Atehere, cfare eshte lumturia?

Abstrakt

😉
Atehere, cfare eshte lumturia?

Aid el Karni
"Jetoje këtë jetë sikur të ishe i huaj ose shtegtar." (hadith)

"Të lumtë ata që janë të huaj në këtë botë.” (hadith)


Nuk është lumturi pallati i Abdulmelik ibën Mervanit, e as ushtria e Harun er-Rashidit, e as shtëpitë e Ibën Xhasasit, e as thesaret e Karunit, e as librat e Ibën Sinas, e as divanet e Mutenebit, e as kopshtet e Kordobës.

Lumturia qëndron në ato pak gjëra që i ke në dorë dhe çfarë të mjaftojnë për jetë. Lumturia qëndron në modesti dhe në përulje.

Lumturi është ajo çka është shkruar në Sahihun e Buhariut dhe çka ka deklaruar Hasan el-Basriu, si dhe ajo për çka ka vajtuar Ibën Musejebi, edhe ajo për çka kanë shkruar Shafiu, Maliku dhe Ahmedi.

"Nuk ka qenë nevoja që banorët e Medinës, e as beduinët në afërsi të saj të mbesin pas të Dërguarit të Allahut dhe që jetën e vet ta vlerësojnë më shumë se të tijën, ngase ata nuk do t’i mundojë as etja, e as uria në rrugën e Allahut, e as që do të futen në ndonjë vend që do t’i zemërojë jobesimtarët, e as do të pësojnë ndonjë të keqe nga armiku, e që për këtë nuk do t’u shënohet një vepër e mirë, Allahu vërtet nuk do të lejojë të dështojë shpërblimi i atyre që kryejnë vepra të mira."[1]

Lumturia nuk qëndron vetëm në atë që të kesh shumë para dhe t’i shpenzosh ato, e as në atë që të blesh një kafshë shtëpiake, e as të kesh ushqime me bollëk.

Lumturia është kur je i gëzuar dhe kur e njeh të vërtetën, kur je i qetë dhe e kupton jetën, kur je i përzemërt dhe kryen vepra të mira.

Të gjithë pandehim se do të jemi të lumtur dhe të kënaqur kur e ndërtojmë një shtëpi të madhe, kur blejmë shumë gjësende dhe plotësojmë të gjitha kërkesat tona. Megjithatë, në fund del se krejt kjo ka një çmim të lartë dhe se krejt kjo është shkak i brengave, pikëllimit dhe shqetësimeve tona.

"Dhe mos i shiko assesi gjatë bukuritë e kësaj bote, të cilat Ne ua ofrojmë si kënaqësi kategorive të ndryshme të jobesimtarëve, që t’i vejmë në sprovë me këtë, ngase shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe i përhershëm."[2]

Njeriu i cili ka kryer më së shumti vepra të mira në këtë botë është i Dërguari (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). E ai ka jetuar në mënyrë tejet të varfër, përdridhej nga uria, nuk kishte as një hurme të prishur për ta shuar urinë. Megjithatë, përkundër krejt kësaj, ishte pafundësisht i lumtur, i kënaqur, i qetë, i sjellshëm dhe i qeshur.

"A nuk e bëmë gjoksin tënd të gjerë, e ta hoqëm barrën e cila të rëndonte supet, edhe lartësuam shumë kujtimin për ty! Me siguri, me vuajtje ka edhe kënaqësi, me të vërtetë, me vuajtje ka edhe kënaqësi! Kurse kur ta përfundosh, përkushtoju lutjes dhe drejtohu vetëm te Zoti yt!"[3]

"Ndërsa Allahu e di mirë kujt ia beson Mesazhin e Vet."[4]

"Po të mos ishte mirësia e Allahut edhe mëshira e Tij ndaj teje, disa individë të tyre kishin ndërmend të mashtrojnë – por e mashtruan vetëm veten e tyre, kurse ty nuk të dëmtuan aspak. Ty Allahu ta shpall Librin dhe urtësinë dhe ta mëson atë që nuk e ke ditur; sa e madhe është mirësia e Allahut ndaj teje!"[5]


Në një hadith autentik thuhet: "Edukimi i mirë është bamirësi, kurse mëkati është ai që të shqetëson në gjoks dhe çka nuk do të doje ta kuptojnë të tjerët."

Mirësia është prehje dhe qetësi në shpirt.

E mira jeton edhe pas shumë vitesh.

Kurse të keqen e mëkatit nuk a lajnë dot as të gjitha të mirat e kësaj bote.

Në hadith thuhet: "E mira sjell qetësi në gjoks, kurse mëkati shqetësim dhe pasiguri."

Njeriu i cili kryen një vepër të mirë është i qetë çkado që të bëhet, kurse mëkatari frikohet dhe tmerrohet nga çdo ngjarje dhe çdo lëvizje.

"Dhe pandehin që çdo qortim është kundër tyre."[6]

Pra, mëkatari jo vetëm që kryen gjëra të ndaluara, por me këtë ai nxitë dyshim, shqetësim dhe huti në vete.



Mëkati nxitë te njeriu mendime e dëshira të prapa,

andaj ai frikohet nga thirrjet e rreme.



Secili që dëshiron të jetë i lumtur duhet të kryejë vepra të mira dhe të largohet nga mëkati për të qenë më i sigurt.

"Të sigurt do të jenë vetëm ata që besojnë dhe besimin e vet nuk e ngatërrojnë me politeizëm; ata do të jenë në Rrugë të drejtë."[7]

Sead ibën Ebi Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), ishte izoluar në shkretëtirë, e kishte vendosur tendën dhe kishte nisur një jetë pa zhurmë dhe kërkesa të palogjikshme të njerëzve. Me familjen ruante një kope të vogël dhe e falënderonte Allahun për begatitë e panumërta. Një ditë tek ai hyri, duke vrapuar, djali i tij, Omeri dhe deklaroi:

"O baba, njerëzit po luftojnë kundër kalifit, kurse ti këtu po ruan dele."

Kurse ai ia ktheu: "Kërkojë shpëtimin e Allahut nga idhujtaria. Më së miri do të ishte që të varfrit të jenë kalifë, por e kamë dëgjuar të Dërguarin (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), duke thënë: "Allahu e do robin e pasur, të tërhequr dhe të devotshëm."

Qetësia e besimtarëve për shkak të besimit të vet është më e lartë se e të gjithë mbretërve së bashku, ngase vetëm feja qëndron me ty gjersa të futesh në kopshtet e Xhenetit, kurse prej mbretërve nuk mbetet asgjë.

"Ne Tokën, si dhe ata që jetojnë në të do t’i trashëgojmë dhe te ne ata do të kthehen."[8]





[1] Teube, 120.
[2] Ta-Ha, 131.
[3] Inshirah, 1, 8.
[4] En`am, 124.
[5] Nisa, 113.
[6] Munafikun, 4.
[7] En`am, 82.
[8] Merjem, 40.
 
Back
Top