Bakojanis me akuza të ashpra ndaj Gruevskit

redi-

Anëtar i Respektuar
Ministrja e jashtme greke ka akuzuar kryeministrin maqedonas se po e shtyn popullin e vet në fanatizëm nacionalist, duke e larguar nga perspektiva euro-atlantike.
Duket pra se rifillimi i negociatave midis Athinës e Shkupit, javën e kaluar, nuk ka shtuar asnjë progres në maratonën e mosmarrëveshjes 20 vjeçare midis të dy vendeve fqinje.

Ministrja e jashtme, Dora Bakojanis është shprehur se mesazhet e Athinës ndaj Shkupit, janë në të njëjtën kohë mesazhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Por kritikat e saj ishin të ashpra për kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski : “Ai kujton se me inaugurime dhe falsifikime mund të rishkruajë historinë”, tha ministrja e jashtme.

Zonja Bakojanis theksoi angazhimin e palës së vet për të vazhduar negociatat, siç tha, me frymë konstruktive, me objektiv arritjen e një zgjidhjeje reciprokisht të pranueshme, pa fitimtarë dhe të humbur.

Ministrja e jashtme greke parashikoi se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë kritike, për të ashtuquajturat probleme të mëdha kombëtare, siç është ai i emrit të Maqedonisë, apo marrëdhëniet me Turqinë.

Deklaratat e ashpra të ministres së jashtme greke pasojnë refuzimin e Athinës ndaj gadishmërisë që shprehur nga qeveria maqedonase, për të kontribuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve të fundjavës në Greqi.

Zëdhënësi i qeverisë greke tha se pala maqedonase ofroi helikopterë dhe automjete zjarrfikëse.

Zëdhënësi e falenderoi vendin fqinj dhe la të kuptohej se vendimi për refuzimin nuk kishte nuancë politike.

Autoritetet greke që u ishte përcjellë oferta e palës fqinje, gjykuan se oferta nuk përputhej me nevojat që kishte vendi në këto momente, tha zëdhënësi.

Ky ishte rasti i dytë që Greqia refuzon me mirësjellje ndihmën e Maqedonisë përballë zjarreve.

Reagimet nga Maqedonia

Në Maqedoni nuk ka patur reagime nga zyrtarë pas deklaratave të Ministres së Jashtme Gerke.

Kryeministri Nikolla Gruevski edhe ministri i mashtëm Antoni Milloshovski, nuk janë në Maqedoni. Ata janë duke qëndrur për një vizitë zyrtare në Kanada.

Për çështje kaq delikate siç është çështja e emrit, zyrtarët e tjerë përmbahen të japin deklarata.

Komente ndërkohë nuk ka patur as nga Kabineti i Presidentit, Gjorge Ivanov, i cili gjithashtu është i përfshirë në procesin e negociatave.

Të vetmet reagime, nëse mund të thuhet ashtu, janë ato të mediave. Shumica e tyre kanë përcjellë deklaratat e ministres së jashme greke Bakojanis.

Por edhe vetë mediat nuk japin komente të gjata, siç mund të ketë ndodhur më parë.

Kjo ka të bëjë mbase edhe me faktin se deklaratat e znj. Bakojanis, janë të ngjashme me ato të negociatorit grek, Vasilakis pas takimit që pati ai dhe negociatori i Maqedonisë, Jolevski me ndërmjetësin e OKB-së, Mathew Nimetz.

Autoritetet kanë bërë të ditur se do të jenë më të përmbajtur në ditët në vijim. Edhe zyrtarët në Shkup më herët kanë pranuar se negociatat po hynë në një fazë kritike.

Ajo që dihet tashmë është se Shkupi zyrtar do të presë një reagim të parë nga z. Nimetz.

Pritet që ndërmjetësi i OKB-së t'u japë autoriteteve bë Shkup dhe Athinë një raport, nga i cili do të shihet se sa janë afruar palët me qëndrimet e tyre.

Mediat njoftuan se z. Nimetz do bëjë edhe korrigjime të tjera të propozimeve të tij.

Megjithatë tashmë pranohet se në qendër të këtij propozimi është emri “Republika Maqedonia veriore”.

Mediat në Shkup citojnë burime diplomatike, të cilat thanë se për Maqedoninë mbiemri “veriore” mund të jetë i pranueshëm, por vetëm nëse vendoset para ose pas emrit kushtetues “Republika e Maqedonisë”.

Megjithatë, asnjë nga përfaqësuesit qeveritarë në Shkup nuk ka dhënë detaje zyrtare.

Burimi: BBC
 
Back
Top