sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
AK kritikon qeverinë: Ky vit është ditëlindja e vendit, jo e Berishës
Përkrenarja dhe shpata autentike e Heroit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, do të sillen këtë vit në Shqipëri për t’u ekspozuar në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë. Premtimin e bëri dje zëvendëskancelari i Austrisë, njëkohësisht ministri i Jashtëm austriak, Mikael Spindeleger gjatë një takimi që zhvilloi dje me Kryeministrin Sali Berisha në samitin e përvitshëm të Dubrovnikut që po mbahet aktualisht në Kroaci.
Përveç premtimit për të sjellë në Shqipëria armët autentike të Skënderbeut që ndodhen në muzeun e Vjenës, numri dy i qeverisë austriake theksoi gjithashtu se Austria do të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë me përfaqësimin e autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe e lidhjeve të ngushta midis dy vendeve e popujve. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e madh që ka pasur Austro-Hungaria në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Në memorien e kombit, – u shpreh Kryeministri, – kontributi i ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontit Bertochd, dhe i vendeve mike Austrisë e Hungarisë do të qëndrojë përherë në altarin më të lartë të vlerësimit të kombit shqiptar”, theksoi Berisha.
Po dje një tubim përpara Ministrisë së Kulturës, Aleanca Kuqezi i bëri thirrje qeverisë që të mos politizojë festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Sekretari për Kulturën dhe Artin në AK, Mystehak Xhemali, deklaroi se ky vit i shënuar nuk mund të përdoret si ditëlindje e Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, por duhet të jetë një vit, i cili në radhë të parë duhet të sigurojë reflektim për klasën politike.
“AK shpreh me forcë indinjatën e saj për ndasitë dhe urrejtjen politike që Sali Berisha po kultivon në veprimtaritë e 100-vjetorit të Pavarësisë, duke përjashtuar e selektuar pjesëmarrjen në këto veprimtari personalitete e akademikë të shquar, si prof. dr Rexhep Qosen e shumë të tjerë. Denoncojmë gjithashtu ndërhyrjen brutale për interesa personale e politike në ndryshimin e historisë së lavdishme të luftës për çlirim kombëtar në periudha të ndryshme historike, përfshi edhe luftën çlirimtare të viteve 1939-1944. Aleanca Kuqezi deklaron se ky vit jubilar do të shënojë edhe fundin e Sali Berishës e ai nuk mund të kremtohet si një ditëlindje e tij, por si fundi i regjimit të tij diktatorial”, theksoi Xhemali.
Aleanca Kuqezi denoncon se nuk ka asnjë proces transparent në zërat e shpenzimeve buxhetore për këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. /Shqiperia
Armet autentike - Viene
Memorial i Skenderbeut - Kruja