Argumentet e Serbisë

Kresha

A pretty face can never trick me
Dushan Batakoviq: "Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial".

Pikërisht në orën 10:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, në Hagë ka filluar seanca e parë dëgjimore rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Folësi i parë, pas hapjes zyrtare të seancës, ka qenë përfaqësuesi i Serbisë, Dushan Batakoviq, i cili tha se për organizatat ndërkombëtare, "veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë", deklarata unilaterale e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi ai shpalljen e pavarësisë së Kosovës, "është një sfidë shumë e madhe".

Ai tha se "ajo sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial".

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë rëndësi fundamentale jo vetëm për zhvillimet në Kosovës, por edhe për rendin ndërkombëtar, ka vënë në pah Batakoviq.

Ai e ka cilësuar edhe kësaj radhe Kosovën si "djep të Serbisë", duke përsëritur kësisoj një formulim tashmë të njohur të Serbisë zyrtare. Sipas Batakoviq, është pikërisht deklarata e pavarësisë ajo që i shndërroi serbët në Kosovë në një minoritet.

"Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial", ka thënë Batakoviq, për të shtuar se "megjithatë, Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën".

Në të shumtën e kohës, Batakoviq është thirrur në Rezolutën 1244, që, sipas tij, "garanton integritetin territorial të Serbisë".

Ai ka thënë se i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, dhe disa vende të caktuara "kanë bërë presion që pavarësia të imponohet si zgjidhje".

Batakoviq, me këtë rast, ka akuzuar, siç ka thënë ai, "ekstremistët shqiptarë për krime, veçanërisht pas fushatës së bombardimeve në vitin 1999" dhe në këtë kuadër, ka përshkruar "kishat e rrënuara ortodokse serbe dhe zbrazjen e Prishtinës nga serbët".

"Deklarata unilaterale e pavarësisë", ka thënë Batakoviq, "është një përpjekje që t'i jepet fund administrimit të UNMIK-ut dhe sovranitetit të Serbisë në Kosovë".

Në mbyllje, Batakoviq ka thënë se "Serbia është e bindur se kur GJND-ja të japë mendimin e vet këshillëdhënës, vetëm atëherë do të krijohen kushte për bisedime të reja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për statusin e Kosovës".

Në favor të Serbisë ka folur edhe avokati Vladimir Gjeriq, duke përmendur aspektet procedurale dhe në këtë drejtim, sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të duhej të jepte mendimin këshillëdhënës në favor të Serbisë.

Gjeriq ka thënë se mendimi këshillëdhënës në këtë rast do të jetë në shërbim të rendit ndërkombëtar.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nga, siç ka thënë ai, "organet e përkohshme të vetadministrimit në Kosovë, nën Rezolutën 1244 dhe në këto rrethana, nuk ka mundur të jetë legjitime".

Mbrojtësi i radhës i argumenteve të Serbisë ishte eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Andreas Zimerman, i cili ka pohuar se "Rezoluta 1244 ka qenë garantuese e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë".

Zimerman ka nënvizuar se "Rezoluta 1244 nënkupton që çdo zgjidhje të jetë e harmonizuar ndërmjet dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë".

Malkolm Shau ndërkaq, pjesëtar i ekipit të Serbisë, ka thënë se njohja e Kosovës nga vendet tjera është irelevante.

"Ajo që është e paligjshme nuk mund të konsiderohet si e ligjshme nga veprimet e palës së tretë", u ka thënë ai gjyqtarëve, duke tërhequr vërejtjen se nëse mendimi i gjykatës shihet si dobësim i parimeve për të drejtat e një shtetit mbi tërësinë territoriale, "atëherë do të jetë burim i konsiderueshëm i nervozizmit për vendet tjera që përballen me lëvizje secesioniste".

Rreth orës 13:00 përfundoi treorëshi i Serbisë dhe në orën 15:00 Kosova do të bëjë prezantimin e qëndrimit të saj.

Fjalën hyrëse do ta paraqesë ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. /evropaelire/
 
Back
Top