Dallimet në mes të profesionit të psikologut dhe psikiatrit

1601487709403.png

Nganjëherë ndodh të ballafaqohemi me situata të vështira dhe një ndër veprimet që zakonisht e bëjmë, është të shkojmë të dikush për t’i diskutuar problemet tona në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje. Njerëzit e parë të cilëve ju drejtohemi, janë ata më të afërt dhe të dashur për ne. Megjithatë, ndodh që ndonjëherë kemi nevojë të kërkojmë edhe ndihmë profesionale.

Kur kërkoni profesionist të tillë, mund të hasni shumë emra të ndryshëm, me tituj të ndryshëm të punës, si psikolog, psikiatër, këshilltar, psikoterapeut etj. Edhe pse janë profesione që mund të keni dëgjuar për to, mund të mos jeni të sigurtë për kuptimin e tyre. Dilema më e madhe mbetet në mes të psikiatërve dhe psikologëve, të cilët shpesh përdoren në mënyrë sinonime, e në fakt bëjnë punë shumë të ndryshme. Të dy profesionet janë kyçe në fushën e shëndetit dhe sjelljes mendore. Por, çfarë i dallon këto dy profesione?

Psikolog dhe psikiatër - Kush janë ata?

Psikologjia është studim shkencor i mendjes dhe sjelljes njerëzore. Psikologët studiojnë se si qeniet njerëzore mendojnë, sillen dhe ndihen në mjedise të ndryshme shoqërore. Pra ata janë ekspertë në sjelljen njerëzore.

Ndërsa psikiatria është një degë e mjekësisë, që merret me trajtimin e sëmundjeve mendore, shqetësimeve emocionale dhe sjelljet jonormale. Psikiatrit studiojnë anomalitë biologjike, neurologjike dhe biokimike, për të diagnostikuar sëmundjet mendore dhe për të përshkruar medikamentet për trajtimin e tyre.

Fushat e psikologjisë dhe psikiatrisë janë të dyja thelbësore në kërkimin dhe zhvillimin e trajtimeve për përmirësimin e mirëqenies mendore dhe emocionale të njerëzve. Të dy profesionet kanë një qëllim të përbashkët: të ndihmojnë njerëzit të udhëheqin jetë funksionale dhe të shëndetshme.

Dallimet ndërmjet psikiatërve dhe psikologëve

  • Psikiatrit trajtojnë çështje dhe probleme mendore përmes ilaçeve, ndërsa psikologët i trajtojnë ato me terapi.
Dallimi më i madh në mes tyre është në qasjen që ata marrin për trajtimin e problemeve/ sëmundjeve mendore.

Një psikiatër merret me trajtime mjekësore. Pasi të bëhet diagnoza, ata ndërtojnë një plan të kursit të trajtimit për pacientin, duke u fokusuar në menaxhimin e simptomave nëpërmjet përdorimit të medikamenteve dhe psikoterapisë.

Ndërsa psikologët kryesisht përdorin lloje të ndryshme të terapisë për të menaxhuar simptomat dhe për të ndihmuar pacientët e tyre të përballen me problemet e tyre. Ata mund të përdorin forma të terapive, siç janë: terapia psikologjike e sjelljes, terapia psikodinamike, terapia racionale e sjelljes, terapia humaniste etj. Gjithashtu ata janë të kualifikuar në kryerjen e testeve psikometrike, të cilat vlerësojnë gjendjen mendore, si dhe atributet për të përcaktuar rrjedhën e duhur të veprimit për pacientin.

Për shembull, nëse një person vuan nga depresioni, psikiatri do të përshkruaj medikamente kundër depresionit. Pas stabilizimit të pacientit, psikologu fillon terapinë për ta ndihmuar pacientin të menaxhojë mendimet dhe emocionet negative që i ka.

  • Psikiatrit zakonisht merren me çrregullime apo probleme mendore, por për psikologët kjo është vetëm një nga degët.
Psikiatrit janë mjekë dhe kështu punojnë kryesisht në mjedise të kujdesit shëndetësor si spitale, klinika të shëndetit mendor ose edhe në ordinanca private. Brenda fushës së mjekësisë, specializimi i tyre është shëndeti mendor dhe puna e tyre ka të bëjë vetëm me atë. Ata më tej mund të specializohen në fushën e shëndetit mendor, duke përfshirë fusha të tilla si: psikiatria ligjore, psikiatria e fëmijëve dhe adoleshentëve, menaxhimi i dhimbjes, mjekësia e gjumit, mjekësia e sëmundjeve të trurit etj.

Në anën tjetër, pasi që psikologjia është studim i mendjes dhe i sjelljes njerëzore, mund të zbatohet pothuajse në të gjitha fushat, për sa i përket shëndetit mendor. Fjala “ psikologji” është një term që përfshin fusha të ndryshme të psikologjisë: si psikologjia klinike, psikologjia e këshillimit, psikologjia e fëmijëve, psikologjia kognitive, psikologjia industriale / organizative, psikologjia ligjore etj. Të diplomuarit e psikologjisë mund të zgjedhin të specializohen në secilën prej tyre, varësisht nga interesi që kanë.

  • Psikiatrit mund të përshkruajnë medikamente, psikologët nuk munden.
Psikiatrit janë mjekë dhe janë të pajisur ligjërisht për të përshkruar medikamente për pacientët. Shumë çrregullime të tilla si: skizofrenia, çrregullimi bipolar, çrregullimi obsesiv komplusiv (OCD), çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD) etj., u përgjigjen kryesisht mirë medikamenteve dhe trajtohen nëpërmjet tyre.

Megjithatë, psikologët nuk mund të përshkruajnë medikamente të tilla. Ata kryejnë teste psikologjike për diagnostikimin e pacientëve dhe trajtimin e tyre përmes terapisë. Në rastet kur medikamentet mund të jenë efektive, psikologët i referojnë pacientët te psikiatri.

Busulla
 
Last edited by a moderator:
Back
Top