Der Spiegel: Kërcënimi ushtarak rus

fshatari

Anetar
rusia-490x320.jpg


Më të vogla, më të shpejta, më efektive: presidenti Dimitri Medvedev synon reformimin e shpejtë të forcave të armatosura të Rusisë.
Synimi: një ushtri, e cila mund të intervenojë në gjithë botën. Së shpejti, kryesuesi i Kremlinit synon që vetë të vendosë për misionet jashtë vendit- shtetet fqinje janë tejet të brengosura.


Gjiganti nga çeliku vazhdoi lëvizjen nëpër lumin Neva. Më pas, ai u ndal në port, në qendër të Shën Petersburgut. Me qindra njerëz u tubuan në breg për të shikuar anijen luftarake franceze, Mistral, një anije moderne që bart helikopterë. Kjo anije u shërben si bazë operacionale gjashtë helikopterëve luftarakë, të cilët anija mund t’i transportojë në të gjitha ujërat e botës.

Shfaqja ushtarake në fund të nëntorit ishte një nxitje për flotën detare të Rusisë- ngase ajo po bën përpjekje të blejë anijen Mistral. Baza mobile për helikopterë do të ishte një përforcim i rëndësishëm për flotën ruse. Për shtetet më të vogla fqinje të Rusisë, si Gjeorgjia apo shtetet e Baltikut, kjo anije paraqet një kërcënim.

Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, po vazhdon të lëvizë përpara procesin e reformimit të forcave të armatosura. Ushtria e Rusisë ka rreth 1 milion pjesëtarë. Por njësitë vlerësohet se janë të trajnuara dobët, se kanë pajisje të pamjaftueshme dhe se nuk janë të lëvizshme.

Kjo më së miri u dëshmua më së miri në manovrat ushtarake, të cilat u zhvilluan në Bjellorusi. Disa njësive iu deshën shtatë ditë për t’u zhvendosur në një largësi prej 1 mijë kilometrash.

Kreu shtetëror i Rusisë dëshiron ta ndryshojë këtë me shpejtësi. ثshtë paraparë që gjatë viteve në vijim, ushtria të pajiset me sisteme moderne të armatimit, njësitë e ngathëta është paraparë të shkrihen në brigada të reja- forca të shpejta për luftë, të cilat me shpejtësi mund të dërgohen në rajonet e konflikteve.

Medvedev ka paralajmëruar se synon të krijojë edhe bazën politike për dërgimin e shpejtë të forcave ruse në misionet jashtë vendit. Deri më tani, ai për këtë është dashur të marrë pëlqimin e dy dhomave të parlamentit, të ashtuquajturin Këshill të Federatës. Tani, Medvedev ka kërkuar që ai vetë të marrë vendimet për dërgimin e forcave ruse në angazhimet jashtë vendit.

Thënë shkurt: Medvedev, i cili është komandant suprem i forcave të armatosura, në të ardhmen dëshiron të jetë njeriu, i cili do të vendosë vetë për angazhimin luftarak të ushtarëve rusë jashtë vendit.

“Synohet që të mbrohen interesat e Federatës ruse dhe të qytetarëve të Rusisë, si dhe që të ruhet paqja dhe siguria ndërkombëtare”, kanë theksuar burimet në Kremlin.

Megjithatë, shtetet fqinje në anën tjetër u frikësohen shantazheve nga ana e Rusisë: Kremlini po synon që makinerinë ushtarake ta shfrytëzojë si mjet për trysni, për të rikthyer ndikimin në hapësirën postsovjetike.

“Medvedev duket se po e sheh veten si një Napoleon të ri”, përqeshi planet e presidentit rus gazeta ukrainase, “"Ukraina Molodaja".

“Kryesia e Rusisë tani po e ndjen veten më të lirë, sesa që e ka ndjerë vetën kreu i Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë”, deklaroi eksperti ushtarak nga Ukraina, Sergej Sgurez, duke shtuar se këta hapa të Moskës nuk kërcënojnë vetëm Ukrainën, por gjithë Evropën.

Politikanë prominentë rusë, si prefekti i Moskës, Jurij Lushkov, në të kaluarën në vazhdimësi kanë theksuar se Krimeja është territor i Rusisë.
Medvedev nuk ka nevojë që të frikësohet nga rezistenca kundër planeve të tij në Këshillin e Federatës. Kryesuesi i këtij Këshilli, Sergei Mironov, tashmë ka sinjalizuar përkrahjen e tij për planet e Medvedevit, kjo iniciativë do të diskutohet gjatë mbledhjes plenare, e cila do të zhvillohet më 16 dhjetor.

“Rusia ka nevojë për mekanizma për të reaguar me shpejtësi ndaj kërcënimeve”, deklaroi Aleksandër Rahr, ekspert gjerman për Rusi.

“Po të kishte dashur të respektojë Medvedevi kushtetutën, gjatë luftës në Gjeorgji, në vitin 2008, atëherë ai do të duhej të konsultojë parlamentin. Por këtë ai atëbotë nuk e ka bërë. Tani ai nuk dëshiron të lejojë që të kritikohet sërish për mosrespektim të ligjeve. Megjithatë, nuk besoj se ekzistojnë plane konkrete për operacionet e jashtme të ushtrisë ruse, si për shembull në Krime apo Kaukaz”, shton Rahr.

Ekspertët kushtetues, si Michail Krasnov, gjithashtu shpalosin dilemat e tyre. Ky plan i Medvedevit bie ndesh me kushtetutën e Rusisë, e edhe deputeti Viktor Iljushin ka theksuar se plani i Medvedevit nuk është në përputhje me frymën e kushtetutës.

“Ekspertët, të cilët e kanë hartuar dhe miratuar kushtetutën në vitin 1993, e kanë pasur fare mirë në kujtesë se çfarë pasojash kanë pasur vendimet e individëve”, thotë eksperti ushtarak, Pavel Felgenhauer.

Hartuesit e kushtetutës kanë synuar që të pamundësojnë që një qark i ngushtë i njerëzve të vendosin për angazhimin e ushtrisë jashtë vendit, siç ka ndodhur në vitin 1979. Atëbotë ishte qarku i ngushtë i zyrtarëve sovjetikë, i cili dha urdhër për marshin e forcave sovjetike në Afganistan.

Tani, është pikërisht Medvedev ai, i cili disa herë ka theksuar publikisht se angazhohet për liberalizimin dhe demokratizimin e Rusisë, i cili po vendos sërish bazën për të ndërmarrë agresion ndaj shteteve fqinje.

Sipas Felgenhauerit, është kjo një shkelje e rëndë e kushtetutës së Rusisë
 
Back
Top