Burimet e se drejtes

muhamed-psh

Antar Aktiv
Burimet e së Drejtës


Një nga elementët kryesorë të shtetit qëndron në mundësinë e përgatitjes së rregullave te detyrueshme të krijuara për të mbajtur dhe disiplinuar vetë shtetin, marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera, marrëdhëniet e shtetit me qytetarët si dhe marrëdhëniet e qytetarëve midis tyre. Këto rregulla të detyrueshme për të gjithë, dhe për vetë ata që i nxjerrin, përbëjnë burimet e së drejtës së një shteti.

E drejta në kuptimin e vet të gjerë është një grumbull rregullash sjelljeje të përshkruara nga autoriteti kontrollues dhe kanë fuqi ligjore të detyrueshme. E drejta e një vendi mund të krijohet në mënyra të ndryshme. Mënyrat e ndryshme të krijimit çojnë në identifikimin e burimeve të ndryshme të së drejtës.

Kështu: "ثshtë burim i së drejtës çdo element, fakt ose akt pavarësisht nga forma, që parashikon një rregull të detyrueshëm për anëtarët e një shoqërie të caktuar." Rregullat e detyrueshme ndahen në rregulla apo burime formale (burime-akte) dhe rregulla apo burime joformale (burime-fakte). Kështu kemi rregulla të shkruara siç janë kushtetutat, ligjet, dekretet, vendimet e gjykatave, por edhe rregulla zakonore të pashkruara, të bazuara mbi nevojën e të prejardhura nga tekstet fetare.

Pjesa më e madhe e sistemeve juridike kanë zgjedhur sistemin formal të disiplinës së burimeve të së drejtës: ata parashikojnë shprehimisht cilat janë mënyrat e krijimit të së drejtës. Shumë i rëndësishëm është edhe raporti ndërmjet burimeve. Në çdo sistem ndeshemi me disa burime të së drejtës.

Ekzistenca e disa burimeve çon në përdorimin e një sistemi vlerësimi midis tyre. Përdoret parimi hierarkik sipas të cilit burimi më i lartë mbizotëron ndaj burimit më të ulët. Shembulli më i qartë mund të jepet në fushën e burimeve të shkruara: kushtetuta kushtëzon burimet e tjera të së drejtës, si p.sh. ligjet e
parlamentit, të cilat duhet t'i përshtaten kushtetutës sigurisht pa e ndryshuar atë. Në praktikë, mund të themi se në të gjitha sistemet mund të dallojmë të paktën tre shkallë burimesh: aktet kushtetuese; aktet ligjore (të nxjera nga parlamenti) dhe aktet nënligjore me karakter zbatues (të nxjerra nga qeveria). Megjithatë kjo ndarje nuk është e vetmja.

Burimet mund të qëndrojnë edhe në raport barazie: kështu p.sh. në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare dy ose më shumë kushtetuta që i përkasin dy ose më shumë shteteve të ndryshme janë në pozita të barabarta; në kuadrin e së drejtës kombëtare dy ose më shumë urdhëresa lokale kanë pozita të barabarta.

Në ditët e sotme ligji është në dukje burim kryesor, pothuajse ekskluziv i së dretjës. Në të gjitha vendet e së drejtës së shkruar juristët kërkojnë mbi të gjitha të identifikojnë rregullat dhe zgjidhjet e çështjeve duke u ndihmuar në radhë të parë nga tekstet legjislative ose rregulloret të nxjerra nga parlamenti ose nga autoritet qeveritare apo administrtive. Detyra e juristëve është kryesisht ajo e identifikimit, me anë të procedurave të ndryshme, të zgjidhjes që në çdo rast konkret korrespondon me vullnetin e legjislatorit. Kështu burimet e ndryshme nga ligji duket se zënë një vend dytësor, dhe të një rëndësie shumë më të vogël, në krahasim me pozitën e shkëlqyer që ka ligji.


Në fakt kjo analizë, megjithëse është shumë e përhapur, është tejet larg realitetit. Ajo nuk është pranuar asnjëherë tërësisht nga praktika dhe edhe në nivel teorik po pranohet gjithnjë e më tepër se sovraniteti absolut i ligjit është një koncept jo real: pranë ligjit ka vend edhe për burime të tjera të së drejtës. Të ngatërrosh të drejtën me ligjin do të thotë të identifikosh në ligj burimin eskluziv të së drejtës: një gjë e tillë është në kundërshtim me gjithë traditën e së drejtës. E drejta nuk mund të kërkohet vetëm në tekstet e së drejtës së shkruar; në këtë mënyrë do të ndryshonim përkufizimin e vetë së drejtës, duke mos parë më në të shrehjen e drejtësisë, por dëshirën e drejtuesve dhe udhëheqësve të shtetit.

ثshtë e vërtetë që në vendin tonë, anëtarët e gjykatave dhe juristët nuk ndihen mirë n.q.s. nuk përmendin, gjatë zgjidhjes së një çështjeje juridike, një ose disa tekste ligjesh. Në qoftë se dëshiron t'i drejtohesh gjykatës duhet të vërtetosh se është shkelur një ligj. Ky qëndrim të krijon përshtypjen se në vendin tonë e drejta dhe ligji janë një gjë e vetme dhe identike. Legjisatori mund, dhe duhet, të kontribuojë për të përcaktuar se cila është e drejta, por nga ana tjetër e drejta është një gjë e ndryshme nga ligji. Ligji është bërë elementi parësor për njohjen e së drejtës, por kjo nuk presupozon përjashtimin e elementëve të tjerë.

Hierarkia e burimeve formle është:

- Kushtetuta dhe/ose Ligjet Kushtetuese;
- Traktatet Ndërkombëtare;
- Ligjet;
- Dekretet me Karakter Normativ të Presidentit të Republikës;
- Vendimet dhe Rregulloret me Karakter Normativ të Këshillit të Ministrave;
- Vendimet dhe Udhëzimet me Karakter Normativ të Ministrave.


Kushtetuta dhe/ose Ligjet Kushtetuese:

Në shkallën më të lartë të kësaj hierarkie gjenden ligjet kushtetuese. Pjesa më e madhe e shteteve kanë kushtetuta të shkruara dhe përmbajtjes së tyre u njihet një prestigj i veçantë. Në disa vende ky prestigj ka vetëm karakter politik. Në disa vende përmbajtja e kushtetutës mund të ndryshohet vetëm me anë të një procedure të caktuar, por nga pikëpamja juridike kanë të njëjtën vlerë si edhe ligjet e zakonshme. Përmbajtja e kushtetutës nga pikëpamja juridike kanë një vlerë të ndryshme nga ajo e ligjeve të zakonshme: autoriteti i tyre i veçantë shprehet edhe me anë të një pozicioni kontrollues mbi ligjet e tjera. Me fjale të tjera ç'ka është shkruar në kushtetutë është parimi dhe rregulli bazë të cilit duhet t'i binden të gjitha autoritetet e tjera të shtetit, duke përfshirë edhe parlamentin gjatë ushtrimit të funksioneve të tij ligjvënëse.

Rëndësia e kushtetutës qëndron në faktin se ajo parashikon krijimin dhe organizimin e organeve kushtetuese, kopetencat e tyre, marrëdhëniet e këtyre organeve më njëri- tjetrin dhe marrëdhëniet midis autoritetit publik dhe lirive dhe të drejtave të individit.



Traktatet:

Një trajtim të ngjashëm me ligjet kushtetuese kanë edhe traktatet ndërkombëtare. Disa kushtetuta parashikojnë shprehimisht se traktatet kanë një autoritet më të lartë se ligjet e zakonshme. Disa vende nuk e parashikojnë një gjë të tillë në kushtetutë. Traktatet ndërkombëtare duhet të ratifikohen nga parlamenti që të marrin fuqi ligjore brenda vendit. Në pjesën më të madhe të këtyre të fundit, parlamenti duhet të nxjerrë legjislacionin e duhur për zbatimin e këtyre traktateve.



Ligji:

Në kushtet e botës moderne, si edhe për arsye të natyrës filozofike dhe politike, sot përgjithësisht mendohet se një nga mënyrat më të mira për të arritur në një zgjidhje të çështjeve juridike është të bazohesh në dispozitat e ligjit. Ligji për precizionin me të cilin është shkruar, duket se është teknika më e mirë për të përcaktuar norma të pastra dhe të qarta. Dispozitat e së drejtës së shkruar, të nxjerra nga organi ligjvënës, të cilat juristët janë të detyruar të interpretojnë dhe zbatojnë gjatë zgjidhjes së çështjeve ligjore, paraqiten në një shkallë të caktuar hierarkike. Ligjet nxirren nga parlamenti dhe janë të detyrueshëm për të gjithë, edhe vetë ata që i nxjerrin. Shkelja e tyre dënohet me një sërë mënyrash, që nga gjobat deri tek burgimi, nga Shteti.



Dekretet me Karakter Normativ të Presidentit të Republikës:

Në raste të caktuara Presidenti i Republikës ka të drejtë të nxjerrë dekrete me karakter të detyrueshëm. Në Republikën e Shqipërisë, kjo kompetencë e i njihet Presidentit midis dy legjislaturave: nga momenti mbylljes së një legjislature, gjatë gjithë kohës së zgjedhjeve dhe deri në mbledhjen e legjislaturës së re. Gjatë kësaj periudhe Presidenti i Republikës është i vetmi organ që nxjerr legjislacion. Puna e parë që bën Parlameti i ri është miratimi i këtyre Dekreteve, përndryshe ato nuk kanë më fuqi detyruese. Në vende të tjera kompetenca për nxjerrjen e dekreteve me karakter normativ mund t'i njihet presidentit
edhe në raste të tjera.



Vendimet dhe Rregulloret e Këshillit të Ministrave:

Ky grup përbëhet nga rregulloret e nxjerra për dhe në zbatim të ligjit. Këto janë kryesisht vendime me karakter të përgjithshëm të nxjerra nga ekzekutivi dhe janë të detyrueshme për të gjithë. Pse ekzistojnë këto rregullore? Në kohët e sotme ka lindur nevoja e rregullimit të marrëdhënieve gjithnjë e më të ndërlikuara dhe e ndeshjes së çështjeve nga më të ndryshmet. Kështu nuk mund të pritet nga Parlamenti të rregullojë me ligj të gjitha aktivitetet e mundshme dhe të imagjinueshme të kësaj botë. Disa herë ai ia delegon ekzekutivit nxjerrjen e këtyre akteve për dhe në zbatim të ligjeve në të cilat legjislatori parashikon vetëm parimet e përgjithshme.



Udhëzimet dhe Rregulloret me Karakter Normativ të Ministrave:

Menjëherë pas vendimeve dhe rregulloreve me karakter normativ të Këshillit të Ministrave vijnë Udhëzimet dhe Rregulloret me Karakter Normativ të Ministrave. Ato janë shumë të detajuara dhe kanë karakter të theksuar zbatues dhe janë të detyrueshme për të gjithë. Ato shtjellojnë në detaje ato ç'ka parashikuar legjislatori në ligj. E drejta për të nxjerrë udhëzime dhe rregullore për dhe në zbatim të ligjeve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave u jepet atyre në mënyrë të shprehur në ligjin apo në vendimin për dhe në zbatim të të cilit ato dalin.

Vendimet Administrative:

Presidenti i Republikës, Këshilli i Ministrave, Ministrat dhe Funksionarët e pushtetit lokal mund të nxjerrin respektivisht dekrete, vendime apo urdhëresa me karakter thjesht administrativ ose individual dhe jo normativ. Kjo do të thotë që urdhëresat e para nuk kanë karakter të detyrueshëm për të gjithë. Ato kanë lidhje vetëm me një çështje konkrete shumë specifike dhe shpesh i drejtohen vetëm një personi. Një shembull i tillë është urdhri i Ministrit për emërimin apo pushimin nga puna të njërit prej vartësve të tij ose dhënia e një license për ushtrimin e një aktiviteti specifik.

Burimi Zakonor (e drejta zakonore) ka pasur dhe ka një rëndësi të veçantë ndonëse me kalimin e kohës janë preferuar burimet e shkruara. Kjo edhe për dëshirën e institucioneve shtetërore dhe politike të cilat e konsiderojnë të drejtën zakonore tradicionaliste dhe konservatore.



Doktrina dhe Jurisprudenca:

E drejta doktrinale ose doktrina është formuar mbi bazën e analizës dhe zhvillimeve racionale të zhvilluara nga studiuesit e së drejtës. Studiuesit e së drejtës japin mendimet e tyre mbi interpretimin e teksteve të shkruara të ligjeve dhe akteve që janë të detyrueshme për të gjithë. Ky interpretim përfshin përsiatje dhe pikpamje të vetë studiuesve e shumë shpesh kanë vizion ndërkombëtar. Ky lloj
burimi ka qenë burim bazë i së drejtës në Evropë prej shekullit XIII deri në shekullin XIX për arsye se gjatë kësaj periudhe e drejta përpunohej kryesisht në universitete. Vetëm në kohët moderne supermacia e ligjit ka zëvendësuar atë të doktrinës si rezultat i fitores së ideve demokratike dhe kodifikimit të së drejtës.

Jurisprudenca ose e drejta që rrjedh nga aktiviteti i gjyqtarëve nëpërmjet precedentëve ka marrë një zhvillim të rëndësishëm kryesisht në sistemin anglo-amerikan. Në këto vende precendentët gjyqësor, ose parimi i së drejtës i zbatuar në një rast konkret janë një burim shumë i rëndësishëm i së drejtës dhe kanë karakter të detyrueshëm nëse janë të vendosura prej gjykatës më të lartë të atij juridiksioni. Le ta shpjegojmë më në hollësi.

Një gjyqtar i shkallës së parë në sistemin anglo-amerikan për të zgjidhur një çështje është i detyruar të zbatojë atë parim të së drejtës që ka zbatuar një gjyqtar në shkallën më të lartë të juridiksionit të tij në një çështje të njëjtë ose shumë të ngjashme me atë që ai po shqyrton. Ndryshimi në vendet e së drejtës civile qëndron në faktin se në këto të fundit precedentët gjyqësorë nuk janë të detyrueshëm për një gjyqtar të cilit do t'i duhet të marrë një vendim për një rast të njëjtë ose të ngjashëm. Përjashtim në këto raste bëjnë vendimet e gjykatës kushtetuese. Ato janë të detyrueshme për të gjithë dhe përfundimtare.

Megjithatë, edhe në vendet e së drejtës civile mudn të themi se vendimet gjyqësore të shkallëve më të larta janë në një farë mënyre të detyrueshme për faktin se n.q.s. çështja dërgohet për gjykim në shkallët më të larta, vendimi i marrë nga gjyqtari i një shkalle më të ulët mund të rishikohet në dritën e interpretimeve që gjyqtarët e shkallës më të lartë i kanë bërë ligjit për t'u zbatuar në një rast të ngjashëm. Për këtë arsye, më të gjitha vendet e të drejtës civile, përveç Shqipërisë, vendimet e gjykatave më të larta në hierarkinë gjyqësore, si dhe vendimet e rasteve të reja të dala nga praktika botohen dhe studiohen prej studentëve të drejtësisë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top