CO2 mundësoi jetën në Tokë

Lauri

Anunnak
Jetën në Tokë duhet t´ia dimë për nder një rastësie fatlume: gazi dyoksid karboni gjendet në pikërisht nivelin e duhur për të na mundësuar ne një atmosferë mbrojtëse me temperatura miqësore për jetën. Si mbartës i hidrogjenit, gurit themelor më të rëndësishëm të tërë jetës, ai merr pjesë në të gjitha ciklet biologjike.

Sistemi ynë diellor u formua para rreth 4,5 miliardë vjetësh, dhe me të edhe Toka. Që jeta të zhvillohej në formën e sotme duhet të ia dimë për nder një sërë rastësish fatlume.

Toka e sapoformuar i ngjante një ferri: në brendësi të saj vlonin forcat elementare. Shpesh ajo trazohej nga shpërthime të fuqishme vullkanike prej të cilave çlirohej një mori dyoksid karboni dhe avull. Përveç kësaj një numër i madh asteroidesh godisnin koren e Tokës. Përgjatë miliarda vjetësh u formua kështu atmosfera e hershme, që i dha mbrojtje planetit tonë. Ajo përbëhej kryesisht nga avulli, dyoksidi i karbonit dhe metani dhe i ngjante një serre skëterrore.

Shkëlqimi i diellit në kohët e hershme të Tokës ishte më i dobët se sot. Si pasojë planeti ynë duhet të ishte në atë kohë i tëri i mbuluar me akull. Që nuk ka qenë kështu, ka një shpjegim: atmosfera e Tokës përmbante më tepër gaze që thithin ngrohtësinë se sot, kështu që rrezatimi i nxehtësisë nga Toka kthehej në pjesën më të madhe mbrapsht. Temperatura relativisht të larta mbizotëronin në sipërfaqen e Tokës - i ashtuquajturi efekt serrë. Përgjatë shumë miliona vjetësh Toka u ftoh aq sa u krijuan kushte miqësore për jetesën.

Këtu luajti një rol të rëndësishëm një katastrofë astronomike: Para rreth 4,5 miliardë vjetësh u përplas një trup qiellor me Tokën e mëparshme. Nga kjo "fshikje" u shkëput një masë e madhe materiali nga korja e Tokës e cila së bashku me mbetjet e trupit qiellor u flakën në kozmos. Prej tyre u formua Hëna por ajo që ishte vendimtare për të ardhmen e planetit tonë ishte efekti anësor i kësaj: Së bashku me formacionet shkëmbore Toka e re humbi edhe një masë të madhe dyoksidi karboni. Megjithatë efekti serrë i atmosferës së hershme mbeti madhështor edhe për shumë milionë vjet.
Vendimtar ishte dhe një faktor tjetër: Përmes përqendrimit të madh të avullit në atmosferë u formuan retë e shiut. Shiu i parë ra mbi tabanin akoma të nxehtë, avulloi përsëri e krijoi sërish re të reja. Shkencëtarët kanë llogaritur se duhet të ketë rënë shi me rrëke për 40 000 vjet me radhë. Përmes kësaj u shpëla një pjesë e madhe e dyoksidit të karbonit nga ajri. Gradualisht u formuan oqeanet. Në tabanin e tyre u lidh dyoksidi i karbonit në formë të ngurtë.

Për të kuptuar se cilin fat do të kishte pasur Toka pa këto ndodhi mjafton t´i hedhim një sy planetit fqinj me tonin, Afërditës. Meqë aty nuk ka gjetur vend ndonjë përplasje planetësh dhe nuk ka pasur largime gazesh nga atmosfera, niveli i dyoksidit të karbonit në atmosferë është atje rreth njëqindmijë herë më i madh se i Tokës. Që në Afërditë është kaq nxehtë mundej teorikisht të lidhej me afërsinë me Diellin. Por meqë në mbulesën e trashë prej resh reflektohet një pjesë e madhe e rrezatimit diellor, efekti serrë që është tepër i madh bën që atje të mbizotërojnë temperatura prej 450 gradësh.

Duke e krahasuar me planetët fqinjë është e qartë që atmosfera e veçantë e Tokës është një fat i rrallë. Pa efektin e saj mbrojtës dhe efektin e përmbajtur serrë do të ishte këtu 33 gradë më ftohtë. I ngrirë nën një kore akulli, jeta nuk do të kishte asnjë gjasë, po të mos ishte për ciklin e dyoksidit të karbonit që kujdeset që fazat e ftohta me njolla të ngrira në planetin tonë të këmbeheshin me kohë të ngrohta.

Para rreth katër miliardë vjetësh kushtet në Tokë u stabilizuan aq sa u mundësua fillimi i një ere të re: U zhvilluan organizmat e parë primitivë. Por vetëm pas 800 milionë vjetësh kishin arritur të mësonin të shfrytëzonin energjinë diellore për të mbijetuar. Me fotosintezën bimët kishin përsosur përftimin e energjisë prej dritës së Diellit: Prej dyoksidit të karbonit dhe ujit dhe me ndihmën e energjisë diellore ato ndërtuan lëndë organike, bazën e të gjitha cikleve biologjike.

Kjo masë biologjike e prodhuar nga bimët e gjelbra - rreth 100 miliardë ton në vit në Tokë - është mbartësja e përgjithshme e energjisë për të gjithë qeniet e tjera të gjalla. Ai që nuk mund të krijojë veten prej masës biologjike të dyoksidit të karbonit, ushqehet me masën biologjike dhe çliron dyoksid karboni. Cikli i pafund i këtij gazi të veçantë është motori për të gjitha proceset jetësore në Tokë.

Molekula pa ngjyrë dhe pa erë e dyoksidit të karbonit është shumë e qëndrueshme dhe haset relativisht shpesh në Tokë. Ajri që thithim, përmban mesatarisht 0,03 përqind dyoksid karboni, çdo njeri thith në vit rreth 350 kilogram prej tij. Pjesa më e madhe e CO2 gjendet në formë të lidhur: në formacione shkëmbore me përmbajtje dyoksidi karboni dhe i lirë në oqeane. Nëse niveli i dyoksidit të karbonit do të rritej në 8 përqind, do të ishte vdekjeprurës për njerëzit dhe pjesën më të madhe të kafshëve.

Në historinë e Tokës klima i miliardëvjeçarëve të fundit ka qenë shumë më e ngrohtë se sot. 90 përqind të kohës në të cilën ka ekzistuar jeta, Toka ka qenë me ufëm dhe pa asnjë njollë akulli. Para 100 milionë vjetësh, në kohën kur dinozaurët mbizotëronin, ka qenë mesatarisht shtatë gradë më ngrohtë se sot dhe përqindja e dyoksidit të karbonit në ajër ka qenë tre herë më e madhe. Nëse bëhet përsëri më ngrohtë, kjo nuk do të përbënte ndonjë kërcënim për ekzistencën e Tokës. Të kërcënuara janë sistemet ekologjike, llojet e bimëve dhe të kafshëve të cilat i janë përshtatur klimës që mbizotëron sot dhe në rast ndryshimi të shpejtë nuk kanë mundësi shmangieje.

E kërcënuar është ajo që ne njohim.

Pasi që kishte mbetur konstant për 10 000 vjet, që me fillimin e epokës së industrializimit në shekullin e 18-të, dyoksidi i karbonit është shtuar me mbi 30 përqind në atmosferë: nga 280 ppm në 380 ppm (pjesë për milion). Kaq i lartë ka qenë niveli i CO2 për herë të fundit para rreth 700 000 vjetësh.

Përgatiti Alvin Ekmekçiu
Burimi: gjermanja ZDF - Abenteuer Forschung / Erde auكer Atem/ 15.04.2009
 
Back
Top