje ku duhet merr lapsin (kalemin) dhe shkruan sa sevape merr me i dhënë për xhaminë e sa sevape me i dhënë diku tjetër. Sevapin e duam shumë – por ashtu si na vjen mirë e për shtati neve e jo siç duhet dhe si urdhëron e na mëson feja.
Të nderuar xhematë!
Mesazhi apo këshilla e kësaj ligjëratë është Fjala e Allahut në suren Isra, ajeti 27: “Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve e djalli është përbuzës i madh i Zotit të tij”.
Kujdes i nderuari vëlla, kujdes, sepse ti je zotëria i asaj që posedon dhe do të japish llogari se ku e shpenzon, andaj hapi mirë sytë dhe shpenzoje pasurinë si duhet dhe ku duhet.
____________________
(Kjo hutbe është mbajtur nga Ibrahim Alija, imam në xhaminë e Rinisë – Tetovë)
 
Back
Top