Bulizmi, 23% e nxënësve “modernë” tallin shokët

Love

βeℓℓe â๓e
69397.jpg


TIRANE- Rreth 25 për qind e nxënësve nëpërkëmben nga moshatarët e tyre, ndërsa rreth 2 për qind e tyre tallen e vihen në lojë në mënyrë frekuente. Të dhënat në lidhje me këtë fenomen, i përkasin studimit të Institutit të Shëndetit Publik, fenomen i cili në Perëndim njihet me emrin “bulizëm”. E nëse jashtë, ai është kthyer në një problem madhor, te ne shifrat flasin për të njëjtën gjë, por reagimi ndaj tij është ende shumë i vakët. Ndoshta, studimi i mësipërm është i pari që jep një të dhënë për këto sjellje mes të rinjve, ndërsa psikologët shprehen se ato mund të shkaktojnë pasoja fatale tek “të nënshtruarit”.

Sipas psikologes Irsida Lalaj, kjo situatë tek një fëmijë i nëpërkëmbur sjell humbje të besimit në vetvete, përçmim të vetes, mbyllje në vetvete, dëshirë për të qenë pjesë e atyre, rënie në depresion, sjellje agresive me familjen dhe njerëzit e dashur dhe rënie nga mësimet. Në këtë intervistë, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, psikologia shpjegon rëndësinë e vlerësimit të këtij fenomeni, ndërsa thekson rolin e shkollës dhe familjes si dy parandaluese të komplikimit të mëtejshëm të situatës.

Znj. Lalaj, çfarë nënkuptohet nga ana psikologjike me nëpërkëmbje në rastin e fëmijëve dhe adoleshentëve?

Nëpërkëmbja tek adoleshentët apo fëmijët ka ekzistuar që nga kohërat më të hershme deri në ditët tona. Ajo është ndarja e prerë me thikë, që shënon palën e parë, të nxënësve më të shkathët dhe më në modë dhe palën tjetër, të nxënësve të ashtuquajtur të urtë, të brishtë e të dhjetës. Ky diferencim i bërë nga pala e parë rrjedhimisht ul dhe përbuz palën e dytë. Nëpërkëmbja shfaqet në shumë forma. Nxënësit “modernë” vënë në lojë ata më të urtët, me sjellje, veprime, fjalë apo ofendime nga më të ndryshmet. Në shumë raste i tallin, i përbuzin, i ofendojnë, duke arritur në ekstremitete të tilla sa ushtrojnë dhe dhunë fizike të lehtë mbi ta.

Cilat janë disa nga perceptimet e një fëmije në këtë rast?
Kjo situatë tek një fëmijë i nëpërkëmbur sjell humbje të besimit në vetvete, përçmim të vetes, mbyllje në vetvete, dëshirë për të qenë pjesë e atyre, rënie në depresion, sjellje agresive me familjen dhe njerëzit e dashur, si dhe rënie nga mësimet.

Si mund të përjetohet kjo situatë nga ana e tyre?
Nëpërkëmbja për ta është sikur i kanë vënë botën përmbys përpara syve. Ata ndihen shumë keq, nuk dinë t’i japin zgjidhje, kaplohen nga mërzitja dhe nga stresi. Gjithashtu, fillojnë të besojnë ofendimet e tyre dhe kështu fillojnë të kenë neveri nga vetja. Përgjithësisht në shkollë janë të fjetur dhe në shtëpi janë agresivë, pasi është i vetmi vend ku mund të shprehin atë që ndjejnë.

Jashtë shtetit ka pasur raste që kanë çuar deri në vetëvrasje të fëmijëve si pasojë e këtij fenomeni. Ky sigurisht që është një veprim ekstrem, por cilat janë disa nga pasojat që mund të ketë “bulizmi” te fëmijët?
Ky depresion i çon këta fëmijë deri në mendimin se zgjedhja e duhur për të shpëtuar nga kjo gjë është vetëvrasja. Ata mendojnë se, duke i dhënë fund jetës i japin fund dhe nëpërkëmbjes. Kështu ata ndihen të realizuar në vetëflijimin e tyre. Por në disa raste të tjera shumë fëmijë apo adoleshentë zgjedhin një rrugë akoma më rrëqethëse, atë drejt hakmarrjes.

Sa i rëndësishëm është roli i familjes në këtë rast?
Suporti emocional që familja mund të japë te këta fëmijë është shumë i madh. Prindërit duhet të bëhen psikologë për fëmijët e tyre, t’i mbajnë afër, t’i kuptojnë, të flasin lirshëm me ta, t’i japin vëmendjen e duhur që ata vërtet meritojnë, t’u shtojnë besimin në vetvete, duke i shtyrë të ndihen krenarë për ata që janë.

Po i shkollës?
Edhe shkollat duhet të japin kontributin e tyre që është shumë i rëndësishëm. Si fillim, të dënojnë me masa të rrepta mendjemëdhenjtë dhe t’i trajtojnë të gjithë nxënësit njëlloj, pa bërë diferencime. Të instruktohen nxënësit kujdestarë për të qenë më afër problemeve dhe për t’i zhdukur ato. Duke mos harruar se bashkëpunimi nxënës –mësues – prind është mjaft i rëndësishëm në këto raste.

Një rekomandim të fundit?
Një mënyrë për të zhdukur këtë nëpërkëmbje është të ngrihet një shoqatë nga vetë nxënësit e nëpërkëmbur, me moton “Të gjithë të barabartë”. Kjo do të ulë sadopak nëpërkëmbjen nëpër shkolla, pasi kjo gjë do të rrisë besimin dhe do t’i bëjë më të fortë këta nxënës. Në rastin më të parë që një fëmijë cenohet, nëpërkëmbet, menjëherë duhet ta shprehë këtë shqetësim: si fillim me psikologun e shkollës, me mësuesin kujdestar apo me atë që ndjen më afër. Gjithashtu dhe me prindërit.

Historia e Amandës, 15-vjeçarja që vrau veten për shkak të bulizmit
Imazhe private të hedhura në internet dhe fyerje. Ekzistenca e Amanda Toddit, një 15-vjeçare nga Kanadaja, ishte kthyer në një ferr, ndërsa kjo e shtyu t’i jepte fund jetës së saj. Amanda vdiq për shkak të bulizmit. Ashtu siç raportojnë mediat italiane, një miku i saj kishte postuar në web një foto intime të saj, ndërsa më pas e kërcënonte dhe e ofendonte. Pas kërcënimeve, ai kaloi në fakte, duke publikuar foto, të cilat mund të shikoheshin nga kushdo. Për këtë arsye jeta e adoleshentes ishte gjithmonë dhe më e vështirë, aq sa prindërit e detyruan të ndërronte shkollën dhe qytetin ku jetonte. Në 7 shtator 2012, ajo publikoi një video në You Tube, ku tregonte historinë e saj, ndërsa kërkonte të lihej e qetë. Gjithashtu, shprehej se donte t’i jepte fund, ndaj dhe kishte pirë detergjent. Ndërhyrja në kohë e prindërve të saj e shpëtoi herën e parë, por pas kthimit në shtëpi ajo u përplas sërish me fotot e saj në web, ndërsa kjo e çoi drejt “fundit” të përjetshëm.
BalkanWeb
 
Back
Top